A ka goditje nga pjesa e pasme, në të majtë, makina e aksidentuar?
Ndarja nga jeta e politikanit të njohur dhe liderit të grupit anti-Basha-Berisha në PD, Sokol Olldashi, ka lënë shumë pikëpyetje për të gjithë. Ndërkohë në rrjetet sociale, siç është ajo “www.opozita.com” dhe ndonjë gazetë tjetër e njohur në tregun mediatik kanë dhënë versione të ndryshme duke vënë theksin tek fakti se nuk ishte thjesht një aksident automobilistik, por hidhet dyshimi se e kanë vrarë më parë dhe aksidenti ka qenë i sajuar për të zhdukur gjurmët e krimit. Gazeta “Koha Jonë”, ditën e nesërme të aksidentit, në shenjë respekti dhe dhimbje për humbjen e mikut të gazetarëve, i kushtoi gjithë faqen e pare me kornizë të madhe të zezë, Sokol Olldashit.
Kjo për faktin se Olldashi la një boshllëk të madh për familjen, miqtë e tij, për PD-në dhe për klasën politike shqiptare. Ai, dita-ditës, po tregonte se ishte një politikan që po jepte shembullin e veçantë se ishte vetvetja në politikë. Ai e ndërtoi vetë karrierën politike dhe ishte një personalitet i mendimeve të forta dhe të drejta, ndonëse shumëkujt në PD mund të mos i kenë pëlqyer. Humbja e tij ka lënë shumë pikëpyetje, të cilat, në fakt, duhet t’i kërkonte në radhë të parë Partia Demokratike, e cila mbi gjithçka duhej të insistonte në zbardhjen sa më të shpejtë të raportit të mjekësisë ligjore, i cili deri mbrëmë nuk është zbardhur. Edhe diskutimi në parlament para pak ditësh i deputetes kurajoze të PD-së, zonjës Mesila Doda, hodhi edhe më shumë pikëpyetje për klasën politike e sidomos për vetë PD-në, parti e cila e kishte brenda radhëve të saj e ku Sokoli donte ta reformonte që të rikthehej në pushtet pas katër vitesh.
Cilat janë pikëpyetjet e vdekjes që Sokol Olldashi la pas?
Ne nuk i bazojmë dyshimet se Olldashi pritej të jepte një intervistë për emisionin “Opinion”, ku, sipas miqve të tij të ngushtë, do të shpaloste pikëpamjet e tij për humbjen e PD-së, vizionin për të ardhmen e kësaj partie dhe raportet me Bashën e sidomos me Sali Berishën, por e bazojmë në analizën e fakteve, të cilat do t’i radhisim më poshtë.
Duke iu referuar burimeve të ekspertëve të mjekësisë ligjore, prokurorëve, oficerëve të policisë gjyqësore dhe dëshmisë së një doktori që dëshiron të mbetet anonim për momentin, ata bëjnë me dije se “ishte një plagë gjatësore, e madhe dhe kafka ishte e hapur nga prapa deri përpara dhe mungonte një masë trunore. Normalisht një plagë e tillë nxjerr mbi dy litra gjak, që do të thotë se duhej të kishte pellg gjaku në makinë, por çuditërisht makina, siç tregohet në akt-ekspertim, ishte e pastër brenda”?! Si ka mundësi të ndodhë kjo gjë?
Njëri nga mjekët, i pyetur nëse një plagë të tillë të thellë dhe vdekjeprurëse mund ta ketë shkaktuar xhami i baxhës (pjesa e sipërme) së automjetit tip “Benz Mercedez”, mjeku u shpreh skeptik duke theksuar: “Xhami pret lëkurën, por jo kockën e kafkës që është shumë e fortë, siç quhet në gjuhën mjekësore. E përsëris që kafka ishte e hapur nga maja e kokës deri në nivelin e syrit me hundën, si dhe kishte mungesë të masës trunore.” Si ka mundësi të ndodhë një gjë e tillë, kur në asnjë rast nuk mund të perceptohet nga mjekët ligjorë që nga një lartësi, pothuaj e vogël, duke u rrokullisur një herë makina e tipit të fundit dhe shumë e fortë, si dhe me aierbeg të gjithë të hapur, të shkaktojë një plagë të tillë kaq të madhe?!
