2017-08-01

I bleu votat Rama?! Oj të blerë!


Shkruan: Pëllumb Kulla

Unë nuk votova dhe nuk ishte nevoja përderisa rezultatet dolën ato për të cilët do të votoja. Por më duhet të përsëris përshtypjet e mia elektorale, të shprehura hera herës dhe të thëna nga mijëra të tjerë, shumë kohë para meje.

Pjesa dërmuese e rezultateve, qëkur shoqëria njerëzore ka filluar të votojë, janë kryesisht jo votime, por kundërvotime. Sharja e kundërshtarit është kryefjala. Ligësia e tij është favori i atyre që duan ta mundin. Dhe kjo ka qenë dominantja e tërë zgjedhjeve shqiptare pas periudhës enveriane. Njerëzve u kërkohet vota, jo se ata që e kërkojnë janë më të mire, por sepse ata, kundërshtarët, kriminelët, hajdutët, maskarenjtë, janë më të këqinj!

I bleu votat Rama?! Oj të blerë!

E njohur kjo: një faqezi të nxjerr faqebardhë!

E reja e kësaj fushate është që Edi Rama e uli ndjeshëm strategjinë e sharjes, nga avazi i të cilës nuk shpëtuan dot të tjerët. Kjo i siguroi Rilindjes disa përparësi dhe i dha asaj një fitore, peshën e së cilës mund ta vuajë më vonë.

Në analizat që kam lexuar dhe dëgjuar nuk kam arritur të vej re theksimin e dy gjërave novatore që lideri i Rilindjes ka sjellë me shumë mënçuri në dy zgjedhjet e fundit. Në të parat, në ato të 2013, ai hoqi që të tre anëtarët e vet të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kohën që partitë e kërkonin me ngulm e me thonj praninë në atë komision. Në këto të fundit eci akoma më tej: pranoi të gjithë kundërshtarët në qeverisje. Me këto dy akte të fisme ai demitizoi në mënyrë të ndjeshme rolin e Komisionit Zgjedhor dhe qeverisë në rezultatet përfundimtare. Me këto dy lëvizje ai u hoqi gurët e themelit platformave qesharake të humbësve, atë që në Shqipëri dalin që të gjithë fitimtarë, por nuk janë në pushtet, ngaqë u janë vjedhur, u janë blerë, u janë keqnumëruar votat!

Po, a i bleu votat Edi Rama dhe njerëzit e tij? Oj të blerë!

Që nga dita e parë e fushatës, që ngjiri oratorët dhe deri ditën e fundit, Rama përqeshi, talli, satirizoi kundërshtarët por nuk mori rolin e sharësit dhe të prokurorit.

Ai i bleu votat. I bleu por nuk deshi të mbështetej mbi nxirjen e kundërshtarëve, të cilët nuk ishte nevoja t’i nxinte më shumë seç ishin. Ai bleu vota, me stilin e tij të blerjes, me atë që pat përdorur në 2013, kur u zotua por nuk i mbajti premtimet për 300 mijë vende pune, një shërbim mjekësor shembullor, një drejtësi po aq shëmbullore dhe ndëshkim të akteve kriminalë e tronditës, që i patën mbetur në derë të kryeministrisë.

E kjo ishte një lloj blerje ku e ku më e kushtueshme se një mijë euro për një votë, që të mbajnë frymën për një muaj e të marrin shpirtin për katër vjet.

Këtë radhë ai e rriti çmimin për blerjen e votës, por ama e bleu atë përsëri, duke bindur njerëzit se sukseseve që pati në reformat dhe shtetbërje, do t’u shtojë ca suksese më të mëdha, si larjen e borxheve të premtuara të 2013, përsosjen e shtetit, vendosjen e drejtësisë…

I bindi shqiptarët dhe ata u blenë.

I bleu Rama përsëri, duke ua shtuar shpresat dhe duke rritur riskun karrierës personale dhe skuadrës së tij. Edvin Rama është aq i mençur sa ta kuptojë se alibinë që përdori me praninë e Metës në qeverisje në fund të katërvjetshit që sapo shkoi, e pati si favor të cmuar. Por tani, pasi e dërgoi ortakun prapa hekurave të oborrit të presidencës, në vend që ta dërgonte, siç mendohej, prapa ca hekurave të tjerë, nuk do ta ketë më atë shfajësim, dhe blerja do të ketë pasoja të rënda, që nuk do t’ia kishte zili asnjë fitimtar.

