2015-09-04

HAKI TAHA - MËSUES PATRIOT, MARTIR E DËSHMOR


(Marrë nga libri i Tahir Z. Berishës:

"Emra që nuk harrohen - Arsimtarët veteranë (1941-1951)", vëllimi I, Prishtinë 1994, fq.153)

HAKI TAHA - MËSUES PATRIOT, MARTIR E DËSHMOR


Për emrin e Haki Tahës mësova për herë të parë në vitin 1943, kur e lexova vjershën e tij "Kosovë, o shpirti i jonë", të botuar, me sa më kujtohet, në "Kalendarin kombëtar", më vonë edhe në gazetën "Lidhja e Prizrenit", që e botonte Kryesia e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, me seli në Prizren, diku nga fundi i vitit 1943 ose fillimi i vitit 1944. Që atëherë, e sidomos pas vrasjes së Miladin Popoviqit, më 13 mars 1945 në Prishtinë, atëherë sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit dhe njeriu numër një i pushtetit politik në Kosovë, dhe vrasjes apo vetëvrasjes së vetë Haki Tahës dy-tri ditë më vonë, gjithashtu në Prishtinë, dhe shpalljes së këtij mësuesi patriot shqiptar vrasës të Miladinit - jam përpjekur të di e të mësoj diç më tepër për këtë figurë kombëtare dhe pishtar të dalluar të arsimit shqiptar.

Por, mjerisht, deri vonë emri i tij ka qenë i anatemuar e bisedat rreth tij të ndaluara e të padëshiruara - përpos me konotacion negativ. Nuk u befasova pak as tash, kur, këto ditë, në listën e arsimtarëve të dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr.Sali Berisha, krahas Zekeria Rexhës, Xheladin Hanës e shumë të tjerëve, nuk e gjeta edhe emrin e Haki Tahës! A është e mundur që edhe atje, përtej kufirit që e ndan popullin tonë, të mos dihet se kush ka qenë Haki Taha dhe roli i tij revolucionar e kontributi i tij për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, së paku këtu, në Kosovë?!

Por, jeta dhe veprimtaria e patriotit dhe veteranit të arsimit, Haki Tahës, vërtet ende ka mbetur e pandriçuar sa duhet, e sidomos ajo pjesë e lidhur me vrasjen e Miladin Popoviqit dhe vrasjes apo vetëvrasjes së vetë Haki Tahës. Për këtë ngjarje, me sa di, ekzistojnë tri versione: ai të cilin e lansoi pushteti sllavo-komunist dhe organet e sigurimit shtetëror jugosllav se Haki Taha është "vrasës i paskrupull" i Miladin Popoviqit; ai të cilin e përkrahën edhe disa historianë shqiptarë se Haki Taha është vetëm viktimë e lojës së ndytë të organeve të OZN-ës jugosllave për t'i fshehur vrasësit e vërtetë të Miladinit; dhe versioni i tretë që qarkullon edhe në opinionin e gjerë dhe ndër njohësit dhe të afërmit e Haki Tahës se këtë atentat vërtet e beri Haki Taha, por me vetëdije të plotë dhe me paramendim si vepër patriotike e gjest heroik, i cili mund të krahasohet me atë të atdhetarit Avni Rrustemi kur e vrau në Paris tradhtarin më të madh shqiptar të të gjitha kohëve - Esad Pashë Toptanin.

