41 vite më parë, pikërisht në gusht të vitit 1978 dy artistë shqiptarë, Guri Madhi dhe Kujtim Buza do të udhëtonin për në Kosovë, me ftesë të artistëve figurative të Kosovës…
Sapo kaluan kufirin shqiptar, në zonën neutrale midis dy vendeve në kalimin e Qafë Thanës, dy artistët bënë një marrëveshje mes tyre: Do të harronin gjithçka kishin lënë pas dhe do t’i kushtoheshin tërësisht vendit që i priste, Kosovës.
Për 2 javë rresht ata do të vizitonin vendet historike të Kosovës, dhe do të bënin shumë skica, vizatime, portrete, peizazhe, dedikuar Kosovës.
Të gjithë këto impresione dhe punime të kryera u kthyen në një buqetë artistike, e cila meritoi të ekspozohej fillimisht në Tiranë (në një sallë të Pallatit të Kulturës në 1979-ën) dhe pas dy vitesh ekspozita bashkë me dy artistët do të udhëtonte drejt Kosovës.
Në shkurt dhe mars të atij viti, ekspozita u hap fillimisht në Prishtinë, (në prani të më shumë se 4000 artdashësve, sipas shtypit të kohës) dhe më pas dhe në Prizren dhe Ferizaj. Ekspozita u quajt e sukseseshme.
Shtypi kosovar, por dhe ai jugosllav do të informonte gjerësisht për këtë ngjarje artistike.
Televizioni i Beogradit i kushtoi një emision të posaçëm ekspozitës, për rreth 30 minuta.
Artistët u kthyen në Tiranë më 6 mars 1981, vetëm dy ditë para shpërthimit të revoltave të studentëve kosovare.
Në këto ekspozita u paraqitën për herë të parë kompozimet e Guri Madhit.
Vepra si: “Po lufton Idriz Seferi”, “Bajram Curri në shpellën e Dragobisë” (variant), “Isa Boletini”, “Lahutari”, portretet e malësorëve të Rugovës, të Sulejman Vokshit, Idriz Seferit, Shote Galicës, “Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit,”, “Deçani”, “Gryka e Kaçanikut” e shumë të tjera.
Por lidhja e Guri Madhit me Kosovën kishte filluar shumë më herët, që gjatë punimit të diplomës së tij kushtuar heroit gjakovar Bajram Currit, në vitin 1956.
Në këtë proces qe frymëzuar nga elegjia e Fan. S. Nolit. Diploma e tij u vleresua “odliçno” (shkëlqyeshëm), nga Komisioni i Akademisë së Shën Peterburgut, me në krye Jogansonin e famshëm.
Vizita e vitit 1978 dhe dy vizitat e vitit 1981 e përforcuan këtë lidhje miqësie të sinqertë. Guri Madhi e ndjeu veten shumë të vlerësuar në Kosove, gjë që nuk i kish ndodhur nga kolegët në Shqipëri.
Ai ndërtoi miqësi të mëdha me artistë dhe intelektualë të Kosovës si me prof. Musllim Mulliqin, prof. Zekiria Cana, prof. Jusuf Buxhovin, prof.Shyqyri Nimanin, Agim Çavderbashen, Blerim Luzhen, Tahir Emren, Engjell Berishen (Befren), Rexhep Ferrin e shumë të tjerë.
Poeti Milazim Krasniqi i frymëzuar nga vepra e Guri Madhit, i kushtoi atij poezinë me titull “Si mund të bëhet një pikturë”.
Këtë miqësi, dashuri, vlerësim, ai i’a shpërbleu Kosovës me vepra kushtuar saj, duke plotësuar kështu dhe momente të historisë tonë të perbashket…
Ai realizoi disa peizazhe nga Prizreni, shumë grafika, por duhen përmendur dhe dy skica me lampustil jeshil të vitit 1978, të cilat ai i ka menduar si një kompozim të ardhshëm për Lidhjen e Prizrenit, duke vendosur në qendër 3 drejtuesit e saj Abdyl Frasheri, Ymer Prizreni dhe Sulejman Vokshi.