Nëse i referohemi vendit të ngjarjes nga vendi ku ka rënë makina e deri tek rruga ku ka përfunduar, ndodhen një mori ferrash të mëdha, të cilat janë edhe një farë “pambuku amortizues” që zbut goditjen fatale. Mjekët ligjorë dhe prokuroria duhet t’i japë përgjigje, edhe publikut, pasi nuk është një rast kaq i thjeshtë që të kalojë, aq më tepër që po hidhen dyshime të mëdha se atë e kanë vrarë më parë e më pas është sajuar ky aksident. Edhe për t’i sqaruar, por edhe për të vendosur drejtësinë në vend, duhet që drejtësia të mos vonojë të flasë. Dyshimet e mjekut përforcohen nga mungesa e gjakut në brendësi të makinës ku nuk kishte asnjë shenjë, sipas fotografive dhe atyre që kanë qenë në vendngjarje. “Të gjitha airbegët e hapur, asnjë vegël e gjatë që mund të ketë shkaktuar plagën, kjo është pika dyshuese për mua”, - u shpreh njëri nga doktorët, duke shtuar se një përgjigje të qartë dhe të saktë do ta japë raporti i mjekësisë ligjore, i cili përmban edhe filmimet dhe fotot e këqyrjes së kufomës së të ndjerit.
Një argument tjetër që lë dyshime është fakti se raporti i mjekësisë ligjore nuk është bërë akoma publik. Ky raport duhej të ishte bërë publik të paktën brenda 24 orëve ose e shumta për tre ditë. Këto dyshime duhet të zbardhen sa më shpejt. Është e tmerrshme të mendosh që të kërkohet zhvarrosja e trupit dhe një riekspertim tjetër, por është më e tmerrshme që ky aksident të mbetet me pikëpyetje në opinion se mund ta kenë vrarë më parë ose edhe e kanë goditur nga pas makinën e tij dhe më pas e kanë vrarë, duke ikur në atë natë me shi, vetëtima e rrufe.
Gjithçka mund të dyshohet përderisa ende po mbahet sekret raporti i mjekësisë ligjore. Ka edhe një pyetje që nxjerr shumë pikëpyetje se përse nuk jepet raporti, ndërkohë që ka qenë thjesht aksident automobilistik? Memoria e publikut është akoma e freskët edhe për aksidentin e Kosta Trebickës në Korçë, ku u tha se ishte aksidentuar, por asnjë mendje e qetë nuk mund ta besojë diçka të tillë, pasi ai sapo kishte nxjerrë fakte drithëruese për afera të mëdha korruptive. Dhe më pas ndodhi aksidenti! Pra, pse duhet të bëhet publik raporti i ekspertëve autoteknik dhe të mbahet akoma “sekret” raporti i mjekësisë ligjore? Akoma nuk kemi asnjë të dhënë, nëse janë marrë gjurmët brenda makinës.
Pra, çdo prokuror apo oficer i policisë gjyqësore, fillimisht do të evidentonte gjurmët brenda makinës? A ka shenja të tjera brenda makinës, përveç atyre të deputetit Olldashi? Pse nuk bëhet i ditur ky fakt? Ende nuk ka një përgjigje, se çfarë regjistruan kamerat e sigurisë së tunelit Tiranë-Elbasan, ku pretendohet se kaloi makina ku udhëtonte ish-deputeti i PD-së, që do të tregonin, orën e kalimit, cilat makina kanë qenë para dhe pas makinë së z. Olldashi. Një pyetje tjetër që duhet kërkuar edhe tek prodhuesit e makinës të “Benz Mercedez” do të ishte se si ka mundësi që makina më e sigurt në botë nga cilësia dhe garancia teknike mund të shkaktojë një plagë të tillë të thellë dhe vdekjeprurëse? Si mundet që gjithë xhamat anësorë të dyerve të makinës kanë pësuar veçse thyerje sipërfaqësore, ndërsa xhami i baxhës së automjetit tip “Benz Mercedez”, të thyhet dhe të shkaktojë një çarje kaq të madhe gjer në palcën e trurit? Një fakt tjetër është se atë natë rreth orës 21:10 minuta të mbrëmjes, gjatë kthimit nga Elbasani, disa minuta para aksidentit z. Olldashi ka komunikuar me shoferin e tij, dhe, siç thotë shoferi, “Po flisnim në telefon, kur befas u dëgjua një zhurmë…”, pastaj shoferi dhe zoti Igli Care kanë vajtur menjëherë në vendngjarje. I vetmi person që mund t’i besohet se çfarë ka parë në momentet e para është deputeti Igli Cara, i cili ka qenë i pari, siç thuhet, që ka vajtur në vendngjarje dhe ka dhënë një intervistë për një të përditshme ku thekson: “Ne mbërritëm në vendngjarje rreth orës 21:20, nuk e kam fiksuar mirë, dhe pak minuta pas nesh erdhi policia.