Përparimi që po bën reforma në drejtësi, zbatimi i vetingut dhe gjithë të korrat që pati Rama në këtë verë të vitit 2017, rrisin shpresat dhe përgjegjësinë. Personalisht unë uroj që ai të ruajë të paprekura ato shpresa që njerëzit i kanë mbështetur në idealizmin e tij të natyrshëm. Dredhitë e tij politike edhe çmohen edhe përfliten, pasi ai është në fokusin e vëmendjes. Ne, mendjellinjtë e gazetave, mund të themi se ai dhe ka blerë dhe e kanë blerë, por këto janë zhurmërimet e kafeneve të fshatit shqiptar. Ndohtja që i bëhet autostradës së shqiptarëve drejt Europës, me gjoja marrëveshje të errëta për amnistira të dyshimta, që paskan bekimin amerikan, janë tagjira për grazhdet e vulgut. Vetëm mendjet e sëmura mund të besojnë se gjenden amerikanë që të shpëtojnë kryekriminelët shqiptarë. Nuk mund të ketë në një vend shëmbullor të demokracisë dhe të mbretërimit të ligjit, pushtete djallëzore amerikane, aq prepotentë sa të shpëtojnë presidentët shqiptarë, importe të komunizmit, në një kohë që nuk shpëtojnë dot presidentët e tyre amerikanë, qofshin ata Nixon, Clinton apo Trump (teksa ndodhet akoma nën syrin e ciklonit të hetuesisë).

Shqipëria nuk është parajsa e preferuar e Allahut, ku prangosen kryeministrat kroatë, bullgarë, serbë e maqedonas dhe të kenë imunitet ata të një vendi që quhet i shqiponjave dhe ku nuk po gjen një shqiponjë për bè; një vend që në tërë këto kohë, me thatësirën e saj të idealizmit, sado që të shterzonte, nuk do të lindëte dot natyrisht asnjë burrë shteti vetëm burra të pasur dhe demagogë.

Nëse gjithë ky angazhim në drejtësi nuk shuan pikpyetjet, nuk ka Ed Ramë dhe perëndi që t’ua heqë shqiptarëve nga mendja, që ky vend është vërtet i begatë pafundësisht, i bukur pakrahasueshmërisht, i dashur dëshpërimisht, por i mallkuar pandreqshmërisht.

Dhe nga një e mirë, kjo situatë e re për Rilindjen, bëhet një përgjegjësi dhe dizavantazh. Është një sfidë e madhe sa mali i Tomorit! Rama këtë radhë i bleu shqiptarët shumë shtrenjtë. Tani vetëm kafshët e grazhdit mund të hanë sillazhe komisionesh hetimore, vrasje dhe çprangosje guvernatorësh bankarë, mosdepozitime akuzash publike për vrasje të pasqaruara dhe hetime të kokolepsura.

Një barrierë e paprovuar për partinë e Edi Ramës dhe Pandeli Majkos me shokë është Opozita që po skicohet përballë. Ajo nuk do të jetë më opozita me bateri të shkarkuara e Berishës, ajo e diskredituara, e shqelmuara, që kish marrë tatëpjetën pas katër viteve të para të saj. Tani do të jetë një Opozitë e egërsuar, e dhjamur, e revoltuar, e cila do të shpërfillë çdo rregull e çdo etikë parlamentare. Dhe gjithkush i njeh mirët opozitat shqiptare, që nuk do të gëzohen kurrë, as për Europë e as për Amerikë, as për reformë dhe as për rritje ekonomike. Opozitat tona qëkur u gremis komunizmi, duke urryer qeveritë kundërshtare janë lutur në kisha dhe xhamia vetëm, për tërmete, për përmbytje dhe vullkane. Jo më pastaj, sikur ekonomia të gremiset e sikur hajdutëria e kriminelët që e populluan aq shumë politikën shqiptare, të hedhin përsëri valle.