Për fat të keq dhe për arsye që nuk i dimë, ai nuk i transformoi këto skica në realizimin me ngjyra vaji. Por një gjë është e sigurt, që piktori Guri Madhi, një korçar nga malësitë e Oparit, do t’i kushtonte një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij Kosovës, historisë dhe bukurisë së saj.
Dhe disa muaj para se të ndahej nga jeta, ai ka lënë një vepër – dëshmi, që vjen si paranjoftim për faktin se shumë shpejt Kosova do të ishte e lirë, duke realizuar portretin e malësorit kosovar, që qëndron me pushkë mbi majat e malësive të Kosovës, si zot i vendit të tij.
****
Guri Madhi lindi në 15 maj të vitit 1921 ne Korçë. Pas përfundimit të shkollës fillore, Guri Madhi ndoqi për dy vite shkollën e mesme italiane në Korçë, që kishte për bazë vizatimin. Pas vitit të dytë, kjo shkollë u mbyll dhe ai u detyrua të ndërpriste shkollimin e mëtejshem dhe për nevoja familjare të fillonte punë në kinematë e qytetit te tij.
Bajram Curri në shpellën e Dragobisë, nga Guri Madhi (1956)
Ne vitin 1958 ai emërohet pedagog në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë.
Në vitin 1961 është një nga tre pedagogët që themeluan Institutin e lartë të Arteve figurative (sot Akademia e Arteve) në Shqipëri. Viti 1966 do të karakterizohej nga lufta kundër burokracisë, si pasojë e së cilës Guri Madhi u dërgua ne garnizonin e Grehotit ne Gjirokaster, ku dhe përjashtohet nga PPSH ne vitin 1967. Ne kete peridhë ai largohet nga Gjirokastra dhe qëndron për më shumë se një vit i papunë. Fillon punë në ndërmarrjen e mjeteve mësimore në Tiranë dhe më pas i jepet leje krijimtarie për një periudhë dy vjeçare, për të realizuar tablonë „Reforma Agreare“. Për shumë vite angazhohet me mësimdhënie në liceun artistik Jordan Misja dhe në Akademinë e Arteve të Bukura. Në 1983 del në pension dhe në atë kohë është një nga piktorët më të njohur të brezit të tij.
Guri Madhi ka qenë aktiv në vendlindjen e tij edhe si aktor. Ka patur rol kryesor në dramën „Nën gështenjat e Pragës“ të Konstantin Michailoëitsch Simonov, tek „Kopraci“ i Molierit, etj.
Ai vdes në vitin 1988 në Budapest në rrethana të paqarta. Madhi kishte udhëtuar i vetëm, pasi regjimi nuk lejonte shoqerues, për një operacion të gjëndrave tiroide në Budapest. Familja e tij u lajmërua për gjetjen e tij pajetë shumë më vonë se ngjarja e ndodhur.
Guri Madhi është i vetmi artist shqiptar që ështe përjashtuar nga partia komuniste dhe më vonë në vitin 1976 është nderuar gjithsesi me titullin Piktor i Popullit.
Në periudhat e tij të hershme Guri Madhi pikturon episode nga historia e Shqipërisë dhe nga rrethanat e së tashmes. Atij i jepeshin shumë detyra dhe porosi nga rregjimi për të shfaqur në vepra realizmin socialist.
Por në vitet e fundit të jetës së tij ai i dedikohet një arti të lirë. Veprimtaria e tij e viteve 1955-1988 numëron rreth 400 piktura.
Kritikët e artit dallojnë 3 periudha në udhëtimin e tij artistik:
· Periudha pas studimeve me ndikime impresioniste
· Një periudhë të shkurtër 1965-66 me ndikime surrealiste
· Periudha pas vitit 1980, deri ne 1988, me pikturën ekspresioniste dhe abstrakte
Tema e tij e diplomës së vitit 1956 „Bajram Curri në shpellën e Dragobise“ tregon Heroin Kombëtar Bajram Curri në stilin tipik të impresionistëve rusë.
