2014-01-09

SA SHPEJTË E HARRUAN SHOKËT SOKOL OLLDASHIN?!!!

Kush po gënjen? Kaosi informativ pas aksidenti tragjik të Olldashit
Vdekja e beftë e Sokol Olldashit, përveç tronditjes që krijoi në opinionin publik, u shoqërua dhe me një amulli dhe përplasje kontradiktore informacionesh në lidhje me rrethanat. Përpara se të kalohet në krahasimin e informacioneve që pasuan ngjarjen është e domosdoshme që të përcaktojmë qartë kufizimet tona të deritanishme, pasi jemi vetëm pak orë pas ngjarjes dhe procedurat hetueseverifikuese sigurisht kërkojnë kohën e tyre. Le të përmbledhim me radhë ato çka ende nuk dimë:
1. Mungon konkluzioni dhe procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes nga policia dhe prokuroria
2. Mungon konkluzioni i aktit të ekspertimit autoteknik të mjetit ku u gjend trupi i deputetit
3. Mungon konkluzioni i plotë i autopsisë së bërë në trupin e deputetit
4. Mungon konkluzioni dhe rindërtimi final i dinamikës së aksidentit
5. Mungojnë aktet e marrjes në pyetje të personave që njoftuan të parët policinë
6. Mungon ekspertimi i tabulateve telefonike të deputetit
7. Mungon konkluzioni dhe versioni zyrtar i ngjarjes që është rodukt i krahasimit të elementeve dhe konkluzioneve të mësipërme.
Sikundër shihet dhe nga renditja e kufizimeve, ato janë tepër të rëndësishme dhe të shumta, ndaj dhe nuk mund të gjykohet kurrsesi në rrafshin hetimor të ngjarjes deri në këto momente por vetëm në rrafshin e analizës së informacionit në orët e para pasi u mësua mbi ngjarjen. Deri kaq.
Si vdiq Sokol Olldashi?
Deri më tani të gjitha të dhënat paraprake sugjerojnë se automjeti i zotit Olldashi, në vendin e quajtur kthesa e “Lapidarit të Kërrabës” është batuar, makina është rrokullisur dhe gjatë kësaj rrokullisje deputeti, (dyshohet në mungesë vënies së rripit të sigurimit) ka goditur fort kokën. Ky version përforcohet edhe më tepër nëse marrim parasysh dhe tiparet e automjetit me të cilin ai udhëtonte. Ishte një automjet i shtrenjtë tip Benz 500 që ka pasur një tavan prej xhami panoramik mbi kokën e shoferit. Ekziston mundësia që pas thyerjes së xhamit të tavanit, në proces batimi dhe rrokullisje të makinës, si pasojë ndonjë gur apo material të ngurtë deputeti të ketë plagë fatale në kokë. Sigurisht që këto janë versione që marrin një përgjigje në finale të analizave shkencore dhe teknike që pritet të kryhen nga ekspertët në ditët në vijim. Një burim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i tha dje DITA –s se “plagët e konstatuara në kokën e deputetit ishin plagë tipike të një aksidenti”. Konkluzioni i raportit pritet të përfundojë brenda 10 ditësh, së bashku me analizat toksikologjike.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit për aksidentin
“Në datë 20.11.2013, në rrugën interurbane dytësore, Tiranë- Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol Olldashi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA003NH, i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi, ka qenë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan-Tiranë. Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme (e mërkurë). Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan-Tiranë, një mjet kishte dalë nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet Policisë Rrugore, që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij”.
Një pasagjer me Olldashin?
Natën e ngjarjes dhe gjatë gjithë ditës së djeshme ka qarkulluar si një enigmë, si një legjendë urbane, dyshimi se një “tjetër person ndodhej në shoqërinë e Olldashit”, por sipas këtij versioni, prezenca e këtij personi në aksident po i mbahet e fshehtë publikut. Nëse e marrim të mirëqenë këtë dyshim, dhe abstragojmë teorikisht atëherë ka 2 mundësi logjike:
1. Pasagjeri ka vdekur dhe është zhvendosur, por ku?
2. Pasagjeri ka dalë shëndoshë e mirë nga aksidenti dhe është dërguar diku. Nëse i qëndrojmë rastit të parë, pra që pasagjeri ka vdekur, fshehja e prezencës së pasagjerit do ishte shumë e vështirë. Sepse menjëherë për këtë person do hapej një kartelë vdekje, do varej njoftimi i vdekjes së tij në një shtyllë dhe më pas viktima do kishte dhe një qivur. Gjithnjë në rastin kur largimi i trupit të pasagjerit është kryer në dijeni dhe “mirëkuptim” të autoriteteve që mbërritën në vendngjarje. Pra, vdekja e një pasagjeri nuk mund të fshihet kaq lehtë.
