SHKRUAN: AKADEMIK PROF.DR.MEHDI HYSENI
Me gjithë rezervat dhe me "xhelozinë" tonë, Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit, me fat u qoftë miqësia, por, pa Kosovën dhe pa Shqipërinë Etnike, sepse Vuçiqi e Rama "kanë bërë shumë për normalizimin e marrëdhënieve" të Serbisë me Kosovën, Vuçiqi me Serbinë e inicioi dialogun Beograd-Prishtinë për revidimin e statusit të pavarësisë së Kosovës, kurse Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta e mbështetën dhe, ende po mbështesin pa asnjë rezervë. -Ja, këto janë "meritat" dhe "kontributi historik" i diplomacisë miqësore të Shqipërisë dhe të Serbisë për "zgjidhjen" e konfliktit shekullor mes Kosovës dhe Serbisë.
Nuk ka merita reciproke Tiranë-Beograd
(Rama-Vuçiq), pa njohjen e pavarësisë së plotë të Kosovës nga ana Serbisë! Vërtet, i dhembshëm, absurd dhe i papranueshëm është prononcimi i kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ndërkaq, sa u përket "meritave" të tij të normalizimit të marrëdhënieve politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe biznesore të Shqipërisë me Serbinë e Aleksandar Vuçiqit (president aktual), ajo është çështje e tij personale, le ta ketë mik të shpirtit dhe të zemrës Vuçiqin, pse jo, me fat u qoftë miqësia, por, ama nuk ka përzierje të gishtave në çështje të brendshme të Kosovës, sepse kemi Amerikën e presidentit Donald Trump. Vetëm politika dhe diplomacia e Uashingtonit ka të drejtë legale, që të ndërhyjë në çështje të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, askush tjetër, as Serbia, as Shqipëria londineze (1913), sepse Amerika së bashku me NATO-n dhe me UÇK-në e ka çliruar, shpëtuar dhe pavarësuar Republikën e Kosovës nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale.- JO Shqipëria, as Kina, as Rusia, as Greqia dhe as Turqia. Kjo është historia e Kosovës (24 mars 1999- 2017) së sotme. Edi Rama nuk e do ribashkimin me Kosovën, sepse i frikësohet tundjes së kolltukut dhe prishjes së miqësisë shekullore me Serbinë e mikut të tij, Vuçiq (1912-2017)! Një proverb popullor thotë: "Nga shkon rrota e parë, shkon edhe e mbrama". Prandaj, nuk është ndonjë novus, pse kryeministrit të qeverisë aktuale të Republikës së Shqipërisë, "i dhimbset Vuçiqi", pse ka dhënë një propozim, që të debatojë me të gjithë përfaqësuesit legjitimë të spektrit politik serb në Beograd, kinse për të gjetur zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, e në anën tjetër, nuk i dhimbset dhe, as nuk ndien keqardhje për deklaratën e tij kundër RIBASHKIMIT TË SHQIPËRISË ME KOSOVËN!? As Edi Rama, as Ilir Meta, dhe askush nuk ka të drejtë të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës, përpos Amerikës së Donald Trumpit me partnerët e Evropës Perëndimore, që e çliruan dhe e shpëtuan Kosovën nga terrori dhe gjenocidi i Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999)! Jo vetëm kryeministri Rama, por asnjë lider politik shqiptar qoftë në pushtet a në opozitë, nuk ka pse të gëzohet ose shqetësohet nga një propozim i tillë i presidentit Aleksandar Vuçiq, sepse çështja e Kosovës, që nga pavarësimi i saj (17 shkurt 2008) është zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Në këtë pikëvështrim, nuk mund të ketë kurrfarë "dialogu urgjent" e as jo urgjent me qeverinë e as me presidentin e Serbisë, pavarësisht nga miqësia e tij me kryeministrin e qevrisë së Shqipërisë, Edi Rama. Këtë, duhet ta mbajë parasysh, edhe Edi Rama, edhe Ilir Meta, që të mos përzihen POST FESTUM kinse për "zgjidhjen e statusit" të Kosovës, sepse ai është zgjidhur më 17 shkurt 2008 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga aleatët e saja evropianë perëndimorë, pa kurrfarë pjesëmarrjeje dhe pa kurrfarë ndërhyrjeje të politikës dhe të diplomacisë zyrtare shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Historikisht (1912-2017) mungon dëshira e politikës dhe e diplomacisë së Shqipërisë për ribashkim me Kosovën
