2014-01-11

NE, TE RRUGES “SIRI KODRA” NE TIRANE

Rrëfim për politikanë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë,sportistë, të njohur,banorë të kësaj rruge, nga më të shkurtërat dhe më të vjetrat e kryeqytetit



Nga Skifter Këllici



Sa herë që kthehem nga Amerika në Tiranë, nuk mund të rri pa kaluar nëpër rrugën “Siri Kodra”, në një shtëpi të së cilës kam lindur dhe jam rritur 76 vjet më parë.Eshtë një rrugë e shkurtër, rreth 400 metra e gjatë, në kryqëzimin e rrugës së Dibrës, aty ku ngrihet një selvi shekullore,që të shpie nga Spitali,në rrugën “Shinasi Dishnica”, nga ku shkohet te Pazari i Ri.

Shkurt, rruga “Siri Kodra” është nga më të rëndomtat e kryeqytetit,pavarësisht se këto vitet e fundit në të dy anët e saj janë ndërtuar shumë e shumë pallate banimi ,që ia kanë ndryshuar tërësisht pamjen. Megjithatë,në mëhallën që ndan kjo rrugë, kanë lindur e jetuar njerëz që janë bërë nga më të njohurit e Shqipërisë në shumë fusha të jetës.Ndaj dhe i kujtoj me mall,ndaj dhe po shkruaj për ta.

Pa u futur mirë në këtë rrugë,nga e djathta, ngrihej një shtëpi e bukur,dykatëshe.Këtu që në vitet 30-të shekullit të kalur ka jetuar pr. Gabriel Meksi.Për nxënësit e Gjimnazit të Tiranës,(sot me emrin “Qemal Stafa”), që i kanë kaluar të 60-at,midis të cilëve edhe unë, ai është emri i profesorit shumë popullor të historisë, që na mbërthente gjatë shpjegimit me ngjarje tërheqëse nga historia e Shqipërisë dhe botës, një pjesë të të cilave, sidomos të Luftës së Parë Botërore, i kishte jetuar vetë.Jo vetëm kaq:Një nga bijtë e tij,Aleksandri,studiues i zellshëm i historisë së monumemteve të kulturës,njihet si kryeminisri i parë i qeverisë së parë paskomuniste të viteve 1992-1997.Ai dhe vëllai i tij,Tomja, edhe ai i njohur në fushën e inxhinierisë elektrike,ishin shokët e mi të fëmijërisë.

Në katin e parë të kësaj shtëpie jetonte edhe Faruk Basha,ish-fotoreporter i revistës “Ylli”, pastaj operator i talentuar i Kinostudios”Shqipëria e re”për filma artistikë, i specializuar më pas në Francë edhe për xhirime speciale e sot pedagog në Institutin “Marubi” .Nuk mbetet pas edhe e shoqja e tij, Nermini,pedagoge e latinishtes në UT,ish-drejtoreshe e Bibliotekës Kombëtare dhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës.Duke ndjekur shembullin e përkthyesve të shquar nga letërsia klasike latine,Henrik Lacajt, Pashko Gjeci,Stefan Prifti etj,ajo me guxim ka arritur të përkthejë dhe të botojë disa libra, ndër të cilët librin e njohur “Komploti i Katilinës”,një nga kryeveprat e antikitetit.

Kaloj pak më tutje ku kanë qenë renditur një sërë shtëpish të tjera,tashmë të zëvendësuara me palate. Një njerën prej tyre ka jetuar dr. Ismet Gega, i njohur për librin “Mjeku i shtëpisë”, botuar në fund të viteve ’30-të,i pari i këtij lloji në Shqipëri, i cili shërbeu, vec të tjerash, që lexuesit të njiheshinn me simptomat e para të sëmundjeve dhe t’i parandalonin ato.Vajza e tij, Fatbardha, pasi studioi për pedagogji, në Itali, u bë ndër specialistet e para në këtë fushë në vendin tonë. Atë e kujtojnë me respekt tërë nxënësit dhe nxënëset që kanë mbaruar në vitet ’40-’60-të shkollën pedagogjike të Tiranës. Pastaj punoi si bashkëpunëtore shkencore në Instiutin e Studimeve Pedagogjike.Kohët e fundit, pas vdekjes, doli në dritë libri i saj “Për ju prindër”, përmbledhje e studimeve të saj në lëmën e pedagogjisë.

