Nga Flori Bruqi
The Culture Trip ka publikuar harten që tregon se çka do të thotë emri i secilit vend në botë, e cila shpjegon edhe kuptimin historik.
E aty, gjendet edhe vendi ynë Kosova, emrin e së cilit ata e shpjegojnë si ‘Field of Black Birds’ apo ‘Fusha e Mëllenjave’.
Para Betejës së Fushë-Kosovës, emri Kosovë nuk njihej historikisht, betejë në të cilët serbët pësuan disfatë totale dhe fituan turqit osmanë.
Pjesë e hartes janë edhe dy shtetet fqinje të Kosovës, Shqipëria e Maqedonia. Aty shpjegohet se emri Shqipëri do të thotë ‘Land of Eagles’ ose ‘Toka e Shqiponjave’.
Ndërsa, përveç pjesës historike, tregon edhe karakteristikat e banorëve të vendit, siç është rasti tek Maqedonia, që do të thotë ‘Land of Tall People’ ose ‘Toka e njerëzve të gjatë’.
Në hartë gjenden edhe vendet e tjera të botës, të cilat mund t’i shihni në foton më poshtë.
“Postim me shkas: Duke nxjerrë Kosovën nga dokumente të vitit 1405!
Kosovën e sotme gjatë shekujve e kemi ndeshur me emra të ndryshëm. Për herë të parë me emrin e sotëm do ta ndeshim në dokumente raguzane të vitit 1405: “Boschi di Chosoua”!”, ka shkruar Drançolli me foto nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut, ku ka qenë në tetor të këtij viti, me kolegun e tij Ruzhdi Panxha.
Ndërsa nocioni “Metohija”, pavarësisht se daton që nga mesjeta apo shekulli 11-të dhe është term kishtar, ky nocion vazhdon edhe sot të përdoret në diskursin publik, formal dhe joformal, nga popullsia serbe që jeton në Kosovë, por edhe nga drejtuesit e lartë të institucioneve të Kosovës që përfaqësojnë bashkësinë serbe.
Termin “Metohija”, ata gjithmonë e përdorin si ndajshtesë kur përmendin Kosovën, duke iu adresuar si “Kosova dhe Metohija”.
Përdorimi i këtij termi, jo rrallë, ka krijuar tensione verbale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.
Të parët shprehin mendimin se përdorimi i këtij termi nuk ofendon askënd dhe nuk ka tendencë politike, ndërkohë që të dytët, e përjetojnë si term tendencioz politik ndaj Kosovës.
Por, ekspertët e fushës së historisë dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, pajtohen lidhur me prejardhjen e termit “Metohija” dhe thonë se ky term, nënkupton hapësirën që sot në Kosovë është rajoni i Dukagjinit.
Igumeni Sava Janjiq nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, shpjegon prejardhjen e këtij termi.
“Pasuria kishtare në gjuhën greke thirret "metohion", në njëjës. "Metohion" në shumës theksohet “metohija”.
Do të thotë fjala ‘"metoh" përdoret edhe sot në Greqi dhe te ne, në terminologjinë e manastirit, për pronat e manastirit”, theksoi Janjiq.
Të njëjtin shpjegim, lidhur me “Metohija” e jep edhe Jahja Drançolli, profesor i historisë së mesjetës, në Departamentin e Historisë në Fakultetin Filozofik, të Universitetit të Prishtinës.
Sipas tij, ky term daton që nga Kisha Bizantine në mesjetë dhe më pas ka kaluar në vendet që kanë qenë të ndikuara nga kjo kishë, sidomos pas shekullit 11-të.
Profesor Doktor Jahja Drançolli, thotë se, ky term apo kjo leksemë kishtare, në shekullin 18-të dhe 19-të është inkuadruar në konceptin gjeografik nga filologu i asaj kohe, Vuk Karaxhiqi, i cili njihet si reformues i gjuhës serbe dhe më pas sipas tij, edhe nga studiuesit e shkollës antropologjike serbe, në krye me Jovan Cvijiqin, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në pjesën e parë të shekullit 20-të.
