2014-01-06

Klasikët e Lindjes në gjuhën shqipe


Shqiptarët kanë pasur historikisht gjithnjë lidhje me Lindjen. Me përqafimin e Islamit këto lidhje janë bërë më të drejtpërdrejta, sidomos nga ana kulturore. Hapja dhe funksionimi I shkollave “medrese” në trevat shqiptare përgatiti kontingjente intelektualësh si juristë, teologë, punonjës të administratës etj. që zotëronin gjuhët klasikë të lindjes si arabishten, persishten dhe osmanishten.

Kështu, krijimi i këtyre mjediseve nxiti interesin për njohjen e veprave të filozofëve , të shkrimtarëve, të historianëve, të shkencëtarëve, të atyre vendeve, gjuhët e të cilave zotëronin. Si rezultat për një kohë të gjatë në trevat tona u bënë të njohura veprat e filozofëve islamë: El Kindi, El Farabi, Ibn Sina dhe El Gazali. Ky i fundit njihej në rrethet intelektuale shqiptare sidomos përmes veprave “Qëllimet e filozofëve” dhe “Vetëshkatërrimi I filozofëve”, ndërsa Ibn Sina ose Avicena siç e quanin në perëndim, njihesh sidomos përmes librit “Esh Shifa”, ku ai bën klasifikimin e shkencave në tri grupe

-Dituritë e larta që nuk kanë lidhje me materien, pra lëndët humanitare si filozofia, metafizika, etj.

-Dituritë e ulëta që kanë të bëjnë me materien, siç janë p.sh. dituri natyre etj. Dhe

-Dituritë e ndërmjetme.

Po një nga filozofët më të dashur për shqiptarët ka qenë edhe El Farabiu. Ai qe filozof, sociolog, politikan, linguist (zotëronte 10 gjuhë). Ai ka shkruar 102 vepra.

Ata që i tërhoqën më shumë shqiptarët qenë poetët. Poezi qe një gjini e dashur për shqiptarët dhe nëpërmjet persishtes ata u njohën me autorë të mëdhenj, poetë të dimensioneve botërore, siç qenë Attari, Rudaki, Xheladin Rumiu, Hafiz Shiraziu, Firdusiu, Omar Khajami, Saadiu, etj. Ndikimi i këtyre poetëve qe shumë I madh në masat e intelektuale myslimane shqiptare, u vunë re dhe përpjekje për të hartuar vetë ata poezi në gjuhën perse, që ishte siç ishte latinishtja për perëndimorët. Siç dihet mirëfilli, poeti ynë i madh Naim Frashëri, 110 vjet më parë botoi në gjuhën perse përmbledhjen e poezive me titullin “Tehajylat”, që më vonë u përkthyen në shqip nga njohësi i mirë i kësaj gjuhe, Prof. Vexhi Buharaja. Interesa të kësaj natyre ka pasur edhe mendimtari ynë i shquar Sami Frashëri.

Që në shekullin e kaluar, bota shqiptare filloi të njihet me kryeveprat botërore të klasikëve, të cilat bota perëndimore i kishte futur në fondin e artë të kulturës së vet. Volfang Goëthe bëri një përmbledhje me poezi nën titullin “Divan..” ku imiton kolosët e literaturës persiane.

Meqë në vilajetet shqiptare nuk kishte shtypshkronja, kryevepra e poetëve lindorë si “Shah nameja”, “Bostani e Gjylistani” e tjerë u kopjuan me dorë nga “qatipë” bukurshkrues dhe kaluar dorë me dorë nga njëri intelektual shqiptar tek tjetri. Edhe sot e kësaj dite ruhen kopje të këtyre veprave në biblioteka. Në ekspozitat e librit të Bibliotekës Kombëtare, kemi vënë re se me sa kujdes janë shkruar dhe janë lidhur, se me sa art janë zbukuruar me arabeska, se ma sa xhelozi kanë vënë “myhyrët” (firmat) e veta pashallarët shqiptarë në to.

Që në vitin 1917, Hafiz Ali Korça, njëri nga intelektualët më të shquar të kohës, njëri nga aktivistët më të gjallë të arsimit shqiptar kombëtar, pasi kishte punuar gjatë në fushën e gjuhës e të letërsisë klasike të lindjes, botoi Saadiun, njërin nga poetët më të mëdhenj të botës persiane. Me këtë autor të madh do të merrej më vonë edhe Vexhi Buharaja, i cili për të dytën herë na dha të plotë përkthimin nga origjinali të “Gjylistani dhe Bostani”, shoqëruar me një parathënie të gjatë 23 faqesh, që në vetvete paraqet një studim më vete. V. Buharaja nënvizon se Rudaki është gjeniu i parë klasik i poezisë persiane se Firdusiu, i cili përsosi veprën e Dakikit, arrin majat më të larta, duke na dhënë “Shahnamenë” e tij të pavdekshme, e cila pati si burim kryesor folklorin. Burahaja vë në dukje gjithashtu se përfaqësuesit më të shquar të letërsisë persiane janë: Saadiu dhe liriku i madh Hafiz Shiraziu. Saaidiu mbeti i madh pse “vuri artin në shërbim të idesë së lartë të ngritjes së ndërgjegjes morale të shoqërisë. Më 1926 u botuan në Vjenë “Rubairat” e Omar Khajamit nga Rushit Bilbil Gramshi (Fan Noli). Noli i përktheu duke patur si bazë variantin e përkthimit anglisht të Fitzegeraldit. Më 1930 Rubairat e Khajamit u përkthyen në shqip nga origjinali nga orientalisti H. Ali Korça. Ky botim lëshoi pikëpyetje mbi autenticitetin e autorësisë së rubaijjatit, duke krijuar kështu dy palë qëndrime edhe vepra e Firdusiut, Shahnameja u përkthye në gjuhën shqipe. Njëri prej këtyre është Sheh Mitrovica, i cili ka bërë edhe paraqitjet e vlerave artistike, morale, filozofike të kësaj vepre, duhet përmendur se kemi të dhëna të sigurta se vepra e plotë e Firdusiut “Shahnameja” është përkthyer nga Vexhi Buharaja.

Klasikët e lindjes, duke përfshirë brenda dhe Kalidsin dhe Tagoren, kanë pasur një ndikim pozitiv në mjediset intelektuale shqiptare, në edukimin e tyre me artin poetik.

Otman Poe

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...