Në një shtëpi, ngjitur më të, ka jetuar miku im, shkrimtari i njohur, Mehmet Myftiu,i cili që 12 vjec u lidh me lëvizjen antifashiste. Ai është një nga të paktët që arriti të mbijetonte nga vuajtjet mizore në kampin e përqendrimit nazist të Prishtinës,ku ishte më i mituri.I zhgënjyer nga idealet komuniste, Mehmeti u ngrit në mbrojte të shokut të tij, shkrimtarit Kasem Trebeshina, i cili në një letër drejtuar diktatorit Hoxha, e cilësonte realizmin socialist si metodë demagogjike. Dhe e pësoi si ai me burgim dhe internim.Këtë përvojë shumë të hidhur Mehmet Myftiu e ka pasqyruar në romanin “Shkrimtari”, botuar në fillim të vitev’94-të.Vajza e tij Besa që prej shumë vitësh jeton në Zvicër, është shkrimtare e njohur veprat e së cilës janë përkthyer në italisht dhe frengjisht.

Pak më tutje, një shtëpi e vogël, ka banuar Taqo Duka, që më pas do të bëhej nga specialistët më të mirë të atletikës, ai që zbuloi një talente të rrallë si Marieta Pronjari, e cila në vite ’70-të u bë nga atletet më të njohura në Ballkan në kërcimin së larti.

Dhe, gjithnjë duke kaluar nga e djathta e rrugës “Siri Kodra”, arrij në një rrugicë të gjatë.Diku aty,në në një shtëpi një katëshe lindi dhe u rrit Skënder Sallaku, aktori i madh i cirkut dhe estradës, madje edhe kampion në mundje në vitet ’50-të. Kam qenë dikur në një klasë me Skënderin, dhe mbaj mend se si na shqyente së qeshuri kur imitonte ndonjë mësues të vrazhdë ndaj nesh, kur na tregonte edhe barceleta të kripura. Pastaj, kur mbaronim mësimet, duke bredhur bashkë me ne sa në një rrugicë, në tjetrën të mëhallës sonë, ai zuri të imitonte Carli Caplinin që e kishim parë në kinema “Rozafati”, ose kinemaja e dikurshme e kalamajve të tërë Tiranës. Kështu e gjeti më pas veten në skenë së bashku me Vitoren,akrobaten e magjishme të cirkut, e cila u dashurua pas djaloshit gazmor të rrugës “Siri Kodra” dhe u lidh për jetë me të.

Po në këtë rrugicë ka jetuar edhe Dum Murthi, një ndër ciklistët e parë shqiptarë pas Clirimit, shok dhe rival i ciklistëve të njohur të asaj kohe, Kristaq Angjeli, Niko Kote, Bexhet Cerma, pjesëmarrës në sa e gara kombëtare e ndërkombëtare, madje deri ne Paris. Kur ishim të vegjël, i kërkonim Dumit të na jepte bicikletën e tij sa… për një xhiro. Dhe ai, megjithëse e kishte atë me shumë merak, nuk na e prishte qejfin.

Përshkoj më tutje këtë rrugë dhe ndalem te një tjetër rrugicë, që ka nxjerrë katër artistë të skenës:Së pari, kujtoj Flora Kallajxhiun,valltaren elegante të Filarmonisë Shqiptare të viteve ’50-të, që të tërhiqte edhe për bukurinë e rrallë në skenë. Do të kishte bërë emër të madh,por regjimi komunist e largoi shumë shpejt nga skena për ceshtje biografie. Por, ndërkohë, një tjetër Florë,që jetonte po në këtë rrugicë, u shqua, këtë radhë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Kjo ishte Flora Kodra, soliste në sa e sa balete kombëtare e klasike.

Ca më tutje, po në skenën e Operas, vecse këtë radhë në kanto, u shqua shoku im i fëmjiërisë, Pëllumb Katroshi, bariton i taletuar, dhe vëllai i tij më i madh,Ymeri,pjesëtar i korit të Operas. Ishte pikërisht ai që e nxiti Pëllumbin të futej në botën e kantos, duke nisur së pari korist si ai vetë në korin e Ushtrisë.