Por, sipas Jahja Drançollit, pavarësisht se ka pasur tendenca që ky term të politizohet që në pjesën e parë të shekullit 20-të, kjo ka ndodhur vetëm në mes të atij shekulli, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Nga viti 1945, ka evoluar edhe me koncept politik, ku një pjesë e Kosovës, do të thotë Rrafshi i Dukagjinit është quajtur me ketë emër (Metohija), për arsye se ka pasur mjaft kisha.
Të gjitha këto kisha, normalisht, i kanë pasur tokat e veta. Mirëpo ato pasuri kanë qenë pasuri kishtare e jo pasuri politike dhe as pasuri gjeografike”, tha profesor Drançolli.
Termi “Metohija”, është hequr nga përdorimi në Kushtetutën e Kosovës, në vitin 1974, kur asokohe Kosova ishte Krahinë autonome në kuadër të Jugosllavisë.
Por, ky term është riaktualizuar sërish në vitet ‘90 të shekullit të kaluar, në kohën kur Slobodan Milosheviq, kishte marrë pushtetin në Serbi.
“Metohija”, si ndajshtesë për emrin e Kosovës, përdoret edhe sot nga serbët.
Madje, Kushtetuta e Serbisë, edhe sot përfshin në vete Kosovën, duke iu referuar si “Kosova dhe Metohija”.
Kështu i referohen në diskursin publik, formal dhe joformal edhe politikanët serb në Kosovë, përfshirë edhe funksionarë në institucionet e larta të Kosovës.
Aleksandar Jablanoviq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, thotë se ky term nuk është me tendencë të provokimit.
"Termi - Kosovë dhe Metohija - nuk ekziston për të ofenduar apo provokuar dikë.
Ne si të tillë e përdorim që nga fëmijëria. Kështu na kanë mësuar në shkollë dhe kjo është diçka që nuk mund të harrohet brenda natës.
Nëse dikujt i pengon një term që e përdorni, atëherë as që dua të mendoj se sa e pengon dhe se çfarë mund të bëj ose të mos bëj nesër”, tha Jabllanoviq.
Igumeni Sava Janjiq, vlerëson se çështja e përdorimit të termit “Kosova dhe Metohija” nga serbët, nuk duhet të politizohet. Përkundrazi, sipas tij, duhet depolitizuar.
“Këto janë gjëra historike të caktuara që nuk do të duhej të shfrytëzohen në kontekstin politik.
Sa i përket emërtimit "Kosovë dhe Metohi" ajo është edhe në përmbajtjen e Kushtetutës së Serbisë, madje edhe para luftës.
Prandaj, që atëherë, daton zyrtarisht si emërtim për këtë hapësirë. Përndryshe, nuk ishte dashur që të politizohet ky nocion dhe ne përpiqemi që të mos e politizojmë’, theksoi Janjiq.
Ai shtoi se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, termin “Metohija" e përdor si terminologji në dokumentet kishtare.
Gjithashtu sipas tij, kjo kishë i respekton ligjet ekzistuese të Kosovës, të cilat gjithashtu e rregullojnë pozitën dhe të drejtat e saj, si dhe elementet mbrojtëse për kishën.
Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit dhe njohës i zhvillimeve dhe fenomeneve politike në Kosovë, duke folur për medie , vlerëson se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, në disa raste është më e matur në përdorimin e këtij termi, se sa qarqet, siç i quan ai, ultra-nacionaliste.
Përdorimi edhe sot i një termi kishtar, “Metohija” si ndajshtesë për Kosovën, sipas tij nuk është i rastësishëm.
“Tani, ky term përdoret për qëllime të caktuara, për të fuqizuar pjesën e rajonit të Dukagjinit, e që nuk bëhet rastësisht.
