A e dini se një nga kryeveprat e arkitekturës islame të të gjithë kohërave ndodhet në Granada të Spanjës?
Granada ndodhet në krahinën jugore të Spanjës, të njohur me emrin Andaluzi, më pak se 80 km nga brigjet e Mesdheut, rreth 443 km nga Madridi dhe 121 km nga Malaga, që të dy qytete me aeroporte.
“Alhambra” (që mbizotëron në anën lindore të Granadës) do të thotë “e kuqja”, nga ngjyra e mureve, një kështjellë mbrojtëse me 23 kulla, e ndërtuar në një periudhë ku pushteti islam në Spanjë kërcënohej prej të krishterëve. Përbrenda Alhambra përfaqëson një përpjekje për të krijuar parajsën.
Alhambra i shërbente dinastisë së Nasridëve të Granadës si shtab i përgjithshëm ushtarak, qendër administrative dhe pallat mbretëror. Ndërtimi i saj filloi me themelimin e dinastisë Muhamed ibn Naser, në gjysmën e shekullit XIII, por apartamentet mbretërore i përksasin mbretërive të Jusufit I dhe Muhamedit V, në gjysmën e dytë të shekullit XIV, kopshtet, korridori dhe ujësjellësi, krijojnë një seri të gjatë kalimesh panoramike, zbukurimet me salltanetet janë të pranishme kudo, nën formën e mozaikëve prej majolie, gurit të gdhendur, gdhendje me motive floreale dhe mbishkrime të stërholluara në mënyrë të jashtëzakonshme.
Disa studiues i shohin të gjitha këto si rezultatin më të lartë të artit dekorativ islam në Perëndim, delegat, elegant dhe teknikisht të nivelit të lartë. Të tjerë janë të mendimi se nga të gjitha këto nuhatet një kulturë në prag të rënies.
Ka, sigurisht, diçka në mënyrë të çuditshme jo lëndore (shpirtërore) dhe jashtëtokësore në strukturat e ndryshme të ndërtimit. Disa mbishkrime në vargje flasin për yje dhe qiej, një rrjedhë me kanale, për të simbolizuar lumenjtë e parajsës islamike dhe, si ujët ashtu dhe drita edhe janë përdorur nga arkitektë si elemente përbërëse thelbësore të strukturës.
Në tërësi “Alhambra” përfshin edhe kopshte, oborre, zakonisht me hyrje që hapen në secilën nga të katër anët. Vetë emrat të ringjallin kujtime, p.sh. : “Oborri i luleve” (të mbjella në tufa përreth një pishine); “salla e dy motrave” (në të vërtetë dy pllaka mermeri të baradha të futura në dysheme) dhe “Oborri i luanëve” (i quajtur kështu nga shatërvani antik në qendër të oborrit, i mbajtur nga dymbëdhjetë luanë prej guri, një shembulli i rrallë ky i skultpturës islamike, në formë të rrumbullaktë); “Salloni i ambasadorëve”, i përshtatur për punët zyrtare – pritjet mbretërore dhe ceremonitë e oborrit, të jep gjithashtu përfytyrimin e parajsës. Salla ka një tavan prej druri, të lartë 18,3 m dhe thuhet se gdhendjet janë bërë me synimin që të riprodhohet qielli.
Në gjyshëm e shekullit XIII Granada ishte mbretëria e fundit e madhe në Spanjë. Dinastia e Nasridëve e qeverisi prej 200 vjetësh, 25 sovranë sunduan në mënyrë të pandërprerë njëri pas tjetrit. Ishin mercenarë (përkrahës) të mëdhenj të arteve dhe të shkencës dhe tërhoqën në oborrin e tyre shumë të qytetëruar, historianin e shquar mysliman, Ibn Haldunin.
Nasridët e lëshuan Granadën më 1492. Perandori Karli V ndërtoi pallatin e vet brenda mureve të Alhambras, në shekullin XVI. Por më vonë godina u braktis dhe një pjesë e fortesës së Nasidit u shkatërrua nga ushtritë e Napoleonit. Gjatë shekullit XIX fryma romantike e këtij vendi nxiti imagjinatën e vizitorëve të famshëm si Viktor Hygoi, Theofil Gauter dhe Washington Irving. Ky i fundit është autor i veprës “Tregime të Alhambrës”, që u botua më 1829. Pjesërisht edhe përshkrimet e këtyre autorëve ndikuan në marrjen e masave për të ndaluar rënien dhe për të ruajtur kompleksin monumental me vlera të mëdha.