2019/05/19

KUR TË VDES

Fotografia e Mid'hat Abdyl Frashëri


Busti-vepër e skulptorit Agim Rada- dhe varri i Mid'hat Frashërit (Lumo Skëndos) në Tiranë

Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell' i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut.
Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe në mes të bregut të vogël virmëni një qiparis.

E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit, që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.

Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t'oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime, që qan e rënkon.

Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza, që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi.

Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e pikëllimet.

Lumo Skëndo

15 janar 1915


No comments:

Post a Comment

Urrejtje dhe protesta anti Tesla

Qindra protesta në dealershipet dhe ekspozitat e Tesla në të gjithë botën u zhvilluan të shtunën, duke shfaqur një rezistencë globale kundër...