Në hyrje të kësaj rrugicë, në një shtëpi të rrethuar me oborr, jetonte avokati i shquar, Avni Skrapari. Ai ishte bërë i njohur edhe si folës i lajmeve në Radio Tirana,ku shkonte e nga ku kthehej në shtëpi me një bicikletë të vjetër. Mund të kishte pasur, mbase, edhe nivelin e folësit të njohur, Haki Beleri, por edhe ai u detyrua të largohej nga mikrofoni e, bile, nga Tirana për cështje biografie nga fund ii viteve ’40-të.

Po në këto vite, pasditeve të verës, ne, kalamajtë e mëhallës,midis të cilëve edhe një cun me syze, i quajtur Sali Brrari, luanim me topa lecke në një hapësirë të vogël midis shtyllave elektrike të rrugës “Siri Kodra”,pa carë kokën se kalonin karroca a makina e se pluhuri ngrihej duman mbi kokat tona.Dhe mbi një makinë të shkatëruar që nga koha e luftës,që një djall e di si mbeti në qoshe të kësaj rruge, unë fillova të imitoja Anton Mazrekun,por pa..mikrofon.Pastaj më mbrëmje, po mbi këtë karakatinë, dhe më pas në në qoshen e një rrugice të gjatë të shtruar më kalldrëm, ku banonte, Saliu na kënaqte duke kënduar këngë italiane dhe popullore shqiptare.Dhe ja, pa kaluar disa vjet, ai u bë ndër këngëtarët më popullorë të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, i njohur, sidomos në Kosovë,vec të tjerash,edhe për këngën “Më ka shkue mendja me u fejue”.

Nga e djathta e kësaj rruge shtrihet një rrugicë tjetër.Aty ka banuar ekonomisti i shquar, Haxhi Shkoza, autor në vitet ’30-të i librit “Financat në Shqipëri”, që edhe sot është bazë e studimeve në këtë fushë.Për aftësitë e tij,gjatë regjimit të ish-mbretit Zog u emërua këshilltar i Oborrit Mbretëror për probleme financiare.Kurse pas Pas clirimit, ky burrë shtatlartë dhe i heshtur, si pasojë e …luftës së klasave, përfundoi…llogaritar në një ndërmarrje të vogël,kur do të kishte dhënë shumë në lëmin e shkencave ekonomike.

Vajza më e madhe e Haxhi Shkozës, Hiqmeti,e shoqja e pr.,dr.Besim Zymës,otorino-laring,ndonëse piktore jo profesioniste,ka arritur të marrë pjesë edhe në ekspozita kombëtare.Dhe jo pa sukses.

Në këtë rrugicë ka jetuar për shumë vjet deri më 1946 edhe juristi i njohur, Andrea Sahatci, ndër të parët në historinë e jurisprudencës shqiptare,që ishte diplomuar në këtë profesion më qysh më 1912,i cili dha në ndihmesë të dukshme në këtë fushë. Djali i tij,Kostaqi,pasi mbaroi studimet e larta për inxhinieri ndërtimi, punoi për vite të tëra në Minisrinë e Ndërtimi, ku u shqua për aftësitë e tij profesionale.

Po në këtë rrugicë jetoi Eqerem Omari, një ndër specialistët më të mëdhenj në Shqipëri në fushën e bujqësisë.Vdiq në internim,ngaqë regjimi komunist i pushkaktoi një nga bijtë e tij, Gramozin, mjek dhe fizarmonicist, po aq i talentuar sa edhe shoku i tij i ngushtë,Agim Krajka,që më pas u bë kompozitor i njohur,i cili vinte aq shpesh në mëhallën tonë.Edhe dy djemtë e tjerë të Eqeremit, Xhemili, mjek, dhe Beqiri,xhezbandist i talentuar i Estradës së Shtetit , u internuan, madje këtë të fundit diktatura e dënoi me tetë vjet burg.