Unë mendoj se prej tri versioneve, i treti është ai i vërteti. Patriot dhe atdhetar i flaktë, me shëndet të shkatërruar dhe i zhgënjyer me gjendjen dhe situatën e krijuar pas përfundimit të luftës, kur u mor vesh mashtrimi dhe shkelja e premtimeve të dhëna gjatë luftës dhe në Konferencën e Bunjajt, e duke e konsideruar Miladin Popoviqin kreun dhe ideologun e sllavokomunistëve në Kosovë dhe fajtorin kryesor për prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe për të gjitha ato që po ndodhnin në atë kohë në Kosovë, Haki Taha merr vendim ta bëjë gjestin e tij të fundit. Sepse - gjatë kohës sa ishte Miladin Popoviqi në pozitën më të lartë politike në Kosovë ndodhën të gjitha ato që ndodhën: masakrat pothuaj në të gjitha qendrat e Kosovës, luftërat dhe masakrat në Ferizaj, Gjilan e Drenicë, largimi i brigadave shqiptare të Kosovës dhe i brigadave të Shqipërisë nga Kosova për të ardhur në vend të tyre brigadat serbomalazeze dhe famëkeqja brigadë kriminale e Bokës që bëri kërdinë nëpër Rrafshin e Dukagjinit, ploja e të rinjve të mobilizuar shqiptarë dhe masakrimi i tyre në rrugë për në Shkodër, Tivar, Dubrovnik e Trogir, vendosja e pushtetit ushtarak në Kosovë etj. E politikisht, Kosova që atëherë ishte tradhtuar dhe e mbetur definitivisht në kuadër të Serbisë. Haki Taha me këtë nuk mund të pajtohej kurrsesi. Prandaj nuk i mbeti tjetër përveç të bënte një gjest heroik, qoftë edhe duke e sakrifikuar me vetëdije të plotë jetën e vet dhe të tregonte me vepër atë që thoshte me gojë dhe e shkruante me penë. Me atentatin e tij heroik e flijoi veten për Kosovën martire, të cilës i këndoi me aq afsh e përkushtim kur tha: "Na ke bij e të kemi nënë/ Kosovë, shpirt i Shqipnisë / Pa ty, vdekë ma mirë të tanë!"

Për këtë jam bindur edhe në bazë të ca deklaratave që kam dëgjuar ose lexuar në raste të veçanta. E para është ajo e Fadil Hoxhës, ish-shok shkolle i Haki Tahës, që e dëgjova në prani të shefit të kabinetit të tij (Masar Murtezait), si përgjigje në pyetjen time: Si është e mundur që Vladimir Dedier, i cili, për çdo gjë që ka shkruar, është mbështetur në dokumente konkrete, për këtë atentat ka thënë: "Dosjen për vrasjen e Miladin Popoviqit nuk e kam parë kurrë, por, siç më kanë thënë, këtë e ka vrarë Haki Taha…"? Fadil Hoxha, me atë rast, pasi u mendua pak, tha: "Unë mendoj, po ashtu, se Hakiu e ka vrarë Miladinin. Ai ka qenë nacionalist i madh dhe me këtë ka dashur që të mbetet në histori".

Një deklaratë të ngjashme të Xhafer Vokshit e kam lexuar edhe në revistën "Zëri". Por, deklarata, e cila ma përforcon edhe më tepër këtë bindje, është ajo e veteranit të arsimit, Minush Lipovecit, ish-shok klase i Haki Tahës në Shkollën Normale të Elbasanit, të cilën ia paska thënë kolegut të tij, Mehmet Gjevorit, në Prizren, disa ditë pas atentatit kundër Miladin Popoviqit dhe vrasjes së Haki Tahës. Mehmet Gjevori thotë se kur erdhi në punë, Minush Lipoveci tregoi se e kishte pasur në konak Haki Tahën disa ditë më parë, kur ishte në udhëtim e sipër për në Prishtinë. Ai tha se Hakiu ishte shumë i sëmurë, i zhgënjyer dhe i shqetësuar. Tha edhe se po interesohej për të shkuar ndokund për mjekim. Megjithatë, në ndarje, i kishte thënë Minushit: "Ke për të dëgjuar për mua dhe për veprën time!" Këtij i ishin bërë merak këto fjalë dhe sjellja e shqetësimi që e kishte kapluar Hakiun. Shpejt pas kësaj u dëgjua për vrasjen e Miladin Popoviqit në Prishtinë, e më vonë edhe për vrasjen apo vetëvrasjen e Haki Tahës.

