Si e shpjegojnë ngjarjen dy profesorë të njohur të gjeografisë dhe pse ka rëndësi teoria e tyre edhe për anijet e sotme
Nga Viktoria Paloka
Si sot 102 vjet më parë, në një natë pa hënë, brenda dy orë e gjysëm tmerri u fundos anija luksoze transoqeanike “Titanik” së bashku me 1,517 vetë. Vetëm 706 vetë arritën të mbijetojnë.
Shumëkush e di tashmë që kjo anije u mbyt për shkak të një përplasjeje me një ajzberg. Por ajo çfarë nuk ishte shumë e qartë, deri vitet e fundit, kishte të bënte me faktin se si kishte qenë e mundur që një ajzberg i atyre përmasave (me një peshë prej afro 2.2 milionë ton) të kishte zbritur aq në jug dhe pikërisht në trajektoren që po përshkonte Titaniku.
Zakonisht ajzbergë të tillë ngecin në brigjet e Labradorit dhe Newfoundland-it derisa shkrihen në mënyrë të konsiderueshme. Mirëpo sipas studimeve të viteve të fundit të bëra nga astronomët e Universitetin Shtetëror të Teksasit, ndonëse Titaniku u mbyt në një natë pa hënë, hëna në fakt ka luajtur një rol vendimtar në mbytjen e Titanikut. Një pozicionim tepër i rrallë i Diellit, Hënës dhe Tokës krijoi premisat për tragjedinë e 14 prillit, 1912. Në fakt, Hëna e plotë e 4 janarit 1912, iu afrua Tokës jashtëzakonisht (sa asnjëherë më parë në 1,400 vjet), duke shkaktuar batica shumë të mëdha të cilat i dhanë shtysë ajzbergëve, ndonëse ende në përmasa të mëdha, drejt jugut. Fakti që Toka vetëm një ditë më parë i kishte kaluar shumë afër Diellit vetëm sa e kishte ndihmuar baticën në fjalë.
Por sipas një studimi të kohëve të fundit të paraqitur nga dy profesorë të departamentit të gjeografisë pranë Universitetit të Sheffield,Grant Bigg dhe David Wilton, prania e ajzbergëve me një peshë prej disa milionë tonë nuk është më një fenomen aq i pazakontë në Atlantikun Verior. Ajzbergu që goditi Titanikun ishte një copë shumë e vjetër akulli, që e kishte origjinën në borën që ra në fjordin e Greenland-it në kohërat kur faraoni Tutankhamen sundonte Egjiptin. Sipas studiuesve sa më shumë ngrohet klima aq më shumë borë bie dhe aq më shumë akull shkrin. Në fakt dimri i butë i vitit 1908 në Greenland theu masën e akullit duke krijuar ajzbergun që pak vite më vonë do të fundoste Titanikun.
Që nga koha e mbytjes së Titanikut, kanë kaluar 102 vite dhe gjatë 14 prej tyre ka patur aktivitet të dendur të ajzbergëve të peshave prej disa milionë tonësh. Ajo çfarë ka alarmuar shkencëtarët është fakti që 5 nga këto 14 vjet i takojnë viteve 90, gjë kjo që ka ngjallur frikën se ngrohja globale mund të bëhet shkak që fatkeqësi të përmasave të Titanikut në të ardhmen të bëhen gjithnjë e më të shpeshta.