Futem në atë rrugicë dhe kujtoj fëmijërinë time.Ja porta e shtëpisë ku linda,ja dhe oborri ku fillova te luaja me Luanin,vëllain tim binjak. U morëm së bashku me tenis, pingpong, bilardo. Ai u bë disa herë kampion më këto sporte,madje edhe trajner i ekipit përfaqësues të pingpongut në vitet ’60-të, kurse unë zgjova një fushë tjetër, jo më të imitoja Anton Mazrekun, por, pas disa vitesh edhe të bëhesha si ai në mikrofon dhe pastaj në kamera e ca më pas edhe shkrimtar, madje të shkruaja dy romane me ngjarje të mëhallës sonë:”Kujtimet e mëhallës së vjetër” dhe “Pa gjurmëve”.(Ky i fundit u ekranizua nga Kinostudioja jonë dhe fitoi më 1979 një cmim të rëndësishëm në Festivalin Ndërkombëtar të filmit për fëmijë në Xhifoni të Italisë).Kurse motra jonë ,Lili, u bë nga valltaret më të njohura të Ansambit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve.Këtë, në disa biseda ma ka pohuar disa herë koreografi i madh, Panajot Kanaci, i cili e cmonte,sidomos në interpretimin e rrallë të një valleje solo të krahinës së Tropojës.

Por nga familja jonë nuk mund të rri pa përmendur gjyshin,Masar Këllicin,ish-deputet i Parlamentit Shqiptar në vitet 1920-1923, shok me deputetët e opozitës,Luigj Gurakuqi,Stavro Vinjau,Avni Rustemi e, doemos, Fan Noli.Reshati,xhaxhai im,ishte mik i ngushtë i Avni Rustemit,themeluesi i shoqërisë atdhetare,”Bashkimi”, i cili u plagos dhe vdiq pas një atentati në krahët e tij.Pas kthimit të Zogut, më 1924 së bashku me Sejfulla Malëshovën,Zai Fundon, Tajar Zavalanin,Selim Shpuzën,Haki Stërmillin dhe intelektualë të tjerë të njohur, xhaxhai emigroi në Bashkimn Sovjetik nga ku, i zhgënjyer nga dikatura staliniste, u kthye në Shqipëri më 1934.Zhgënjimi i tij u bë më i thellë, kur më 1946 shoku i tij i ngushtë, Sejfulla Malëshova, u dënua nga Enver Hoxha për pikëpamje liberale.Libri i tij “Me djemtë e “Bashkimit”,(1965), sipas kritikës mbetet edhe sot nga librat më të mirë në gjininë e kujtimeve.Po në këtë shtëpi ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë dhe biri i tij,pr.dr.Adnan Këllici,(1939-2011),ndër otorino-laringologët më të njohur në Shqipëri.

Në krye të kësaj rruge ishte shtëpia e familjes Kodra, ku ka jetuar, një nga bijtë e saj,Siriu,i ri antifashist që ra dëshmor gjatë Luftës Nac.Clirimtare.Ndaj dhe kjo rrugë mban emrin e tij.Vëllai i tij, Ziaudini, ishte nga studiuesit më të njohur të letërsisë shqipe dhe vecanerisht të letërsisë arbëreshe,autor studimesh e tekstesh shkollore në këtë fushë, ish-drejtor i shkollës pegagogjike në Tiranë dhe pastaj pedagog i Institutut të lartë Pedagogjik..

Pranë rrugicës sonë, në një shtëpi të bukur njëkatëshë ka banuar gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore edhe…Nexhmije Xhuglini,asokohe studente e shkollës pedagogjike të Tiranës, e cila më pas do të bëhej e shoqja dhe bashkëpunëtorja e diktatorit Enver Hoxha.Për t’u maskuar,e veshur hera-herës si zonjushë elegante me kapele të gjerë f dhe vel,ajo nxiste dhe organizonte mbledhje me gratë e rrugicës dhe të mëhallës sonë dhe të mëhallave ë tjera të Tiranës,që të merreshin me veprimtari në ndihmë të Luftë Nac.Cl.Në këto mbledhje shquhej edhe Hilmie Kosturi,një grua e vjetër dhe fisnike, nëna e mjekut të shquar gjinekolog,Muzhak Kosturi, dhe vëllait të tij Fatriut, gazetarit dhe libretistit pranë shtypit dhe Ansamblit të Ushtrisë,e cila së bashku me ta banonte në një shtëpi pak më tutje.

