Nga Bujar Nishani
Nuk kam preferuar kurrë t'i kundërpërgjigjem provokimeve dhe sulmeve të ndërsyera të Bamir Topit vetëm për një arsye. Duke e njohur mirë atë njeri, që për shkak të kompleksit të thellë të inferioritetit që e karakterizon, është përpjekur gjithë jetën e tij vegjetative të ndërtojë kontraste haluçinante me të tjerët që e mundonin me qënien e tyre.
Nuk i jam kundërpërgjigjur Bamirit kur si i vetmi ish-President keqpërdorej nga Edi Rama për të sulmuar Presidentin në detyrë. Jo pse këtë mision e merrte vetëm ky ndër të gjithë ish Presidentët e vendit, por për një arsye fare të thjeshtë. Kisha parasysh nivelin që përfaqësonte Edi Rama, imagjino pastaj një bufon që përdorej nga Rama.
Nuk kam reaguar as kur mora detyrën e Presidentit të Republikës dhe u skandalizova kur e gjeta institucionin më të lartë të Shtetit Shqiptar të kthyer në një vend ku kalbeshin mbeturina të hedhura prej vitesh e ku vendi më i investuar ishte kuzhina e gatimit dhe menca e ngrënies.
Në fakt nuk mund ta mendoja më parë se si zyra e Kryetarit të Shtetit të kthehej në kuzhinë gatimi e ngrënie.
Natyrisht që e ktheva urgjentisht atë ambient në një bibliotekë e dhomë për median dhe të gjithë ambientin e Presidencës në një vend dinjitoz për shtetin e qytetarët.
Tashmë Bamiri më paska bërë edhe pompist karburanti !!!
Të punosh pompist nuk është ndonjë gjë e keqe aspak. Kam respektin dhe nderimin tim më të madh për të gjithë ata shqiptarë të ndershëm që bëjnë atë punë. Ajo është shumë më e ndershme se sa p.sh. t'i ushqesh fëmijët me paratë që iu merr si gjoba gjyqtarëve e prokurorëve.
Por mua nuk më është dashur të punoj kurrë si pompist. Nëse do ta kisha të nevojshme atë punë, do ta bëja pa asnjë problem. Në fakt mua më është dashur të punoj në sektorin privat si administrator në tre biznese të ndryshme, për disa vite, pasi megjithëse kisha vetëm një vit kur isha kthyer nga studimet pasuniversitare në një prej akademive më prestigjoze në Kaliforni të SHBA, u pushova nga puna në Ministrinë e Mbrojtjes dhe u largova nga Forcat e Armatosura prej ish-enveristëve të Shkollës së Bashkuar që u rikthyen në krye të asaj ministrie dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në shtatorin e vitit 1997.
Kjo periudhë më ndihmoi të diplomohesha më pas edhe në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Nuk ia vlen t'i përgjigjesh gënjeshtrave ordinere të Bamirit që sipas tij më paska futur në PD duke më propozuar për Sekretar të PD për Tiranën.
Në fakt ky nuk e ka njohur dhe nuk ka ditur kurrë se çfarë bëhej në Partinë Demokratike.
Përpara se të zgjidhesha Sekretar i Përgjithshëm për Tiranën e përpara se të drejtoja komisionin që bëri Bamirin deputet, unë isha zgjedhur kryetar i degës 3 për Tiranën. Ishte ajo gara ime e parë brenda PD, madje duke fituar edhe përballë kandidatësh që atë kohë ishin personalitete të rëndësishme të PD.
Në fakt, nëse ka një kontribut për karrierën e tjetrit në politikë, ai është i imi.
Nëse nuk do të ishin ato sakrifica të mëdha të miat përballë kërcënimeve të pushtetit të kohës dhe kalimi i netëve përgjatë një jave, i mbyllur në ambientet e gjimnazit "Çajupi" për të ruajtur të paprekura kutitë e votimi, Bamiri nuk do mund të ishte bërë dot deputet me ato (72) vota avantazh që kishte mbi kandidaten socialiste.
Demokratët e kujtojnë fare mirë betejën e pabarabartë që bëmë deri në Gjykatën Kushtetuese ku fituam përfundimisht mandatin për Bamirin. Nëse nuk do të ishte futur në Parlament në vitin 2001, Bamiri do të ishte harruar në politikë e do të gjezdiste sot me vulën e veterinerit në dorë nëpër thertoret e Tiranës.
Nuk ka vlerë të shpjegosh sot pse u bë Bamiri, President Republike!
Bamiri as e ka kuptuar e as e kupton dot as sot.
Dështimi i zgjedhjes së Presidentit në atë periudhë shpërndante Parlamentin dhe e çonte vendin 3 herë në zgjedhje të reja parlamentare.
Shqipëria ishte në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe përballë përpjekjeve të faktorëve anti NATO për ta stopuar proçesin e anëtarësimeve në Ballkan ne nuk do lejonim këtë skenar.