Do të thotë, është e qëllimshme, për të ndërprerë të ashtuquajturin "rripin e vazhdueshëm" etnik shqiptar, që përfshin pjesën e Kosovës, Dukagjinin, Shqipërinë veriore dhe deri në jug të Shqipërisë, brigjet e detit Jon”, tha profesor Isamajl Hasani.
Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Jahja Drançolli. Sipas tij, “Metohija’" , si ndajshtesë për emrin e Kosovës, është shpikje politike dhe jo shkencore.
“Dihet qartë se aspekti etnik në Kosovë është në favor të shqiptarëve, 90 për qind.
Tash, në këtë kontekst, këto nocione, që paraqiten si recidiva të shekujve të kaluar, kanë këtë qëllim, ndarjen e Kosovës në dy pjesë”, theksoi profesor Jahja Drançolli.
Por, ministri Jabllanoviq, shpreh mendimin se askush nuk duhet të ndjehet i ofenduar pse serbët, përfshirë edhe atë, i referohen Kosovës me ndajshtesën “Metohija”.
“Nëse dikush që e dëgjon shprehjen "Metohija", e gjen veten të ofenduar, atëherë ai duhet të ndikoj në disa qarqe më të gjera, në mënyrë që në Serbinë qendrore, në shkolla të mos mësohet se kjo quhet Kosova dhe Metohija”.
Në anën tjetër, profesor Hasani, vlerëson se përdorimi i termit “Metohija” nga qarqe të caktuara në Serbi dhe Kosovë, përfshirë edhe politikanët serb në institucione të Kosovës, nuk i takon sfondit të termeve pezhorative, të cilat nuk janë të pazakonta tek përdorimi i popujve të Ballkanit për njëri tjetrin.
“Përdorimi i termit "Metohi" nënkupton përpjekjen për ta relativizuar Kosovënsi entitet shtetëror, politik dhe administrativ, me të cilin mund të zëvendësohet ajo që është humbur, sepse, dikur qarkullonte fjala ‘Kosova, djep i serbizmit’.
Ajo humbi dhe tani insistohet që në vend të saj të përdoret sa më tepër që është e mundur termi "Kosovë dhe Metohi’”.
Ndryshe, eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Riza Smaka, thotë se sipas Kushtetutës së Kosovës, emërtimi i vendit është Kosovë dhe jo “Kosovë dhe Metohija”, siç përdoret në diskursin formal dhe publik nga ana e politikanëve serbë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës.
“Nuk përfillet rendi juridik elementar i shtetit sovran dhe faktikisht, të pranuar ndërkombëtarisht nga një numër impozant i vendeve.
Këta janë qytetarë të vendit tonë dhe nuk e marrin për bazë realitetin, por në mënyrë arbitrare e konsiderojnë vendin tonë si "Kosovë dhe Metohi’”.
Sidoqoftë, profesor Hasani, ka vlerësuar se Serbia insiston dhe do të insistoj edhe më tej, në përdorimin e termit “Metohija”, në mënyrë të qëllimshme, për ta shënuar prezencën e saj, të paktën në mënyrë verbale, në Kosovë.
****
Si u bë Kosova "KOSOVO"?
Në këtë shkrim kemi sjellë disa të dhëna të argumentuara që çojnë në përfundim se emërtimi KOSOVO, që është përdorur në të kaluarën, po edhe sot, sidomos nga ndërkombëtarët, e ka burimin nga gjuhët sllave, më sakët nga gjuha serbe dhe, si i tillë, meqë nuk përkon me natyrën gjuhësore të shqipes, duhet shporrur sa më parë
që të jetë e mundur, sepse ne e kemi emërtimin tonë KOSOVË.
Shqiptarët gjithmonë Dardaninë e dikurshme e kanë quajtur dhe e quajnë edhe sot "Kosovë" (në trajtën e pashquar) dhe "Kosova" (në trajtën e shquar).