Diku ngrihej një tjetër shtëpi tjetër njëkatëshe.Këtu jetoi poeti i talentuar, Trifon Xhagjika, i cili,më 1963, së bashku me gazetarët e njohur, Fadil Kokomani, Vangjel Lezho etj.,u arrestua në përpjekje për t’u arratisur.Për qëndrimin përbuzës ndaj regjimit komunist u dënua me pushkatim.Edhe vëllai i tij,Ylli ,që jetonte bashkë me të,kardiolog i njohur, kaloi dis vjet në burgjet komuniste, sepse, kur Trifoni po dilte nga ndërtesa e Gjykatës së Tiranës,midis turmave ku ndodhesha edhe unë, i doli shpejt përpara iu drejtua atij më këto fjalë:”Mbahu,vëlla,mbahu,Trifon!”

Kush nuk e ka dëgjuar emrin e dr.Hamdi Sulcebeut,mjekut aq të njohur për fëmijë,në tërë Shqipërinë, autorit të sa e sa artikujve shkencorë për sëmundjet e fëmijëve, njërit prej emisioneve më popullore të Radios Tiranës, me titull,”Këshilla mjekësore”,të cilin e nisi më 1938 dhe e përfundoi më 1993, disa javë para se të ndahej nga kjo jetë!…Besoj një rekord i denjë për librin “Gines”.Edhe unë,si tërë fëmijët e rrugës “Siri Kodra”, kam qene pacient i dr.Sulcebeut, shtëpia e të cilit, rrethuar me një oborr të madh,ndodhej në një tjetër rrugicë, këtë radhë nga e djathta e rrugicës sime.

Pak më tutje, po në këtë rrugice jetonte Xhevat Bozgo, një ndër sprinterët më të njohur të viteve ’50-të ,të cilin ne, fëmijët e ndiqnim shpesh herë, sidomos gjatë kampionateve kombëtare që zhvilloheshin në stadiumin “Qemal Stafa”, në pistën e të cilit vraponte krahas Shaban Lundrës,Telemak Theodosit, Robert Hanxharit, Tahir Demnerit dhe vrapuesve të tjerë më të mirë të vendit të asaj periudhe.

Përballë shtëpisë së Bozgëve ishte shtëpia e Caushëve.Xhaferr Caushi ishte në vitet ’30-të të shekulllit të kaluar ndër pionierët e parë të përhapjes së shahut në vendin tonë dhe, më pas, ndër shahistët që zinte për një peridhë kohe ndër vendet e para në veprimtari kombëtare.Një nga bijtë e tij,Skënderi, është sot nga mjekët stomatologë më të nderuar në Tiranë.

Kurse në fund të kësaj rrugice është shtëpia e Kadri Manit,ndër fotografët e sotëm më të njohur në Shqipëri, sidomos për pejsazhet e natyrës së bukur shqiptare, të publikuara dhe në botime dhe ekspozita ndërkombëtare.

Në një rrugicë të gjatë të rrugës “Siri Kodra”,ka jetuar për një kohë të gjatë dhe regjisori Muharrem Fejzo,i njohur së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi,vecanërisht për filmin komik ”Kapedani”.

Nga e majta e kësaj rruge, në një një bllok pallatesh të ndërtuara në vitet 70-të, jeton një tjetër shok imi,shkrimtari Gaqo Bushaka.Eshtë vështirë që fëmijët, kudo në Shqipëri, të mos njohim tregimet dhe përrallat e këtij krijuesi,nga më të shquarit për fëmijë, madje dhe jashtë vendit, siodomos për romanin e tij tashmë të famshëm,”Cufoja dhe Bubi kacurel”.

Ca më poshtë, ngrihet një shtëpi karakteristike tiranase,tashmë e shndërruar si muze artisik.Aty jeton piktori i shquar, Sali Shijaku.Kur ishim të vegjël Saliu, pakëz më i madh se ne, na mahniste me skicat qe bënte, sidomos ato që i pikturonte drejt e nga copëzat e filmave kaobojs, që na binin në dorë, filma që ne i shihnim te “Rozafati” i famshëm.Saliu qeshte kur i kujtoja ato vite të fëmijërisë sonë të largët ,por edhe të afërt nga këto ngjarje të paharruara.

Ca më pas në një shtëpi tiranase ka banuar edhe mjeku dentist,Skënder Topulli.Mbaj mend se disa herë pjesëtarët e familjes sonë kemi kuruar dhëmbët në klinikën e tij.Por nga fundi iviteve 40-të ai u bë mjek dentist i Bllokut të Udhëheqësve.Por kjo nuk e pengoi që,kur na shihte në rrugë, të na takonte përzemërsisht.

