2018-02-03

Anrila Spahija : A dimë të ngushëllojmë ne shqiptarët?



Image result for Anrila Spahija

A dimë ta shprehim si duhet përmes fjalëve dhimbjen e vdekjes? Si ta respektojmë atë, po përmes fjalëve? A përdorim gjithmonë shprehjet e duhura? Mos vallë me hiperbolizimin e dhimbjes hiperbolizojmë edhe personin, apo e kundërta? Si t’i ngushëllojmë të afërmit? A ekziston kultura e duhur gjuhësore ndër ne në një rast të tillë? Shpesh vdekja e njerëzve të dashur na lë pa fjalë.

Ajo e bën shumë të vështirë gjetjen e fjalëve të duhura për gjithë çka shpirti ndjen. Vdekja lë një ndjesi të tillë zbrazëtie, që fjalët nuk e mbushin kurrë deri në fund. Ne përpiqemi të frymëtojmë gjendjen tonë emocionale dhe ndjesore dhe ta harmonizojmë atë me ngjarjen reale.

Këtë e bëjmë përmes fjalëve që shprehin dhimbjen. Edhe pse shumicën e rasteve ato dëshmojnë karakter psiko-shoqëror, për nga mënyra e përdorimit të tyre nga çdo individ, kuptojmë jo vetëm sistemin personal emocional në lidhje me vdekjen e një personi të caktuar, por edhe atë të mendimit, pasi gjithkush ka bërë rrugëtimin e tij të njohjes me personin e humbur, ndaj edhe gjuha e përdorur duhet të jetë personalizuese.

Ndryshe nga ajo çka trashëgojmë nga fjalori i dokeve mortore (apo edhe nga vajet e gjamatoreve dhe vajtojcave), ne sot dëshirojmë t’i shprehim ngushëllimet tona pa rënë në klishe. Kjo duhet bërë përmes përzgjedhjes sa më të përshtatshme të fjalëve, që ato të tingëllojnë të besueshme. Për njerëzit e afërt është jashtëzakonisht e dobishme të dinë se mund të bashkëndajnë dhimbjen e tyre.

Ne duam me ngushëllimet tona të kontribuojnë që të afërmit, miqtë apo ato të tjerët ta ndjejnë dhimbjen tonë, dhe t’ua lehtësojmë atë atyre. Këtë duhet ta bëjmë me fjalë të dhembshura që dalim më parë nga zemra. Përdorimi i shprehjeve të tilla si: “Jeta vazhdon” (si një e vërtetë që s’ka nevojë të artikulohet), jo vetëm që është i papranueshëm për personat që mbajnë zi, por as nuk e ndihmon lehtësimin e pikëllimit, aq më pak i ngushëllon ata.

Ngushëllimi mund të bëhet me gojë ose me shkrim. Me gojë: gjatë homazheve para funeralit; te fjalimet e lamtumirës, njohur si fjalimet e përmortshme; apo ngushëllimet e vizitave pas funeralit. Në këto raste duhet të përdoren fjalë të thjeshta dhe të ndjera realisht, të artikuluara në fjali sa më të shkurtra, që ndajnë ndjesi të ngjashme me njerëzit që mbajnë zi.

Shprehja e hidhërimit me shkrim bëhet në një lajmërim vdekjeje, telegram apo letër ngushëllimi, në nekrologji, në disa raste në libër ngushëllimi, por edhe në gazeta apo mjete shtypi, ku, përveç kujdesit për fjali me kuptim të drejtpërdrejtë, në këto rastet e fundit mund të tolerohen edhe përzgjedhje të kujdesshme nga thënie, citate të stilizuara apo edhe vargje të shkëputura nga poetë të mirënjohur.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...