2019-05-23

“Dyfytyrësh, arrogantë e të korruptuar! Njihni ndonjë që nuk është i pasur?”


Nga: Marin Mema

.... Politika shqiptare vrapon të tregojë patriotizmin e saj, të organizojë pritje, përurime, aktivitete të mbushura me ngjyra e fjalime tërë pasion e dashuri kombëtare.

Nëse dikush nuk do t’i njihte do të mendonte se Shqipëria ka fat qe drejtohet në qeveri apo opozitë nga njerëz që e duan kaq shumë.

Në fakt nuk është kështu.

Të kujtohesh vetëm në ditën e pavarësisë për vendin tënd, kombin e historinë e tij është një dyfytyrësi e shëmtuar, një ndjenjë e gënjeshtërt që nuk synon asgjë më shumë sesa të ndërtuarit të një fasade të rreme ballë njerëzve të thjeshtë.

Vetëm një ditë politikanët bëjnë shqiponjën, përulen ballë flamurit, përqafohen, nduken e premtojnë një vend më të fortë. Pjesa tjetër është e mbushur me korrupsion, padrejtësi, arrogancë e fjalë boshe.

Në librat e shkollave nxënësit mësojnë gjithmonë e më pak për historinë kombëtare, për figurat e gjurmët e tyre sepse sot më shumë rëndësi ka të njohësh soj e sorollop, të fortë e pasunikë të paprekshëm që përbëjnë modelin e ri, të ofruar nga kjo politikë e sejmenët e saj.

Figurave kombëtare u përmenden e citohen fjalët, por modeli u fshihet. Politika e sotme ka frikë nga modeli i tyre.

Ata shkrinë pasurinë, lanë ofiqet, u vranë e u prenë për komb, ndërsa të sotmit këto i quajnë patetike, të shkuara në mos qesharake.

Këta nuk lënë poste, nuk kanë ideale, këta disa-fishojnë pasurinë dhe kombin e kanë thjesht një plaçkë që e kalojnë dorë më dorë në bazë të interesave.

A njihni ndonjë politikan të varfër, të pamundur, që nuk kalon muajin, që nuk ka të bëjë disa herë në vit pushime luksoze, që nuk ka tre, katër apo 50 apartamente e vila, dyqane e troje të deklaruara e të padeklaruara.

A njihni ndonjë të tillë që i dridhet dora të blejë ushqimet apo diçka tjetër siç u ndodh çdo muaj pensionistëve.

A ka ndonjë që nuk arrin të shkollojë fëmijët , t’u blejë veshjet apo qoftë edhe një lodër për vit të ri? Sigurisht që jo sepse ata thuajse të gjithë kanë garantuar deri brezin e 35.

Politikanët e sotëm Ikin e vijnë, por askush nuk i mban mend pas pak kohe, fundja për çfarë ? Ata nuk ndryshojnë nga njëri tjetri, ata bëjnë gjithçka njësoj, flasin njësoj, premtojnë njësoj, shtiren e jargaviten njësoj. Madje edhe fytyrat u bëhen njësoj.

Vetëm fanellat u ndryshojnë, madje edhe ato në publik sepse nën vete i kanë identike.

Nga krahu tjetër lumenjtë vazhdojnë shkatërrohen, pyjet priten, pasuritë nëntokësore shqyhen, lejet e ndërtimit valëzojnë, betoni lartësohet, njerëzit ja mbathin, papunësia rritet, çmimet fluturojnë, Shqipëria zvogëlohet dhe politika fiton.

Ky është patriotizmi i tyre. I njëjti që ata e fshehin çdo 28 nëntor, i njëjti që bën shqiponjën dhe tallet çdo vit me ne shqiptarët e thjeshtë që e duan vërtetë këtë vend.

***

Marin Mema është i  lindur më 22 mars 1981 në Tiranë është një gazetar shqiptar. Ai punon për televizionin Top Channel dhe gazetën Shqip.


Mema rrjedh nga një familje me prejardhje nga Kolonja. Më 1999, pasi kreu shkollën e mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi" në Tiranë u regjistrua për degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Mema u diplomua për gazetari në korrik të vitit 2003 pranë departamentit të gazetarisë të UT-së. Është gjithashtu titullar i një masteri për shkenca politike dhe marrëdhenie ndërkombëtare që e mori më 2008 pas studimeve në Shkollën Shqiptare të Studimeve Politike që sot njihet si Akademia e Studimeve Politike.

Mema gjatë viteve 2009-2016 ishte realizues i ciklit të reportazheve "Shqipëria Tjetër" që transmetoheshin në Top Channel dhe Top News. Marin Mema realizoi gjithashtu një sërë dokumentarësh si "Shqiponjat kufitare" (për shqiptarët në Sanxhakun e Serbisë), "Gjurmët e historisë" (për zonat dhe fshatrat e shqiptarëve në Bellkamen, Negovan, Follorinë dhe Kostur), "Çamëria, përse kanë frikë grekët" (jeta e sotme në këto zona dhe gjurmët që nuk janë shuar), "Manastiri në Maqedoni" dhe më tej kanë qënë në fokus të dokumentarëve dhe reportazheve.

Në gusht 2012 është shpallur "non grata" nga Republika e Greqisë me akuzën për kërcënim të sigurisë kombëtare dhe rendit publik[1]. Kjo erdhi pas disa emisioneve të realizuara në zona të ndryshme të Çamërisë.

Në vitin 2015 Mema filloi me realizimin e një cikli dokumentarësh që mban emrin "Gjurmë Shqiptare" po ashtu në Top Channel dhe Top News.

Në prill 2016 gjatë realizimit të një dokumentari ndalohet nga forcat speciale maqedonase në Shkup dhe mbahet në komisariatin qëndror të qytetit për mbi gjashtë orë.

Flori Bruqi 



A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...