2016-08-24

Viktoria Paloka : Zbulohet një planet që i ngjan Tokës si asnjë tjetër deri tani


 kepler186f
Astronomët kanë zbuluar një planet që sipas tyre i ngjan Tokës si asnjë tjetër i zbuluar më parë – një botë shkëmbore e largët e ngjashme në madhësi me tonën që gjendet në zonën Goldilocks ku nuk është as shumë ngrohtë e as shumë ftohtë për të mos pasur jetë.
Ky zbulim, i shpallur të enjten, i ka entuziazmuar “gjuetarët e planeteve” që për vite kanë rrëmuar në galaktikën “Udha e Qumështit” (ku bën pjesë dhe sistemi ynë diellor), me shpresën për të gjetur ndonjë planet të banueshëm jashtë sistemit tonë diellor.
Planeti është zbuluar nga teleskopi Kepler i NASA-s i cili studion trupat qiellorë për të kapur ndryshime të lehta në shkëlqim, të cilat tregojnë që një planet që rrotullohet rreth orbitës së tij po i kalon përpara një ylli. Nga këto ndryshime shkencëtarët janë në gjendje të llogarisin madhësinë e planetit në fjalë dhe të hamendësojnë mbi përbërjen e tij.
Trupi qiellor i sapozbuluar, i emërtuar Kepler-186f, rrotullohet përreth një ylli xhuxh të kuq që gjendet 500 vjet-dritë larg Tokës, në konstelacionin e Mjellmës.
Sipas shkencëtarëve, planeti në fjalë është rreth 10% më i madh se Toka dhe gjithë gjasat janë që në sipërfaqen e tij të ketë ujë në gjendje të lëngshme – një përbërës kyç ky që të ketë jetë. Kjo për shkak të pozicionit të tij në skajin më të jashtëm të zonës, përreth diellit të tij, me një temperaturë të tillë që bën të mundur të ketë jetë – një pikë kjo ku liqenet, lumenjtë apo oqeanet mund të egzistojnë pa u ngrirë apo pa avulluar.
Ky zbulim është “i veçantë sepse ne e dimë tashmë që në një planet të kësaj madhësie dhe [që gjendet] në një zonë të banueshme ka mundësi të ketë jetë,” tha në një konferencë shtypi drejtuesja e ekipit kërkimor të Ames Research Center të NASA-s, Elisa Quintana.
Për zbulimin është shkruar në mënyrë të detajuar në numrin e të premtës të revistës “Science”. Gjithshka është bazuar në vrojtimet e bëra nga teleskopi Kepler përpara dëmtimit për shkak të një defekti mekanik vitin e kaluar.
Planeti ka të ngjarë të jetë i larë nga një dritë ngjyrë portokalli në të kuqe dhe të jetë më i freskët se Toka, me një temperaturë mesatare pak sipër asaj të ngrirjes, “e ngjashme me agimin apo muzgun e një dite pranvere,” tha Geoff Marcy, astronom pranë Universitetit të Kalifornisë, Berkeley.
Quintana tha se më shumë se binjak, ky planet mund të quhet “kushëri i Tokës” pasi rrotullohet përqark një ylli më të vogël e më të zbehtë se Dielli ynë. Nëse Tokës i duhen 365 ditë për t’u rrotulluar përqark Diellit, këtij planeti i duhen 130 ditë për të kryer rrotullimin e plotë përqark yllit të tij. Shkencëtarët gjithashtu nuk e kanë ende të qartë nëse planeti në fjalë ka apo jo atmosferë, por sipas ekspertëve nëse ka, gjasat janë që të përmbajë shumë dioksid karboni.
Sipas një astronomeje të Universitetit të Washington-it, në Seattle, nëse planeti është i banueshëm atëherë në të është i mundshëm proçesi i fotosintezës. “Ka bimë në Tokë që do të ishin mëse të kënaqura aty,” tha ajo.
Që kur është lëshuar, teleskopi Kepler ka vrojtuar 961 planete, por vetëm disa dhjetëra gjenden në zonën e banueshme. Shumica janë topa gjigandë gazi si Jupiteri apo Saturni dhe jo vende ku mund të ketë jetë. Gjithashtu vitet e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar në zonën Goldilocks planete pak më të mëdha se Toka, por nuk është e qartë nëse janë apo jo shkëmbore.
Astronomët mund të mos e marrin vesh asnjëherë me siguri nëse planeti Kepler-186f mund apo jo të lejojë të ketë jetë në të. Ai gjendet tepër larg madje edhe për gjeneratën e re të teleskopëve si teleskopi “James Webb” i NASA-s që do të lëshohet në vitin 2018 për të studiuar më në hollësi këtë planet.
Sa për teleskopin tashmë të dëmtuar Kepler, NASA ende nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë ta përdorë apo jo. Kepleri mund të mos jetë më në gjendje të zbulojë ndonjë planet të ri, por aktualisht shkencëtarët kanë në duar një mori vrojtimesh të bëra nga Kepler të cilat nuk kanë arritur t’i shqyrtojnë ende.
(Përgatiti Viktoria Paloka)

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...