Valeria Dedaj
Konfliktet brenda shtetit dhe mes shteteve mbarten ndër vite, por në fund shpërthejnë. Ndërsa, reporteri i luftës duhet të gjendet gjithnjë aty. Gazetari Nehat Islami lexuesin e fut në thelbin e konfliktit, gazetarëve të rinj iu jep këshilla mbi profesionin.
Islami promovoi dje në Tiranë, librin e tij publicistik “Hotel Bejruti”. Në këtë libër ai ka botuar reportazhet e realizuara në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afërme.Në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai tregon se, botimi i këtyre shkrimeve vjen si kërkesë e të rinjve që donin të njiheshin me atë pjesë tjetër të botës, duke mësuar që nga rrënjët, shkaqet e luftës që po zhvillohet atje, por edhe për të kuptuar më mirë atë se çfarë po ndodh sot.
Një nga këshillat që jep Islami për reporterët është: “Gazetarët duhet të raportojnë nga vendi i ngjarjes dhe jo t’i marrin informacionet nga interneti”.
Zoti Islami, ju keni punuar si gazetar në vitet ’70 në vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afërme, por shkrimet tuaja po i botoni në libër vetëm pas 30 vjetësh... Përse vendosët që këtë vepër ta realizoni kaq vonë?
Duke parë se opinioni publik dhe posaçërisht ai i gazetarëve të rinj kanë nevojë që t’i njohin rrënjët e konfliktit në Lindjen e Mesme, por edhe për të kuptuar më mirë atë që realisht po ndodh atje sot, unë vendosa që të mbledh disa shkrime të miat për t’i sjellë në këtë libër.
Përse librit tuaj i keni vendosur titullin “Hotel Bejruti”?
Sepse Bejruti asokohe ka qenë i tëri hotel. Në atë vend kanë qenë rreth 400 hotele, quhej qyteti hotel. Prandaj edhe unë mendova t’i vendos këtë titull.
Te “Hotel Bejruti”, prezanton edhe elemente të familjeve shqiptare...
Libri përmban të gjitha reportazhet e mia gjatë periudhës 4-vjeçare në Liban, përveç kësaj ka edhe shkrime nga Siria, nga lufta Irako-Iraniane, nga marrëveshja historike që është bërë në vitin 1977 midis Egjiptit dhe Izraelit, atëherë kur Sadati shkoi në Izrael dhe shtriu dorën e pajtimit.
Kam shkruar për problemin palestinez, por dhe për prezencën e shqiptarëve, përfshirë edhe veprimtarinë e Pashko Vasës, historinë 150-vjeçare të dinastisë shqiptare të Mehmet Ali Pashës në Egjipt, i cili përveçse krijoi shtetin modern të Egjiptit ndikoi shumë edhe në krijimin e shteteve të tjera, sidomos në nxitjen e nacionalizmit arab, duke mos e harruar asnjëherë se ishte shqiptar.
Çfarë kujtoni kur shfletoni shkrimet tuaja?
Të them të drejtën disa gjëra i kam harruar, por kur i lexoj nëpër gazetat ku i kam shkruar, më kujtohen shumë situata që i kam kaluar gjatë asaj periudhe.
Kanë qenë momente të vështira, i keni fshirë vetë nga kujtesa.., apo janë momente të zbehura nga koha?
Çdo njeri kalon momente shumë të vështira në luftë. Unë kam qenë disa herë në rrezik nga plumbat, teksa duhej të raportoja në krye të detyrës. Disa herë së bashku me ushtarët, nëpër kampe kam qenë gati për të vdekur. Atëherë kam luftuar së bashku me ta nga vendi i ngjarjes, prandaj jam dëshmitar i asaj që ndodhte në terren, në shkrime këtë e sillja edhe nëpërmjet përjetimeve personale.
Jeni rikthyer më në vendet nga ku keni raportuar për 12 vjet radhazi?
Po kam shkuar. Libani është shkatërruar dy herë, tani po shkatërrohet për herë të tretë. Fatkeqësisht ka qenë një shtet shumë i mirë, që aktualisht gjendet në vorbullën e luftës. Janë disa shtete që dhe pa dëshirën e tyre, nuk mund ta shmangin luftën.
