“Dashuria nuk ka të bëjë me çfarë pret të marrësh, por me atë çfarë pret të japësh, që është gjithçka”.
Ndërsa vrisja mendjen për shkrimin e sotëm, mendova se nuk ka mënyrë më të mirë për të nisur ditën sesa me një përmbledhje të shprehjeve më poetike mbi ndjenjën më të lartë, që është më amorfe se arti, më e devotshme se shkenca: dashurinë.
Më poshtë kam përmbledhur disa përkufizime të pakoha, të paharrueshme, mbi dashurinë.
Shekspiri në “Ëndrra e një nate vere”: “Dashuria nuk shikon me sy, por me mendje”.
Charles Bukowski, që e konsideronte dashurinë si një “qen nga ferri”, ka thënë në një intervistë:
“Dashuria është si mjegulla e mëngjesit kur zgjohesh, para se dielli të lindë. E sheh për fare pak, pastaj shpërndahet. Dashuria është mjegulla që zhduket me rrezen e parë të realitetit”.
Fjodor Dostojevksi e shpjegon më fuqishëm në “Vëllezërit Karamazov”:
“Çfarë është ferri? Sipas meje, është vuajtja nga pamundësia për të dashuruar”.
Kurt Vonnegut ishte pak ekstremist sa i përket dashurisë: “Qëllimi i jetës njerëzore, nuk ka rëndësi se kush e kontrollon atë, është të dashurojë këdo që është i gatshëm të dashurohet”.
Anaïs Nin, mençuria e së cilës për dashurinë nuk njihte kufi, në përmbledhjen e letrave me Henry Miller ka shkruar: “Çfarë është dashuria përveçse pranim i tjetrit, sido të jetë ai?”
Stendali, në një shkrim fantastik për dashurinë në vitin 1822, ka shkruar: “Dashuria është si ethet, që shkojnë e vijnë pavarësisht vullnetit. Dashuria nuk njeh moshë”.
Paulo Coelho në librin “Zahiri”: “Dashuria është kryeneçe. Nëse mundohemi ta kontrollojmë, na shkatërron; nëse mundohemi ta burgosim, na skllavëron. Kur mundohemi ta kuptojmë na bën të ndihemi të humbur dhe konfuzë”.
Honoré de Balzac, i cili i dinte ca gjëra mbi dashurinë që të konsumon, në “Filozofia e martesës”:
“Sa më shumë paragjykon, aq më pak dashuron”.
Përgatiti: E. Qose