2015-09-11

SKËNDER ZOGAJ - MASKAT DHE PAK PËRTEJ (POEZI)

Skender Zogaj



Skënder Zogaj i lindur më 23.01.1950 në katundin Lladroc të komunës së Malishevës.

Shkollën fillor dhe gjimnazin i ka mbaruar në Prizren, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë.

Punën e ka nisur si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën tetëvjeçare të Carrallukës dhe në Gjimnazin “Naim Frashëri” të Malishevës (1972-1974).


 Në shtator të vitit 1974 kalon në Prishtinë dhe i përkushtohet gazetarisë: redaktor përgjegjës në gazetën e studentëve “Bota e re” (1974-1978); gazetar e redaktor në gazetën “Rilindja” në Prishtinë dhe në Tiranë (1987-1997).



Gjatë viteve 1993-1995 ka përfaqësuar Zyrën e Republikës së Kosovës në Shqipër, redaktor në “Revista ushtarake” të FARK-ut e njëkohësisht edhe Këshilltar për informim i kol. Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut në Tiranë (1997-98).


 Pas përfundimit të luftës kthehet në Kosovë dhe vazhdon punën e gazetarit në gazetën “Rilindja”, mirëpo, pas dy muajsh jep dorëheqje sepse, gazetën , në emër të meritave fulftarake e kishin uzurpuar një grup injorantësh idologjikë, që gazetën e konsideronin pamflet markstisto-enveristësh.

 E lëshon “Rilindjen” dhe shkon në gazetën kombëtare “Bota sot” në Prishtinë ku caktohet redaktor i kultuës (1999-2000).

Skënder Zogaj është ndër themeluesit e parë të LDK-së dhe bartës i shumë detyrave me përgjegjësi të kësaj partie në nivel lokal dhe qendror: Themelues i Degës së Parë të LDK-së në Kosovë ( Degës së LDK-së në Fushë Kosovë) dhe kryetari i parë i saj (1990-93), Përfaqësues i Zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë (1993-1995).

 Në zgjedhjet e para të lira dhe demokratike në Kosovën e pasluftës, që mbahen ne vitin 2000, për dy mandate radhazi zgjidhet Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës (2000- 2008), e pastaj Këshilltar Politik në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Prishtinë (2008-2010) .

Krahas punës gazetarisë dhe angazhimeve politike, intensivisht është marrë edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Ka të botuara librat:

“Zogu i ekspozitës” – poezi për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1983

“Merrme vëlla përdore” – vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1994

“Ora e qoftëlargut” – poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë 1996

“Adresa e dallëndyshes”- vjersha për fëmijë, botoi “Eurorilindja”, 1999

“ Jusuf Uka Bregu” – monografi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2004

“Mali i tejdukshëm” – poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005,

“Puthjet e puhisë” – vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007

“Lacrima durerii” (Loti i dhembjes), poezi në gjuhën rumune,”Albanezul”, Bukuresht, 2011.

Krijimet poetike të Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë botërore, dhe është përfshirë në 18 antologji të poezisë bashkëkohorë shqipe.

Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë.



ZOGU I EKSPOZITËS

Të hyjmë edhe aty ku s’hyri flaka
T’i mbjellim gjymtyrët
E shpirtin ta mbarsim me lulediell.

Ngadalë e bukur
T’ia qesim rrethin me mjeshtri
Zogut prej llamarine
Që po e ha mollën me aq ngazëllim

Kur ta vëmë në kurth
Do të neveritet nga vetvetja
Dhe do të pëlcasë kur të mësojë
Sa lirë i kushtojnë sytë
Në ekspozitë.

(Prishtinë, 28 Nëntor 1974)



PËRTEJ KËNGËS SË BILBILAVE
(ose Balada për zogjtë e valsit diellor)


UNË JAM DËSHMITARI

(Letër presidentit Ibrahim Rugova)


Mes zogjve dhe korbave
unë jam dëshmitari,
o Pjetër Bogdani -
me sytë e mi e pashë kur piku fiku
që e mori i ligu
dhe iku...

Unë jam dëshmitari.

Zvarranikët kanë ngjeshur shpatat
dhëmbin e ujkut e kanë vath në vesh,
në qafë thonjtë e maces...
Gjithë lakenjtë e vilajetit po hedhin valle
të veshur me sharkun e gjarprit
i duan edhe maskat e pallatit të mbretit,
o Zot, kur të dalin në skenë -
ç'dramë e tmerrshme e sprovës
do të luhet në trupin e Kosovës.


2.
Qëllomëni, o rrufe të akullta,
trupin të bluar në grimca
erërat po ma përhapin anëve të botës!
E unë peng si cjapi te kasapi
me thikë në qafë
midis lajkatarëve e horrave.

Jam dëshmitari
i mprehjes së thikave të helmëta
nga Tirana te fontana e Prishtinës...
Hapi sytë, o Pjetër Bogdani,
Vallja e Hiles
po të luhet prapa shpinës!


3.
Ujkut Thinak i kulluan sytë gjak
për Kalin e Kuq,
që bëri puç por i shkoi mundi huq.
Symiu, Macja, Kërraba dhe Kërriçi
po të sillen si pordha nëpër tirqi,
(oooo, i hëngërt dreqi!)
sikletin për popull e atdheun fatkeq
e zbusin me fiq e me përpeq.


Unë jam dëshmitari
Protestoj, akuzoj,
kurrë nuk do ta pranoj
lojën me gjakun e dallëndysheve.

Drita e madhe në ballin e Lakuriqëve
është e shpifur, o Mesi -
kullon zhgjyr Duarsh të Ndyta -
i mjeri u’ për ty!

(Tiranë, 29.06.1994)



SA LARG E SA AFËR JEMI

(Sabit Hykollit)


Shtatë ditë lotin në qepallë e mbajta për ty
e shtatë milion vjet drite kam me të kërku nëpër yje
derisa të të gjej, o vëlla -
për me të marrë ngrykë, e fort me u përla me Ty,
pse i mbylle sytë,
pse e ndërpreve udhën
dhe gjithçka që ka të bëjë me rrugëtimin…

Ktheve shpinën ike matanë xhamit
pa më thanë lamtumirë,
por sado larg të kesh shkuar
s’i ndalon dot kujtimet e mia
se je shkëlqimi gjithandej që përhapet
dhe kurrë nuk mundet ta mbulojë hija.

I mbylle sytë dhe shkove kah drita
pikëllimin për ta zbrazur sa më larg nesh.
Oooo…, i mjeri u’ për ty, e di –
zemrën ta plasi koha mbushur me lytha
e plot njolla mavi…!