Duke qenë Ministër i Brendëshëm në atë kohe dhe informacionin që disponoja për influencat e huaja, kam mbajtur vetëm një fjalë në mbledhjen e grupit parlamentar.
I jam drejtuar drejt Bamirit duke i thënë : “Nëse ti i ke votat (84) për t'u zgjedhur President, neve na ke të gjithëve në rrjesht pas teje, por nëse ti e çon Parlamentin drejt shpërndarjes dhe vendin në zgjedhje të parakohëshme tre herë rradhazi, duhet të marrësh përgjegjësi politike personale!”
U tmerrua nga kjo që i thashë, u ngrit në këmbë dhe tha se votat duhet t'i gjente Sali Berisha dhe jo ai.
Ne fakt duheshin një duzinë votash nga socialistët për të kaluar situatën e për këtë duhej kandidat dikush që ishte “as mish e as peshk” që të mos viheshin në pozitë shumë të rëndë ata socialistë, që do të votonin kandidatin tonë për President.
Ky ishte Bamiri.
Kur e kam njohur, fillimisht më vinte keq dhe nuk e kuptoja se përse elita e partisë e përbuzte dhe nuk e afronte. Rrinte gjithmonë i vetmuar tek një kioskë përballë selisë së PD. Më merrte në telefon dhe fillimisht shkoja t'i bëja shoqëri. Kur pashë se rrinte aty veç të hante një pjatë me paçe e një tas me pilaf dhe largohej pa paguar, m'u pështiros. Pronarët e lokalit mund t’ia kishin ofruar “privilegjin” e paçes dhe pilafit falas, por unë nuk e “gëlltisja” dot atë sjellje.
Ndaj nuk ia vlente që unë t'i kundërvihesha një njeriu që kishte veç tre karakteristika: gënjeshtar, burracak dhe qelepirxhi. Këto janë në fakt karakteristikat e një individi me kompleksin e fortë të inferioritetit, të cilit sot nuk i afrohen as vëllezërit e tij.
****
Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit.
Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Karriera politike e zotit Bujar Nishani ka kaluar nëpër këto etapa: në vitin 1991 anëtarësohet në Partinë Demokratike; në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën; në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike; në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm; nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Më 11 qershor 2012 Kuvendi Popullor e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.
Bujar Nishani ka grua Odeta Nishanin dhe kanë dy fëmijë, Ersi Nishani dhe Fiona Nishani.
****
Pas përufndimit të ciklit shkollor me rezultate të larta, z. Topi ka punuar fillimisht në Petrelë të Tiranës dhe nga viti 1984 në Institutin Shkencor të Kërkimeve Veterinare. Në vitet 1987-1990 ai kryen studimet pasuniversitare në Itali në fushën e Biologjisë molekulare, studime që i përfundon me marrjen e gradës Doktor i Shkencave. Pas kthimit nga Italia ai emërohet Drejtor i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë, pozicion që e mban deri në fund të vitit 1995. Krahas punës si kërkues shkencor, Bamir Topi ka kryer dhe një aktivitet të ngjeshur akademik, në përgatitjen e programeve mësimore të Lëndës së Toksikologjisë dhe Farmakologjisë për studentët dhe pasuniversitarët e Fakultetit të Mjekësisë Veterinare si dhe ka qenë edhe lektor i këtyre lëndëve për një periudhë gati dhjetë vjeçare. Për arsye të këtij aktiviteti si dhe botimeve të shumta shkencore dhe pedagogjike Z. Bamir Topi fiton titullin Profesor në vitin 1995.
Aktiviteti politik i Bamir Topit daton që me fillimet e lëvizjes demokratike në vitin 1990. Në vitin 1996 zgjidhet për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe emërohet Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit deri në vitin 1997 kur Partia Demokratike kalon në opozitë.
Në tri Legjislatura është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Dy herë është zgjedhur kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së. Në dy mandate është zgjedhur nënkryetar i PD-së.
Gjatë gjithë aktivitetit të tij politik dhe publik, Z. Topi ka spikatur duke u vlerësuar gjërësisht si një politikan me profil të moderuar, mjaft aktiv në zgjidhjen e krizave politike mes pozitës e opozitës dhe protagonist i marrëveshjeve politike e i nismave të ndryshme parlamentare.
Në vitin 2007, gjatë negociatave për zgjedhjen e presidentit me konsensus midis pozitës dhe opozitës, Bamir Topi nuk pranoi që emri i tij të diskutohej në këto negociata.[nevojitet citimi]. Më 20 korrik 2007 pas katër raundesh votimi Bamir Topi u zgjodh President i Shqipërisë.
Tituj nderi
Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Prishtinës (25 janar 2008)
Qytetar Nderi i Prishtinës nga Kuvendi Komunal i Prishtinës (26 janar 2008)
Urdhri i Mbretit Tomislav (Kroaci)
Qytetar Nderi i Rrëshenit nga Këshilli Bashkiak i Rrëshenit
Qytetar Nderi i Burrelit nga Këshilli Bashkiak i Burrelit