Shikuar në retrospektivën historike të Shqipërisë, si gjatë kohës së sundimit të Ahmet Zogut, të Enver Hoxhës, ashtu edhe në kohën më të re të Sali Berishës, të Fatos Nanos…, si dhe të Edi Ramës e të Ilir Metës, nuk ekziston asnjë dokument historik, politik ose diplomatik, i publikuar dhe i formalizuar zyrtarisht i asnjë qeverie shqiptare (qoftë mbretërore monarkike, komuniste socialiste, qoftë demokratike (1990-2017), që Shqipëria ta ketë kërkuar ribashkimin e Kosovës me të qoftë nga ana e shteteve të mëdha të Evropës, nga Amerika, ose nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (1955- 2017).- Domethënë për 62 vjet rresht, Shqipëria asnjëherë nuk ka shtruar kërkesë zyrtare (as me shkrim e as verbale) për zgjidhjen e problemit kolonial të Kosovës në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme ose të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara! Përjashtim i një politike dhe diplomacie të tillë të gabuar, ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) dhe Qeveria e Përkohshme e Vlorës (28 Nëntor 1912), të cilat në Platformën e tyre kombëtare, politike dhe shtetërore kishin autonominë, pavarësinë dhe ribashkimin e gjithë kombit shqiptar dhe të të gjitha territoret (katër vilajetet) e SHQIPËRISË ETNIKE. Mirëpo, për fat të keq, këtë rrugë të ndritshme dhe të domosdoshme të Lëvizjes së Abdyl Frashërit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si dhe të Ismail Qemalit në krye të Qeverisë së Shqipërisë Etnike, pasardhësit e tyre në pushtetin e Shqipërisë londineze (1913)nuk e ndoqën as në kuptimin historikt, as politik, as juridik e as në atë diplomatik. Një politikë e tillë fataliste antiribashkim bëri që shqiptarët e copë- tuar dhe të kolonizuar, praktikisht, të "pajtoheshin" me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës (1912-1913), sepse asnjëra nga qeveritë shqiptare nuk u doli në ndihmë, që të mbështeteshin kërkesat e tyre të drejta dhe të ligjshme, që të ribashkoheshin me nënë Shqipërinë. Kështu që, si rrjedhim i një politike të tillë të gabuar, gjysma e Shqipërisë Etnike dhe gjysma e kombit shqiptar (mbi 50%) mbetën nën zgjedhën kolonialiste shekullore të Serbisë, të Greqisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë (1878- 2017). Edi Rama, eja, mos vono në Shtëpinë e Bardhë në Uashington te Donald Trump, mos hy në "këpucë" të mikut Vuçiq në Beograd, sepse atë Kosova nuk e ka kurrfarë miku, por AMERIKËN SHPËTIMTARE. Mirëpo, si duket kot "po rrahim ujë në havan" me këto lutjet tona të përshpirtshme, që Kosova të ribashkohet me Shqipërinë, sepse siç duket, as kryeministri i sotëm i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama nuk është përjashtim i këngës së vjetër politike shekullore antiribashkim, edhe pse POPULLI gjithmonë e ka dashur, dhe e do ribashkimin (këtë para disa vitesh e ka pasqyruar edhe një anketë e GALLUP-it, sipas së cilës mbi 60% të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, janë deklaruar për ribashkimin e Shqipërisë me Kosovën). Mirëpo, asnjë politikë dhe asnjë diplomaci zyrtare e Shqipërisë (1920-2017) nuk është angazhuar, që të bëhet një ribashkim i tillë kuptimplotë dhe shumëdomethënës për ekzistencën, për zhvillimin dhe për përparimin e gjithanshëm të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike. Edi Rama, mos u fut si "macja në thes" në këpucët e Vuçiqit, por formalizoje kërkesën zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë, fut në xhep, e, eja në Uashington, lute "prej tokës në qiell" presidentin e nderuar të Amerikës, Donald Trump, që të japë dritën e gjelbër për Ribashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Kjo, do të duhej të ishte detyra prioritare e qeverisë sate, jo të "shitësh kopalla" simuluese politike dhe diplomatike antikombëtare, se gjoja " e respekton shumë iniciativën e Aleksandar Vuçiqit që të thërrasë për dialog të brendshëm për Kosovën dhe në këtë formë të ballafaqohet direkt dhe në mënyrë jotradicionale me të kaluarën". Natyrisht, nëse e shohim se horizonti i integrimeve evropiane do të mbyllej për rajonin tonë, atëherë nuk është kurrfarë shkence të parashihet se fantazmat e së kaluarës do të ringjallen. A është e qartë?
(Kosova Sot)