Edhe në gjuhët e tjera do të duhej të merrej ky toponim në formën që e thotë vetë shqiptari, pra "Kosovëa".
Mendoj se për shumë gjuhë evropiane apo edhe botërore emri "Kosovë-a" nuk duhet të jetë problematik për t'u artikuluar.
Zakonisht, të huajt, kur i marrin fjalët (emrat etj.)prej një gjuhe tjetër, ata i marrin në trajtën ashtu siç u servohet,thotë studiuesi Sami ISLAMI.
Disa gjuhë, duke u nisur nga ligjet fonetike e gramatikore të tyre, fjalët e gjuhëve të tjera ia përshtatin sistemit fonetik dhe gramatikor të gjuhës së vet.
Mirë. Por nga erdhi atëherë në gjuhët evropiane p. sh emri "Kosovë-a" i shqiptuar "Kosovo", që ndeshet jo vetëm në gjuhën angleze, por edhe në gjuhët e tjera?
Pse po del pra, kjo fjalë, me mbaresën -o, e jo me mbaresën -a (në të shquarën), siç i takon natyrës së gjuhës shqipe?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë.
Kjo trajtë erdhi e "shqiptuar", jo direkt nga shqipja, por pikërisht nga gjuhët sllave, si: serbe, bullgare apo maqedonase.
Këto gjuhë kanë prirjen që emrat që mbarojnë me temë në
bashkëtingëlloret -v ose -k marrin mbaresën -o.
Kemi emra të truallit shqiptar por edhe të tjerë që i ndeshim të shqiptuar kështu: Malishevo, Kumanovo, Bërçko, Jadransko more(Deti Adriatik), Mavrovo, Gjakovo etj. Sipas këtij kriteri shkon edhe emërtimi "Kosovo".
Gati një shekull Kosova "jetoi" nën ombrellën e Serbisë dhe emri "Kosovo" herë si "provincë", e herë si "krahinë e Serbisë".
Ky emër, në fakt, përdorej ndoshta vetëm për përdorim "të brendshëm" të saj. Serbia përpiqej me çdo kusht ta mbante të mbyllur Kosovën.
Bile, më kujtohet, kur në vitet e 60-ta Serbia e ndryshoi emrin. Pra prej "Kosovo" e bëri "Kosmet", që ishte një shkurtesë nga "Kosovo i Metohija" (Kosova dhe Metohia), për t'i "humbur" gjurmët e Kosovës shqiptare sa më shumë që të ishte e mundur.
Nacionalistët serbë këtë emërtim e përdorin edhe sot. Pra nga "Kosova" ata morën rrokjen e parë "Kos" dhe nga Metohija, po ashtu rrokjen e parë "Met".
Hajde gjeje tash se ku është ky "Kosmeti" në këtë planet!
Politika që ndiqte Serbia në ish- Jugosllavi ishte që t'i ngulfaste "pakicat", e në rend të parë shqiptarët e Kosovës.
Para çlirimit, jashtë Jugosllavisë (lexo: edhe jashtë Serbisë) pakkush e ka ditur se ku është Kosova.
Në mënyrë mjaft të bujshme emri i Kosovës doli, dhe i "shpërthei" kufijtë e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe pas saj.
Është interesante të theksohet se Kosova tani filloi të njihej kudo në arenën ndërkombëtare, jo me emrin shqip të saj "Kosovë-a, por me trajtën sllave (lexo: serbe) "Kosovo".
Ky "prezantim" i Kosovës nga Serbia "u bë" model i përdorimit pothuaj edhe nga të gjitha organizatat ndërkombëtare,që vepruan dhe veprojnë ende në Kosovë.
Po të kthehemi pak në histori, do të vërejmë qartë se serbët, bullgarët, me një fjalë sllavët, qenë më të organizuar nga pikëpamja institucionale e shtetërore.
Së këndejmi ata i planifikonin punët me dekada e shekuj përpara, e cila gjë mund të vërehet edhe në sferën e toponimeve (emrave të vendeve) etj.