Përjashtim bën vetëm rasti kur përpara autoriteteve, dikush tjetër ka mbërritur dhe ka bërë zhvendosjen e trupit. Edhe këtu ka shumë pikëpyetje. Nëse policisë i është dashur mbi 2 orë për të nxjerrë trupin e Olldashit sepse makina ishte bllokuar nga brenda dhe nuk hapej, si dhe kush ka mundur të nxjerrë trup të dytë në kohën e shkurtër para mbërritjes së policisë?!
Por ata që mbrojnë versionin e personit të dytë, thonë që nuk ka patur asnjë vështirësi për nxjerrjen e trupit dhe qëndrimi i gjatë te makina ka të bëjë me pritjen e konfirmimit për fatin e pasagjerit enigmatik që ndërkohë ishte dërguar në spital, sipas tyre.
Po ku mori baza ky dyshim, si u krijua? Rezulton në fakt se janë dy elementet ende të pasqaruar që i dhanë shkas këtij dyshimi:
1. Raportimet e gazetarëve në terren dhe gazetarëve që kanë kontaktuar autoritetet policore mbrëmjen e së mërkurës
2. Dëshmia e personit që njoftoi i pari policinë, deputetit demokrat Igli Cara.
Mbi komunikimin gazetarë-polici.
Rezulton se fillimisht gazetarët kanë marrë njoftim nga policia rreth orës 21:55 mbi një aksident me 2 të plagosur në vendin e quajtur “Lapidari i Kërrabës”. Policia ka thënë se drejt vendit të ngjarjes janë nisur 2 ambulanca dhe disa automjete policie, plus zjarrfikëse. Rreth gjysmë ore më vonë, rreth orës 22:30 u konfirmua se njëri prej të plagosurve ishte deputeti Sokol Olldashi dhe se gjendja e tij ishte e rëndë dhe kritike.
Pas një ore, rreth orës 23:30, policia në kontaktet telefonike me gazetarët konfirmon se deputeti ishte gjetur i vdekur ndërsa personi tjetër që ndodhej në makinë ishte nisur drejt spitalit për ndihmë. Më pas rreth mesnatës policia konfirmon se trupi i Olldashit ende nuk ishte nxjerrë dhe se ende nuk kishin konfirmuar identitetin e personit të dërguar për kurim në spital.
Rreth orës 1 të mëngjesit policia, nëpërmjet një komunikimi për të gjitha mediet papritur sqaron se : Nuk kishte një person të dytë në makinë. Por edhe gazetarë që kanë shkuar në terren, në vendin e ngjarjes, kur kanë pyetur zyrtarë apo policë që ishin në gardhin rrethues të vendit të ngjarjes, herë merrnin prej tyre dëshmi se “ishin dy të aksidentuar” dhe se “një ambulancë ishte nisur për në spitalin ushtarak” por më pas po nga policët që ndodheshin në vendngjarje merrnin versionin se nuk kishte një pasagjer të dytë. Ky version tërësisht i kundërt i policisë erdhi në orën 01:00 të mëngjesit të së hënës. Ky është momenti kur versioni ndryshoi.
Pra konfuzioni ka ardhur pikërisht nga burimet policore, ndaj bëhet e dyshimtë e gjitha kjo.
Së dyti, janë deklarimet e deputetit Igli Cara. Zoti Cara është cituar natën e ngjarjes nga agjencia e lajmeve “Balkanueb” në orën 23:22 të mbrëmjes së të mërkurës duke u shprehur se
“Po bëhet nxjerrja e trupave. Ka dalë trupi i parë, po nxirret trupi i Olldashit”. Zoti Cara rezulton edhe si personi që ka njoftuar i pari policinë për aksidentin. Më pas zoti Cara në një intervistë për të njëjtën media ka mohuar kategorikisht prezencën e një tjetër pasagjeri. Në një intervistë të dhënë pas orës 2 të mëngjesit të së enjtes ai ka thënë se: “”Isha në një lokal me shoferin e Olldashit. Isha në lokal dhe me një person të tretë mik i të dyve . Olldashi na tha se po kthehej nga Elbasani. Pas 5 minutash na thotë shoferi që shefi, Olldashi është aksidentuar. Hipëm në makinë dhe u nisëm, si dhe lajmëruam policinë me telefon. Mbërritëm 30 sekonda para policisë. Dyert ishin të kyçura, nuk hapeshin. Ishte e pamundur që ti jepnim ndihmë. Nuk kishte njeri tjetër në makinë, ishte vetëm. Nuk mund të aludohet ndryshe”, tha Cara rreth orës 2 të mëngjesit.