Në fund të vitit 1968,në një takim në shtëpinë e Enver Hoxhës,që e kishte jo vetëm pacient,por edhe shok fëmijërie në Gjirokastër,ai iu lut atij që djalin e Eqerem Omarit, edhe ai shok fëmijërie i diktatorit e pastaj në Francë,që dënimin më vdekje të djalit të këtij të fundit,Gramozit, t’ia kthente në dënim me burgim të përjetshëm.Por diktatori nuk pranoi.

Nga fundi i rrugës “Siri Kodra” ngrihet një tjetër shtëpi tiranase, ajo e Herrëve.Sa herë jam ndalur para saj dhe më duket se që andej kam dëgjuar zërin e Maliq Herrit,tenorit të Operas,të ndjekur nga vëllezërit e tij,Haxhiu dhe Fadili,koristë të saj.Më duhet të kujtoj edhe vëllain tjetër, Ramizin, valltar dhe të motrën, Nadiren, instrumentiste tëdy në Ansamblin e Këngëgë dhe Valleve Popullore.Pesë artistë nga një familje!…Besoj edhe një tjetër rekord, mbase edhe ai për t’u futur në librin “Gines”.

Kur isha i vogël, vëreja se Eqerem Shaba,një djalë me trup të zhvilluar,shkëputej nga ne që luanim futboll dhe ngiste një biciklëtë.Dikush e ngacmonte duke i thënë se ai nuk do të mund të bëhej kurrë si Dum Murthi, që përmenda më sipër.Por ja që nuk ndodhi kështu.Eqeremi u bë nga fundi i viteve ’50-të nga ciklistët më të mirë të vendit,ndër konkurentët kryesorë i ish-kampionit të njohur,Bilal Agalliu.Jo vetem kaq,por nga mesi i viteve ’80-të, ai, për aftësitë e tij, arriti të emërohej edhe sekretari i Federatës së Ciklizmit në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve .

Edhe Eqeremi është banor i kësaj rruge,madje i fundit të saj.Ai shënon edhe personazhin e fundit të këtij rrëfimi për ne, të rrugës “Siri Kodra”, një rrugë kaq e e shkurtër, por që i dha jo vetëm Tiranës, por edhe Shqipërisë figura të shquara në shumë fusha të jetës.

Aty nga vitet ‘70,ne, të rrugës “Siri Kodra”, mund të organizonim një shfaqje të rrallë artistke në RTV.E pse jo.Do të këndonin pjesë klasike e popullore Maliq Herri, Pëllumb Katroshi e Sali Brrari,do të kërcenin valle popullore Flora Kallajxhi,Ramiz Herri e Lili Këllici,(Madhi),shoqëruar nga fizarmonicistë si Gramoz Omari, a Fatbardh Shkoza e me instrumente popullore nga Nadire Herri,do të kërcente pjesë beletesh klasike, Flora Kodra, do të interpretonte pjeëë skecesh e do të tregonte barceleta të thekura Skënder Sallaku, kurse e shoqja,Vitorja, do të ekzekutonte ushtrime të mahnitshme akrobatike…Prezantuesi i kësaj shfaqjeje do të isha unë dhe, për larmi, do të bëja intervista me personalitete të tjera, banorë të rrugës sonë,me shkencëtarë, studiues,si dr.Ismet Gega dhe e bija,Fatbardha Gega,dr.Hamdi Sulcebe,pr.Ziaudin Kodra, dr.Aleksandër Meksi, me shkrimtarin Mehmet Myftiu,piktorin Sali Shijaku,kinooperatorin Faruk Basha, trajnerin Taqo Duka…Dhe, besoj, se edhe lexuesit e këtyre radhëve binden që kjo shfaqje do të ndiqej me vëmendje dhe habi,po të marrim parasysh se do të ishte një dukuri tepër e rrallë dhe shumë origjinale e banorëvë artistë të një rruge të shkurtër prej rreth 400 metrash,e cila nga një vrapues i rëndomtë atletike përshkohet në më pak se… një minutë.

Disa nga këto figura nuk janë më midis nesh.Por unë po ua paraqes lexuesve, me krenarinë e një mërgimtari,që sa herë që vjen në atdhe, i kujton me përdëllim dhe miradije.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...