Nga: Dr.sci. Flamur MALOKU
Permbajtja e poezisë së Musa Ramadanit kërkon kohën e leximit të një vetmie ekzistenciale-subjektive edhe përgjatë rileximit, për t’u shtrirë ngadalë në kohën e shkrimit, e për të hyrë në botën e fiksionit-meditimit, ku bota e fiksionit, tani në poezi bëhet trajtë dhe formë në përjetim, për të kaluar më vonë në botën e pakufishme të vetë letërsisë. Kështu, në universalen e përhershme shpirti ringjallet në poezinë e Musa Ramadanit, merr formë tjetër, varësisht reales. Sepse, kërkohet një jetë, përtej kornizave individuale të kësaj bote pa mëkate. E përtejshmja tani në botën e letrave shtrihet- kërkohet, sepse vetë shpirti do të jetojë në hapësirën e përgjithshme. Të jetosh në kohën reale dhe të kërkosh hapësirën e pakufishme të të jetuarit, nënkupton të mos vdesësh kurrë në botën e shkrimit-letërsisë. Prandaj, poezia e Musa Ramadanit në diskursin e saj, do të shprehë autentiken e përhershme në hapësirë, që koha dhe hapësira thyhen në diskursin e përgjithshëm-universal, shkohet madje kah gjetja e të përgjithshmes, për të ardhur kah vetja. Andaj, teksti poetik, “MËKATET E E(HA)VËS” i Musa Ramadanit, do të identifikohet si gjetje për veten e për vetveten në shkrimin e letërsisë. Kërkimi i vetvetes si njohje bëhet për një pamje jetësore edhe për tjetrin, para së gjithash dhe për një shpjegim të mëkateve njerëzore, të cilat do të artikulohen në shkrimin-letërsinë. Për vënien në pah të mëkateve njerëzore, si gabime shpirtërore-trupore, bëhet shkrimi fiksional, duke u bërë dëshmi, për vetë jetën e përditshme, për t’u kryqëzuar dhe identifikuar fiksioni më jetën. Për Musa Ramadanin, letërsia dhe arti në përgjithësi, shihen se jetojne së bashku, për një njohje të përditshmërisë, çdoherë në përmasën universale. Kjo njohje universale po vazhdon së gjurmuari, vetëm e vetëm që të gjejë nje jete pakez më ndryshe, nga ajo mëkatare-reale. Poezia e Musa Ramadanit bëhet shënjuese e kësaj të përhershmeje, në frymëzimin e vazhdueshëm, për të gjetur në vazhdën e hapësirës jetëshkrimin dhe identifikimin personal, duke flakëruar vazhdimisht mëkatet e reales ekzistenciale, ku pesha e meditimit dhe luajtja me figura në kohë dhe hapësirë, do të bëhet bartëse e një sistemi të mundshëm ideor, për të thurur ngadalë në poezi, e për të mos ikur asnjëherë nga diskursi i përjetimit-shkrimit. Kjo në fiksionin e shkrimit shtresohet në formën më të mundshme ekzistenciale. Kështu, sistemi diskursiv i poezive të Musa Ramadanit, mbetet i kushtëzuar në kohën e përjetimit, i lidhur më botën e shkrimit-reales, duke dalë i shtresuar si një figurë, që teksti thellohet, pasurohet në interpretim, përherë në kuptimin poetik, për t’u shënjuar edhe në poezinë vizuale. Rrjedhat e mendimit, sa vinë e bëhen më të kapshme, mbi problemet e shumta, të cilat kërkojnë lexuesin e shënjueshëm përgjatë zhvillimit të mendimit.
Distinksioni në rrafshin e tekstit
Distinksioni në rrafshin e tekstit e të shumësisë, shtron riinterpretime, për të zbuluar në botën e shkrimit problemet, qofshin ato autoreferenciale, apo referenciale. E përditshmja bëhet referenciale, por me dhembje personale, që shpesh vihet në figurën e tensionuar, ky tensionim skicohet, atëherë kur përpara është mëkati i bërë nga njeriu, andaj pason dhembja nga subjekti, që manifestohet nëpërmjet dëshmisë dhe mendimit. Në mënyrën e veçantë të kësaj dëshmie, gjuha poetike merr përmasa në logjikën e saj, ku lexuesi sfidohet në figurën dhe në sistemin e mendimit. Mënyra e konceptimit të gjakimit shpirtëror e trupor, forcon idenë e autentikes së përhershmen në kuptimësinë e realizimit e të botëkuptimit të shprehur në tekstit;Ngricë. Në zemër/Acar. Brenda trupit /Cegmë. Rreth shpirtit. Vargjet shënjojnë subjektin e mërzitur në kohë, të cilat tani bëhen pasqyrë e botës së brendshme. Shpirti, trupi, zemra janë ligështuar në kohën e mërzisë, e për të tejkaluar këtë mërzi subjekti kërkon thyerjen e kohës dhe të hapësirës, nga vetmia si dhembje karshi reales së tanishme. Kështu, në tërësinë perceptuese-konceptuale, kuptimi i poezisë bëhet i prekshëm në emocionalitet, edhe atëherë kur diskursi shkrimor kalon duke u shënjuar në vizualitetin e përjetimit e të pikturimit. Poezia vizuale realizohet me kohën, për t’u bërë kuptimësi e simbol, që më vonë në rrafshin e përgjithshëm të diskursit, përgjatë pikturimit do të determinohet e plotësohet, dhe bëhet pjesë e rëndësishme, nga ku subjekti thur tërësinë e formës dhe të kategorisë tekstuale, siç janë poezitë vizuale; “Heshturimë e humbje”, “Mitike e mistike”. Transformimet shpirtërore në kohë, shfaqen vazhdimisht në sistemin e ideve e të figurave poetike nga metafora, metonimia, alegoria, simboli e ironia.