Në anën tjetër ndodhen Hroshov, Brezhnjev, Ulbricht dhe drejtues të tjerë komunistë. Këta të fundit shfaqen në dritëhije thuajse të trembur nga reagimi dhe qëndrimi i Hoxhës. Piktura u dha si detyrë nga Komiteti Qëndror i PPSH me rastin e 30-vjetorit të clirimit të Shqipërisë dhe me rastin e inagurimit të ndërtesës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve. Vepra e përfunduar u paraqit në nëntor të 1974 para një komisioni të posaçëm.
Ky i fundit vendosi që portreti i Enver Hoxhës nuk ishte realizuar siç duhet dhe vendosi t’i caktonte piktorit Zef Shoshi detyrën e përfundimit të portretit. Më vonë, në vitin 1978, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën u shkëputën. Guri Madhi kishte domosdoshmërisht detyrën të hiqte delegacionin kinez nga piktura. Ai e kreu këtë gjë duke ua sfumuar fytyrave prejardhjen kineze. Historia vazhdon në vitin 1980 kur Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe, gjendet pa jetë. Në pikturën në fjalë ai qëndron në krah të Enver Hoxhës dhe, edhe këtë rradhë, Guri Madhi duhet të fshijë figurën e tij. Por këtë herë ai refuzon, pasi një veprim i tillë do të shkatërronte kompozimin. Pas kësaj vepra do të nxirrej nga qarkullimi për të mos u shfaqur në publik. Sot ajo ndodhet ne Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Pavarësisht se origjina e Guri Madhit ishte Korça, ai i ka kushtuar shumë vepra të tij temës së Kosovës. Edhe vetë temën e tij të diplomës e ndërlidhi me këtë krahinë. Në vitet pas kthimit në Shqipëri ai udhëtonte në zonat kufitare me Kosovën (kufijtë me Jugosllavinë ishin mbyllur që në vitin 1948). Ai ka pikturuar shumë portrete kosovarësh në kostume karakteristike.
Në vitin 1978 ai ka mundësi të punojë 2 javë në Kosovë. Në këtë kohë publikohen shumë grafika të tij në shtypin lokal. Në 1979 hapet ekspozitë e tij në bashkëpunim me piktorin Kujtim Buza me titullin „Nëpër vende historike të Kosovës“. Në 1981 organizohen përsëri ekspozita të përbashkëta në Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren. Disa vepra të tij gjenden në Kosove, një prej të cilave i është dhuruar Galerisë së Arteve të Kosovës.
Për shumë vite Madhi duhej t’i nënshtrohej rregullave të caktuara nga rregjimi. Ai punonte sipas porosive dhe duhej të retushonte edhe veprat personale. Femrave nudo duhet t’i mbipikturoheshin veshje. Drejt vitete të fundit të jetës ai i largohej gjithmonë e më shumë rregullave strikte. Edhe kur nuk mund t’i shfaqte veprat e tij në ekspozita, ai ishte në gjendje të pikturonte sipas dëshirave dhe frymezimit të tij.
Në vitin 2011, 23 vite pas vdekjes së Guri Madhit, familjarët e tij gjejnë gjatë një rregullimi rutinë të veprave, disa piktura të fshehura të cilat, nqs do të zbuloheshin gjatë komunizmit, do të dënonin piktorin me burgim. Ai ka pikturuar në të dyja anët e fjetëve apo të kartonave, duke lënë kështu të dukshme vetëm njërën anë, anën e cila ishte komform me rregullat e realizmit socialist.
Vlerësime
Guri Madhi u nderua në vitin 1976 me titullin Piktor i Popullit.
Galeria e arteve në Korçë mban emrin e tij.
Rrugë në Tiranë dhe Korçë mbajnë emrin e tij.
Vepra e Guri Madhit është pjesë e Enciklopedive të rëndësishme botërore si Benezit Dictionary of Artists, Oxford Dictionary, etj.
Floripress:Flori Bruqi