Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në shënimin e njëzetvjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik ka thënë se beteja e Pashtrikut ishte një prej betejave më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Projekti ‘Shigjeta’ me organizimin, me vendimmarrjen, me jehonën e brendshme dhe ndërkombëtare, ishte kryeprojekti i betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.
“Populli ynë sapo kishte përjetuar një prej masakrave më çnjerëzore në Reçak, por për të mos lejuar që të ndodhnin edhe më tutje, në atë kohë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte ngarkuar Drejtorinë Operative për ta përgatitur operacionin ushtarak ‘Shigjeta’, i cili rezultoi të jetë operacioni më i madh, më masiv dhe më frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, të gjithë ju bashkëluftëtarë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidë të luftës, të gjithë ju pjesëmarrës të këtij fronti të gjerë luftarak, çdoherë ndjehuni krenarë për lavdinë e betejës që e keni zhvilluar dhe që e keni fituar bashkë me aleatët”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ishte java e tretë dhe e katërt e majit 1999, tash e 20 vjet më parë, sipas presidenti Thaçi, kur ky front u hap dhe ndodhi sulmi më masiv dhe më i suksesshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në atë kohë, në pamundësi që ushtria serbe të përballej me sulmin masiv dhe të fuqishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë tërë makineria e tyre ushtarake u vunë në mbrojtje dhe në përpjekje për t’i kundërsulmuar njësitet tona dhe luftëtarët tanë trima, që qëndronin stoikisht dhe heroikisht në istikamet e luftës, ushtria serbe zbuloi edhe artilerinë e rëndë ushtarake që e mbanin të maskuar mes malesh, e cila më pas u godit nga NATO-ja”, ka thënë ai.
“Një korridor që neve do të na ndihmonte në furnizimin me armatim, por edhe në bartjen e qytetarëve tanë si refugjatë nga zona e luftës drejt Shqipërisë”, shtoi ai.
Për të gjithë ne, por edhe aleatët tanë, presidenti Thaçi tha se fronti i Pashtrikut ishte front i shpresës, i besimit, i optimizmit, ishte fronti i fitores përfundimtare historike të shqiptarëve kundër Serbisë.
Kjo majë këtu është maja apo beteja kulmore që e kemi zhvilluar ne. Lufta jonë filloi në Prekaz, filloi aty ku edhe pritej të fillonte lufta e armatosur kundër ushtrisë dhe policisë serbe nga komandanti legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij, për të vazhduar e zgjeruar lufta në tërë Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri përjashtim duke mësuar nga e kaluara, duke marrë shpirtin luftarak dhe duke qartësuar qartë vizionin politik, se një luftë fitohet vetëm me një mobilizim të përgjithshëm, me një qartësi politike dhe me mbështetje të partnerëve. Kështu që UÇK-ja mobilizoi popullin e Kosovës, mobilizoi gjithë kombin dhe kur shqiptarët u bashkuan, atëherë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian, edhe NATO-ja u vunë në mbështetje të luftës sonë për liri, për pavarësi dhe shtetin tonë”, tha ai.
“Të tëra do t’i kalojmë, më tha, por një gjë nuk duhet të lejojmë të ndodhë kurrë. Ushtria serbe në asnjë rrethanë, në asnjë moment, nuk duhet lejuar të prekë majat e Pashtrikut. Ajo është e jona dhe ne do ta mbrojmë me ju dhe do ta fitojmë këtë betejë dhe asnjë ushtar serb, jo në Pashtrik, por as në Zveçan, nuk do të mbetet në territorin e Republikës së Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.