E ngjashme me deklaratën e zoti Lipovecit është edhe deklarata e motrës së Haki Tahës, Hyrema Tahës, bashkëshortes së të ndjerit Shaban Valës, të cilin e pushkatuan partizanët fill pas hyrjes në Gjakovë diku nga fundi i vitit 1944 ose fillimi i vitit 1945. Zonja Hyrema ende është gjallë dhe lidhur me këtë ajo thotë: "Hakiu më tha: po shkoj në Prishtinë për ta kryer një detyrë të rëndësishme. Ndoshta edhe nuk kthehem më. Por, kjo s'prish punë. Ti kujdesesh për nënën…"

Ky version deri diku përputhet edhe me deklaratën e Vesel Rexhepit, ish-drejtor i Shtëpisë botuese dhe shtypshkronjës "Progres" në Prishtinë, i cili kishte qenë i pranishëm kur është kontrolluar trupi i vdekur i Haki Tahës. Si tregon vëllai i Vesel Rexhepit, Vehbi Rexhepi, fotograf në Prishtinë, Haki Taha, atëherë, nën mantel, kishte veshur një gozhup me lesh, si i sëmurë që ishte, nën të një xhemper dhe ishte mbështjellë me flamurin kombëtar shqiptar, të qëndisur me një parullë në formë të harkut me shkronja të arta: "Kosovës liri - Bashkim me Shqipni!"

Lidhur me gjithë këtë nuk po mundem pa cituar edhe një pjesë nga libri, që është në procesin e botimit në Shtëpinë botuese "Onufri" të Elbasanit, "Lasgushi në Pogradec" nga Meri Lalaj. Këtë pjesë e lexova këto ditë - të publikuar në të përditshmen "Bujku" të Prishtinës, dt.10 dhjetor 1994:

"Po ecnim rrugës të dy, me Lasgushin - shkruan këtu Meri Lalaj - dhe ai po më tregonte se si serbët i ndiqnin kosovarët në kohën e Zogut. Kështu, kishin ardhur në Shqipëri dy kosovarë: Bajram Gashi dhe Haki Taha, që ishin mësues - njëri në njërën shkollë të Shenavlashit, tjetri në tjetrën. Një ditë në Tiranë, - vazhdoi Lasgushi, - më takoi Haki Taha dhe më tregoi një libër, ja kaq të trashë, sa gishti. Ishte një përmbledhje me poezi për Kosovën. Aty ishte edhe poezia ime "Marshi Kosovar".

- Të lutem - më tha Haki Taha, - të na bësh një parathënie.
- Unë nuk shkruaj në prozë, - i thashë - po për Kosovën do ta bëj.

Njëherë vajta në Shenavlash, - vijoi Lasgushi, - dhe më ftoi për drekë prifti i fshatit. Duke ecur rrugës përmes fshatit, takova Haki Tahën, i cili më tha:

- Nëna dhe unë po të presim për drekë.
- Më ka ftuar për drekë prifti i fshatit, - thashë unë, - por do të vij te ti.

Në shtëpinë e tyre ishte një koritë e madhe me 7 a 8 kile qumësht për mikun, se shqiptari kosovar e përmbys shtëpinë për mikun - vijoi Lasgushi: - Kur hyri Italia fashiste, të dy, Haki Taha dhe Bajram Gashi dolën malit për të luftuar. Bajrami u vra duke sulmuar një postë italiane. E kur Haki Taha doli malit partizan, Miladin Popoviqi i tha: "Kur të çlirohemi, në Kosovë do të udhëheqin shqiptarët". Pasi u çlirua vendi, Miladin Popoviqi u bë sekretar i parë dhe, atje në kolltuk, nuk po mendonte më për kosovarët. Një ditë, Haki Taha vajti në komitet dhe i tha rojës me pushkë që ruante te dera: "Lajmëroje Miladin Popoviqin se e kërkoj unë". Pas pak, roja e lejoi të hynte brenda në komitet dhe atje, në zyrën e Miladinit, ai nxori koburën dhe ia numëroi të dhjetat mu në ballë.

Hakiun e fshehën kosovarët me javë të tëra, se e ndiqnin serbët. Më së fundi, kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten.