Ike nga kjo botë e rrejshme, Maestro –
me “Vajtimin e mbretëreshës së qiejve”
mbushe qiellin fluturime zogjsh
sipëri “Kullës” tek “Molla e tejdukshme”
të pikojë magjia e lotit të hyjnive
sa larg e sa afër jemi -
larg kabareut të duartrokitjeve.

(14 dhjetor 2013)



DRITA E PËRJETSHME

(Heroit, Sali Çekaj)


Ishe zjarri i shenjtë i thellësisë qiellore,
nga hiri e nxore feniksin
për me i ndjekë korbat e zinj
deri në fundin e shterjes së gjakut
zezëditës për t’ia prerë flatrat
plot me myshk e ndryshk trishtimi…

Me një flamur të vogël vizatuar në gji
ia prishe gjumin tokës dhe qiellit,
se duhej të hapeshin retë e të çlirohej dielli
të këputeshin zinxhirët e të çlirohej guximi
në zemra të ringjallej shpresa e mirë
me afshin njerëzor dhe bekimin e hyjnive
me e gatu polenin
për lulëzimin e dardhave nëpër Dardani
deri në pakufi
me u përhapë dëshira e këngës së lirë.


Pse ike, ç’tu deshtë ai yll aq i largët?
Si ta nxjerri nga pengu kurmin e lirisë?
Me kë ta cakërroj gotën, o vëlla -
si ta mashtroj dhembjen që ma zë pritën
në zemër si gur mulliri
që sillet rëndë – për të rënët që ngriten
dhe si hëna përsëriten
e ti - me erën e tokës në MëmëDhe
Orfe -
prehesh nëpër kroje këngësh plot dritë,
përhapës i dashurisë së përjetshme
në fluturimet e zogjve nëpër mote
më i zjarrtë se zjarri ngjitesh!

(12 dhjetor 2013)



ZOTIT IU KTHEVE, SIC KTHEHEN ENGJËJT

(Bekim Fehmiut)


Pluhuri i trupit tënd iku nga toka
Me tallazet e detit po lufton në Adriatik
Duke e ndjekur ëndrrën
Për ta shaluar kalin e Skënderbeut.

Nuk ta dhanë, miku im -
Se nuk kishin sy, as vesh, me të pa, o azgan
Në mejdan
Duke i mposhtur ciklopët
Me shpatën e zjarrtë të Gjergjit!

Nuk ta dhanë, o flakadan -
Se nuk kishin mendje, as shpirt, as zemër
Me ta kuptua ofshamën për gurët e mëmëdheut
Kur frynin stuhitë e çartura
E Ti - ishe lisi, që tundej e shkundej duke dënesur
Për Bushtricën – ujkonjën e Prizrenit.

Nuk ta dhanë, o meteor, se kishin frikë
Nga madhështia e zjarrit hyjnor
Që e përhapje anëve të botës së re
Me plisin e bardhë mbi sy, tirq e xhamadan
I rreptë, krenar, i dëlirë...
Bekim – i bekuar padyshim -
Kurrë i gjunjëzuar për mëshirë
Zotit iu ktheve, siç kthehen engjëjt
Orakull i shpresës së mirë.


PËRTEJ KËNGËS SË BILBILAVE

(Jusuf Gërvallës )

Fill i vetëm u nise, o kapedan -
me këngë bilbilash që fluturonin e binin
rreth e rrotull kanjushës së verdhë.
U nise dhe ia zure pritën urithit
për mos me e lënë mollën e kuqe
me u rrokullisë e me ra -
në prehrin e hënës së përgjakur…
Këmbëzbathur në drejtim të diellit
përtej guximit të bilbilave
e vizatove ëndrrën e bardhë
që frika të mos përhapej
brenda kopshtit të syrgjynosur
ku koha ishte e turbull
e bimët të veshura me akull!
Me guximin e rishfaqjes së feniksit
mëkove zogjtë e mbyllur në kafaz
që rriteshin me drapër në qafë…
Fill i vetëm e çave terrin,
pa rima mallkove falangat e larta
dhe xhelatët me maska ndër gijotina.
…i molisur nga brengat e thirre Sokratin
Prandaj të vranë por ti nuk hoqe dorë
nga kërkimi i njeriut ndër këngë bilbilash.
(Prizren, Tetor 2014)


TRISHTIMI

(Kolonel Ahmet Krasniqit, nga letra e një gruaje)


Turma si një mal me drunj të tharë
Lëviz në heshtjen ulëritëse
Që përplaset në muret e shtëpive,
me një tërbim dehës të pazakontë
që askush nuk arrin ta kuptoj
është dhembjë, urrejtje apo çmendi?!
Thellësia e panjohur e qenieve
si ngacmim i kafshimit të bletës
reflekton kobin e turmës
që ecë në njëshkolonë kokulur
në një mënyrë tepër të çuditshme.

Zhaurima mbytëse e kamzhikut
në gurët e kalldrëmit
rreptë e rrah ritmikisht udhën,
portat e mbyllura të shtëpive
me një rëndesë gërryese të plumbtë
therrin nënqiellin e zymtë
mbi kufomat e gjalla njerëzore
që udhëtojnë drejtë hamendjes...

O Zot, pa shihe nusen fatkeqe
Fryma e Shpirtit të Shenjtë
brenda saj lëviz, prek...
s'brengoset për kamzhikun
që fishkëllen nëpër ajër
mbi turmën e raskapitur
rrethuar nga nepërkat e zeza...
Oh,
zemra e nënës ka humbur gjithçka
pos lotëve dhe instiktit
që i thonë “mos guxo të ligështohesh
je ëndrra që i mban këta njerëz!”
Dhe, Gruaja ndalet si një drenushë
Ndërmjet gjymturësh të ënjtura
E shqyen qiellin deri në pafundësi
me Thirrjen e parë të një fëmije.

... Ajo s'po u besonte syve,
sytë e saj... si copa kristali
prej nga shkëputeshin pëllumba
të larë me dritë
një lloj drite sikur ujëvare
misteresh të kaltërta sfiduese,
mbi turmë
me një tejdukshmëri lëbyrëse
nëpër të çarat e qiellit që klithe:
- Çohu!- Paqja qoftë me ty!




PSALM PËR ATË SHTJEFËN GJEҪOVIN

(Në 140-vjetorin e lindjes)


Sa fort ke dashtë dëshirue me e pa
ardhjen e mëngjesit me diell pa pranga
tue rrezatue anembanë
mbi qiellin e dlirë të Lkenit të Hasit!