Me krijimin e mbretërisë së tyre (diku prej shek. XII e tutje), me gjasë edhe shumë më herët,
Serbia nisi në mënyrë institucionale të merrej, pra, përveç tjerash, edhe me emërtimin e vendbanimeve të pushtuara nga shqiptarët.
Ata donin ta "serbizonin" vendin e pushtuar. Hovin e Serbisë e ndali pushtimi turk i saj dhe i Shqipërisë (në atë kohë Kosova dhe të gjitha trojet e tjera që sot gjenden nën Serbi, Mal të Zi, Maqedoni apo Greqi quhej Arbëri, që ishte emri i vjetër për Shqipërinë e sotme). Gjatë pushtimit osman emërtimi "Kosovo" nuk u dëgjua më,pra mbeti vetëm në arkivat serbe.
Por kur Turqia u largua nga Ballkani (më vitin 1912),Serbia, bashkë me reprezaljet e tmerrshme që bënte mbi shqiptarët, për t'i përzënë nga tokat e tyre, i nxori nga arkivat "tefteret" me toponimet serbe dhe prapë kudo që shkonte i "emërtonte" vendbanimet shqiptare me emra të vet.
Më lehtë manipulonte me mikrotoponimet (vendbanimet të vogla, fshatrat etj.), të cilat, shpesh i bënte rrafsh me tokë,pastaj posa shqiptarët i ndërtonin ato, serbët "i emërtonin" si donin vetë.
Fatkeqësisht, emërtimet serbe a bullgare të vendbanimeve shqiptare edhe sot "jetojnë" në Kosovë, por të tilla ka mjaft edhe në Shqipërinë e sotme.
Toponime të tilla janë aq shumë sa zor që mund të përmenden të gjitha këtu.
Ndërkaq vendbanimet shqiptare të vjetra ( kur është fjala për qytete më të mëdha), Serbia kryesisht përpiqej t'i "modifikonte", ose t'i "serbizonte".
Ajo shpesh edhe ua ndërronte emrat fare, si p. sh.: Durrësin e bëri"Draç", Shkodrën "Skadar", Tivarin "Bar" Ferizajin "Uroshevac" (pasi që Ferizaji lidhej me emrin "Feriz" serbët e ndërruan në "Uroshevac " nga emri serb "Urosh") , Pejën "Peq", Shkupin "Skopje", Kosovën "Kosovo" etj. Alpet Shqiptare ata i quajtën "Prokletije", që në shqip do të thotë "të nemuna". Është e çuditshme se si mbeti ky emër.
Me sa di unë ushtria serbe gjatë depërtimit të saj për në Shqipëri, nëpërmjet të Alpeve Shqiptare (në kohë dimri) kishte vuajtur shumë dhe një numër i madh i ushtarëve kishin vdekur nga të ftohtët gjatë këtij rrugëtimi.
Dhe serbët i paskan pasë "nemun" këto male! Pra malet tona u "mallkuan" nga ata! Nuk është e çuditshme pse ata i "mallkuan", por është e çuditshme pse shqiptarët t'i quajnë edhe sot e kësaj dite kështu siç i "emërtuan" serbët "Bjeshkë e Nemuna", në vend se t'i quajnë shqip "Alpet Shqiptare" ?!
Është një bagazh emrash që sllavët ua lanë, në vazhdimësi, vendbanimeve shqiptare.
Kjo ndodhi ngase, siç u përmend më lart, serbët e patën pushtetin në duar të tyre,prandaj arrinin t'i ngulitnin këto toponime madje edhe me detyrim.