- Dëgjo këtu, moj zonjushe, - tha me bindje Lasgushi - Jugosllavia nuk mund të jetojë dot kurrë si shtet, sepse është ashtu, me copa, si i thonë, shtet mozaik, me kroatë, sllovenë, malazez, maqedonas… Po serbi ka qenë dhe do të mbetet armiku i përjetshëm i shqiptarëve…"

Pa marrë parasysh sa ishte i informuar për jetën e Haki Tahës pas vitit 1941, është interesante si e shihte, apo më mirë, si e ndjente poeti ynë i madh veprën heroike të Haki Tahës - atë ditë gushti të vitit 1981 kur po bisedonte me Meri Lalajn. Dhe si e shihte ai atëherë Jugosllavinë - "shtet mozaik" dhe "me copa" që "nuk mund të jetojë dot kurrë si shtet" dhe se "serbi ka qenë dhe do të mbetet armiku i përjetshëm i shqiptarëve…" Nuk ka rëndësi që Lasgush Poradeci atëherë nuk e ka ditur se Haki Taha nuk ka qenë kurrë partizan dhe se trupi i tij i vrarë është gjetur vetëm dy-tri ditë pas vrasjes së Miladin Popoviqit. Është me rëndësi rëndësia që Lasgushi i jep veprës heroike të Haki Tahës.

Më në fund, një bashkëkohanik i Haki Tahës, Salih Kolludra, në intervistën që i dha Haqif Mulliqit, gazetar i javores politike shqiptare "Zëri", nr.1534. dt. 18 janar, 1995, decidivisht thotë:

- Miladin Popoviqin e ka vrarë Haki Taha. Miladini ishte elementi më i rrezikshëm për shqiptarët, nga se u shtirej si mik. Se do të ndodhë vrasja, unë e dija që më parë. Këtë ma tha Luan Gashi, i cili kishte qenë në kontakt me Haki Tahën. Bile, ne u bëmë gati që, eventualisht, ta ndihmojmë Hakiun, pasi që ta kryejë këtë akt trimëror. Fatkeqësisht, Hakiu mbeti në Prishtinë dhe nuk ia doli që të na bashkohet në Greqi.

Sido që të ketë qenë, koha është që të ndriçohet deri në fund jeta, vepra dhe kontributi i Haki Tahës për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe për arsimin shqip në veçanti. Unë, këtu më poshtë, po shënoj vetëm ato që në këtë periudhë arrita të mbledh.

HAKI TAHA (Gjakovë, 1913 - Prishtinë, 1945) rrjedh nga një familje me tradita patriotike e Gjakovës (me prejardhje nga Bujanoci); i vëllai, Qamili, nëpunës i thjeshtë, pas vrasjes së Hakiut u burgos e pas një kohe, i lidhur, u dëbua në Shqipëri, ku pësoi keq. Vëllai më i madh i Hakiut, Demush Taha - Gjakova, mësues e drejtor shkolle në Gjakovë, ishte patriot i shquar e antifashist, i cili u arrestua dhe u torturua nga fashistët italianë pas demonstratave të mëdha antifashiste në mars të vitit 1943 në Gjakovë, e pak kohë pasi u lirua vdiq.

Hakiu shkollën fillore e nisi në vendlindje dhe e kreu në Shkollën fillore "Kosova" në Krumë të Hasit në Shqipëri. Gjimnazin e ulët e kreu në Shkodër e Shkollën Normale në Elbasan, në vitin 1939, kur edhe u emërua mësues në Shinavlash të Shqipërisë. Në vitin 1941, me grupin e parë të mësuesve që erdhën në Kosovë, erdhi në vendlindje edhe Haki Taha, ku, bashkë me shokët e vet, Hysni Zajmin, Fadil Hoxhën, Xheladin Hanën, Zeki Shehun, Muharrem Gazinë etj., gjatë verës, organizoi kurset e gjuhës për të rinjtë shqiptarë të shkolluar më parë nëpër shkollat në gjuhën serbe. Aty edhe ngjalli ndër të rinjtë ndjenjat patriotike dhe frymën e atdhedashurisë.