Kur shkuam në vendngjarje, pamë makinën që ishte kthyer përmbys në një pozicion shumë ters. U afruam tek makina dhe filluam të kërkonim se ku ishte Sokoli dhe nuk e shikonim. Pamë tek pjesa e pasme e mjetit, por na doli nga mendja që të shikonim në pjesën para. Shoferi filloi të kontrollojë jashtë makinës, sepse kujtuam se kishte dalë. Por, ne harruam që makina ishte mbrapsht dhe duhej të shikonim në pjesën para të saj. Nuk e shikonim asgjëkund Sokolin; vetëm kur pamë këmbët e tij tentuam të hapnim derën, por ajo nuk hapej, sepse makina ishte përmbys dhe në vend të keq…”. Kjo intervistë e z. Cara, e cila duket e sinqertë, mban një pikëpyetje, si mund të shikosh tek pjesa e pasme e mjetit, dhe nuk shikohet tek pjesa e përparme ku dihej se ai ka qenë duke drejtuar makinën, sipas telefonatës që i ka bërë shoferit? Është i kuptueshëm emocioni dhe trishtimi kur të është aksidentuar një mik, dhe natyrisht mund të shikosh jashtë makine, por si është e mundur që gjurmët e gjakut gjenden jashtë makine dhe në një distancë larg makinës?
Kush e hapi makinën i pari për të nxjerr viktimën? Zoti Igli Cara dhe ekspertët e policisë gjyqësore pse nuk japin asnjë sqarim rreth momentit që kanë nxjerrë nga makina deputetin Olldashi, a ka pasur gjak në makinë dhe si ka mundësi të këtë gjithë ato njolla gjaku jashtë makinës? Ka edhe një pyetje për deputetin Cara; Si vajti ai më shpejt se policia në vendngjarje? A kanë konstatuar një goditje në pjesën e majtë të makinës, nga pas? Dhe nëse po, a është bërë ekspertiza e kësaj pjese të makinës?
Një pyetje tjetër që do të zbardhte shumë gjëra do të ishte edhe zbardhja e tabulatave telefonike të zotit Olldashi, çfarë ka thënë ai në momentet e fundit të jetës, me cilët ka folur ai, a ka pastur presione nga ndonjë në PD apo në Elbasan? Nëse gjurmët e gjakut ndodhen larg makinës, natyrshëm kjo lë shumë dyshime se ky nuk është thjesht një aksident! A po zbardh prokuroria sms dhe telefonatat e javës së fundit të Olldashit, pasi mundet të gjendet ndonjë fije e padukshme për të shkuar tek autori ose autorët e ngjarjes, nëse gjithnjë dalin dyshime të bazuara se e kanë vrarë? Gjithashtu, a po hetohet nga sektorët përkatës të specializuar nëse ka pasur ndonjë njeri apo grup personash me pozitë të lartë që kishin interes politik që ta eliminonin fizikisht, pasi në parlament e në publik, ai, pra Sokoli, ishte tribun i fjalës? Nëse po, atëherë të cilit krah politik ishin më të interesuar ta hiqnin qafe fizikisht, edhe si lider i një fryme të re?
Mafia politike është më e rrezikshme se mafia e parasë, pasi ajo përdor gjithçka. Edhe të vret, edhe të qan në varrim!