Emra të tillë ka sa të duash, por po i përmendim vetëm disa, si: Obiliq (sot quhet Kastriot, që nuk di çfarë lidhje ka kjo me Obiliqin, ) Orlloviq, Devet Jugoviq (sot Bardhosh),Serbicë, (sot Skënderaj), Zubin Potok (!) Babin Most( shqiptarët e "përshtatën"si "Babimovc"!), Kisella Banja,afër Podujevës (në "Sallabajë") e deri tek qytetet e mëdha, si: Manastiri të quhet "Bitolla"( bullgarisht) Kërçova, "Kiçevo", madje edhe qyteti i Pogradecit, buzë liqenit të Ohrit, është me origjinë sllave (lexo: bullgare) "Podgradec" etj. etj.
Të kthehemi prapë tek emërtimi (toponimi) "Kosovo".
Në qoftë se në kohërat kur ishim nën okupim të Serbisë ishim "të detyruar" ta merrnim atë emërtim që na servohej, për arsye që tanimë dihen, çfarë mund të thuhet tani për kohën e re?
A mundemi ne tash që emrat që i la Serbia në trojet tona t'i ndërrojmë me emra tanë?
Ose a mundemi që ata emra, të cilët pushtuesi i "serbizoi", t'i "shqiptarizojmë", t'i bëjmë ashtu siç ishin përpara?
Ose, a mundemi që për vendet ku emërtimi është i burimit sllav, t'i krijojmë toponimet shqipe?
Natyrisht se mundemi, bile është për t'u përshëndetur iniciativa, se në vitet e fundit tek ne, vërtetë, ka filluar që kjo punë të bëhet në mënyrë institucionale.
Por kur do të arrijmë që ta heqim modelin "Kosovo" nga përdorimi në shumë institucione ndërkombëtare e vendore që po përdoret jo vetëm jashtë, por edhe në Kosovë?
Kur do të hiqet nga përdorimi emërtimi nga veturat e policisë së Kosovës: KOSOVO POLICE, ose mbishkrimi nga Forcat e Sigurisë së Kosovës: KOSOVO SECURITY FORCE, të cilat UNMIKu ose EULEX-i i "instaloi" në Kosovë?
Pse të mos figurojë në veturat e policisë së Kosovës mbishkrimi shqip: POLICIA KOSOVARE( ose POLICIA E KOSOVËS),
ose FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS?
Pra, pse të mos shkruhen shqip?!
Po t'i shikosh më detajisht do të vëresh se këto mbishkrime le që nuk po shkruhen shqip, por po shkruhen me një "përzierje" të çuditshme serbisht dhe anglisht, e ku ?!
Në Kosovë! Këtë "njollë" e kemi "dhuratë" nga UNMIK-u, i cili, edhe pse shkoi la shumë ligje, e rregullore të tjera, në mesin e të cilave edhe këto emërtime të përditshme, që t'i vrasin sytë kur i sheh dhe veshët kur i dëgjon!
Një ilustrim që shkon në favor edhe të huajt, mund t'i thonë toponimet vërtetë shqip është edhe një reklamë që shpesh po jepet
në TV.
Një biznesmen anglez që po i reklamon disa banesa në "Çelsi Point" (Chelsea Point) në Fushë Kosovë, edhe pse po shprehet në gjuhën angleze, ai po e përdor emërtimin shqip "...in (në)Fushë Kosova" (pra jo... in "Fushë Kosovo) etj.
Tani, në vendin tonë të ri, rrethanat janë krejt tjera. Sot e "kemi" situatën vetë në dorë, ose, më mirë të themi, duhet ta kemi situatën vetë në dorë. Prandaj nuk bën, as nuk ka kuptim, që edhe tash në vazhdimësi të qëndrojë emërtimi "Kosovo".
Duhet të merret një aksion në nivel shtetëror që, të gjitha emërtimet, dokumentet zyrtare etj., të cilat e kanë këtë emër në këtë formë të korrigjohen.
Pra të angazhohemi të gjithë, prej instancave më të ulëta e deri tek ato më të larta shtetërore, t'i largojmë këto trajta të dëmshme për gjuhën shqipe. Shkurt ta heqim këtë "damkë" që na e la Serbia,thotë studiuesi Sami Islami.