Ndonëse antifashist për nga bindja, gjatë tërë kohës së luftës, nuk iu bashkua Lëvizjes Nacionalçlirimtare për arsye se ishte "nacionalist i madh", si tha në rastin që përmendëm Fadil Hoxha, dhe - për shkak të mosbesimit ndaj bashkëpunimit me serbët e malazeztë. Por, as nuk u hodh në luftë të drejtpërdrejtë kundër kësaj Lëvizjeje. Kështu, gjatë tërë kohës së luftës mbeti vetëm mësues, pa hyrë në shërbim të askujt. Mirëpo, si mësues ishte shumë i dashur nga nxënësit dhe shumë i nderuar nga populli. Në vitin 1942, kur Kosovën e vizitoi kryeministri i atëhershëm i shtetit shqiptar, Mustafa Kruja, Haki Taha ishte njëri nga ata që i ogranizoi të rinjtë e Gjakovës që, me flamur kombëtar, pa shenjat fashiste të "liktorit", t'i dilnin përpara dhe të kërkonin nga ai që në Gjakovë të hapej Shkolla Normale e jo ajo tregtare, si kishte vendosur qeveria e tij. Fjalën me këtë kërkesë të të rinjve gjakovarë, të drejtuar kryeministrit Mustafa Kruja, që e mbajti Vehap Shita, atëherë nxënës i Gjimnazit të Prishtinës, e kishte inicuar dhe mundësuar pikërisht Haki Taha, atëherë mësues në Gjakovë. E pas kësaj vizite të kryeministrit Mustafa Kruja, pranë Institutit Tregtar në Gjakovë, u hap edhe dega e Shkollës Normale me drejtor Zekeria Rexhën, kurse dega e tregtisë pranë këtij Instituti thuaja se u shua fare.

Mirëpo, Haki Taha, edhe atëherë shëndetlig, së shpejti u sëmur rëndë dhe mbeti i shtrirë në shtrat pothuaj deri në ditët kur mori rrugën për në Prishtinë, ku edhe e gjeti vdekja në mars të vitit 1945.

Këtu po e jap edhe vjershën e tij, ashtu si e kam pas kopjuar në vitin 1943 dhe si u botua më vonë në revistën "Alternativa" të Shoqatës "Migjeni" të Lubjanës. Atëherë e sot ajo më ka lënë mbresa të thella. E besoj se Haki Taha do të ketë pasur edhe shkrime të tjera, të publikuara ose jo, po që mbeten për t'u hulumtuar dhe, eventualisht, edhe për t'u botuar.

KOSOVË, O SHPIRTI I JONË

Tepër fjete, zgjohu, moj orë,
bijtë e tu thirrin n'flakë t'dashnisë'
Me za t'thekshëm me pushkë n'dorë,
Pjesë të pandashme të Shqipnisë.

Shqiptarë ke, shqiptare je,
Shpirti nga trupi kurr' s'mund t'ndahet,
N'ty jetojmë, n'ty kemi le,
Gjaku ujë kurr' s'mund të bahet!

Eshtna t'vjetër dhe të rij'
Janë grumbullue për ty përherë,
Lule lirie duhet t'mbijë
Shqip ka b'za n'at' tokë përherë.

N'mund e djersë, Kosovë moj trime,
Mbahu ndër shekuj n'hov t'burrnisë!
Ndër llogore me flijime,
Gufon gjaku i lirisë.

Gjak e zemër, dritë Arbnisë,
Na ke bij e të kemi nanë,
Kosovë, shpirt i Shqipnisë,
Pa ty vdekë ma mirë të tanë!

Haki Taha

Shënim: Pas botimit të këtij libri ku shprehej habia përse nuk është dekoruar edhe Haki Taha për veprimtarinë e tij të njohur atdhetare e arsimore, një vit më vonë (më 22.11.1995), u dekorua edhe Haki Taha.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...