“Brymë e zezë” është libri më i ri i poetit, kritikut letrar, Flamur Maloku. Poezitë vijnë për lexuesin nëpërmjet vargjeve plot ndjenjë që shpeshherë shkëputen nga realiteti, duke vendosur një mënyrë ndryshe komunikimi me lexuesin.
Fryma e një erotike të shpalosur në lirshmëri thuajse të plotë, e udhëheq lexuesin drejt horizontesh që hapen të reja në çdo poezi. Vargjet e këtij vëllimi, njomur nga tonaliteti i një lirike të brishtë, të rrëmbejnë me shumësinë e figurave stilistike, me leksikun e ngjeshur dhe metaforat e përzgjedhura. E kultivuar në këtë mënyrë dhe e artikuluar me një gegërishte të veçantë, si një ligjëratë e ngjyrosur me sharmin e variantit të mjeshtërve të poezisë shqipe, është vëllimi “Brymë e zezë”.
Për poezitë e Malokut, studiuesi i letërsisë, Behar Gjoka, thotë se vargu i lirë, në të cilin përdorim më të dendur ka metafora, së këndejmi dhe kumti i hapur, e ruajnë shenjën e komunikimit të Malokut me bashkëkohësinë. “Shenjat gjuhësore dhe poetike të tij janë unike në rrekjen për ta përtërirë ligjërimin poetik të shpirtit në variantin e gegërishtes gjatë përjetimit”.
Ndërsa Fahredin Shehu, shkrimtar, thotë se tek libri “Brymë e zezë” i Flamur Malokut, e dukshmja dhe e emërtueshmja kumbojnë e flasin, por edhe i japin e i marrin njëra-tjetrës. Maloku e shpalos një paletë të tërë bojërash emocionale në gjithë veprën e tij dhe kognitive të cilat në psikologjinë personale nominohen si gjendje apo në Sufi apo Hal. Sipas tij, “ky libër i jep domethënie të re letërsisë shqipe dhe e argumenton vazhdimësinë krijuese brenda qarkut letrar, duke e përçuar në një plan më të rafinuar nga aspekti gjuhësor, artistik dhe identitar. Kështu shkruhet vetëm atëherë kur njeriu dhe bota e tij depërtojnë në kuintesencën e saj me lucide”, ka thënë Shehu.
Për këtë libër vlerësim ka dhënë edhe Hysni Ndreu, studiues i letërsisë. Sipas tij, poezitë e Malokut vijnë si një rrëfim unik, që paqësisht rrjedh drejt honeve delikate të unit lirik, ndonjëherë e bashkëshoqëruar me imazhe e prani strukturash si për t’ia dhënë pentagramin poetik të thellësisë kohore e të gjerësisë shpirtërore. “Fryma e një erotike të shpalosur në lirshmëri thuajse të plotë, e udhëheq lexuesin drejt horizontesh që hapen të reja në çdo poezi. Vargjet e këtij vëllimi, njomur nga tonaliteti i një lirike të brishtë, të rrëmbejnë me shumësinë e figurave stilistike, me leksikun e ngjeshur dhe metaforat e përzgjedhura. E kultivuar në këtë mënyrë dhe e artikuluar me një gegërishte të veçantë, si një ligjëratë e ngjyrosur me sharmin e variantit të mjeshtërve të poezisë shqipe, vëllimi “Brymë e zezë” e tendos kërshërinë e lexuesit skaj më skaj veprës përgjithësisht”, është shprehur Ndreu.
Për librin është shprehur edhe Violeta Allmuca, shkrimtare, studiuese e letërsisë. Sipas saj, ku vargjet e Malokut ngjashëm ta kujtojnë “kangën e mësueme” nga fuqia e fjalës edhe në vetmi i gjen aty ku jeton dashuria. Ndodh që edhe vargjet të kërkojnë e të luten para zotave për shenjën e lirisë. E dihet se pikërisht aty është toka e ndjenjave. Ajo ruan edhe qiellin sepse edhe qielli nuk është i plotë pa tokësoren. Kur kanë dhimbje dhe kur kositin kohën ato janë të lidhura ngushtë njëri me tjetrin. Retë janë një rekuiem që përplasen të shfrenuara, por qielli me tokën janë gjithherë bashkë si poeti me vargjet. “Poezia e Flamur Malokut ka një hapësirë të pafund mes tokës dhe qiellit që quhet mrekulli e dashurisë në gem të shpirtit, shkruar me gjuhë hyjnore lyer me ngjyrën e zjarrit. Me këtë gjuhë dëlirësia e vëllimit poetik ‘Brymë e zezë’, veshur nga metaforat, e prek ashtin poetik duke bekuar njerëzoren. Aty lutet në heshtje poeti i flijuar për dashurinë”, ka thënë Allmuca.