Rreziku që kërcënon një shumicë si kjo, që “fatkeqësisht” u fry ca si tepër, është mungesa e opozitarizmit në gji të vetë shumicës. Them se njoh shumë pak elementë nga të zgjedhurit, por ëndërroj që shpirti shëndetshëm i kundërshtimit të ndihmojë vendimet aventureske, politikat e dëmshme, që shumica mund të ideojë, apo të verë në zbatim. Një opozitë e tillë e gjirit ka vlera jetike. Opozitën që ka uri për pushtetin të metat e qeverisë e gëzojnë dhe ajo i do ato si oksigjenin, kurse opozitën e gjirit ato e dëshpërojnë, se ajo i do të mirën qeverisë dhe vendit. Dhe ky është një dallim thelbësor.

Kjo blerje daltë e suksesshme dhe unë e mbyll me urimin tim më të mirë.

Dhe, siç nuk patët zor për ta kuptuar, jam i blerë dhe unë!

Oj të blerë!


*******

Pëllumb Kulla ka lindur në Zëmblak të Korçës në vitin 1940.

Përfundoi arsimin e mesëm në degën mekanike të Politeknikumit "7 nëntori"(1957) dhe studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë Teatrale "Aleksandër Mojsiu" më 1964.



Aktiviteti profesional

U emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.

Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon per riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë.

Riedukimi zgjat po aq sa iu desh per te kryer studimet e larta; plot katër vjet.

Më 1972 emërohet aktor në Teatrin e Fierit, me pas regjisor; dhe punoi aty 18 vjet, si regjisor i Estradës dhe Teatrit.

Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arrin "kullën" e suksesit. Ështe me e mira ne vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët "Çobo Rrapushi me shokë" (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë.

 Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV.

Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër".

Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të bukur financuar nga Bashkia e qytetit të Fierit, me titullin e përbashkët "Teatri kjo lojë magjepsëse".


Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri.

Më 1987 i jepet Çmimi "Naim Frashëri" i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër".

Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë.

Përjashtimin e bën komedia "Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë", vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin "Skampa" të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.

Vitet '80

Në vitet '80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park" pa llogaritur pastaj angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin e vetëm shtetëror.

Aktiviteti pas viteve '90

Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).


 Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut.

Shumë shpejt u rikthye në New York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane "Illyria". Gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë.

Botoi njw seri librash qw u pritwn me interes.

E nisi fillin me essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, "Si qeshnim nën diktaturë" dhe vijoi me romanet "Rrëfenja nga Amerika", "Lejlekët nuk vijnë më" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës".

 Ndërkohë Shtëpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime "Pushtimi i Amerikës" (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER ia përmblodhi edhe një herë më gjerë novelat dhe tregimet e tij nën titullin atraktiv "Rrëmbimi i nuses në Nju Jork" (2012).

Pa u shkëputur nga librat e tij shënojmë një botim të bukur të Universitetit Europian të Tiranës me afro 700 faqe nën titullin emblematik "Luftë pa Fund" ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të vendit të tij.

Aty janë që nga bashkëpunimet e para me gazetën "Rilindja Demokratike" e pastaj me tërë gazetat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe ShBA. Vlen të theksohet që edhe në tokën amerikane nuk pushoi bashkëpunimi i tij në fushën e skenës teatrore për të sjellë pranë shqiptarëve të emigruar humorin e vatrave të mëmëdheut dhe për këtë u angazhua shumë me koncerte duke shfrytëzuar bashkëpunimin me aktorët e njohur shqiptarë të vendosur me banim të përhershëm apo të përkohshëm në qytetet amerikane.

I takon skenës përkushtimi në shkrimin e një sërë komedive të plota që pastaj u realizuan në atdhe. Këto janë "Kërcuri" (2003), "Milioneri" që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), "Dikush duhet të vdesë" (2011) dhe "Shshsht! Ule zërin" (2013).

Vlerësime: Është vlerësuar me titullin "Nderi i Qarkut" Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Mojsiu i është akorduar titulli "Mjeshtër i Madh" (3 dhjetor 2003)

Aktiviteti letrar si përkthyes

Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...