Genjen ose agjensia Balkanweb, ose Cara
Nëse agjencia në fjalë e ka cituar korrekt zotin Cara në të dyja kontaktet telefonike që ka pasur me të, atëherë zoti Cara është treguar kontradiktor me të dhënat e ofruara në kohë të ndryshme. Deklarimin e dytë zoti Cara e ka dhënë rreth një orë pasi policia nga ana e saj, ndërroi versionin e një “pasagjeri te plagosur” dhe tha se nuk kishte fare pasagjer.
Në të dyja rastet si policia dhe zoti Cara, flisnin me tagrin e personit që ishte ndodhur pranë vendit të aksidentit dhe po i ndiqte nga afër zhvillimet. Pra si zoti Cara si policia para orës 01:00 e mëngjesit dëshmonin prezencën e një pasagjeri, pas kësaj ore ndryshuan dëshmi. Është pikërisht ky kontradiksion i dyanshëm që ka shtuar dyshimet.
Të gjithë këtyre dyshimeve u shtohet momenti i telefonatës: Kush e mori në telefon shoferin që qëndronte me zotin Cara për ti dhënë njoftimin nga brenda makinës së aksidentuar? Një person i tretë që gjendej në lokal me Igli Carën dhe shoferin e Olldashit është ish drejtori i Portit të Durrësit Eduart Ndreu.
Ai ka deklaruar në orën 03:15 të mëngjesit të së enjtes për televizionin “News 24” tekstualisht: “Pas aksidentit, Olldashi ka qenë i vetëdijshëm dhe ka telefonuar menjëherë shoferin e tij. Olldashi kërkoi ndihmë”. Dëshmitari shprehet se Olldashi ka telefonuar “pas aksidentimit”? Kjo ishte një tjetër pikë që ngjalli shumë dyshime, pasi të dhënat flasin për plagë të rënda të marrë në kokë nga Olldashi duke hedhur hije dyshimi mbi aftësinë e tij për të bërë dhe një telefonatë pas aksidentit dhe shembjes. Vetëm nëse ai ka qenë duke folur në sekondat para dhe gjatë aksidentit dhe jo pas tij. Por Ndreu ka përdorur fjalët “pas aksidentit”. Kjo përplasje të dhënash ka shtuar dyshimet.
Prezenca e një personi të dytë në makinën e të ndjerit Olldashi mund të jetë spekullim, ose falsifikim faktesh me qëllime politike, mund të jetë e vërtetë, kjo është ende e pamundur të sqarohet plotësisht.
Reagimi në familje
Olldashi ka dy djem, Glaukun dhe Kleitin, gruan Enkelejdën dhe nënën e tij Kozeta. Babai jeton në Durrës pas një martese të dytë. E para për humbjen e jetës u njoftua nëna. Monika Kryemadhi shkoi në shtëpinë e saj, largoi fëmijët dhe i komunikuan lajmin. Më pas mbërriti e shoqja, Kela, e cila ishte në vendngjarje, por nuk arriti të mësojë nëse Sokoli jetonte ende apo kishte ndërruar jetë. Dhe ajo e mësoi lajmin tek dera e shtëpisë. Më pas erdhi daja i tij dhe të afërmit e tjerë. Berisha dhe Basha mbërritën në mesnatë në shtëpi së bashku me drejtues kryesorë të PD-së, ku vendosën dhe për ceremoninë e nesërme. Për të mbajtur fjalën kryesore u ngarkua Astrit Patozi, një nga njerëzit më të afërt të tij në PD, pas disa debateve nëse duhet të fliste apo jo Lulzim Basha.
Olldashi në Opinion
Qindra njerëz e gdhinë para banesës së tij në Tiranë, ndërsa në homazhe mijëra njerëz nuk arritën të afroheshin tek arkivoli. Olldashi pritej të shfaqej të hënën që shkoi në emisionin Opinion, për të dhënë një intervistë rreth pikëpamjeve të tij për humbjen e PD-së, raportet me Berishën dhe Bashën dhe vizionin e tij të ardhshëm për PD-në, por debati mbi lëndët kimike e detyroi ta shtynte për të hënën që vjen. Siç shihet, nuk arritëm të gjithë ta dëgjonin ndoshta intervistën më të sinqertë të jetës së tij. Vdekja e pengoi të rikthehej i vërtetë para njerëzve të tij.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...