Identitet shqiptar- fortësi/ lashtësi
Kështu, idetë tekstuale të poezive të M. Ramadanit, në vijën e konstituimit prekin botën e ndjeshme, botë në të cilin subjekti gjakohet e vdesë pak nga pak nga dashuria, dhembja, që ka përgjatë artikulimit. Duhet mos harruar se poezitë e Musa Ramadanit janë shkruar në një kohë të vështirë. Për të vërtetuar këtë autori shënon edhe të dhëna në fund të tekstit. Përshtypja e kohës, në të cilën subjekti ndrydhet nga dhembja, vihet në komunikim me subjektin karshi objektit. Kështu, kategorizimi i kohës në vepër ndihmon ta shohim dhembjen më përafërt, edhe atëherë kur ligjërimi identifikohet më kodin nacional, ku identiteti kombëtar do të manifestohet në mënyra të ndryshme si, fortësi, lashtësi, dashuri, identifikimi i plotë karshi tjetrit (të huajt). Identiteti kombëtar në shenjen personale mbrohet deri në fund të jetës, për të zënë vend të posaçëm në pjesën dërmuese të tekstit, kjo për subjektin është sublime. Jeta, do të mbetet e pakuptimtë, nëse nuk ruhet identiteti dhe nëse nuk vdesësh për të, andaj kërkohet një vëmendje më e madhe ndaj tij. Autori është përherë është kategorik kundër çdo largimi nga identiteti kombëtar, edhe atëherë kur është në pyetje dhuna nga tjetri, e cila do të skicohet në poezinë “(S)pastrimi etnik i shqiptarëve”, apo në poezinë “Vrapuesi i Epirit dhe Vrapuesja e Prizrenit”. Kështu, kuptimësia ideore e shprehur në gjithë çështjen ekzistenciale të kodit nacional, bëhet objekt i shumë poezive, të cilat konceptohen e formësohen në shkrimin simbolik.
Koha zero e shkrimit
Marrë në spektrin e gjerë, perceptimi bëhet nëse shkrimi i poezisë lexohet përmes një depërtimi në gjuhën e tekstit, që manifestohet kurdoherë nga një shqetësim personal i vënë në shkrim. Shkrimi dhe figura në rrafshin e kuptimit, nuk është i mbyllur përgjatë një komunikim me lexuesin, edhe atëherë kur autori luan me figura e shkronja. Secila poezi sublimohet si ekzistencë në vete në kuptim e përhershëm hapësinor. Esencat e përjetimit të tekstit brenda fantazisë bëhen themelore-jetësore. Historia jetësore-personale, tani në nuancat e detajizuara, shkon nga e tashmja kohore e vetë historisë personale, duke mos iu larguar asnjëherë pësimit individual të përjetuar, për ta kthyer më vonë këtë histori në përshkrim e formim, me një arsyeje të vetme që jeta dhe historia personale të universalizohet dhe jeta të bëhet e pavdekshme:“Historia e pikës sime”. Pra, historia ndërtohet e rindërtohet në figurën, duke filluar nga zero, për të ardhur në shkallën e përgjithshme universale përgjatë formimit. Edhe emrat e shënuar dhe loja më ta, njëkohësisht kalimi i tyre në figurë, japin idenë e hapësirës së pavdekshme personale, të një mesazhi artistik e simbolik. E gjithë kjo e bën tekstin poetik, “MËKATET E E(HA)VËS” të Musa Ramadanit, me një strukturë shumë shtresore me kontekste të ndryshme shpirtërore-personale, nga koha e tashme autentike, për të kaluar në kohën zero shkrimit e të formimit, çka edhe e kërkon letërsia në funksionin e saj.