A ka elemente të përbashkëta midis luftës në Bejrut dhe luftës në Kosovë?
Ne në Kosovë e kemi përjetuar luftën, por një luftë tjetër... Te ne ka qenë luftë për çlirim, prandaj edhe e kemi duruar, duke i bërë ballë. Ndërsa, lufta në Liban ka qenë një luftë e padëshiruar nga populli libanez, sepse ka qenë e imponuar nga të tjerët.
Në kopertinën e librit duket një dritare...
Po, dritarja është një motiv i marrë nga Bejruti, po ashtu edhe gjurmët e predhave që ndodhen gjithandej.
Çfarë objektesh keni marrë me vete nga këto vende?
Unë ruaj disa fotografi me personalitete të ndryshme të gazetarisë. Ruaj qilima karakteristikë me motive arabe, arka dhe piktura arabe.
Sipas asaj çka ju lexoni dhe dëgjoni sot në media, si ka ndryshuar gazetaria? Sa e vërtetë është kritika se, gazetarët e sotëm janë shkrues të këqij?
Unë nuk mendoj kështu. Kjo varet nga individi. As ne të vjetrit, por as ju të rinjtë nuk jemi më të mirë. Ne në atë kohë i kemi prekur gjërat nga afër, kemi qenë dëshmitarë të ngjarjeve dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme. Ndërsa, sot gazetarët janë tepër të kyçur në internet, shpeshherë informacionin për shkrimin e tyre e marrin andej dhe jo nga vendi i ngjarjes.
Familja, mbështetësja ime kryesore
Pas këtij botimi, a do të ketë një libër të dytë për shkrimet tuaja në sheshin e luftës?
Unë kam materiale për të botuar edhe dhjetë libra të tjerë. Të gjitha këto shkrime të botuara gjatë asaj periudhe i ruaj.
Por, nuk e di nëse do të kem kohë për të shkruar, ndoshta do të zgjedh disa shkrime, ndoshta jo. Këtë gjë nuk e kam bërë më parë, sepse kam menduar që njerëzit nuk janë të interesuar. Por me kalimin e kohës, kur më thanë se këto shkrime duhet të botohen për gjeneratat e reja u binda se vërtetë duhet t’i botoja.
Nëse do të riktheheshit në kohë, a do ta zgjidhnit më këtë profesion?
Jo, unë nuk do të doja të shkoja më atje. Ndoshta, e them këtë për faktin se jam i moshuar, por tani e di mirë se sa e vështirë është të raportosh gjatë luftës. Atëherë nuk e dija këtë gjë.
Kush ka qenë personi që u ka qëndruar pranë gjatë punës suaj në vendet e Lindjes së Mesme?
Bashkëshortja ime ka qenë përherë me mua, por edhe fëmijët më kanë qëndruar pranë në Bejrut, Kajro dhe në Aman.
BIO
Nehat Islami (1943) u lind në Ferizaj të Kosovës. Ai ka raportuar për të përditshmen “Rilindja” nga vende të ndryshme të botës, por shquhet me raportimet e tij nga Lindja e Mesme. Gjimnazin e kreu në Prishtinë (1961), kurse Fakultetin Juridik në Universitetin e Zagrebit (1966). Punën e filloi në vitin 1966, si bursist i gazetës "Rilindja".
Një vit më vonë kaloi në Redaksinë Televizive të Kosovës, ku punoi deri në vitin 1974, kur gazeta "Rilindja" e emëroi korrespodent të gazetës në Lindjen e Mesme me seli në Bejrut, ku edhe qëndroi deri në vitin 1979.
Pas Bejrutit u kthye në gazetën "Rilindja" në postin e redaktorit të politikës së jashtme. Në vitin 1999 ka qenë Drejtor i Institutit për Monitorim të Luftës dhe Paqes (IWPR) për tre vjet, kurse që prej vitit 2005 është drejtor i Zyrës së Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës.
Është autor i mbi 200 reportazheve dhe filmave dokumentarë televizivë dhe autor i mijëra reportazheve e shkrimeve të tjera gazetareske nga Kosova dhe bota.