Zashëm ke thirrur e fort ke punuar
për frymën e Agimit të Qytetnisë
zogjve ua ke shëruar krahët e coptuem
nga lukunia e shpendkeqinjve të kreshpëruar
rretherrotull pemës së bekueme …

Prej Livnos, Këtu e në Vlorë
Ati ynë me frymën e shpirtit të shenjtë
Feniksin vazhdon me e kerkue tek rrënja e lules
përfundi pemës së fatit
së cilës – sa herë që i bien gjethet
degët i bëhen fyej
plagëve për me u dhanë dritë
prej harrese dashurinë për ta zgjuar…

Na plaçin sytë,
nëse vazhdojmë me ecë nëpër mjegull
me dhëmbin e ujkut në asht,
tue u zmbraps kah terri…!

Na mallkoftë Zoti,
nëse shkojmë si cjapi te kasapi
me sahatin e qoftëlargut në qafë
tue e hangër vetveten.

Ati ynë lutu për Shën Mërinë virgjër
në emër t’atit e t’birit t’shpirtit shenjtë,
Mësona o Atë, ta nxjerrim nga shpirti
zhgjyrin e bimës së keqe!


(10 tetor 2014)



AUTOPSIA E FJALËS

(At Zef Pllumit)


Udha e gjakut nëpër tambël,
Udha e tamblit nëpër gjak!

Ç’mallkim po na ndjek, o At’,
n’ jetë e në vdekje
kaq të përbuzun nëpër botë
pa fe e atdhe,
me qoftëlargun në gji
plot ndryshk e myshk
Ndër prita jeniçerësh të pabesë.
Rrnojmë për me tregue...

Udha e gjakut me kmesë
Në Udhën e tamblit po vdes!

O At’
Çfarë jena? Kush jena?
Pse Zoti nuk na e fal
një të ftohtë acar
që ta shuaj këtë zjarr
kaq të ngatërruar
që s’ka të përfunduar.

(8 maj 2013)




HIRËSIA E PRUSHTË

(Enver Malokut)


Të vranë korbat e mallkuar
sepse u duhej
energjia e syve tu në ajër
dhe gjaku yt i pastër…


Të vranë se kishin frikë
Nga Liria e Fjalës së Mirë
E shkrirë në dritën madhështore
që e përhape n’tokë e n’qiell
dhe kurrë nuk hoqe dorë
nga ëndrra e hirësisë së prushtë.


Të vranë, por ti nuk u ndale –
si Feniksi rishfaqesh
që vdekja t’mos mbetet fjala e fundit
dhe Orën diellore mos me e lënë
të kurdiset mbrapsht!.



BALADA PËR ZOGJTË E VALSIT DIELLOR

(Dëshmorit Ismet A. Qorraj me shokë)


Imja është piktura me sytë e përlotur
Edhe qielli ngjyrë ulliri sipëri Deçanit
Plot me zogj gjoks shpërthekuar,
Të zjarrtë dhe kryengritës
Si meteorë vezullues nëpër avaze
Që shpirtin e vet e bëjnë kurban
Se nuk e durojnë jetën në kafaze.

Zogj drite me flatra trëndafili
Përhapës magjikë të valsit diellor
Ndër shtatë palë toke e qielli
Në dashurinë hyjnore për Liri
Kundër ujqve të mallkuar e dinakë
Gjithmonë të etur për gjak...

Në këngë është trimëria e zogjve
Prandaj gjithmonë vdesin duke kënduar
Si n’atë ag pranvere kur zaret u hodhën
Dhe n’pikturë u shprushën lulëkuqet
Që kurrë më t’mos kishte strehë për korba
As për këlyshë të zinj bushtre
Që i ulërijnë Hënës…

Nata zemërplasur ofshau nëpër konaqe
Por agimi u rilind me dritë zemre, o mik -
Shih zogjtë e valsit diellor që puthin qiellin
Në Carrabreg, n’Voksh e n’Maznik...

(Mars 2015)



PIKTURA REBELE



LAJMI I FUNDIT TELEVIZIV


As sot nuk ra shi!

Po e shtyejmë për nesër
Nxjerrjen e glasës së sorrës
nga oborri…

Kape Dulqize defin
dhe festo!
Në mos vdektë zotnia
ka me cofë gomari!



LUTJA E NATËS SË MADHE

Nëfillimtërrugës jam, ivetëmdheihuaj
Nëkërkimtëasajqënukshihet
porekziston...
E duaThirrjen e mundësisësëndryshimit
Animinkahsprova e krijimittëdyfishtë
Ndërmjetbotëshkëmbyesetëshpresëssëmirë
Qëlakmiaimbanëpeng
Përballëfurtunashqëhakmarrjeniarrëfejnë
Humbësittëudhëssëdrejtë...
Dua ta shijojmundësinë e dyfishtë
Tëndryshimittëligjittëterrit
Dritënpër me e nxjerr
Ngapenguisyrittëkeq...
Zotiim -
Mëmbajsamëlarghipokritëve
Dhekurtizanavegjaknxehta
Shpresënushqema, shtomabesimin
Përrrugënkah e vërteta.


KOHA E FRUTHIT


E mlleftë zemra dhe fjala,
…Të thinjura këngët e zogjve të vegjël.

Gjithënjë e më pak qiell me diell,
mbi Lisin e përgjakur.
Nën çatitë e kasolles së gjyshes
gjithënjë e më pak vend
për çerdhen e dallëndyshes.

E sertë ëndja lakmitare
Të ënjura duart e bujqve nëpër ara.

Gjithënjë e më shumë sharkia
me baskia
Nëpër kuvende
Gjithënjë e më shumë vende
Për Krryla
Që flasin dhe shtyhen me brryla.

(31 gusht 2010)



PIKTURA REBELE

Kjo pikturë është e gjitha imja
Si ajri ma pushton thellësinë e zemrës
Nga lulja deri te përgjakja e dorës,
Në të dy anët e gozhdës
Që shtrydhet plot lagështi e mllef
Ngulur në ëndrrën e vjetër.

Një tjetër isha dikur –
Xhelat i akullt i turpit të zogjve
Kërkues i drejtësisë!
Tashti me brryla të thyer -
Trembës i klyshëve të zinj
Që i ulërijnë Hënës…

E mallëkuar qofsh
Pikturë që djerësinë
Zaret u hodhën, mbiu fara
Imja mbeti sall mjegulla!

Nga flama jonë ekredhur
S’ka më vend për zogj argjili
Gijotinë as okarinë të devotshme
Për gjamët e cubave të malit!

(9 mars 2013)


EKLIPSI


Përsëri në shpatull të dashit
hëna e përgjakur
dhe Gjeli me drapër në qafë
në gosti zvarranikësh...

Lavjersi lëviz me mëri
Nëpër hierorglife

Nofulla profane
Në boshllëkun e relikteve
Shqyen mish dallëndyshesh.

Të kalbur akrepat e orës
Sillen mbrapsht
Na vraftë Zoti -
U bëmë gazi i kërmijve!



ASGJËSIMI I SHPIRTIT


Më zuri nata
Duke i numëruar yjet,
këta çiliminj të uritur
të moshës sime -
dymijë vjet drite në pritje
nën degët e ullirit
të pikëlluar...

Në forcën e syve
Është skamja e fjalëve
që s’kanë ku ta zbrazin vrerin.


Të mjerët ne,
u mbushëm me zbrazëti formash
e trajtash të çrregullta
dyshimi e makthi.

Pluhuri i verdhë nga qepallat
frekuenton harkun e tehut të thikës
në drejtim të syve

Zogjtë të uritur bien në gjumë
në gojë zvarranikësh
duke mallkuar
në emër t’atit e t’birit e t’shpirtit
të djallit.


PENGU I VARREVE

Po lëvizin gurët e varreve,
frymën e kohës së keqe
e nxjerrin përjashta
palcës.

Të vdekurit flasin
për orën
të kurdisur mbrapsht
brenda zemrës.

Vetulla e thinjur e Kosovës
bisht sorre
mbi varre dëshmorësh anonimë.



ERROZIONI


Gjithçka në rrëshqitje
brenda nesh bërlyket thiu i egër
dhe s’gjindet i’ djalë s’ame
me na e nxjerrë nga gjaku
t’birin e kurvës.

O Zot,
sa larg nesh qëndron ti
dhe na shikon me habi -
nën këmbë -
si na tkurret toka,
mbi kokë -
si na nxihet qielli.

Oi, oi, oi...!




RITUALI I KALBJES


Trurin tim e sundon tehu i thikës
plot ndryshk e myshk
e me sorra të larme
që ma glasojnë gjakun.

Shporruni minj, shtërpinj ikni!
Lermëni ta kafshoj terrin
Zëshëm duke vajtuar
përbuzjen lakmitare të siluetave
që po kalben të uritura
pa ujë e dritë
në varfëri të skajshme!




NATYRË E VDEKUR


Vrima në asht
Është shenja që përsëritet
Nga etërit te bijtë

Dua ta them..., por
dora pa uratë
s’e arrin Kashtën e Kumtrit
që digjet në sytë e mi
mbyllur me lesh arapi të zi.

Bëma Breshko, bëma
derisa... Korbin kemi përmbi!



MJESHTRIA E INTRIGËS

Sërish hadhucat atdhetare
Me lëng hudhrash
tredhin miza.

Nga bregu i detit
te bythët e mbretit
lakejt e vilajetit
i pastrojnë duart
me sapuna të zinj...

O zot sa të pacipë
si qeni pshurren
e të shikojnë drejt në sy!


POROSIA

Në kurorën e lules
koka e gjarpërit
ligjëron për mëkatet
e pjalmit...

Nuk është mirë
kaq pamëshirshëm
ta vrasim vetveten.

Hija e trupit
aq e heshtur e gazmore
rreth qafës
po na e ngushton lakun.



REFUZIMI

Ika se po më zihej fryma
Prej gomerësh jeshilë

O Zot, ç’groteskë e ndyrë –
Nga palljet në erë
Toka kundërmonë erëbajgë

Mbajeni vath në vesh

Janë të farës së magjupit
Që kur u bë mbret
Vrau babën e vet.



STINA E LAKMISË

Në ekranin e porcelantë
Sfilatë gjymtyrësh të gufta
dhe mollësh të kafshuara
që pikojnë zjarr…

Jep nga vetja
që të marrësh nga e fshehta
frymën mëkuese
të atit e të birit të shenjtë.

Sa shumë lakmi...

Nuk po na mjafton uria
Ngopja po na tepron gjithsesi!




VDEKJA NE MOÇAL


Ka ndodhur vakuumi
Po lëvizin gjërat e ndërmjetshme
gjithë mllef
në drejtim të kuajve të tredhur
që s’janë veçse
për ngordhje në moçal…

Fyti tepër i ngushtë,
terr tepër i zi
nëpër nahi
nën bishtin e sorrës së larme
Mrizon dhimbja.

Sipri tupanit
larja e trupit me sapuna të zinj

kur të zbardhë agimi
del zezëdita në dritë
Oiii, oiiii, oiiii
ku t’i fshehi
këta të shkretë sy?!

(Prishtinë, 10.11.2008)




NATA E BUZMIT BUJAR


O buzmi bujar, me gjeth e me bar!

Në mua është ndryshku i thikës,
varret e krushqve plot myshk
dhe sorra e larme maje shtize
që vazhdon glasimin
sipër bajrakut...

Shporruni minj, shtërpinj ikni!

Lërmë ta kapërcej terrin
e përgjakjes së shenjtë
të siluetave atdhetare
që po kalben në përbuzje
pa bukë,
pa ujë,
pa dritë
... në varfëri të skajshme!



ORA KOSMIKE


LETËR VËLLAUT ALIEN

Po më duhet shpejtësia e dritës
I dashuiri im vëlla -
Për me ia shkurtu largësinë qiellit,
Ti nga Jupiteri, Unë nga Toka -
Në Mars me u taku te klubi “Ulliri”
Me pi kafe dhe me ba llafe
Për historitë e motit të madh.
E vraftë Zoti Adamin
Që e kafshoi mollën
Dhe u bëmë pikë epesë
(As në tokë as në qiell)
Të pashpresë duke dënesë
Nëpër kosmosin e pluhurosur
Evës për me ia puth
Sytë erë sapuni...
Rrëshqitas qeshem e qaj
Në tundime të kristalta
Fryma më zihet nga dhjami i derrit
E kroni askund -
Që t’i pastroj duart e përgjakura
Im vëlla i panjohur Alien.

(Prizren,23 gusht 2015)

VERDHËZA PRANVERORE

Më iku nata duke numëruar yjet,
këta çiliminj të uritur
të moshës sime -
dymijë vjet drite në pritje
nën degët e ullirit të pikëlluar.
N’ferk të mëngjesit
forcën e syve ma shterpon skamja
dhe heshtja e fjalëve
që s’kanë ku ta zbrazin
mllefin e azdisur të maskave
plot pudër formash e trajtash
dhe çjerrjesh makthi pa fund...
Pluhur i verdhë smire
përhapet në drejtim të zogjve
të strehuar në gojë zvarranikësh
që n’emër t’atit e t’birit -
asgjësimit të shpirtit i këndojnë!
(22 mars 2015)



PAMJE KOSMIKE


Me pasqyrën abuzuese
Nga thellësia qiellore
Vështroj nguljen e gozhdës
Në Pikturën e lavdisë së fshehur
Plot me zogj e flutura të hekurta
Dhe furka për tjerrjen e ujit
Nëpër pusetat e zjarrta avullore
Sipri Kashtës së Kumtrit!

Gjithcka duhet të preket
Që të zbuten anët e mllefta të zemrave
Dhe të ringjallen pjesët e fjetura të trurit
Deri në palcën e syrit të trembëdhjetë.

Lëvizjet e vrullshme të muskujve
dhe Qejfet e egra të zemrave
brohorasin kërkesa të fosforta
kundër Krehjeve lakmitare
dhe dëshirave të përditshme
që na nxijnë jetën…



ORA KOSMIKE

I vetëm dhe i huaj mes ëndrrash
kërkoj akrepa orësh.

Zoti ka thënë: Mate mirë kohën
pastaj agjëro
që ta kuptosh të panjohurën
prapa Majave të lavdisë
plot me zogj e flutura
të krijuara kundër gjumit!

Lëvizjet e vrullshme njerëzore
kërkojnë daljen nga rrethi
për zbutjen e thirrjeve të mllefta
të mërzitshme prekje të përditshme
që po na vrasin!

I vetëm dhe i huaj mes ëndrrash
kërkoj akrepa orësh...




PËRGJUMJA E MUNGESËS SË AJRIT


Ta shtrydha zjarrin hyjnor
Hapësirë e rrudhur nga pikëllimi
mbi kokat e vrugta të trangujve
që presin emisarin
t’ua këpusë ethet e frikës
brenda rrethit pa hënë e diell.

Pse gjithë ky mallkim, o Zot?!

Ku po shkoni o Kalorës të ndryshkur
me jela të shkreta kuajsh të cofun në qafë?
Përgjumja në Mungesën e ajrit
është tradhëti
ç’prejse piku fiku
që e mori i ligu
dhe iku...

Në mungesën e Ajrit
duarkryq rrijmë dhe bëjmë sehir
ah, përsëri
të njejat shenja të tradhëtisë.



Të vyshkura duart e nënave
në përqafim djepash
me bukurinë e qepur qefinin
plot me lulediej
udhëtojnë
në drejtim të pamjes së fundit
Mirësinë ua vrasin pas shpine

Ikni gjarpinj, shkarpinj, minj... ikni
rrudhja e Hapësirës brenda rrethit
pikon pikëllim për hënë e diell
e madhe pjerrtësia ndërmjet njerëzve
koha matet me krehjen e flokëve
që bien ndër nofulla qensh
krejt të thinjura.



DITË TERS


U prish moti dhe hyri ngrica
Bymehen retë, po tkurret qielli
E ndali këngën struci i mjerë,
Nga pema e mekur bien lulet
Mesdita klith në turp e zjerë


Pasqyra e mrrolur në vetmi gjëmon
- Cofi korbi por pendlat rrojnë
të zeza shumë, fort të shëmtuara,
kutërbon fjala, koka me glasa
sheshet, pullazet të gjitha pis
erdhi pranvera, e shkrumbur toka
pa i’pikë tambli të mbetur në sisë.


Shenjat e vuajtjes pellgje shkrumbi
Ndër dallgë furtunash zogu mitar
Lotin të zjarrtë At Zef Pëllumbi
Me prehrin mbushur engjëj të vrarë.


(Shëngjin, 15 nëntor 2008)




TERRI I PULAVE

Sytë nuk vlejnë asgjë pa fiqirin
për me pa dhe me i marrë në shenjë
rriqnat që e pickojnë atdheun.

Shumë kemi nevojë për Syze
me xhama të trashë sa fundi i kavanozit
dritën për me mujtë me e pa
dhe shapin prej sheqerit me e nda
në sallonet e parfumosura
me Terrin e pulave!

Kosova është kazan shumë i mocëm
i shtjerrun fortë nga fërkimet
sa cel e mshel sytë ujin e vlon
- në pikë t’rrafshit rrokulliset
vetveten e përvëlon…

Me shekuj janë përzier Ball-mjalti e Kan-gjaku
s’ka ilac sëmundjen tonë që e shëron
pa hy në thellësi të Qelizës Zot *1)
për me pa cka është mbjellë
dhe cka ka pjellë n’fiqirin tonë.

*1) “Qeliza Zot” zbulimi më i ri shkencor i qelizës themelore prodhuese të njeriut;



31 DHJETOR 1998


Me loҫkë të zemrës
shava shumë ndyrë
dhe u luta:
- O Zot,
mbroje Kosovën
nga barbarët!


PASQYRA DHE FYTYRA



KËNGA E TRUMCAKUT


Shumë shtirje ankthesh në mesfjalë
fluturojnë dhe nxijnë në heshtje
Zemrën që nuk bëzan
Nga presjet rrotulluese teh gijotine
mbi qafën time...

Pastaj gjithçka është lojë
Qeskë plasmasti e varur në degën e manit
që era e fërshëllen
andej e këndej Urës së Shenjtë.

Sorra është aty por kënga e trumcakut s'ndalet
As kur e varin për së gjalli në turrën e druve
as kur ia shprushin zjarrin
as kur ia mbyllin sytë...

Përtej vrimave të zeza qëndron
ndër shtatë palë toke e qielli
tek pjalmi i yjeve në kërkim
dritë Orfeu me gjetë për të gjallët e vdekur
si copa të thyera xhami që rendin
në drejtpeshimin e funeralit.

Trumcaku i vogël i ka mbyllë sytë
S’dëshiron më me e pa qiellin e mrrolur,
as kryeshyt më s’do me këcy nga harku i urës
as shpirtin e syrgjynosur qoftëlargut me ia falë!

PASQYRA DHE FYTYRA

Një ditë patjetër do të ndodhë dalja
dhe do të takohen
Fytyra dhe Pasqyra…
Atëherë ka me u pa
e padukshmja e thembrës së Akilit.
Dhe ka me u shfaq Drita
e përsosura e gjithëfuqishme
që kujdeset për shpirtin tonë
dhe na jep fuqi me e kafshu mollën
sa herë që vjen Shën vjeshta.
Silueta e Gruas së bukur
e gërvishtur nga rrjedha e ujit
na njom me mija herë dhe përsëri
kemi etje edhe për një hap përtej
në drejtim të dendësisë së pyllit
për me e ngrohë shpirtin e ndrojtur
me prekjen e mëndafshtë.
Kur pandeh se i ke marrë të gjitha
prapë Pasqyra dhe Fytyra kanë me ra
në duart tua të zbrazura.


JETA ËSHTË LIBËR


Beso
dhe kurrë mospusho së dhëni,
që të marrësh -
nga e padukshmja e dritës.

Jeta është copë xhami e thyer
si një libër i hapur,
që duhet të lexohet me zemër
dhe të bluhet me tru.

Sado i vobektë
që mendon se je,
në fundin e udhës e merr vesh
sa shumë gjëra të tepërta
ke bartur me vete

Dhe, ah!…, dilema -
rrëshqitje fryme nëpër duar
që ik dhe të le!



KALBJA

Bymehen muret nën najlonin e zi

Bie shi e kalbet shpirti bredharak
që lufton me venitje klorofilesh

Sytë e shterun të nënave mbajnë zi
mes gjymtyrësh të idhta
në Pengun e netëve ëndërr trishta.

Për kokën e demit të zi
nga cepi i detit te bythët e mbretit
Hardhucat e Kuqe shtrojnë gosti
me speca djegës, dyll, hudhra
rrush qeni e fara kungulli turshi

Ha e pi dhe shaj
qeflinjtëe azdisur
kripën e ndrydhin me allti
orizin e rjepin me thikë...

O, zot! sa e trishtë
kalbja e syve të nxjerrun
prapa xhamave të zinj.




ANDEJ E KENDEJ IBRIT


Stinë e frikshme bimësh të egra
andej e këndej Ibrit
brenda kafkës së kalbur
sorrat e larme krrokasin...!

Burrëria shtatëqind dërhemshe
endet në Shkup e në Shkodër
me bukën e kuqe
nën sqetull...

Andej e këndej Ibrit
nga lehjet e qenve të çartur
shlyhen emrat
thyhen zemrat,
dhe Fryma e Shpirtit të Shenjtë.

Por stina e frikshme do kalojë
dhe i plotë do të agojë dielli
mbi Kodrën e Minatorëve
del Niketë Dardani e thërret Ezanin
dhe kurrë më, kurrë -
nuk do të këndojë hutini.

As iriqë e rriqna kurrë më
S’do të ketë në Mitrovicë.

(21 janar 2008)




NË ZHAZHË TË ZVEҪANIT


Të dashur vëllezër e motra
Zhazhjanë t’urtë e krenarë

... edhe pak duroni
derisa ta nxjerrim
me rrënjë
erën e qenit të coftë
nga oborri…

Pastaj zbardh drita
me këngë bilbilash
pranvera vjen -
dhe, kurrë më, kurrë
cerdhe korbash
s’do të ketë në Zhazhë
as strehë për minj e shtërpinj
në Zveҫan.

(Zhazhë, Zveҫan, 27 mars 2010)




DASHURIA E SHPENZUAR

"Sot, askush nuk e humb askënd,
sepse askush nuk e posedon askënd…”
(Paulo Coelhos)


Luftëtari i dritës ma tha troҫ:
Kjo s’është eksperienca e vërtetë e lirisë!

Thirri mendjes dhe kupto
Je i humburi i botës,
Derisa të mos bëhesh i zoti
Për ta fituar atë që e dëshiron.

Kosova është fyell i bariut të mërzitun
Me vrima të panumërta kuqezi
Nëpër të cilat hingëllojnë kuajt e azdisur
Që në mes të udhës i zë kromja e qenit
Dhe e rrokullisin qerren në greminë!

Kjo është biografia e vërtetë
E dilemës që e kemi në gjak
Por nuk kemi zemër për ta shprehur
Sepse kemi ngrënë shumë hudhra
Dhe kemi vra shumë sokola tinëz
Prapa shpinës së stinës…

Askush më për askend s’është i uruar,
Gjithë drita e shpirtit është shpenzuar!

(Fushë Kosovë, 8 maj 2013)



ATDHEU


Parandjenjë e ngatërruar dëshire
për të qenë i sigurt në vetvete
dhe i mbrojtur nga instiktet e egra.
Pëshpëritje për diçka të ndritshme,
fuqiplotë, të dashur pa kufi,
jetike si fryma që hapet e përhapet,
dhe pjesëtohet brezave mendjesh e zemrash
në kujtime t'idhta, lakmi, brenga
dëshmi kohe në defteret e ofiqarëve,
në testamente, letërkëmbime, thashetheme...

Pulsin e mlleftë për ty atdhe
Zhapinjtë na e mbajnë gjallë
gjithkund e askund,
këngë trimërie krrokasim për tokën e nemur.

Kur korbi i sfidon zogjtë asnjë mburojë
nuk e zëvendëson mungesën tënde atdhe.
Flaka të del për një pikë ujë
dhe vjen sorra e larme bishtkredhur
në pikë të natës në pragun e shtëpisë
glacon, e forcon lëngun e hudhrës.

Stina e ndryshon gëzofin, oi -
të shtrydhin si kërmill për së gjalli,
të balsamosin e vuajtjen ta tallin...
Postieri ta sekuestron letrën te dera -
të marrin ushtar për luftë me mullinj ere,
po vdiqe je tradhëtar
mashtrues nëse nuk vdes!

Qentë e lakejtë të marrin erë në kokë,
me thikë në fyt e me iriqin nën sqetull
u rrëfehesh kiropterëve.


KOPSHTI ME LULE I ENVER HOXHËS


Të parët u vunë telat gjemborë
pastaj qielli i shqyer me re të mllefosura
toka veshur me myshk e alga të kuqe
gjithandej britma cjapi e ferra gomari
kërmijtë me antena dhe prangat plot ndryshk,
muret për fletërrufeve e letrat anonime
gjithë sy e veshë më tutje lakuriqët vigjilentë
duke hedhur valle me qejf tmerrues
sipas preferimit të Lakenjve...

E kam parasysh mekjen e syve të jeshiltë
për një pikë tambël dhe një ve breshke;
domaten njëqindvjeçe në vitrinën pa xham,
kalbjen e duarve, rënien e dhëmbëve
politikanët injorantë dhe poetët maskarenj
duke brohoritur: - Shpirti i Arbrit rron!


MITROVICA 2013


Këndej vjen Ibri, andej shkon avullimi
Pranvera është këtu, në Urën e Lirisë!
Mund të zgjatësh duart e të prekësh lulet -
Kur të duash dhe si të duash...
Para dhe pasi t’i kesh larë sytë
Me ujët kristal nën urën e zinxhirit.

Sharkia është gjithnjë aty, diku, afër -
Me tinguj që shpërthejnë të mëndafshtë,
Te pisha apo prapa plepit të bardhë,
Nga Pika Zero në sheshin Adem Jashari,
Ku gjithçka fillon e nuk mbaron kurrë
Sepse bari dhe lulet janë tepër të buta
Për Urithët dhe zemrën e Bariut të Trishtuar.

Shqiptari i flet serbit nga ana e rrafshtë
E copës së xhamit të thyer
Me qiellin e mërrolur përmbi që në heshtje
Qesh e qan për flutura e mushkonja
Deri te buburreci i fshehur
Nën lëkurën e lisit plak në Zveçan

Sipas sistemit të zgjedhjes së miqve
Që nga koha e Konstandinit të Madh
Deri te Ibrahim Rugov’ ngadhënjimtari -
Në Nissus, n’Prizren, n’Shkup e n’Shkodër
Më e dashura është kënga e Shqiponjës
Mburojë krenare e tokës dhe e qiellit
Bashkë me trëndafilet e bardha plot dritë
Nëpër Dardani që janë mrekulli e pafund
Për zemrat e të gjithë kalimtarëve.



NË DREJTIM TË PRIZRENIT


Anës Drinit të Bardhë
djemtë e kohës së Gur Kalit
me doreza të zeza
vjelin manaferra
flokthinjur dorëzonja
loton në Betlehem…

Në fund të verës
kur iu zu fruma fikut
që piku dhe e mori i ligu e iku
nën Urën e Shenjtë
u ndryshk ajri

ikni minj, shkërpijn, ikni
fryma e shiut
po bymehet
në drejtim të Prizrenit...

(Prishtinë, 26 shtator 2008)


NË ZYM TË HASIT TË THATË

Në cdo ardhje të vjeshtës
kur ikin dallëndyshet
në zym të Hasit të Thatë
nën çatinë e një shtëpie të krrusun
Hëna ia djeg brirët Cjapit

Të balsamosura me erën e tokës
tunden këmborët
në emblemën e jetës së kufizuar
plot pjalm lulesh të egra
hasjanët e pastrojnë figurën e cjapit
nga thonjtë e rrenës së lashtë

Pasha bukën, kripën dhe sofrën
Hasjani kurrë nuk hoqi dorë
Nga dashuria për gjuhën e nënës.
(Zym, 14 tetor 2004)





SHTOJ’ZO’VALLET



DITËLINDJA


Në këtë mesnatë purpuri
pëlcit xham -
hapu dhe hapi udhë
dritës së hënës së eҫtueme
që të vdesë
në ajër të pastër.

Qerpikverdhë moj
ah – ty të shitoftë zana!
Si sytë tu të brishtë
askush s’di të më vajtojë.

(Fushë Kosovë, 21 janar 2003)




AKTI I ZBUKURIMIT TË MASKËS


Ndërmjet avullit dhe brymës
Refuzova agjërimin
për t’iu rikthyer magmës së ujit.

Mësuesi më tha:

Nëse e do algën nudo
për muajin e mjaltit
hyr nën dritën e tejdukshme
këpute Gjethin e rrushit
dhe përhap melekuqe
kudo që shfaqet krisja
nëpër xhamin e kristaltë ...

Kur të gufojë magma e ujit
Shfaqu me duar të pastra
sipri djepit tunde temjanin
dhe lutju Krijuesit:
Shtoj’Zo’Vallet!


KËPUTJA E PIKËLLUAR


Asgjë nuk do të ndodhë
pas ikjes tënde nga tryeza,
kot e ngacmon pezmin
me thirrje të akullta...

Ditët me diell në pasqyrën tënde
do të veniten,
Pëllumbeshë më s’do të jesh
as ilaçi i mirë
i mëkimit të plagëve të afshta.

Sa më larg që ik aq më e madhe
të shumëzohet zbrazëtira
dhe të ikën kallja
e duarve të mëndafshta
që kurrë më si dikur
s’të përthekojnë...

As zjarr të pastër dashurie
kurrë më nuk do të gjesh
këputja ime e pikëlluar.





GRUAJA E PABESË E GARSIA LORKËS


Se ç’më ngashënjeu cigani
Pranë manaferrave
Kur e pash me Gruan e pabesë
Nën dritën e hënës...
Ah, thashë, o cigan i dreqit
Do t’vdes o do ta marr!

Më zuri i fortë meraku
T’ia merrja
Atë vajzë, Grua të pabesë.
E të ikja njëqind vjet larg
Përtej manaferrave
I vetëm, fill i vetëm
Si një zog i egër mali
Të flija
Mes gjinjve të saj të guftë
Me derdhje tingujsh mëndafshi
Afsh nxitës të hazdisjes kryeneçe
Që të mos kisha frikë
As kur Lorka të vinte
Me hanxharin e mprehtë në dorë
Që kokat të na i priste...

Punë e madhe,
Të flija ëmbël -
Isha pajtuar me vdekjen,
Që nuk mund të ishte
Më e rëndësishme se kjo grua
Portokalle e hapur.
Në sytë e saj të kthjelltë
Më turbullohej shpirti
Tek bëhesha gati
Ta shprushja lëngun e zjarrtë
Në atë trup
Rrëshqitës si ujë i valuar
Që m’ikte nëpër duar...


E BUKURA MORE


Me Pjalmin all` të zemrës
Të mbushur gotën e vetmisë
Për buzën tënde të kallur
Yllka ime po e ngris…

Në pritje qe njëmijë vjet
Në kërkim i pikëlluar...
Ti paske qenë brenda meje,
E ëmbla mollë e ndaluar!

Kur të takova, ah, puthja -
Se ç’mu pikas gjithë zjarr,
Harrova stinën e vjeshtës
Më dogji agloshi djaloshar.

M‘u shfaqe si vegim drite -
Dhuratë nga fryma hyjnore,
Sa rrept më bëri syrgjyn
Buzëqeshja jote engjëllore.

U kall në syt e mi heshtja,
U hap e parajsës aleja...
Yllka – o, vegim vërbues
Shpërthe si rrufe – eja!

Kush - kujt ia zbut etjen
Nuk ka aspak rëndësi;
Nëse s‘na mjafton zjarri
Na tepron dhembja gjithsesi.




PO TË PRES ME ARDHË


... po të pres Suvala
dhe ti patjetër ke me ardhur
e beftë fare
midis tokës e qiellit
me i dalë zot
ajrit të kafshuar.

