Vizatimi i energjisë
Mbaj mend
se dikur ,
para se të vija këtu ku jam tani
vizatova rrugën ku do të ecja,
monopatet nga do kaloja mes pyllit para se të hyja në qytetin tim
dhe diku afër aty për të mos humbur rrugën
vura një busull që tik -tak bënte papushim
rreth e rreth me gurza diamanti.
Diku atje mes pemëve të drejta ,
pranë liqenit që priste mjelmat dhe fëmijët me thërime buke të vijnë,
para shtëpisë me tjegulla nga oxhaku i së cilës
dilte një fjongo tymi në çdo stinë
me dorën time vizatova një njeri
jo rastësisht,
me krahët e hapura,
këmbëzbathur ,
lakuriq,
me një vijëlakuar të kuqe në fytyrë
që doja të kishin rrobtë e dheut
për ti kujtuar njeri - tjetrin në ditën e vështirë,
me një shtëngim dore,
një buzëqeshje a një përqafim:
"Eja,
kemi akoma rrugë për të bërë të dy".
Akoma vizatoj si dikur
dhe shtohen në atë vizatim pa mbarim
maja malesh që shohin si në pëllëmbë të dorës gjithshka :
diellin që shkëlqen
edhe kur është gati për kafshim
hënën të plotë e herë të përgjysmuar
retë herë të bardha e herë gri
aty fishkëllejnë dhe plumba në gjoks
medalionë si shpërblim
dhe thikat prej nga pikon gjaku pikë pikë.
Aty janë dhe fëmijët që nuk luajnë më rrugëve ,
trotuareve të ulur ose shtrirë,
lypin thërime buke
për mjelmat e liqenit që do të vinë .
Nuk mungojnë dhe femrat e qytetit tim
pa atë vijëlakimin e kuq në fytyrë (buzëqeshjen )
të dhunuara,
me flokë të prera si çnderim
të vrara në emër të dashurisë
pa gojë,
pa sy ,
me atë busullën tik-tak,, të larë në flori copë e çikë.
Dhe akoma vizatoj ,
vizatoj , vizatoj jo me fantazinë e një fëmije si dikur
por imazhe,
që thyhen në dritë -hije në fasadën e shtëpive
dhe unë mundohem të shquaj e të vizatoj atë dritëtim
në trajtë miliona grimcash rrezatimi
që çan errësirën e xhamave të veshur të qytetit tim.
Armëpushimi
Dhe tani armëpushim. Më duhet të bëj bilancin e municionit në dhomat e zemrës,
në sirtaret e mendjes dhe në depot e fshehta të shpirtit ,
Pastaj të numëroj plagët e hapura
dhe ato që mezi mu mbyllën eshtrave të trupit ,
gërvishtjet mbi lëkurë me penë të mijat
dhe tatuazhet që më lanë kujtim të tjerët
Më pas të mbledh në tufa pikat e gjakut dhe të lotëve në fashot e muajve, ditëve ,orëve.
Më duhet të shkoj deri në fund prej nga erdha
atje tek ngushtica e udhës ku viti mori kthesën
me dashurinë vetëm për vetëm, të bëj raportimin e hyrjeve dhe daljeve të ndjenjave në vetevete
dhe pastaj të marr rrugëtimin
drejt stinës së radhës të jetës