Nga
Fritz RADOVANI:
Në
70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...
535 vjet
ma perpara kjo Kështjellë Heroike e quejtun “Rozafat” filloi me u rrenue!
Muret
rrethuese u gjuejten me gjyle topi dhe kalldramet u lane me gjak!
Po,
Shkodranët, çka u bane? A mbeti kush gjallë me diftue per tá?...
Sikur të
kishin shtetet tjera ballkanike historian si Don Marin Barleti, as nuk do të
guxonte kush me hapë diskutime per Identitetin e tyne. Né e kemi dhe mundohemi
me i nxjerrë bishta per me e errsue figuren e Tij, vetem, pse ishte Prift
Katolik Shqiptar!
Në
librin e Tij “Rrethimi i Shkodres”, fq. 87 shkruen: “...Të gjitha lagjet e
qytetit, rrugë e rrugica ishin lye e zhye me gjakun e të krishtenëve. Shtëpitë
shembeshin; kishët rrafshoheshin perdhé.” Dhe, ma poshtë Don Marini vazhdon: “A
do të na bajë zemra t’i shikojmë barbarët tue hy në qytetin tonë midis
brohoritjeve?”...
Me daten
26 Janar 1479 turqit hyne në Kështjellen “Rozafat”, të Shkodres...
Porsa
hyne në Kështjellë vendosën gjithkah flamujt e tyne të robnisë!
***
Me daten 29 nandor 1944,
partizanët “çlirimtarë” hyne edhe këta në Shkoder...
Rreth
orëve të para të atij mengjesi të zi, hyne me forcë në Kuvendin e Fretenëve të
Gjuhadolit, dhe në kompanjelin e Kishës Françeskane, pikrisht, aty ku At
Fishta, me 13 Qershor 1913 pat vendosë Flamurin e Gjergj Kastriotit, aty
partizanët e Enverit, vune “flamurin me yllin e kuq” të vetin, me të cilin
“festonin çlirimin” e Shkodres, nga një tjeter pushtues, nga sllavo komunistët
jugosllav që kishin vite që punonin per ketë ditë.
70 vjet
perpara, në vitin 1944 persëritet edhe njëherë pushtimi i vitit 1479...
Po, këte herë asht mendue
nga Aleatët, që Shqipnia Europjane të kontrollohej nga një ma besnikët
sllavokomunist të Londres dhe të Moskës bolshevike, nga “shoku” Tito. Armët e
veglave tyne besnike u ndigjuen shpejtë në Shkodren Heroike!...
Shkodra, “syni i
pricipatës” duhej shue!
Besoj në
kujtimet e partizanëve të shkrueme mbasi mësuene nder kurset e analfabetizmit,
mbas hymjes në Shkoder të Qamil Gavoçit, Arif Gjylit, Asllan Licit etj., u
kujtohen shkrepjet e revolverit të Qamilit, kur po fliste tek Bashkia “shoku”
Arif Gjyli, apo vrasjet mbas shpine të Asllan Licit me vagabondët “çlirimtarë”
në Zallin e Kirit...
Kur këta tradhëtarë “çlirimtarë”
u ndodhën përballë nacionalistëve Abaz Ermeni e Jup Kazazi në rrethina të
Shkodres, në Berdicë dhe në Anë të Malit, forcat komuniste kush i mbështeti,
Populli i atyne krahinave apo forcat ushtarake jugosllave të rreshtueme mbas
malit të Taraboshit? Ndërsa, në luftën e shpallun kundër Malësorve të Veriut në
fillimin e Janarit 1945, me betejën kundër Popullit të Kelmendit, ku ndodhej
Prekë Cali dhe pranë Tyne, krenët e “Beslidhjes së Veriut” që kerkonin lirinë e
Trojeve Shqiptare nga sllavët, të gjithë u shpallën “tradhëtarë” dhe, si
pasojë, krimineli Mehmet Shehu, me urdhën të komandantit të përgjithshëm
gjeneral kolonel Enver Hoxhës, jo vetëm që theri dhe vrau 118 Burra të Maleve, të cilët, i
hodhi në proskë, por iu dogj edhe kullat, shfarosi dhe u plaçkiti gjanë e
gjallë, vetëm me dhanë proven e “besnikërisë” komuniste ndaj armikut shekullor
të Atyne Maleve! E bashkë me partizanët ishin në këte betejë edhe forcat
ushtarake jugosllave, të cilat, bashkë me disa tradhëtarë shqiptarë të shitun
tek sllavët e malazezët dhe të mobilizuem me brigadat partizane, nën drejtimin
e Mehmet Shehut dhe Koçi Xoxes, u ranë mbas shpine Malësorve tanë. Të gjithë
tue këndue kangë për “druzhe” Titon dhe kundër Veriut, u versulën menjëherë
edhe kundër Klerit Katolik Shqiptar, që ishte frymzuesi shpirtnor i
Atdhetarizmit në ata Male...
Kështu, Tokat Shqiptare
deri maje Vermoshit, u okupuen nga ushtria shoveniste jugosllave “me yllin e
kuq komunist” në ballë në “maskën” e tyne, e kjo maskë ishte partia komuniste shqiptare,
e drejtueme nga tradhëtari Enver Hoxha.
Burimi i të gjitha
fitoreve ishte “shoku” Tito dhe Stalini i “math”, prej nga buronte “drita e
kuqe” bolshevike…që, u shpërndante anë e kand vendit tonë deri në skutat ma
t’errta të birucave të sigurimit në Trojet Shqiptare…
Kush
ishte ky drejtues i partisë komuniste në Shqipni, në vitin 1941? Per té do ti
referohëm një Shqiptarit të njohun, që përcakton saktësisht “udhëheqësin” dhe
qellimin e asaj parti që ai po e drejtonte: Ishte i ndjeri Muntaz
Kokalari, qytetar i Nderuem nga Gjinokastra që shkruen më 9 Nandor 1944:
“...Fatkëqësia e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë është se ka rënë në dorë
të një njeriu përbindsh, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist,
që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar e kur qe jashtë për studime nuk
dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove, etj. Fëlliqi botën me borxhe. Né
intelektualët e Gjinokastrës ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj, kërkon
të na asgjësojë. Po, kam besim se këtij batakçiu bashkë me djajtë e kuq, shpejt
ka për t’i dalë boja.” (Gazeta RD, 29 Prill 1995, Tiranë).
Ndersa
“komandantët” partizanë shqiptarë që janë kenë
në Kosovë, apo që kanë kalue në Veri nga Hoti në drejtim të Podgoricës dhe
Tivarit, me brigadën e formueme në Shkodër me datën 29 nandor
1944, me qellim me çlirue Tokat Shqiptare kur po u largonin prej aty forcat
gjermane e, që në të gjithë tekstet e “historisë” sot shkruhet: “Kalimi i
divizioneve tona në Veri për çlirimin e ‘tokave’ të Jugosllavisë”, tregon kjartë
marëveshjen e fshehtë të asaj kohë mes Titos
dhe Enver Hoxhës, që Tokat Shqiptare për të cilat bahet fjalë ndër tekste,
ishin cilësue “toka të Jugosllavisë” pa u “çlirue” ende, kur të gjitha ata ishin
Toka Shqiptare dhe të banueme edhe sot nga Shqiptarët... edhe pse intelektualët
e tyne mundohen me folë “gjuhen e njësuar”.
Duhet rikujtue edhe veprimtaria
tradhëtare të Ramiz Alisë, Haxhi Lleshit, Fadil
Hoxhës, Shefqet Peçit, Rahman Perllakut etj. me forcat çlirimtare të Kosovës,
tue i lanë prè në pabesi të forcave jugosllave, tashma njihen nga të gjithë,
edhe pse në Kosovë endè kjo tradhëti që u asht ba kosovarëve,
nuk kërkohet me u shpallë botnisht, kur dihet se mija
e mija prej djemëve të tyne u morën në Kukës dhe nuk mërrijti as
gjysa e tyne në Tivar, ku edhe ajo pjesë e vogël kosovarësh që pat teprue
rrugës, iu dorzuen “druzhe” Titos me u masakrue dhe me ushqye peshqit e
Adriatikut në brigje të Tivarit.
Të gjitha këto ngjarje janë vetem
një hapje e “syparit” atëherë kur, në Cirkusin Shqiptar, do të fillonte me u
luejtë Tragjedia komuniste e permbytjes gjysëshekullore me Popullin Shqiptar!
Melbourne, 24 Janar 2014.