...mos e fik dritën e qiriut
dua të të shoh të plotë
e me të thënësinqerisht
se kurrë nuk kam dëshiruar
një grua tjetër
më shumë se ty, Suvala.



FQIU IM


Për çdo mbrëmje fqiu im
del në dritare
e shikon hënën me përmallim
dhe ah...,
e fërshëllen nëpër dhëmbë
fort të dhembshme
një melodi.
që flet për gjithçka
- për asgjë njëkohësisht!




DASMA E DORUNTINËS


Konstandinmosiudorëzo
Përbuzjessëajrit…

Pasitëperëndojëdielli
zhvillohetfreskiamagjike
e përpjekjeskrijuese.

Shqyhetdefidhekëputetpulla
shpërthekohetdrita
anembanëgufojnëtrajtat e bukura
smiradhelakmia
nëpërpajëntëndeerëdheu
Doruntinë!



TESTAMENTI

E para dhe e fundit
Është fjala

Lermëni të digjem
Në hirin e saj.


UDHA ME DIELL MATANË XHAMIT



KUSH NA KA HELMUAR

Tek burimet e dritës është rruga
Kah e bukura dhe e mira
Që aq shumë i dëshirojmë të gjithë
Por i trajtojmë mizorisht...,
Tëlidhura i mbajtur me zingjir
Dhe i rjepim përditë
Me thikë të ndryshkur
Nga smira ndajt nazarit*1) të supozuar
Brenda egos që vrerin na e shprushë!

E kujt
Kjo ҫarje në trup e gjamë në zemër
Që Dijen të turbulluar dhe Virtytin
Fshehur na i mbanë si muzdrak në thes
Në pritje për hakmarrje të mlleftë
N’udhën e tamblit e të gjakut
Ndaj vëllat - më keq se ndaj shkaut.
Pse?!

*1) nazari nga afganistanishtja = syri i keq



MPLAKJA E STINËS

Flutura të zeza, e dielli matanë xhamit
i mërzitur varet nëpër degë lisi
shpirtit të mbushur me rrudha sarih
me thinjat që i derdhen sipri
trupit në rrëshqitje që psherëtinë
me ligështinë e vjeshtës
të hidhur në rënie, se pastaj përsëri
vjen tjetri që e përtërinë fjalën
fluturën e bardhë e thirr edhe diellin
matanë xhamit plot dritë, ah dora ime
nuk e arrin – e shtjerr edhe klithja
ëndrrat i shpalon pleqërisht
ëndrrat i mashtron pleqërisht



VJERSHAT E MIA

Kur më ngacmon era e lulepjeshkës
shpejt dhe lehtë i nxjerri në letër afshet e mia
por pastaj më zë sikleti i përpunimit të vështirë
që niset e nuk përfundon kurrë,
edhe kur për to thuhen fjalët më të mira
bëhem memec, ngurroj të flas
sepse në thellësi të mendjes me solfegjo
një trokitje gjethi shpirtit m’i thotë: mos u gëzo!

E di! Vargjet janë fjalë dhe fjalët i merr era
peshën nëse ua ndryshojmë sa herë troket dera,
lavdia tretet dhe njolla e turpit mbetet
si hirra që në havan e rrahur pafund
nxjerr ca droçka resh të turbullta kimera 1.*)
nëpër qiell që fluturojnë gjithandej dhe askund!

1. Figurë mitologjike



FJALA E SHKRUAR ME FLAKË LEGJENDASH

(Prizrenit)

Në e paç shijuar njëherë, kurrë s'mund ta lësh
Gjithmonë të del përpara -
I derdhur si portret vashe
ëmbël apo hidhur s'ka rëndësi
Udhëton me ty dhe të ngazëllen zemër e mendje.

Prizreni i ka ëndrrat me peshë guri
Emrin të shkruar me flakë legjendash,
Ka duar të ngrohta mëme që kultivojnë lule
Sy skifteri ka në kundërshtim të rrufeve.
Nga ofshama e ujit të valuar
Ka dalë dhe i ka dhënë jetë degës së pikëlluar.
Ta djegësh - mundohesh kot
Në zjarr lëshon rrënjë edhe më të fortë!

Prizreni është djep që përkund dora e Rozafës
Nënë e dritës, e ujit dhe e zogjve,
Ninullat i ka plot me vargje dashurie
Me vringëllima, krisma, buçitje
Varg mejdanesh me ndeshje t' ashpra trimash.
Në e paç shijuar vetëm njëherë Zemrën do ta kesh
përgjithmonë të njomë
Për shekujt që kanë kaluar e që do të vijnë
Nuk ka rëndësi - një ditë nëse nuk jemi unë as ti
Prizreni është frymë e shenjtë
Që kurrë nuk plaket - të vdesë assesi!

("Rilindja", 11 nëntor 1989)



VJESHTA 1998

...i shqyer qielli
retë të shqyera
dhe shpirti....

...korbi
kafshon diellin
dhe ëndrrën...

...gjak kullon qëndresa
edhe shpresa
por nuk dorëzohen...

...liria s’ka ҫare
pa ardh!

(Tiranë, 13 prill 1998)



GOJËDHËNA PËR DARDANINË



Nga Karpatet erdhi qoftëlargu
i hëngri të gjitha n’Ulpianë
Mbeti vetëm ikona e t’shenjtit e përlotur
Dhe Gjeli me drapër në qafë
As në tokë as në qiell…

Niketë Dardani i ra borizanit
Dhe me temjanin e ...
Këmbëzbathur e ndoqi
Hijen e Gjarprit nëpër male.

Te Lkeni i Zanave në Has
Shtojzovalleve u tha:
- Do të kthehem prapë
Dhe do ta kallim një zjarr të madh
në Nissus -
që Sorrat e Larme
Kurrë më, kurrë
T’mos mund ta çokasin
Mollën e Kuqe.


UDHA PA FUND
Prej nga ky mallkim kaq i mlleftë
Kafshim rriqne i shpresës
në thellësi të shpirtit që helmon dritën
dhe hënën në qiellin përlotur
plot ankthe e klithma
me derdhje dënesjesh pa fund…
Prapë vaji i qyqes mbi pullaze
dhe sorrat e larme nëpër oborre
prapë glasojnë ëndrrën e mërzitur
ndër lotët e përgjakur të etërve për bijtë
me duar t’ akullta që shtrojnë sofrat
dhe me duda helmin e vetmisë kafshojnë.
O zogj të hutuar me flatra të prera
erën e qiellit të huaj që lakmoni
përtej malesh kur të shkoni
pak Dhe’ dardan merreni me vete
që Shpirtin tuaj të mbetur pezull
anëve të botës ta ngushëlloni...








Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...