Një nga autorët më të njohur të shekullit XX, fitues i çmimit Nobel në Letërsi, Ernest Heminguej, ka lënë pas disa nga veprat më të njohura në letërsi.
Karriera e tij letrare nisi në Paris, ku pati mundësinë të njihej me disa shkrimtarë. Mënyra e rrëfimit, përshkrimet e shkurtra, e kanë bërë stilin e Heminguejit ndër më të preferuarit e letërsisë moderne. Nëse njihni vetëm romanin e tij mbase më të njohur “Plaku dhe deti” (shumica e njerëzve që njoh, megjithatë, kanë parë vetëm filmin e me Antoni Kuin), ne ju rekomandojmë t’i kushtoni vëmendje edhe disa prej veprave të tjera të tij.
Lamtumirë armë
Një histori e jashtëzakonshme e një shoferi amerikan ambulance në frontin italian dhe një infermiereje angleze. E konsideruar si një vepër gjysmë autobiografike, në këtë libër Hemingueji paraqet realitetin e ashpër të luftës dhe dhimbjen e dy të dashuruarve të mbërthyer në mes të saj.
Për kë bien kambanat
I shkruar në vitin 1940, “Për kë bien kambanat” tregon historinë e Robert Jordanit, një i ri amerikan në brigadat ndërkombëtare, që i është bashkuar një njësie guerile republikane gjatë luftës civile spanjolle.
Kopshti i Edenit
“Kopshti i Edenit” ishte një bestseller kur doli në vitin 1986, edhe pse është libri i fundit i pambaruar i Ernest Heminguejit, me të cilin punoi nga viti 1946 deri sa vdiq në vitin 1961. Libri tregon historinë e një shkrimtari të ri amerikan, David Bourne, gruas së tij Catherine dhe lojën e rrezikshme erotike që ata luajnë kur bien në dashuri me të njëjtën grua.
Plaku dhe deti
Kryevepra e Ernest Heminguejit, “Plaku dhe deti” është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij ai trajton pyetjen e madhe se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë.