Nga Kastriot Myftaraj
Pse “Murat Basha” është pseudonim?
Replika e Murat Bashës, me titull “Kush irritohet nga Mbreti Zog dhe Mbreti Leka…” botuar tek “TemA”, si reagim ndaj shkrimit tim “Leka Zogu karikatura e Simeonit II: forca e tretë si kolonë e pestë”, tregon qartë se zogistëve u ka hyrë paniku nga zbulimi i disa të vërtetave historike dhe bashkëkohore, mjaft të hidhura për ta.
Autori i replikës, Murat Basha, nënkryetar i PLL dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, polemizon duke përdorur një tezë-boomerang për të. Kështu, derisa z. Basha thotë se është duke replikuar me shkrimin e Kastriot Myftarajt, ai në vazhdim u referohet “autorëve”, në shumës, duke aluduar kështu se unë, Kastriot Myftaraj, nuk jam autori i shkrimit, por thjesht nënshkruesi i tij dhe se shkrimi është bërë nga një grup autorësh.
Në fakt, do të ishte interesante të investigohet se pas cilit prej ne të dyve, pra Kastriot Myftarajt dhe Murat Bashës, mund të qendrojë një grup autorësh. Kriteri për ta përcaktuar këtë është natyrisht se çfarë kemi botuar unë dhe Basha para këtyre shkrimeve.
Unë jam autor i tre librave dhe i mbi 200 artikujve analitikë që shkojnë nga dy deri në katër faqe gazete dhe që janë botuar në shtypin shqiptar dhe të huaj në Republikën e Shqipërisë, Kosovë, Zvicër, SHBA, Itali gjatë shumë viteve. Ndërsa Murat Basha nuk ka shkuar asnjë libër, asnjë artikull analitik. I vetmi rast kur mund të kujtoj një shkrim të botuar të Murat Bashës është një artikull prej 20 rreshtash i botuar tek “Shekulli” në 2001, pas zgjedhjeve parlamentare të manipuluara, shkrim ky ku Basha i kërkonte PLL, ku qe dhe është nënkryetar, që të hynte në parlament edhe sikur aleatja kryesore, PD mos të hynte. Pra, midis meje dhe Murat Bashës mundësia më e madhe që pas shkrimeve tona të qendrojë një grup autorësh është për Murat Bashën dhe ky e din shumë mirë se përse e kam fjalën. Një njeri që nuk ka shkruar asgjë në jetën e vet nuk mund të dalë befas si autor i një replike prej katër faqesh gazete, me një artikull si ai imi, që paraqet të dhëna që kanë ardhur nga procesi i investigimit në histori dhe politikën bashkëkohore, siç ka ndodhur me rastin e Murat Bashës që replikon me mua.
“Murat Basha” si pseudonim i Abdi Baletës
Murat Basha është vetëm nënshkrues i replikës dhe autori i vërtetë i saj nuk është e vështirë që të zbulohet. Tezat që ka paraqitur Basha në replikë dhe stili i shkrimit të tij janë të z. Abdi Baleta, i cili është ideologu-hije i LZHK. Dhe këtë gjë unë mund ta them më me kompetencë se cilido tjetër pasi jam studiuesi më kompetent i tezave dhe stilit të Baletës.
Por, që të sqarohet më mirë se kush prej ne të dyve, Kastriot Myftarajt dhe Murat Bashës, është pseudonims e mira do të qe që unë dhe Murat Basha të dalim në një debat publik në ndonjë nga televizionet që u kanë dhënë shumë akces njerëzve të LZHK-s. Atje, drejtpërdrejt, publiku do ta mësojë mirë se ç’ ka në kokë Basha dhe ç’ kam unë. Atje Basha nuk do të ketë asistencën e Abdi Baletës, ndonëse po të duan mund të vijnë të dy se unë nuk kam frikë të përballem me të dy.
Ftesën për një debat televiziv ia drejtoj Murat Bashës, duke u nisur dhe nga një episod, që ka ndodhur në qershor të këtij viti, kur Basha u gjend në një debat në TVA, ku qe i ftuar dhe Maksim Begeja, atëhere nënkryetar i Partisë Republikane, sot kryetar i grupit parlamentar të LZHK. Në një moment, Begeja tha frazën “Të gjitha partitë shqiptare, nga ekstremi i majtë tek ekstremi i djathtë”.
Në këtë pikë ndërhyu Murat Basha, duke e pyetur z. Begeja se cilat janë këto parti të ekstremit të djathtë në Shqipëri. Begeja, në mënyrë provokative, u shpreh: “Po ja, p.sh. Partia “Lëvizja e Legalitetit”. Murat Basha nuk qe në gjendje t’ i jepte një përgjigje adekuate këtij njeriu dhe ky episod u mbyll me kaq dhe debate vazhdoi për çështje të tjera. Duke konsideruar këtë episode, duket e pabesueshme që Basha të jetë i aftë të replikojë. Prandaj do të qe efektiv dhe instruktiv një debat televiziv mes net ë dyve.
Fakti që Murat Basha i ka lejuar vetes të bëjë ironi me mua, duke më quajtur pseudonim të një grupi autorësh, si dhe duke përdorur fyerje vulgare si “truderr”, “hajvan”, “logjikë bagëtish”, “baret si bagëti anash Lanës”, “kova m…”, “kërcim majmunësh”, më jep të drejtën që t’ i përgjigjem në të njëjtën monedhë. Tezat që sjell “Murat Basha” në replikën e vet më kujtojnë atë këngën:
“Byrek, byrek, o usta Murat,
Katër copë bëjnë dy lekë, o usta Murat!”
Tezat e “Murat Bashës” janë “byrekë” të lire nga ato që gjyshi i Murat Bashës, i cili quhej dhe ai Murat Basha, shiste atje pranë Urës së Tabakëve në fillim të viteve ’20, kur erdhi nga Burgajeti pa asnjë mjet jetese, si ish-zaptije i papunë i Turqisë, para se Zogu ta bënte oficer dhe oborrtar dhe ta fuste në kopenë e majmunëve të oborrit përkrah mostrave si Osman Gazepi.
E vërteta e Partisë Popullore
Replikën e vet “Murat Basha” e fillon me këtë tezë: “Spekullimi i parë i këtij shkrimi nis me servirjen e përfundimit se Partia Popullore e themeluar në vitet ’20 të shekullit të shekullit të kaluar kishte “orientim Bolshevik”, pa e mbështetur atë me argumentat programore dhe fakte”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Që Partia Popullore pati një orientim bolshevik kjo provohet lehtë. Mjaft të tregohet se kush qe kryetari i kësaj partie, për ta vërtetuar këtë. Kryetar i kësaj partie qe Fan Noli. Sejfi Vllamasi, një prej krerëve të kësaj partie, në kujtimet e veta shkruan: “28 deputetë u bashkuan dhe nën kryesinë e Fan Nolit formuan Partinë Popullore. Kjo parti përfshinte të gjithë deputetët anëtarë të Organizatës “Krahu Kombëtar”. (Sejfi Vllamasi: “Ballafaqimet politike në Shqipëri”, “Neraida”, Tiranë 2000, f. 253.)
Fan Noli ka qenë inicuesi dhe ideologu i parë i komunizmit shqiptar. Ai ka qenë njeriu i Kominternit. Në rast se zogistët e mohojnë këtë gjë ata bëhen qesharakë. Një tjetër provë për të treguar se kjo parti qe prokomuniste është fakti se në rradhët e saj bënte pjesë edhe Avni Rustemi, leninisti i deklaruar që,në 1924, parlamentit shqiptar që të mbante 5 minuta zi për Leninin, gjë që e bënë të gjithë ata parlamentarë që në 1921 qenë anëtarë të Partisë Popullore.
Më poshtë, “Murat Basha”, shkruan: “Që këtej, autorët vijojnë me spekullimin tjetër, sipas të cilit meqënëse Ahmet Zogu asokohe aderoi në këtë parti, atëhere duhet të pranohet edhe konkluzioni pasues se ai “hyri në politikën shqiptare në rradhët e së majtës” dhe më pas pranoi të përdorej nga krerët e majtë të kësaj partie “për të përçarë të djathtën (!?). (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Që Ahmet Zogu hyri në politikën shqiptare, në rradhët e një partie të majtë, kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe zogistët bëhen qesharakë, duke e mohuar. Që krerët e kësaj partie e donin Ahmet Zogun për të përçarë të djathtën, edhe kjo është një gjë lehtësisht e provueshme. Partia Popullore qe instrumenti politik zyrtar i organizatës famëkeqe të llojit masonik, që njihej me emrin “Krahu Kombëtar” dhe që mori epitetin “Klika”. Vllamasi shkruan: “Partia Popullore ka qenë grupi parlamentar i “Krahut Kombëtar”. (Vllamasi: f. 337.) Kjo qe një parti e majtë, me frymë komuniste. Kryetari i saj qe Fan Noli.
Zogu hyri në politikën shqiptare si anëtar i Klikës, e cila qe krijuar në vitin 1914 me synimin për të sunduar Shqipërinë. Sejfi Vllamasi, një prej krerëve të Klikës, shkruan:
“Zogu qysh në 1917 ka qenë në bashkëpunim me organizatën “Krahu kombëtar”. (Vllamasi, f. 173.)
Me sa duket kontaktin e Zogut me Klikën e ka bërë Faik Konica, i cili në 1917 qe së bashku me Zogun në Vienë. Sipas atyre që thotë Vllamasi, Klika bëri një mbledhje në Romë, në 5 maj 1919 ku vendosën të kthehen në Shqipëri për të marrë pushtetin. Zogu kishte ardhur në Romë nga Viena dhe u kthye në Shqipëri në tetor 1919, duke kaluar nëpërmjet Serbisë, që e lejoi të hyjë në atdhe nga Dibra. Zogu shkoi në Mat ku mblodhi një grup ndjekësish të armatosur me të cilët u nis për në Lushnjë ku do të mbahej kongresi.
Ahmet Zogu- kasapi i Klikës
Klika i dha 24 vjeçarit Ahmed Zogu postin e ministrit të brendshëm në qeverinë e krijuar në Lushnjë. Vllamasi e shpjegon këtë gjë, duke thënë se Klika (ajo përbëhej kryesisht nga jugorë) kishte shënuar katër persona mes krerëve nga viset sipër Lumit Shkumbin, Abdi bej Toptanin, Bajram Currin, Aqif pashë Biçakçiun dhe Ahmed Zogun, si njerëzit midis të cilëve duhet të zgjidhte atë karrierën politike të së cilit do ta lançonte fuqishëm. Zogu u përkrah sepse:
“Midis këtyre katër personave të Shqipërisë mbi Shkumbinin, mbasi në Shqipërinë e nën Shkumbinit fuqia personale nuk loste një rol me rëndësi, organizata “Krahu Kombëtar” përkrahu Zogun, sepse ai ka qenë i krijuar për atë situatë”. (f. 201.)
Derisa e Partia Popullore, pra e majta, e kishte bazën kryesore në jug të Shkumbinit, çka Vllamasi e nënkupton, duke aluduar se ata, njerëzit me origjinë nga zona në jug të Shkumbinit, po kërkonin të zgjidhnin një njeri nga zona në veri të Shkumbinit, atëhere kuptohet se, e djathta, duhej ta kishte bazën kryesore në veri të Shkumbinit. Por, Klika donte ta përçante kundërshtarin politik në bazën e vet, ndaj zgjodhi një njeri pikërisht nga baza e tij, zgjodhi Ahmet Zogun.
Zogu qe njeriu të cilin Klika e gjykoi si “i krijuar për atë situatë” dhe, duke konsideruar se kriteri i Klikës qe aftësia për intriga të paskrupullta dhe krime politike, zogistët nuk kanë pse krenohen që për këtë rol u zgjodh Zogu. Zogu, njeriu i intrigave dhe komploteve, i duhej Klikës, e cila mendonte ta përdorte si “hanxhar” për të nënshtruar Shqipërinë dhe pastaj ta flakte tutje.
Dhe kështu e përdori “Klika” Ahmet Zogun, duke filluar që në rastin e rrëzimit të qeverisë së Hasan Prishtinës, në dhjetor 19921. Hasan Prishtina, në deklaratën e dorëheqjes e denoncoi Klikën, duke u shprehur:
“Kabinetin u mundova me e krijuar në mënyrë që të pëlqehej si prej shkëlqesisë suaj ashtu dhe prej gjithë popullit, tuj zanë rrugën shumë ankimeve që kanë pasë shkaktue deri më sot një ftohtësi të madhe ndërmjet krahinave të ndryshme të atdheut dhe sidomos ndërmjet Jugës dhe Veriut. Por një fuqi misterioze e cila me mjetet ma të ndryshme që ka përdor gjithmonë për me mbajtur fuqinë qeveritare në dorë e për me bamun shtetin Shqiptar vegël interesash personale edhe këtë here me propagandat ma të turpshme e rrënimqare helmoj oficera e ushtar, mësues e nëpunës, tue bamun me lane detyrën e shenjtë që ju ka ngarkum shteti mbi krye”. (“Hasan Prishtina”-dokumente: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, “8 nëntori”, Tirane 1983, f. 120-121.)
N’ 29 janar 1922, Hasan Prishtina u shpreh në një promemorje:
“Të sigurohet mbretërimi i ligjës më çdo anë të atdheut e t’ i jepet fund njëherë e përgjithmonë influencave personale e të klikave, që kërkojnë me bamë Shtetin vegël për ambicie e interesa të veçanta. (Hasan Prishtina: f. 129-130.)
“Zogu” qe kasapi i Klikës. Në stilin e Zogut qenë vrasjet pas shpine. Në 1922, kur qe ministër i brendshëm, ai pushkatoi deputetin Ramiz Daci, heroi dibran të luftrave kundër serbëve. Zogu vrau pas shpine Adem Gjinishin dhe vari toger Bajram Xhanin. Këtë stil Zogu do ta përdorte edhe më vonë, kur u prish me Klikën. Ai vrau pabesisht Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Zija Dibrën, Luigj Gurakuqin. Në dhjetor 1924, kur beteja në Dibër kishte mbaruar, Zogu, që kishte hyrë me forcat e veta nga Jugosllavia, në mënyrë krejt të panevojshme dhe vetëm për hakmarrje ai vrau prijësin legjendar të luftrave antiserbe të dibranëve, Elez Jusufin, së bashku me Suf Xhelilin.
Edhe në rastin e Avni Rustemit Zogu u soll si cub dhe jo si shtetar. Pasi e kapi atentatorin e vënë nga Avni Rustemi, Beqir Valterin dhe e bëri të pohonte urdhërdhënësin, Zogu, në vend që të organizonte një gjyq shembullor ku ta dënonte Avni Rustemin si terrorist politik, zgjodhi mënyrën e cubit, duke e vrarë atë pas shpine dhe duke delegjitimuar në një farë mënyre pushtetin e dalë nga zgjedhjet, çka e inkurajoi opozitën filokomuniste që të ndërmerrte një rebelim të armatosur për të rrëzuar pushtetin, në maj-qershor 1924.
Kur e detyruan të japë dorëheqjen në mars 1924, Zogu u bë si i çmendur dhe organizoi vrasjen e dy amerikanëve në Mamurras, në 6 prill 1924, për t’ i treguar opinionit ndërkombëtar se në rast se nuk qe ai në pushtet si “dorë e fortë”, vendi do të zhytej në anarki. Kjo vrasje i hapi shumë probleme Zogut sepse hetimet nxorrën qartë implikimin e tij. Kur Zogu u rikthye në pushtet, ai e burgosi hetuesin e çështjes Ali Tabaku, i cili vdiq i helmuar në burg.
Italianët kishin një dosje të plotë për implikimin e Zogut në këtë krim dhe për t’ i bërë një shantazh permanent Zogut, ata e punësuan shoferin e që kishte qenë ditën e vrasjes në timonin e makinës me të cilën udhëtonte çifti amerikan, si shofer të legatës italiane në Tiranë. Kështu, ata kishin në dorë një dëshmitar të çmuar okular.
Studiuesi amerikan Bernd J. Fischer shkruan kështu për Zogun:
“Avancimi i tij në pushtet ishte i mbushur me vrasje, të cilat duke qenë se ishin më tepër të karakterit politik sesa personal, nuk i nënshtroheshin Kodit të Besës. Gjakmarrjet e filluara kësisoj nuk mund të shuheshin prej kurrfarë ndërmjetësimi. Vlerësohet se deri në vitin 1928, Zogu kishte mbi vete rreth 600 gjakmarrje të tilla, dhe disa prej tyre me disa familje të rëndësishme”. (Bernd J. Fischer”, “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri”, “Çabej”, Tiranë 1996, f. 133.)
Pse u largua Zogu nga Partia Popullore?
Më poshtë, “Murat Basha”, shkruan: “Burimet e njohura historike e vërtetojnë se shkaku i largimit të Zogut nga Partia Popullore është braktisja e angazhimeve programore nga krerët e kësaj partie që, me kohë, pasi u shuguruan në Moskë, adaptuan praktika të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
“Usta Murati” ka detyrimin t’ i citojë këto që ai i quan si “burime të njohura historike” që zbulojnë shkakun e largimit të Zogut nga Partia Popullore, veç atij shkaku që kam paraqitur unë. Ku janë këto dokumente? Unë mund t’ i ofroj “Murat Bashës” një alibi për mosparaqitjen e këtyre dokumenteve, duke thënë se ato kanë ekzistuar, por usta Murati i këngës i ka përdorur për të mbështjellë byreqet që u shiste klientëve.
Zogu nuk u largua nga Partia Popullore për çështje programore, pra parimore, por thjesht për faktin se, pasi kjo parti e bëri Zogun kryeministër në dhjetor 1922, ky e ndjeu veten aq të fuqishëm sa mos t’ ia kishte më nevojën kësaj partie dhe e flaku tej si limon të shtrydhur.
“Murat Basha” bën një spekulim, duke thënë se pasi Zogu u largua nga Partia Popullore, krerët e kësaj partie u lidhën me Moskën (“u shuguruan në Moskë”) dhe adoptuan metodat e dhunshme për marrjen e pushtetit. Fan Noli shkoi për herë të parë në Moskë në vitin 1927, kur e pati bërë tashmë revolucionin leninist të qershorit 1924, pas të cilit e lidhi Shqipërinë me Bashkimin Sovjetik.
Lidhjet e Nolit me komunizmin ndërkombëtar sigurisht që nuk filluan në qershor 1924, por logjikisht ato kanë filluar më herët. Noli me siguri që ka krijuar lidhje me qarqet komuniste që kur qe emigrant në SHBA, ku shkoi në 1906. Ai vetë thotë se në SHBA ka pasur lidhje me emigracionin rus. Dihet se tek emigracioni rus në SHBA kishte një rrymë të fuqishme bolshevike. Nga SHBA do të vinte në Rusi Trocki, njeriu i dytë pas Leninit në Revolucionin e Tetorit. Sa për praktikat e dhunshme për arritjen e qëllimeve politike, njerëzit e Klikës dhe Partisë Popullore nuk filluan t’ i përdorin në 1924, por që në 1919-1920, kur përdorën atentatet politike për të rrëzuar qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit, që nuk qe më pak legjitim se Kongresi i Lushnjës, për të vazhduar me vrasjen e Esad Toptanit, shtypjen e dhunshme të Mirditës në 1920-1921, që i detyroi krerët e Mirditës të pranojnë ndihmën serbe për të shpëtuar nga dhuna e Klikës në pushtet, rrëzimi i qeverisë së Hasan Prishtinës dhe represioni që e pasoi atë, që solli si reagim kryengritjen e marsit 1922 të Elez Isufit dhe Bajram Currit, pas shtypjes të së cilës u ngrit një valë e re terrori. Të gjitha këto Klika i kryente me anë të “hanxharit” të vet, ministrit të brendshëm, Ahmet bej Zogolli (në këtë kohë ai nuk quhej ende “Zogu”).
“Murat Basha” shkruan:
“Eksponenti më tipik i bartjes së pikëpamjeve terroristo-anarkiste ishte Avni Rustemi, i cili kudo fliste dhe bënte plane për eleminime fizike të kundërshtarëve”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Eh, por Ahmet Zogu dhe Avni Rustemi, për disa vite qenë shokë të një krahu politik dhe të një partie dhe një pjesë të madhe të këtyre eleminimeve fizike të kundërshtarëve politikë i kanë ideuar dhe realizuar në bashkëpunim, të dy.
Më poshtë, “Murat Basha” thotë: “Gjithashtu, prova më e mirë e praktikave dhe frymës totalitariste të tipit anarko-marksist e komunist të Rustemit me shokë ishin ngjarjet që i prinë atentatit kundër kryeministrit Zog në parlament dhe ato që pasuan “Revolucionin” e Qershorit”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Këtu, së pari, “Murat Basha” bie në kundërshtim me vetveten, pasi ai, më lart, për të shfajsuar Ahmet Zogun, ka thënë se krerët e Partisë Popullore u bënë komunistë pasi “u shuguruan në Moskë”. Siç kam thënë, ata shkuan në Moskë, pas Revolucionit të Qershorit, që “Murat Basha” nuk duhet ta shkruajë në thonjëza, sepse ai e përmbysi qeverinë. Por, del se, sipas vetë zogistit “Murat Basha” këta njerëz qenë bërë marksistë që para Revolucionit të Qershorit, se atentati kundër Zogut në parlament u bë në shkurt 1924.
Konferenca e Pezës, turpi i Ahmet Zogut dhe Abaz Kupit
Më tutje, “Murat Basha” kundërshton tezat e mia për pjesmarrjen e zogistëve në Konferencën e Pezës në vitin 1942, duke më akuzuar mua (sipas “Murat Bashës” autorët) se kam: “ anashkaluar qëllimisht faktin se Konferencën e Pezës e organizuan dhe e drejtuan zogistët dhe nacionalistët e tjerë, ndërsa komunistët thjesht u pranuan si aleatë në luftën kundër fashizmit pushtues”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
O “usta Murat”, këtë “byrek” që keni gatuar këtë herë nuk ta hanë as qentë. Se çfarë qe Konferenca e Pezës këtë gjë e ka thënë shumë qartë Enver Hoxha në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH, në Berat, në nëntor 1944. Ja sesi është shprehur Enver Hoxha:
“Do të flas si u paraqit para meje Konferenca e Pezës. Edhe kjo është karakteristike e punës së Aliut. Unë isha në Tiranë. Ai ishte në Pezë. Nuk kishim folur më përpara. Mora një letër, një pusullë ku më thoshte që të lajmëroja filanin e filanin se do të bënim konferencë. Kur shkova në Pezë qenë përgatitur referatet dhe i gjeta këta shokë që po grindeshin, po haheshin për një çështje me rëndësi që s’ e mbaj mend: ta vemë këtë apo mos ta vemë”. (cituar sipas: “Politika antikombëtare e Enver Hoxhës- Plenumi II i Beratit”, Botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, tiranë 1995, f. 153.)
Ky “Aliu” o “Murat” qe pseudonim, ashtu si ti. “Aliu” (“Ali Gostivari”) qe pseudonimi i Miladin Popoviqit (1910-1945), ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste Jugosllave për Kosovën dhe Metohinë (Rrafshin e Dukagjinit), ashtu si ti student i përjetshëm i fakultetit juridik; “Aliu” i atij të Zagrebit.
Siç dihet, Miladin Popoviqi qe kryetari faktik i PKSH, çka e ka pohuar dhe Enver Hoxha, me gojën e vet. Miladin Popoviqi e organizoi Konferencën e Pezës sipas manualit të Kominternit, të përpunuar në Moskë dhe që duhej zbatuar nga të gjitha partitë komuniste për të marrë pushtetin. Në Konferencën e Pezës u hodhën bazat e pushtetit dictatorial komunist. Zogistët me Abaz Kupin në krye, që shkuan në Konferencën e Pezës, morën mbi vete turpin historik që u bënë vegla të Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës, të shkjaut të vogël (serbit), që zbatonte udhëzimet e shkjaut të madh (rusit). Se kush e organizoi e përse e organizoi Konferencën e Pezës, kjo është një e vërtetë historike e dokumentuar, çka unë e citova më lart. Tash le të nxjerrë “usta Murati” ndonjë letër byreqesh me yndyrë baletiane për të kundërshtuar dokumentin historik që kam paraqitur unë.
Me sa duket kjo analiza time për vajtjen e Abaz Kupit në emër të Ahmet Zogut në Konferencën e Pezës i ka alarmuar shumë zogistët se “Murat Basha” ndalet gjatë tek ajo. Ai shkruan:
“Po si ia punuan dhe çfarë poshtërimi i bënë Miladini dhe Enveri Ahmet Zogut në Pezë, kur dihet nga të gjithë se Kupi e përzuri si qen Popoviçin, duke e lënë të hungërijë e ulërijë, (pas derës së sallës së Konferencës), me sharje të ndyra në serbisht në adresë të Kupit dhe të këlyshëve komunistë që e pranuan kushtin e Kupit “…se këtu nuk kanë punë serbët, përveç shqiptarëve, ndryshe largohem nga Konferenca”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Që Ahmet Zogu mori turpin mbi vete duke pranuar të çojë përfaqësuesit e vet në një konferencë të mbajtur sipas skemave të Kominternit kjo është e pamohueshme. Natyrisht që Abaz Kupi, sidomos gjatë viteve të emigracionit ka folur e shkruar shumë, ose më saktë ka vënë të tjerët të shkruajnë për të se ai qe analfabet, për t’ u shfajsuar për turpin e Pezës. Kupi më pas ka treguar përralla sikur ai e nxorri jashtë Popoviqin, por kjo edhe sikur të ketë ndodhur, nuk ia zbardh faqen Zogut e Kupit. Kjo pasi nuk kishte rëndësi nëse Popoviqi qe brenda apo jashtë sallës, kur brenda qenë komunistët shqiptarë, të cilët qenë ushtarë të Miladin Popoviqit. Ç’ rëndësi kishte nëse komandanti qe apo jo në sallë kur atje qenë ushtarët që do të zbatonin me besnikëri porositë e tij. Në rast se Zogu dhe Kupi do të qenë vërtet nacionalistë shqiptare të ndershëm, ishte dashur që ata mos të pranonin që të uleshin më një tryezë as me veglat e Miladin Popoviqit, që ishin komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye.
Ahmet Zogu dhe Abaz Kupi bënë lojën e Miladin Popoviqit dhe Enver Hoxhës
Gjithmonë duke dashur të shfajsojë Ahmet Zogun dhe Abaz Kupin nga turpi i pjesëmarrjes në Konferencën e Pezës, “Murat Basha” shkruan:
“Asokohe, Hoxha dhe Miladini jo vetëm që nuk ia hodhën askujt, por nuk përfituan asgjë politikisht (gjithmonë në raport me synimet e tyre të mbrapshta). Dhe kjo sepse kuintesenca e Rezolutës së miratuar nga Konferenca ishte “bashkimi i të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine e ideje në luftën Antifashiste Nac-Çl, deri në çlirimin përfundimtar të vendit nga okupatori fashist”. Çfarë përfitimi mund të nxirrnin Hoxha e Miladini nga lufta…, përveçse plumbat kokës, nëse nuk e ruanin atë?! Atëkohë, ata as që e mendonin se, ndonjë ditë, do ta merrnin e gëzonin, të vetëm, pushtetin”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Që komunistët shqiptarë qenë të vetmit nga pjesëmarrësit e Konferencës që përfituan prej saj, kjo është krejt e qartë. Ata ndiqnin si bluenprint modelin leninist të ndërtimit të pushtetit sovjetik të filluar që para Revolucionit të Tetorit. Konferenca e Pezës qe versioni shqiptar i Kongresit të Përfaqësuesve Punëtorë, Fshatarë dhe Ushtarë. Ashtu siç ky Kongres prodhoi sovjetët, konferenca prodhoi këshillat. Në Konferencën e Pezës komunistët, sipas modelit leninist të vitit 1917, krijuan instrumentin me të cilin ndërtuan pushtetin e tyre. Ky instrument quhej “Këshilli i Përgjithshëm Provizor Nacional-çlirimtar” dhe komunistët e përdorën atë praktikisht si një institucion ligjbërës për të ndërtuar strukturat e pushtetit. Në KPNÇ komunistët ruajtën gjithmonë shumicën. Në fillim ai përbëhej prej shtatë vetësh, nga të cilët katër qenë komunistë (Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi dhe Myslim Peza), ndërsa tre të tjerët qenë “nacionalistë”. Dominimi i komunistëve rritej për shkak se një prej “nacionalistëve”, Kamber Qafmolla, i cili u zgjodh në mungesë, nuk mori kurrë pjesë në mbledhje. Por, as Ndoc Çoba nuk mori kurrë më pjesë për shkak të moshës dhe shëndetit. Kështu që raporti në Këshill qe praktikisht 5-1 në favor të komunistëve.
Që të kuptohet rëndësia që pati për ardhjen e komunistëve në pushtet ky instrument mjafton të jepet si epigram se si e ndërtoi ai pushtetin komunist. Për herë të dytë pas Pezës Këshilli i Përgjithshëm u mblodh në korrik 1943, në Labinot, ku krijoi Shtabin e Përgjithshëm dhe mori vendimin për thirrjen e Konferencës II Nac-Çl që u mbajt në shtator 1943 po në Labinot. Kjo konferencë e zgjeroi Këshillin e Përgjithshëm dhe i shpalli këshillat nac-çl sit ë vetmin pushtet të ligjshëm në vend. Në prill 1944 Këshilli i Përgjithshëm vendosi thirrjen e Kongresit të Përmetit.
Ky Kongres i dha Këshillit të Përgjithshëm atributet e një trupi ligjvënës dhe krijoi qeverinë e parë komuniste të maskuar pas emrit Komiteti Antifashist Nac-Çl. Në mbledhjen e tetorit 1944 Këshilli i Përgjithshëm e shndrroi Komitetin edhe formalisht në qeveri. Në mbledhjen e 26 shtatorit 1945 Këshilli i Përgjithshëm Nac-Çl miratoi ligjin për zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 për Asamblenë Kushtetuese, që do ta shpallte Shqipërinë Republikë Popullore, do të miratonte “qeverinë demokratike” dhe në mars 1946 do të shndrrohej në Kuvend Popullor. Pra, Këshilli i Përgjithshëm Nac-Çl. Qe instrumenti kryesor me të cilin u ndërtua pushteti komunist.
Komunistët nuk shkuan në Pezë për të organizuar luftën por për të organizuar bërthamën e pushtetit të tyre. Pasi Bashkimi Sovjetik hyri në aleancë me fuqitë perëndimore, ata tashmë qenë të sigurt se do të vinte dita që të merrnin pushtetin dhe ata nuk kishin ndërmend të rrezikonin në luftën kundër italo-gjermanëve, por thjesht ruanin forcat për t’ i patur gati për ditën kur okupatorët do të largoheshin.
Se ç’ po ndodhte në Pezë, këtë e kishte kuptuar dhe katundari më i fundit i Pezës, por nuk e kishin kuptuar zogistët e mençëm me Abaz Kupin në krye. Liri Gega, në Plenumin II në Berat, deklaroi:
“Katundarët e Pezës, si rezultat i këngëve dhe i mënyrës së propagandës sonë, kanë qenë krejt të qartë në këtë pikë, që ne jemi komunistë, që luftojmë për komunizmin dhe jo komunistë që garantojmë e jemi të vetmit që mund të garantojmë çlirimin e plotë kombëtar e lumturinë e katundarisë”. (po atje: f. 190.)
Por atë që e paskan kuptuar katundarët e Pezës nuk paskan arritur që ta kuptojnë zogistët që shkuan në Konferencën e Pezës! A hahet ky “byrek” o usta Murat?
Sa qesharake dhe hipokrite duken fjalët e mëposhtme të “Murat Bashës” nën dritën e së vërtetës së dokumetuar se Konferencën e Pezës e organizuan komunistët sllavë: “Fryma nacionaliste e zogistëve, e jetësuar në titullin Mbret i Shqiptarëve, është vija e demarkacionit midis tyre e sllavëve, çka hedh poshtë aluzionin e autorëve se zogistët mund ta pranonin konvenimin e iluzioneve të tyre me komunistët sllavë”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Mirë o “usta Murat”, por ja që zogistët me Abaz Kupin në krye u puthën në Pezë me serbët Miladin Popoviq dhe Dushan Mugosha. Apo kjo nuk qe problem për ta dhe për Zogun se edhe ai qe puthur me Pashiqin në Beograd në 1924, si dhe me serbët në 1912 kur i priti në Mat, jo me pushkë siç bënë lumjanët e dibranët, por me krahë hapur.
Në 1942 zogistët deshën të ndajnë pushtetin me komunistët
Analiza ime për vajtjen e zogistëve në Konferencën e Pezës u ka djegur shumë zogistëve se “usta Murati” këtu ka gatuar disa “byrekë” për të shfajsuar zogistët për këtë gjë. “Murat Basha” shkruan:
“Më tej, pretendimi i autorëve se gjoja në Pezë “komunistët me anë të bashkëpunimit me zogistët donin të krijonin idenë se nuk luftonin për pushtet” nuk është aspak i vërtetë dhe bindës, pasi, së pari, zogistët nuk ishin aq naivë sa ta hanin këtë përrallë”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Që komunistët luftonin për të marrë pushtetin këtë e dinte kushdo, deri edhe katundarët e thjeshtë të Pezës, siç thotë Liri Gega më lart. Prandaj, komunistët donin të vinin një gjethe fiku për të fshehur lakuriqësinë e kësaj politike të tyre. Dhe si gjethe fiku e komunistëve që nga Peza e deri në Labinot, në 1943, shërbyen zogistët. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Pastaj, në rast se zogistët e dinin se komunistët luftonin për pushtet dhe jo për çlirimin e vendit, atëhere përse zogistët u bashkuan me komunistët në Pezë? A jeni në gjendje t’ i përgjigjeni kësaj pyetjeje z. “Basha”? Kjo pyetje ka veç një përgjigje: “Zogistët kërkonin të ndanin “tortën” e pushtetit me komunistët.
“Murat Basha”, duke dashur të mbulojë këtë të vërtetë të turpshme të bashkëpunimit të zogistëve me komunistët për qëllime krejt pragmatike të paskrupullta, “Murat Basha” shkruan:
“Mbreti Zog nuk shqetësohej nga krijimi i partive që synonin pushtet qeverisës, sepse funksioni i Tij kushtetues ishte mbi partitë dhe nënkuptonte qendrimin jashtë tyre dhe ndikimeve politike”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Bukur, “Murat Basha” na i paraqet gjërat sikur PKSH e krijuar nga komunistët jugosllavë-misionarë të Kominternit, “Al-Qaeda”-s të komunizmit, si një organizatë terroriste politike për marrjen e pushtetit dhe instalimin e diktaturës, të qe një parti që synonte të merrte pushtetin me mjete kushtetuese, si çdo parti demokratike perëndimore, dhe Ahmet Zogut në këto rrethana nuk i mbetej veç të sillej si çdo monark tjetër perëndimor kushtetues, duke mos ndërhyrë në lojën politike dhe duke pranuar pushtetin e partisë që fiton, paçka se në Shqipërinë e vitit 1942 çështja e pushtetit nuk ndahej me vota, por me plumba.
Ironia më e madhe është se këtë qendrim pajtues ndaj komunizmit terrorist e mbante në 1942, Zogu, njeriu që në 1924 erdhi në pushtet si shpëtimtar i Shqipërisë nga komunizmi dhe duke u betuar se edhe në të ardhmen do ta shpëtonte Shqipërinë nga rreziku i komunizmit. Me këtë rrezik Zogu justifikoi diktaturën e vet. Atëhere del se Ahmet Zogu, duke e çuar Abaz Kupin në Konferencën e Pezës, që ishte një farsë kominterniste, me vetëdije paska bërë “gjethen e fikut” të komunistëve.
“Murat Basha” shkruan:
“Ndërsa përsa i përket hapësirave për pluralizmin, Mbreti i kufizoi ato pas implikimeve agjenturore të lidershipit politik dhe rebelimeve subversive antikushtetuese që shqteti shqiptar u detyrua të përballonte gjatë viteve 1924-1939”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
“Murat Basha” harron se aty më lart ka thënë se “Mbreti Zog kurrë nuk i ka përdorur argumentat agjenturore për synime politike”. Por, edhe këtu “byreku” që gatuan “usta Murati” është boomerang. Pastaj, si shpjegohet që Ahmet Zogu i vitit 1942 qe bërë befas tolerant dhe pranonte hapësira për pluralizmin politik, duke përfshirë edhe komunistët, që në vitin 1942 qenë shumë më të rrezikshëm dhe të egër se ata të vitit 1924, të cilët e patën detyruar Zogun të ndalonte pluralizmin politik?
Natyrisht që, kur Ahmet Zogu bashkëpunonte me Enver Hoxhën nëpërmjet Abaz Kupit, ai donte që zonat që i quante si bazën e fuqisë së vet, mos të prekeshin nga influenca komuniste. Prandaj dhe Abaz Kupi, para se të nisej në Pezë në shtator 1942, u çonte fjalë Baletajve të Gurit të Bardhë në Mat që të hiqnin dorë nga bashkëpunimi me komunistët, duke u thënë se ai e dinte se në korrik 1940, në shtëpinë e Hasan Baletës (babait të Abdi Baletës), i cili atëhere qe emigrant në Jugosllavi qe ndalur Miladin Popoviqi, i cili vinte në Tiranë për të rekrutuar nxënës me origjinë nga Kosova. Sa keq që Abdi Baleta, i cili lindi 9 muaj më vonë, në 18 prill 1941, nuk qe gjallë për ta takuar Miladinin, sepse faktin që Miladini kishte qenë në shtëpinë e vet Abdi Baleta e shkruante në autobiografinë e vet, në kohën e komunizmit.
Zogu paska shkuar në konferencën kominterniste si “gjethe fiku” e komunistëve
Në artikullin tim unë kam shkruar se sipas pazarit që u bë kur u lidh aleanca zogisto-komuniste në Pezë, komunistët do të mbanin vacant vendin e kryetarit të Frontit, ndërsa zogistët nuk do të krijonin parti, duke mbetur PKSH partia e vetme. Kjo është e vërtetë e pamohueshme. Duke dashur që të shpjegojë arsyen se përse PLL nuk u krijua që në 1941 apo 1942, por vetëm në tetor 1943, “Murat Basha” shkruan:
“Diversiteti programor midis monarkistëve legalistë nga njëra anë dhe komunistëve e ballistëve nga ana tjetër, nuk vinte në dyshim formën e regjimit, madje pikërisht për këtë arsye Mbreti Zog nuk e pa të nevojshëm rithemelimin e Partisë së Legalitetit deri në tetor 1943. Mbreti e rithemeloi OKLL (PLL) vetëm kur u bë e qartë se komunistët hynë në rrugën pa kthim të luftës civile, sipas skemave serbo-sllave, për të marrë (të vetëm), pushtetin dhe për ta përdorur në shërbim të padronëve antishqiptarë”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Pra, “usta Murati” këtu ia zbulon vetë petët “byrekut” të pistë politik që gatuan komunistët dhe zogistët në Konferencën e Pezës. “Murat Basha” thotë se Zogu vendosi për të krijuar PLL veç pasi komunistët e bënë të qartë se nuk donin ta ndanin pushtetin me Zogun, por donin ta mbanin të vetëm atë, gjë që u bë e qartë me denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes. Pas kësaj u kujtuan Zogu dhe Abaz Kupi se komunistët vepronin sipas skemave serbo-sllave; me sa duket në Pezë Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha Abaz Kupit nuk i qenë dukur si serbë, por si suedezë! Atëhere del, po e përsëris, se Ahmet Zogu, duke e çuar Abaz Kupin në Konferencën e Pezës, që ishte një farsë kominterniste, me vetëdije paska bërë “gjethen e fikut” të komunistëve.
Që diversiteti programor mes komunistëve dhe monarkistëve nuk vinte në dyshim formën e regjimit, ky qe një iluzion që komunistët, si gjithmonë pragmatikë, donin t’ ua ushqenin zogistëve dhe me sa duket me sukses. Sa për atë që thotë “Murat Basha” se në shtator 1942 komunistët shqiptarë as që guxonin ta çonin ndërmend ndryshimin e formës së regjimit për një republikë, por thjesht synonin pushtet, kjo është absurde. Komunistët nuk synonin një çfardo lloj pushteti, por një pushtet të llojit sovjetik. Ata donin një republikë socialiste, si ajo që krijuan.
Ndërsa, sa për atë që thotë “Murat Basha” se Zogu në 1943 e rithemeloi PLL kjo është një gafë që para pak kohësh e ka bërë edhe kryetari Ekrem Spahia, kur tha se PLL ia ka dhënë besën mbretit që në 1924. PLL nuk ekzistonte si parti para vitit 1943. Në 1924, Zogu përdori termin “Triumfi i Legalitetit” për të përcaktuar rikthimin në pushtet, duke dashur të thotë se u rikthye pushteti i ligjshëm i dalë nga zgjedhjet e vitit 1923. Madje, edhe në 1943, nuk u krijua Partia Lëvizja e Legalitetit, por një organizatë e quajtur “Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit”, e cila synonte që të rivalizonte me Frontin Nac-Çl. Të komunistëve.
Zogu në krye të Frontit, si dhelpra me rrushin
Më tutje, “Murat Basha” duke vazhduar të kundërshtojë tezën time se zogistët kur shkuan në Pezë bashkëpunuan me vetëdije me komunistët, duke llogaritur që komunistët të mbështesnin ardhjen e Zogut në pushtet pas lufte. Ja sesi shprehet “Murat Basha”:
“Këto pseudoargumenta nuk qendrojnë sepse, së pari komunistët në shtator 1942 nuk ishin kurrfarë faktori ushtarak e aq më tepër politik, për ta detyruar Mbretin Zog për të bashkëpunuar me shpresë për të ardhmen e pasluftës”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Pesha ushtarake dhe politike e një lëvizjeje është relative dhe varet nga pika së cilës i referohesh për ta krahasuar. Në raport me forcat italiane, komunistët, zogistët dhe ata që më pas do të njiheshin si ballistë, qenë një faktor i papërfillshëm. Por, nëse i krahasojmë këto forca shqiptare me njëra tjetrën, atëhere komunistët qenë vërtet një factor i rëndësishëm, gjë që e tregoi edhe koha.
Më tutje, “Murat Basha” kundërshton tezën time bashkëpunimi i zogistëve me komunistët në Pezë erdhi pasi zogistët kërkonin për Ahmet Zogun postin e kryetarit të Frontit Nacional-Çlirimtar. “Murat Basha” shprehet:
“Sa për sqarim, jam i detyruar t’ u rikujtoj autorëve se Mbreti Zog, as gjatë LDB e as pas saj, nuk pranoi kurrë ndonjë post tjetër, përpos atij legjitim si Mbret i Shqiptarëve”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
“Basha”, ose me qëllim, ose nga padija, e shtrembëron tezën time duke më atribuar sikur unë kam thënë se Zogu kërkonte postin e kryetarit të Këshillit Nacional-Çlirimtar. “Juristi” Murat Basha duhet ta dijë se këto dy terma nuk janë sinonime. Vendi i kryetarit të Frontit mbeti vakant deri në 1945, kur atë e zuri Enver Hoxha, ndërsa kryetar i Kryesisë së Këshillit Nacional-Çlirimtar u bë në Përmet Omer Nishani.
Zogu nuk do ta kishte problem ta pranonte postin e Kryetarit të Frontit, pasi kjo nuk e detyronte që të hiqte dorë nga titulli i Mbretit, madje posti i kryetarit të Frontit do ta legjitimonte atë për të kërkuar që pas luftës të kthehej përsëri në vend si mbret, me famën e çlirimtarit. Madje Zogu kërkoi që në vitin 1940, kur filloi Lufta Italo-Greke, që të merrte kryesinë e një fronti të shqiptarëve me qendër në Selanik, por këtë nuk e pranuan grekët dhe britanikët. Me sa duket zogistit “Basha” në këtë rast do t’ i duhet të përgënjeshtrojë edhe vetë… Ahmet Zogun. Tash zogistët po flasin si dhelpra për rrushin që nuk e arriti dot dhe e quajti të pabërë. Por, Ahmet Zogu donte shumë që ta hante këtë “rrush”, por nuk e lanë komunistët.
“Murat Bashës” i duket sikur më ka kapur mat, kur thotë, se unë nuk sjell dokumenta për të provuar se aleanca e zogistëve me komunistët u prish për shkak se këta të fundit refuzuan ta mbajnë premtimin për ta zgjedhur Ahmet Zogun, kryetar të Frontit: “Me çfarë dokumentash e vërtetojnë autorët këtë refuzim, aq më tepër që arkivat kanë qenë e janë të hapura për gjetjen dhe mbathjen e këtij argumenti të sajuar”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Praktika e politikës tregon se marrëveshje të tilla nuk formalizohen por janë verbale, siç qe p.sh. “marrëveshja e mbrapshtë” Churchill-Stalin për ndarjen e sferave të influencës. Por, tek e vërteta arrihet jo vetëm nëpërmjet dokumenteve, por edhe duke analizuar veprimet e palëve. Siç e kam thënë dhe në shkrimin tim me të cilin replikon “Murat Basha”, fakti që zogistët pranuan të shkojnë në Pezë dhe të bëjnë aleancë me komunistët, si dhe fakti që vendi i kryetarit të Frontit në Pezë u la vakant, si dhe fakti që OKLL (PLL) nuk u krijua në 1942, edhe pse “Basha” e di se partitë janë instrumente pushteti dhe zogistët kërkonin pushtetin, tregojnë se ka pasur një marrëveshje që PKSH të qe partia në pushtet, ndërsa Ahmet Zogu të rihipte në fron.
Apeli i Leka Zogut në 62 vjetorin e Konferencës së Pezës-ftesë për bashkëqeverisje me pasardhësit e komunistëve
“Murat Basha” shkruan: “Autorët gënjejnë kur, duke dashur të godasin e diskreditojnë Mbretin Leka për “flirt me komunistët”, përdorin e komentojnë mesazhin e Tij të përshëndetjes me rastin e 62 vjetorit të Konferencës së Pezës”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Përshëndejta e Leka Zogut me rastin e 62 vjetorit të Konferencës së Pezës është prova më e mirë që zbulon tëë vërtetën e bashkëpunimit midis komunistëve dhe zogistëve në Pezë. Kjo përshëndetje zbulon qartë se bashkëpunimi ka qenë për ndarjen e pushtetit dhe jo për luftë kundër okupatorit. Sot, 62 vite pas Konferencës së Pezës, kur është e qartë se cili qe qëllimi i vërtetë i komunistëve kur organizuan Konferencën e Pezës, kur kanë dalë në dritë dokumente që provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se këtë farsë kominterniste, çka qe konferenca, e sajoi Miladin Popoviqi, kur me mijëra zogistë të ndershëm kanë vuajtur persekutimin e pushtetit komunist bazat e të cilit u hodhën në Pezë, është papërgjegjshmëri absurde dhe e turpshme që i biri i Ahmet Zogut të përshëndesë Konferencën e Pezës.
Kjo nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si ftesë që u bëhet socialistëve, pasardhësve të komunistëve, për një aleancë de facto politike për ta ndarë së bashku pushtetin, sipas skemës së Pezës, që komunistët e hodhën poshtë më vonë, pasi për ta ajo qe vetëm një truk për t’ i përdorur zogistët. Zogistët besojnë se këtë herë socialistët nuk do t’ ua hedhin dot më, pastaj zogistët e kanë ulur shumë pazarin dhe nuk kërkojnë më kreun e shtetit, por vetëm disa prona, ndonjë leje ndërtimi për pallat pranë Urës së Tabakëve si Murat Basha dhe ndonjë pare cash prej Fatos Nanos si shpërblim që po e përçajnë të djathtën.
Zogistët më mirë mos ta përmendin 7 prillin
Më tutje “Murat Basha” shkruan: “Zogistët e derdhën gjakun më 6-7-8 Prill. Ku ishin komunistët dhe të tjerët???” (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Këtij “byreku” kot ia ke hapur petët o “usta Murat” se atëhere na detyron të pyesim se ku qe Ahmet Zogu në këto ditë? Ai ia mbathi me turp, ashtu siç nuk e ka zakon shqiptari. Kjo është e vërteta. Të djathtët e kanë mbrojtur Zogun kur e kanë sharë komunistët, por janë zogistët ata që të detyrojnë t’ i thuash disa gjëra. Pse nuk qendroi Ahmet Zogu t’ i shkrehte dy pushkë në prill 1939. Pati frikë se mos vritej? Se mos e kapnin rob? Se mos i vritej familja. Le ta niste familjen jashtë vendit dhe vetë le të rrinte të luftonte. Sikur të vritej do të bëhej hero. Sikur ta kapnin kapnin rob, ndoshta do t’ i kishte dalë edhe më mirë. Adenauri dhe De Gasperi provuan burgjet e Hitlerit dhe Musolinit dhe pas luftës erdhën në pushtet.
Por Ahmet Zogu qe një frikacak që gjithë jetën u qe shmangur luftrave dhe edhe kundërshtarët i kishte vrarë pas shpine. Ashtu si Enver Hoxha edhe Ahmet Zogu nuk shkrehu kurrë asnjë pushkë, u ndejti larg fushëbeteja, por krijoi për vete mitin e komandantit të shquar ushtarak, e luftëtarit të madh, çka ashtu sin ë rastin e Enver Hoxhës qe vetëm një përrallë e rreme.
E vërteta është se zogistët i tradhëtoi vetë Zogu, duke dezertuar në prill 1939. Ai madje as nuk i shpalli luftë zyrtarisht Italisë fashiste në prill 1939 siç bënë mbretërit e tjerë europianë vendet e të cilëve u sulmuan nga Italia apo Gjermania. Në rast se Ahmet Zogu do t’ i kishte shpallur luftë Italisë atëhere automatikisht ai do të ishte bërë anëtar i aleancës antifashiste të kombeve dhe do të kishte fituar të drejtën të krijonte një qeveri në mërgim në Londër. Por, ai nuk e bëri këtë, duke i sjellë një dëm të madh kauzës nacionaliste shqiptare dhe duke e lehtësuar shumë lojën e komunistëve për t’ u paraqitur para aleatëve si e vetmja forcë relevante që luftonte fashizmin në vend.
Ajo që thotë “Murat Basha” se “Mbreti Zog zyrtarisht i shpalli luftë fashizmit , pasi më 6 prill 1939 hodhi poshtë ultimatumin e turpshëm”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.) është një spekulim i trashë.
Si “jurist” që ka studiuar të drejtën ndërkombëtare Murat Basha duhet ta dijë se lufta midis shteteve shpallet me anë të deklarimit të luftës dhe jo duke hedhur poshtë ultimatume. Deklarimi i luftës që shteti i mësyrë i bën shtetit aggresor, edhe në rastin kur ky i fundit nuk i deklaron luftë, siç qe rasti në 1939, ka kuptimin se shteti i mësyrë nuk do të nënshtrohet dhe me shpalljen e luftës rezervon të drejtën të përfitojë e kompensohet kur të vijë koha për t’ u bërë traktati i paqes. Në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare shpesh ka ndodhur që edhe pasi shteti i mësyrë është mundur kreu i tij nuk ka kapitulluar por ka ikur jashtë vendit duke u bërë thirrje shtetasve të vet që të vazhdojnë luftën. Kështu bëri Mbreti i Greqisë në prill 1941 kur Greqia u mund nga Gjermania. Mbreti i Greqisë veproi si trim, ndërsa Ahmet Zogu si frikacak.
Pse nuk i përdorin zogistët dosjet e spiunazhit zogist?
Një tjetër gjë që u ka futur panikun zogistëve në shkrimin tim është ajo çështja e dosjeve të spiunëve të shërbimit secret të Zogut ku figuronin e krerët e lëvizjes komuniste, e që nuk u përdorën kurrë nga Zogu. “Murat Basha” është: “Mbreti Zog kurrë nuk i ka përdorur argumentat “agjenturorë” për synime politike, sepse Mbreti i la arkivat sekrete në Shqipëri, pra nuk synonte t’ i përdorte. Edhe pas LDB, Ai kurrë nuk lëshoi asnjë akuzë për agjentët komunistë, ndonëse i urrente ata si agjentë të fashistëve dhe si agjentë të serbëve e rusëve”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
E vërteta është se, pas Enver Hoxhës, Zogu ka qenë lideri politik shqiptar që i ka përdorur më tepër argumentat agjenturore kundër kundërshtarëve të vet politikë. Zogu vërtet i la arkivat në Shqipëri, por ai sigurisht mori kopje të dokumentave më të rëndësishme, e mes tyre edhe kopje të dosjeve të komunistëve shqiptarë. Interesant është se, as gjatë luftës, kur komunistët i ndaluan hyrjen Zogut në Shqipëri, në Kongresin e Përmentit dhe as pas luftës, kur komunistët erdhën në pushtet, Ahmet Zogu nuk paraqiti kurrë dokumente kompromentuese për Enver Hoxhën dhe krerët e tjerë të regjimit komunist, të cilët siç e pranon “Murat Basha” patën qenë të gjithë agjentë të shërbimit sekret të Zogut.
Dhe kjo gjë ndodhi jo për shkak të skrupujve të Zogut, por për shkak se edhe Enver Hoxha qe pajisur nga jugosllavët e me gjasë edhe nga sovjetikët me dokumenta që tregonin implikimin e Ahmet Zogut me sherbimet sekrete serbe dhe të paraardhësve të Zogut me shërbimet sekrete të Rusisë cariste. Duket se Zogu dhe Enver Hoxha patën arritur në një marrëveshje të heshtur, duke i bërë shantazh njëri tjetrit.
Nuk u prish Zogu me Enver Hoxhën, por Enver Hoxha me Zogun
Zogistëve u ka djegur shumë dhe trajtimi që i kam bërë unë çështjes së Marrëveshjes të Mukjes dhe pjesmarrjes së Abaz Kupit atje si leitnant i Enver Hoxhës. “Murat Basha” shkruann:
“Rezoluta përfundimtare dëshmon se në Mukje diktuan dhe u miratuan qendrimet dhe tezat politike të nacionalistëve, çka i detyroi Hoxhën (bashkë me serbët që qendronin pas tij), që ta pranonin “kapitullimin” e PKSH dhe përfaqësuesve të saj përballë nacionalistëve, gjë që determinoi edhe denoncimin prej komunistëve, e më pas zhbërjen e marrëveshjes së arritur”. (“TemA”, 15 tetor 2004, f. 9.)
Komunistët nuk ishin prej atyre që e kishin zakon të dorëzoheshin me fjalë. Ata dorëzoheshin vetëm para “realitetit objektiv”, lexo: armëve. E vërteta e Mukjes është se komunistët e pranuan marrëveshjen me ballistët (me zogistët e kishin pranuar në Pezë) për shkak se i trembeshin ndonjë zbarkimi në Shqipëri të anglo-amerikanëve që në fillim të korrikut 1943, kishin zbarkuar në Shqipëri. Rënia e Musolinit në fund të korrikut i gëzoi, por edhe i alarmoi komunistët se mos Italia kapitullonte dhe forcat italiane në Shqipëri u hapnin rrugën ushtrive anglo-amerikane. Në këto rrethana komunistët bënë Marrëveshjen e Mukjes për t’ i pasur nën kontroll ballistët dhe zogistët dhe për mos t’ i lënë që të bëheshin partnerë të veçuar të anglo-amerikanëve, gjë që do t’ i vinte komunistët në pozitë të vështirë. Por, me sa duket, komunistëve shqiptarë, u erdhi shpejt nëpërmjet jugosllavëve lajmi nga Moska se aleatët nuk do të zbarkonin në Ballkan, kështu që tash marrëveshja nuk kishte më vlerë për komunistët e ata mund ta prishnin, siç edhe bënë. Natyrisht, sipas praktikës komuniste duheshin gjetur fajtorë brenda rradhëve të tyre dhe faji iu la Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, të cilët Enver Hoxha i çoi në Mukje, duke evituar të shkonte vetë. Enver Hoxha sigurisht që e dinte se Marrëveshja e Mukjes do të prishej një ditë, prandaj i ndejti larg këtij takimi.
Duke kundërshtuar tezën time se Ahmet Zogu dhe Abaz Kupi paguan çmimin e flirtit me komunistët, “Basha” shkruan:
“Mbreti dhe Kupi nuk paguan çmimin e aleancës me komunistët pas inkursionit të tyre në Veri, por paguan çmimin e tradhëtisë vëllavrasëse sllavo-komuniste, dhe ky fakt nuk mund të vërtetojë fajësi dhe penalizim politik sot, parë në këndvështrimin e pacifizmit që karakterizonte Mbretin Zog dhe legalistët zogistë”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Por, a mundet të na thoni zotrote, “usta Murati”, që po paraqiteni si zëdhënës i familjes Zogu se kur e mori vesh Zogu që komunistët qenë të lidhur me sllavët dhe të prirur për luftë vëllavrasëse, në 1943, 1944, apo në 1924? Se kur u rikthye në pushtet në vitin 1924 Zogu sikur tha se erdhi ta shpëtonte Shqipërinë nga komunizmi që e kishte future në luftë vëllavrasëse. Atëhere çfarë ndodhi me Zogun në 1942? Mos e zuri amnezia dhe nuk po i kujtohej se kush qenë komunistët? Nuk qe as plak, veç 47 vjet.
Sa për atë episodin midis Abaz Kupit dhe Myslim Pezës për çështjen e yllit të kuq, shpjegimi që ka dhënë “Murat Basha” e kompromenton edhe më tepër Abaz Kupin dhe Ahmet Zogun. “Murat Basha” thotë: “Kupi nuk kish asnjë arsye për të bërë të habiturin për mbajtjen e yjeve nga komunistët, madje ky fakt nuk i shërbente atij për të justifikuar asgjë, pra aq më pak “prishjen” me komunistët për këtë “arsye”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Por, atëhere kur Kupi e paska parë yllin e kuq të Myslim Pezës që kur shkoi në Pezë në 1942 dhe sigurisht pa dhe ato të Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxhës, Miladin Popoviqit, Kristo Themelkos etj. ç’ dreqin pati që shkoi në Pezë dhe përse u bashkua dhe u prish me komunistët? Se “Murat Basha” nuk duhet të presë që net ë besojmë përrallën se Abaz Kupi nuk e dinte se komunistët nuk kishin ndërmend të luftonin kundër italianëve e më pas kundër gjermanëve. Apo jo?
Ato që thotë “Murat Basha” për Enver Hoxhën, duke e ironizuar për bimbashin e Gjirokastrës nuk janë ato që shqiptarët presin nga zogistët për Enver Hoxhës. Nga zogistët shqiptarët presin dosjen e plotë të Enver Hoxhës si spiun i shërbimit sekret të Zogut. Sa kohë që zogistët nuk e bëjnë këtë shqiptarët janë të shtrënguar të besojnë se ekzistojnë disa pazare mes Zogut dhe Hoxhës që mbeten ende në fuqi.
Zogollët nuk i bëjnë pronarë të ligjshëm fermanët e sulltanëve pushtues
Duke dashur të kundërshtojë atë që kam thënë unë se Leka Zogu nuk ka të drejtë ligjore mbi pronat që kërkon t’ i kthehen, “Murat Basha” shkruan: “Para se të hidhnin këtë akuzë, autorët duhet të kontaktonin më parë me avokatët e ngarkuar me detyrën e nxjerrjes dhe vërtetimit me rrugë ligjore të pronësisë së Familjes Mbretërore dhe kësisoj do të shihnin se dosja përkatëse është shumë e madhe”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
Sa u takon pronave të pretenduara duhet saktësuar se a i ka vënë ato Ahmet Zogu në kohën kur qe në pushtet, apo i ka trashëguar nga prindërit e vet. Se unë nuk mund të pretendoj që Leka Zogut t’ i njihet, p.sh. pronësia mbi vilën në kodër pranë Durrësit, të cilën ia dhuruan tregëtarët e Durrësit kur qe President i Republikës. Kuptohet se një diktator si Ahmet Zogu nuk e kishte të vështirë t’ i detyronte tregëtarët që t’ i bënin dhurata. Por, një kryetar shteti i një vendi aq të varfër sa ç’ qe Shqipëria në atë kohë nuk mund të pranonte si dhuratë një vilë kaq të madhe dhe luksoze. Në rast se kjo vilë do t’ i kthehet sot Leka Zogut, atëhere kot diskutojmë që Nano të penalizohet për shkak se ka pranuar si dhuratë një “Mercedes Benz”. Dhe për pronat e tjera të Ahmet Zogut përjashto ato të Burgajetit. “Murat Basha” le të botojë dokumetat e pronësisë dhe unë jam gati të polemizoj.
Nuk mund të bëhet asnjë krahasim mes familjeve mbretërore serbe, malazeze, greke nga njëra anë si dhe familjes Zogu nga ana tjetër, për faktin e thjeshtë se familjet mbretërore serbe, greke, malazeze u legjitimuan në luftra kundër Turqisë për të fituar pavarësinë e tyre dhe për të zgjeruar territorin nacional, ndërsa brezat e familjes Zogu merrnin titullin pashë nga Sulltanët osmanë që mbanin të pushtuar Shqipërinë dhe u shërbenin këtyre sulltanëve. Familjeve mbretërore serbe, greke, malazeze ua dha pronat kombi për shkak se luftuan për të, ndërsa Zogollëve, Toptanëve etj. ua dhanë pronat Sulltanët turq për shkak se u shërbyen atyre. Prandaj pronat e familjeve mbretërore serbe, greke, malazeze janë të ligjshme, ndërsa familja Zogu, ajo Toptani etj. nuk kanë të drejta legjitime mbi pronat që pretendojnë, pasi as ata që ua kanë dhënë, Sulltanët pushtues nuk kanë pasur të drejta legjitime. Prandaj nuk ka vend këtu argumenti që sjell “Murat Basha” se:
“Me këtë rast jam i detyruar t’ u kujtoj autorëve se institucionet më të larta euro-atlantike u kanë sugjeruar qeverive të vendeve ballkanike (dikur ish-mbretërore), që menjëherë t’ u kthenin familjeve mbretërore pronat e dikurshme”. (“TemA”, 17 tetor 2004, f. 9.)
Më kot përpiqet “Murat Basha” që rë argumentojë të drejtën e pronësisë të Leka Zogut, nga linja e gjyshes së vet, Sadije Toptanit, duke thënë:
“Artikullshkruesit e dijnë mirë se Toptanasit e shquar kanë ende një kala në mes të Tiranës dhe prona të stërmëdha, nga të cilat shumë syresh i trashëgoi Nëna Mbretëreshë Sadije, e cila ishte vajza e vetme e njërës prej dyerve më të pasura të vendit”. (“TemA”, 17 tetor 2004, f. 9.)
Toptanët nuk kanë të drejtë legjitime as edhe mbi një cm² tokë për shkak se pronat e tyre i kanë fituar me ferman të Sulltanëve pushtues osmanë, si shpërblim për shërbimet që u kanë bërë sulltanëve, duke mbajtur të nënshtruar Shqipërinë, si dhe duke luftuar për ta gjithandej Perandorisë Osmane. Por, sulltanët mbi këto prona nuk kanë pasur të drejta legjitime, pasi kanë qenë pushtues, prandaj edhe e drejta e Toptanëve mbi pronat e fituara me fermane osmane është e paligjshme. Në origjinë të së drejtës pronësore të Zogollëve e Toptanëve qendrojnë fermanët e sulltanëve, por ata nuk janë tituj të ligjshëm pronësie, ashtu siç nuk u njohën si tituj të ligjshëm pronësie privatizimet e regjimit okupator të Millosheviqit në Kosovë.
Nuk ka aristokraci europiane me pashallarë osmanë
“Murat Basha”, duke dashur të provojë origjinën aristokratike të familjes Zogu, shkruan: “Autorëve shpifarakë do t’ u kujtoja se babai i Mbretit Zog vërtet quhej Xhemal, por ai nuk ishte “Xhemal katunari” i komunizmit dhe neokomunizmit, as bir bariu, por ishte i famshmi Xhemal Pasha, i biri i të madhit Xhelal Pasha, nip i Mahmut Pashës dhe stërnip i Ahmet Pashës-pinjollë të një dinastie pashallarësh të Matit, Dibrës, Krujës për afro katër shekuj; me rezidencë në Matin me 7 kështjella, me dhjetëra kisha e xhami madhështore, deri edhe me shkolla fetare ku mësohej shqip”. (“TemA”, 17 tetor 2004, f. 9.)
Por, sado pashallarë të kenë dalë nga dera e Zogollajve, është qesharake dhe absurde që të mburresh me pashallarët osmanë në Europën e shekullit XXI. Jo katër, por edhe njëzet e katër pashallarë sikur të kenë dalë nga dera e Zogollëve, ata të gjithë së bashku nuk vlejnë për të bërë qoftë edhe një shkallë të vetme aristokracie europiane, nuk bëjnë dot as edhe një kont apo markez të vetëm. Llumin e mehmurëve anadollakë që la pas Turqia “Murat Basha” nuk na e shet dot për aristokraci sot.
Pashallarët zogollianë, në shërbim të sulltanëve prishën kishat madhështore dhe i kthyen në xhamia. Si qeveritarë osmanë ata kanë ndjekur cilindo që guxonte të përhapte shkrimin shqip, ndryshe sulltanët do t’ u a hiqnin titujt e pronat. Kështu kanë përndjekur Zogollët edhe Pjetër Budin, i cili i hapi shkollat se pati mbrojtjen e Francës e cila në atë kohë kishte fituar nga Sulltani të drejtën të kujdesej deri në njëfarë shkalle për katolikët brenda territorit osman.
“Murat Basha” për të treguar se Zogollët janë një derë aristokratike, përsërit përrallat që sajonin lakejtë e Zogut në kohën që ky qe mbret:
“Por Zogollët, në linjë gjenetike janë pasardhës edhe të Kastriotëve, e vërtetuar kjo edhe me pemën gjenealogjike të nxjerrë nga arkivat. Janë pikërisht këto lidhje gjenetike me dinastitë më të shquara e më të mëdha, ato që determinuan kurorëzimin e Nip stërnipit të Skënderbeut nga Asambleja Kombëtare Mbret i Shqiptarëve, më 1 shtator 1928”. (“TemA”, 17 tetor 2004, f. 9.)
“Murat Basha” duhet të na sjellë dokumente për të provuar lidhjen gjenealogjike mes Kastriotëve dhe Zogollëve. Pasardhësit e Gjergj Kastriotit pas përfundimit të rezistencës arbërore antiturke u larguan nga Shqipëria për në Itali dhe asnjë prej tyre nuk qendroi në Shqipëri që të kthehej në musliman e të vihej në shërbim të sulltanit. Zogollët nuk kanë asnjë pikë gjaku të Kastriotëvë. Zogollët janë pasardhës të kushedi se cilit pashe anadollak që Sulltani e vuri të sundonte Matin dhe që në kalim e sipër i la pinjojtë e vet në Shqipëri, ashtu si qyqja i le vezët e veta në folenë e të tjerëve.
Kujtimin e Skënderbeut e mbajtën të gjallë njerëzit e thjeshtë, ata që nuk bënë kompromise për përfitime me pushtuesin osman, si pashallarët zogollianë e toptanë dhe që kanë nxjerrë këngën:
“Thuji mor pashës e allajbegit,
S’ lidhen t’ birt e Skanderbegit”.
Sa për lidhjet e Zogollëve me dinastitë e mëdha europiane, “Murat Bashës” i duhet të sjellë dokumenta për të provuar këtë. Gjenealogjia e dinastive të shquara europiane për fat të mirë është e njohur deri në hollësitë më të imta dhe në këtë pikë nuk mund të spekulohet. Por, Zogollët dhe Ahmeti nuk kanë asnjë lidhje me këto dinasti. Ahmeti nuk gjeti dot një nuse në derë mbretërore kur deshi të martohet dhe kjo ndodhi se dinastitë historike nuk e njihnin për mbret safi Metin e Xhemës, siç e quante me përkëdheli Osman Gazepi pas gotës së dymbëdhjetë. Ahmet Zogu u bë mbret jo në sajë të gjakut blu, por sepse ai vuri një hajdut dhish nga Skrapari që të ngrihej në Asamble e ta propozonte këtë gjë.
Të kërkosh të nxjerrësh sot Zogollët me lidhje gjenealigjike me dinastitë e mëdha europiane, do të thotë të kesh paranojën e Don Kishotit në kohët e sotme. Në rast se Zogollët do t’ i botojnë dokumentet mbi të cilat e pretendojnë këtë origjinë, unë do ta marr mundimin të bëj Migel Servantesin e Zogollëve të donkishotizuar.
Sa për atë që thotë “Murat Basha” se unë i paskam ndryshuar emrin nënës së Ahmet Zogut nga Sadije në Fatime, replikuesi duhet ta dijë se “Fatime” (Fatime hanëm) quheshin për antonomazi gratë dhe bijat e pashallarëve e bejlerëve, për shkak se Fatimja qe bija e Muhametit. Prandaj, replikuesi këtë duhet ta marrë si nderim dhe jo si fyerje. Si besimtarë muslimanë praktikantë që fallen pesë herë në ditë, Murat Basha dhe Abdi Baleta duhet t’ i dijnë mirë këto gjëra.
Xhelal Pashë Zogu dezertoi nga Lidhja e Prizrenit
Sa për pjesmarrjen e Zogollëve në kuvendet për çlirimin e Shqipërisë, “Murat Basha” nuk sjell asnjë provë dhe sikur pashallarët zogollianë të kishin marrë pjesë në këto kuvende sulltani do t’ ua hiqte qeverisjen e Matit më e pakta, për të mos thënë se do t’ u hiqte kokën, sikur të qe e vërtetë. Gjithsesi, nuk ka asnjë dokument për pjesmarrjen e Zogollajve në këto kuvende. “Murat Basha” kërkon ta rritë reputacionin e familjes Zogu, duke thënë se Xhelal Pasha, gjyshi i Zogut, qe pjesmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në 1878:
“Atje, Xhelal Pashë Zogolli (gjyshi i Mbretit Zog), për meritat e tij atdhetare, për fuqitë ushtarake dhe financat që derdhi në arkën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u emërua zv.komandant i Përgjithshëm i saj”. (“TemA”, 17 tetor 2004, f. 9.)
Këtë çështjen e pjesmarrjes së Xhelal Pashë Zogut (gjyshit të Ahmetit) në Lidhjen e Prizrenit, “Murat Basha” më mirë mos ta kishte përmendur se ky është një “byrek” që “usta Muratit” nuk i intereson që t’ i happen petët. Lidhja e Prizrenit, kur u krijua në qershor 1878, pati miratimin e Sulltanit, madje u bë dhe me nxitjen e tij, pasi turqia donte që t’ u thoshte Fuqive të Mëdha se janë shqiptarët ata që e kundërshtojnë shkëputjen e territoreve të veta në dobi të fqinjëve dhe jo Porta e Lartë. Prandaj dhe në dokumentet themelues të Lidhjes së Prizrenit dhe të Lidhjes së Janinës kanë firmosur shumë pashallarë osmanë me origjinë osmane. Kryetari i Lidhjes së Prizrenit qe Iljaz Pashë Qoku (Dibra). Mund të ketë qenë edhe Xhelal Pashë Zogu, megjithëse kjo duhet dokumentuar. Akti themelues dhe aktet e tjera të Lidhjes së Prizrenit ekzistojnë dhe emri i Xhelal Pashë Zogut nuk përmendet kurrkund, as si themelues dhe as si nënkomandant i përgjithshëm. Por unë mendoj se zogistëve u konvenon që më mirë mos të ketë qenë, pasi dezertori është më i keq se indiferenti.
E them këtë sepse Xhelal Pashë Zogolli duhet ta tregonte “atdhetarinë” e vet në 1881, kur Lidhja e Prizrenit hyri në konflikt me Turqinë dhe shpalli qeverinë shqiptare. Në prill 1881, kur Lidhja e Prizrenit u gjend përballë taborreve turke të Dervish Pashës, të ardhura për të shtypur Lidhjen e Prizrenit, i supozuari si zëvendëskomandanti i Ushtrisë së Lidhjes së Prizrenit, Xhelal Pasha nuk iu përgjigj kushtrimit të Lidhjes drejtuar të gjithë shqiptarëve për të rrëmbyer armët dhe për t’ i dalë përballë Dervish Pashës. Pra, Xhelal Pasha dezertoi dhe nuk u ndodh në krah të Komandantit të Ushtrisë së Lidhjes, Sulejman Vokshit dhe të heronjve Mic Sokoli, Ali Ibra etj.
Pra, Xhelal Pashë Zogolli u bashkua me Lidhjen e Prizrenit kur ajo kishte pëlqimin e Sulltanit dhe u largua nga Lidhja kur ajo nuk e kishte më pëlqimin e Sulltanit. Por gjyshi Ahmet Zogut ka vepruar sipas ndërgjegjes së shërbëtorit të Sulltanit dhe jo sipas ndërgjegjes së shqiptarit atdhetar. Prandaj dhe Sulltani ia kaloi më vonë titullin e pashës të birit të Xhelalit, xhemalit, babait të Ahmetit, i cili gjithashtu do të qe bërë pashë, sikur Turqia mos të ishte dëbuar nga Ballkani. Këtë traditë familjare dezertimi nga lufta e ndoqi dhe Ahmet Zogu, i cili dezertoi në 7 prill 1939 dhe gjatë gjithë jetës së vet iu shmang fushëbetejave, duke i përdorur armët veç për të vrarë kundërshtarët pas shpine.
Ahmet Zogu nuk ka qenë në Vlorë në 28 nëntor 1912
“Murat Basha” bën një falsifikim të hapur historik, duke thënë se Ahmet Zogu 17 vjeçar ka qenë në Vlorë, në krye të qindra matjanëve, në 28 nëntor 1912. Ja sesi shkruan “Murat Basha”:
“Kur Ahmet Zogu 17 vjeçar, në krye të qindra matjanëve shkoi në Vlorë më 28 nëntor 1912 për të marrë pjesë në ngritjen e Flamurit, teksa u gjunjëzua ta puthte atë, Ismail Qemali e ngriti duke i thënë: “Ngrihu biri im. Këtu na sollën idealet dhe mësimet e gjyshit tënd amanetin e të cilit po e çojmë në vend sot”. (“TemA”, 17 tetor 2004, f. 9.)
Këto përralla që i shkruanin lakejtë e Ahmet Zogut kur ky qe vetëshpallur mbret, nuk është në interesin e vetë zogistëve që të përsëriten sot. Për atë që ndodhi në 28 nëntor në Vlorë ka dokumente historike dhe kujtime të pjesëmarrësve. Dokumenti i shpalljes së Pavarësisë ekziston së bashku me firmat e pjesëmarrësve në Kuvend. Emri i Ahmet Zogut nuk figuron midis tyre. Dikur Enver Hoxha shtoi në rradhët e firmatarëve “Baba Çenin”, ndërsa sot “Murat Basha” shton Ahmet Zogun.
Sa për fjalët që Ismail Qemali i paska thënë Ahmet Zogut në Vlorë, “Murat Basha” nuk e citon se nga i ka marrë. Ismail Qemali ka lënë kujtimet e veta prej rreth 400 faqesh, që janë botuar edhe në Shqipëri dhe atje nuk thuhet asgjë e tillë. Ismail Qemali nuk mund t’ i thoshte Ahmetit as se qe frymëzuar nga Xhelal Pasha, pasi kur veproi Lidhja e Prizrenit Ismail Qemali nuk mori pjesë, pasi qe i internuar në Anadoll për shkak se përkrahte Vezirin e Madh, Mithat Pasha. Pra, Ismail Qemali as që e ka njohur Xhelal Pashën. Nuk e di se çfarë burimesh ofron replikuesi për dialogun Ahmet Zogu-Ismail Qemali, por me gjasë ai mbështetet te dëshmia e ndonjë paraardhësi të “usta Muratit” që shiste byrekë në oborrin e shtëpisë ku u ngrit flamuri dhe që ka dëgjuar bisedën.
Ahmet Zogu shkoi në Vlorë disa javë pasi u ngrit flamuri, siç ka thënë në kujtimet e veta Eqerem bej Vlora, në shtëpinë e të cilit bujti Ahmet Zogu. Sigurisht që Zogu erdhi në Vlorë sepse e pa që po ngrihej një pushtet i ri në Shqipëri dhe ai donte të ishte në lidhje me të për të përfituar një copë nga torta e pushtetit, siç thuhet sot.
Ahmet Zogu, karikatura e Napoleon Bonapartit
Kur Zogu u ngjit në pushtet, lakejtë e tij të llojit të biografit falsifikator Kristo Dakos, u përpoqën që të krijojnë mitin se Ahmet Zogu qe një Napoleon Bonapart shqiptar, një strateg dhe komandant i shquar ushtarak që shpëtoi vendin, si dhe një shtetar gjenial që ndërtoi shtetin modern shqiptar. Këta lakej, që e konceptonin profesionin e gazetarit dhe të historianit si version i punës së atij llustraxhiut që lyente dhe llustronte çdo mëngjes çizmet e Ahmet Zogut, ia mbushën mendjen edhe vetë Ahmet Zogut, që nuk kishte lexuar asgjë, se ai qe Napoleon Bonaparti shqiptar.
Për të imituar Napoleonin Zogu arriti deri atje sa të falsifikonte edhe datlindjen e vet. Në vitin 1921, kur në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare, sipas ligjit elektoral, kandidati për deputet duhej të kishte mbushur moshën 30 vjeç. Zogu atëhere paraqiti dokumente sikur kishte lindur në vitin 1890, çka do të thoshte se në 1921 qe 31 vjeç. Kjo qe datëlindja zyrtare e Ahmet Zogut deri në vitin 1925, kur u bë President i Republikës. Atëhere befas u tha se Ahmet Zogu qe i datëlindjes 1895 dhe jo i datëlindjes 1890, siç qe thënë deri më atëhere. Kjo bëhej për të krijuar analogjinë me Napoleon Bonapartin. Pra, ashtu si Napoleon Bonaparti u bë Konsull i Parë (kreu i shtetit francez) në moshën 30 vjeç (1799), edhe Ahmet Zogu po bëhej President i Republikës së Shqipërisë në moshën 30 vjeç (1925). Në rast se datëlindja e re qe ajo e vërteta, kjo do të thoshte se Ahmet Zogu pati hyrë në politikën shqiptare si një falsifikator, pasi pot ë kishte lindur në 1895, i binte që në 1921 ai të kishte qenë vetëm 26 vjeç, çka do të thoshte se plotësonte kushtet vetëm për të qenë zgjedhës i dytë.
Pas vitit 1925, lakejtë e Ahmet Zogut, filluan të imitojnë Plutarkun në karikaturë, duke shkruar një kapitull të ri të frymëzuar nga “Jetët paralele”, ku bëhej analogjia mes jetës së Napoleon Bonapartit dhe asaj të Ahmet Zogut. Ahmet Zogu paraqitej, ashtu si Napoleoni, si një komandant i shquar ushtarak që vjen në krye të shtetit.
Kur Ahmet Zogu u vetëshpall mbret në 1928, lakejtë e tij thoshin se ai tashmë ia kishte kaluar edhe vetë Napoleon Bonapartit, pasi derisa Napoleoni u bë perandor në moshën 35 vjeç, Ahmet Zogu u bë mbret në moshën 33 vjeç, pra dy vite para Napoleonit. Paranoja napoleoniane bëri Ahmet Zogu kur u vetëshpall mbret, mos të quhej “Madhëri”, siç quhej një mbret, por “Naltmadhni”, që sipas logjikës së gjuhës shqipe qe një titull që duhet t’ i takonte një perandori, i cili mund të ketë si vasalë disa mbretër. Argumenti i dhënë nga lakejtë e Ahmet Zogut se ky e bëri këtë pasi çdo shqiptar e quante veten “madhëri” prandaj mbreti duhej të quhej “Naltmadhni”, qe një anekdotë e sajuar për të apologjizuar delirin e madhështisë që e kishte kapur Ahmet Zogun.
Ahmet Zogu qe një karikaturë e Napoleon Bonapartit. Ai nuk qe as një “Napoleon” në përmasat shqiptare. Napoleoni qe një strateg ushtarak dhe shtetar gjenial, një njeri i shkolluar dhe një intelektual që kishte lexuar shumë në histori, filozofi, fushën juridike etj. Ahmet Zogu nuk kishte asnjë nga këto dhunti. Ahmet Zogu qe një feudal provincial osman, i pashkolluar dhe që nuk nuk kishte erudicion. Dhuntitë e Ahmet Zogut qenë ato të feudalit oriental, aftësia për intriga, dinakëria, pabesia, prirja për të punuar me njerëz me vese dhe të korruptuar, që e shikonin si idhull, mosbesimi, prirja për vrasje politike etj.
Ahmet Zogu, frikacak i përjetshëm në luftë
Zogu nuk qe një prijës ushtarak dhe as një komandant fitimtar. Zogu gjatë gjithë jetës së vet iu shmang pjesëmarrjes në beteja dhe kështu bëri edhe në 1939. Në nëntor 1912, Zogu nuk shkrehu një pushkë të vetme kundra trupave serbe, që hynë në Mat si në Beograd, pasi ishin përgjakur në Luftën e Lumës. Pas të gjitha gjasave që këtu fillojnë lidhjet e Zogut me serbët. Zogu nuk shkrehu asnjë pushkë kundër serbëve as kur këta hynë në Shqipëri në 1915, me synim për të dalë në Durrës.
Zogu u tregua i pabesë edhe ndaj Mbretit Wied, i cili i dha armë, municion, pare e ndihma të tjera, pasi Zogu i premtoi se do ta ndihmonte për të shtypur rebelimin. Zogu e tradhëtoi Wied-in në një moment të vëshirë. Lidhur me këtë, sekretari personal i Wied-it, D. Heaton-Armstrong, shkruan në kujtimet e veta:
“Tani duhet të shohim se çfarë ndodhi me dy ushtritë e tjera nga të cilat priteshin bëma të mëdha. Historia e turpshme e tyre tregohet shpejt e shpejt. Ushtria e Verilindjes e përbërë nga rreth dy mijë matjanë myslimanë dhe e drejtuar nga Ahmet bej Mati (më vonë Mbreti Zog) në fillim avancoi shpejt nga mallet e saj pa hasur në ndonjë rezistencë nga armiku dhe pushtoi kryeqytetin e vjetër të Shqipërisë, Krujën. Ahmet beu e mori qytetin në befasi dhe me sa mbaj mend, pa iu dashur të zbraste asnjë armë…
Kjo ushtri e Verilindjes i kishte kushtuar qeverisë shumë para, që ishte një shpërdorim i madh, pasi ushtria nuk kishte bërë asgjë gjatë gjithë kohës. Pasi priti disa javë, ajo u kthye në fortifikimin e saj në mal, duke marrë me vete të gjitha pushkët dhe municionet që u ishin dhënë nga qeveria e Mbretit. Opinioni publik në Durrës e dënoi Ahmet beun për tradhëti dhe veprimi i tij ishte paksa i çuditshëm”. (D. Heaton-Armstrong: “Shqipëria: 6 muaj mbretëri”, ISHSN, Tiranë 2001, f. 102-103.)
Luftën e Koplikut të korrikut 1920, kundër serbëve, për të cilën mburren zogistët, në fakt e kanë komanduar dy burra trima shkodranë, kapiten Taip Shkodra dhe kapiten Hamit Gjylbegu. Zogu erdhi nga Tirana me shumë zhurmë dhe u vendos në selinë e prefekturës në Shkodër, prej ku “drejtonte” operacionin. Ai nuk shkoi në fushëbetejë.
Ahmet Zogu qe një feudal osman i pashkolluar
Historia se Ahmet Zogu, në moshën 24 vjeçare, në janar 1920, zbriti në Lushnjë për t’ i hyrë sfidës së ndërtimit të shtetit modern shqiptar, është një mit historik, një përrallë e bukur. Shtetari modern është një intelektual, një njeri i arsimur dhe që shpesh është një autor librash, e që më e pakta ka lexuar shumë. Ndryshe nuk mund të ketë kapacitetin e duhur për të ndërtuar një shtet modern. Shtetaria moderne është një disiplinë mjaft e komplikuar që kërkon njohuri historike, politike, juridike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj. Këto njohuri fitohen nga shkollimi dhe leximi.
Në momentin që Zogu hyri në politikë ai qe një njeri i pashkolluar dhe i tillë mbeti. Ai bëri disa klasë mejtep (fillore) në turqisht me hoxhën e fshatit në Burgajet dhe në vitin 1908, kur i vdiq i ati, shkoi në Stamboll në kolegjin “Nymune-i teraki”, homologu i asaj çfarë sot është një shkollë tetëvjeçare. Pasi mbaroi këtë shkollë Zogu shkoi në një shkollë të mesme ushtarake turke në qytetin e Manastirit. Por, ai u detyrua që ta linte përgjysëm këtë shkollë në tetor 1912 për shkak se filloi Lufta Ballkanike. Zogu u kthye në Mat, në moshën 17 vjeçare. Këtu merr fund dhe shkollimi i tij, praktikisht me një gjysmë shkolle të mesme. Në rast se ka pretendime që Zogu i ka vazhduar studimet, ata që e thonë këtë kanë detyrimin që të na paraqesin dokumente që e provojnë këtë gjë.
Me një shkollim të tillë dhe duke mos qenë një lexues librash historikë, politikë, juridikë etj., Zogu, edhe me një zgjuarsi natyrale të madhe, nuk qe e mundur të bëhej një shtetar i madh dhe ndërtues i shtetit modern shqiptar. Në rast se kjo do të qe e vërtetë, atëherë duhet që sot të gjendet një djalë i zgjuar fshatar 24 vjeçar me një gjysmë shkolle të mesme dhe që nuk ka lexuar libra dhe t’ i besohet misioni i vështirë për t’ u bërë lider politik në Shqipëri, në mënyrë që të ndërtojë një shtet solid dhe të prosperuar perëndimor. Një njeri të këtillë, pra të zgjuar nga natyra, me gjysmë shkolle të mesme dhe që nuk ka lexuar, mund ta gjesh dhe midis atyre që presin për punë tek monumenti i Ushtarit të Panjohur. A ka njeri që do ta besonte sot se kjo është mënyra për të dalë një lider? Në fakt, në rast se Ahmed Zogu nuk do të hynte në politikë në 1920, atij do t’ i duhej që të dilte për punë si bashkëmoshatarët e vet të ditëve tona në Tiranë. Ai nuk kishte pasuri.
Zogu qe vetëm një prijës fisnor malësor, me vetitë e mira e të këqija të një njeriu të tillë, por që janë krejt të pamjaftueshme për të bërë një burrë shteti. Gjenerali austro-hungarez, Princi Windisch-Graetz, që e njohu dhe pati të bëjë me të në vitin 1916 e përcaktoi si “Një gangster dinak shqiptar” (P. Lendvai: “Das einsame Albanien”, Zurich 1985, f. 22.)
Duke qenë një njeri i pashkolluar dhe pa erudicion Zogu pati një urrejtje natyrale ndaj intelektualëve të shkolluar në Perëndim. Megjithëse në Shqipërinë e viteve ’20 dhe aq më tepër në atë të viteve ’30 të shekullit XX, kishte njerëz të shkolluar në Perëndim, Zogu gjatë kohës që qe mbret i vetëshpallur mbajti tre herë si kryeministër Koço Kotën, një mësues shkolle fillore dhe tre herë Pandeli Evangjelin, “paçaxhiun e Rumanisë”, siç e quante Fishta dhe që kishte qenë infermier. Sigurisht që Zogu e bënte këtë gjë pasi ndaj këtyre njerëzve ai e ndjente veten superior intelektualisht dhe ata e shikonin si idhull.
Oborrin e vet Zogu e mbushi me bufonë të llojit të Osman Gazepit bëmat e të cilëve u bënë anekdotike dhe tregoheshin gjithandej Shqipërisë dhe në rrethet diplomatike të huaja.
Shtetari Ahmet Zogu, dekoracion kamuflues i qeverisje italo-britanike
Teza e zogistëve se Ahmet Zogu qe një shtetar i madh e çudibërës që ndërtoi shtetin shqiptar, ndërtoi rrugë, ura, ndërtesa qeveritare, porte etj., është një përrallë. E vërteta është se shtetin shqiptar të paraluftës e ndërtuan italianët, të cilët i dhanë dhe një nivel të kënaqshëm mirëqënieje. Natyrisht që të gjitha këto i bënë për interesat e veta, por interesat e të dy palëve konverguan. Këtë e shpjegon shumë qartë diplomati italian Pietro Kuaroni, i cili ka qenë në Shqipëri në kohën kur sundonte Zogu. Në librin e vet me kujtime, Kuaroni shkruan:
“Është një histori që shqiptarët kanë qejf ta tregojnë. Një ditë Zoti zbriti mbi tokë për të hedhur një sy e për të parë se ç’ kishin bërë njerëzit me veprën e tij. Ai po kalonte kështu nga një vend tek tjetri, pa arritur ta njihte më tokën: këta dreq njerëzish e kishin bërë botën rrëmujë. Po sa e madhe qe habia e tij, po edhe gëzimi i tij, kur arriti në Shqipëri!
-Më në fund, ja vendi i parë që po e njoh përsëri! Ai ka mbetur ashtu siç e krijova unë!
Siç do gjë njerëzore, edhe kjo përrallë mëkatnon për nga ekzagjerimi, por jo shumë. Kur unë zbrita nga anija në Shqipëri, në fillim të dhjetorit 1928, dora e njeriut shfaqej akoma këtu në një mënyrë shumë diskrete”. ( Pietro Kuaroni: “Valixhja diplomatike”, “Albinform”, Tiranë 1993, f. 95.)
Kuaroni mund të thoshte, pa pasur frikë se ekzagjeronte, se edhe ajo që qe bërë në Shqipëri deri në dhjetor 1928, kryesisht qe bërë me paret italiane dhe nga specialistët italianë në vitet 1924-1928. Shqipëria nuk trashëgoi asgjë nga 5 shekujt e sundimit osman, veç xhamive. Shteti shqiptar nuk kishte burime financiare për të ndërtuar vendin. Dëbimi i Turqisë nga Europa la në mes të kësaj të fundit një Shqipëri në nivelin e krahinave të prapambetura të Anadollit. Prandaj këtë gjë duhet ta merrte përsipër një fuqi e madhe që kishte interesa në Shqipëri. Kuaroni shkruan:
“Natyrisht, nuk ishte më e mundur, në mes të shekullit XX, të lihej mu në mes të Adriatikut një vend të mbetej në gjendjen që e kishte krijuar Zoti. Meqë shqiptarët nuk mund ta arrinin vetë këtë, bëhej fjalë të dihej kush do të ngatërrohej me këtë detyrë. Dhe, meqë dukej që “ky” duhet të ishim ne, italianët, kishim ndërmarrë në masën e mundësive tona, të nxitur nga zelli më i madh, për t’ i gjetur një ilaç kësaj pune”. (Kuaroni: f. 154.)
Britania e Madhe, që sundonte sistemin e Versajës të periudhës së midis dy luftrave botërore, ia dha Italisë mandatin e protektorit të Shqipërisë. Britania e Madhe e bëri këtë se donte ta mbante Italinë të lidhur pas vetes, në një kombinim të mundshëm kundër Gjermanisë. Por, Britania e Madhe i dha Italisë të kuptonte se ajo gjithmonë mund të ndërhynte për t’ ia hequr Italisë mandatin faktik mbi Shqipërinë për t’ ua dhënë ndoshta fuqive ballkanike, gjë që e trembte shumë Italinë, pasi adonte ta përdorte Shqipërinë si bazë për të depërtuar në Ballkan.
Italia hodhi shumë pare në Shqipëri dhe kjo pare u harxhua mirë, gjë që kuptohet edhe sot nga ndërtimet e trashëguara nga ajo kohë, që nga ndërtesat e deri tek rrugët, urat, spitalet, shkollat etj. Paratë italiane u harxhuan mirë për shkak se italianët i bënin vetë ndërtimet dhe nuk ia linin në dorë Zogut, i cili me siguri që do t’ i bënte tym së bashku me entourage të vet. Zogu me entourage të vet abuzuan sa mundën me paret e taksapaguesve shqiptarë dhe të ndihmës italiane.
Italianët e dinin mirë se ç’ mall qe Ahmet Zogu dhe nuk e donin aspak atë, por nuk kishin çfarë të bënin se atë ua lanë në derë serbët duke e risjellë në pushtet në 1924. Italianët nuk mund të rrezikonin ta rrëzonin Zogun nga pushteti dhe ta ndërronin me një tjetër, se në gjendjen që ishte Shqipëria, mund të krijoheshin situate të paparashikuara. Prandaj ata u detyruan të luajnë kartën e Zogut.
Lalë Krosi-simbol i sundimit të Ahmet Zogut
Në kohën kur Zogu sundonte Shqipërinë (1924-1939), në vend kishte pushtet të pakufizuar Lalë Krosi (Abdurahman Krosi), një fshatar analfabet nga Mati, që pati qenë qehaja i familjes Zogu dhe e kishte shoqëruar si kujdestar Zogun në Stamboll dhe Manastir. Lalë Krosi qe faktotum i Zogut. Ai qe një njeri i plotfuqishëm, aq sa mund të quhet si nr. 2 i regjimit pas Ahmet Zogut dhe para kryeministrit. Kuaroni thotë se atë intelektualët shqiptarë e quanin “Rasputini shqiptar”. Kuaroni e portretizon kështu Krosin:
“Koncepti i tij për organizimin e shtetit shqiptar ishte shumë i thjeshtë. Administrata, nga kryetari i Këshillit (kryeministri-K.M.) te sekretari i fundit i prefekturës, duhej të përbëhej përjashtimisht nga njerëz të miqve të tij dhe çdo punë, e madhe apo e vogël, duhej të kalonte nëpër duart e tij, duke lëshuar në to, në kalim e sipër, disa pupla. Për të qenë më i saktë, besoj që suksesi im relativ ka pasur këtë arsye të vetme që, duke e njohur praninë dhe ndikimin e tij, unë kisha menduar që e vlente më shumë ta bënim këtë njeri të na shërbente ne, sesa të ishim të detyruar ta përballonim frontalisht… Ai kishte në qytet një zyrë të vogël, përherë plot e përplot me hallexhinj: ai bënte kujdes të mos nënvleftësonte edhe çështjet më të vogla. Kërkuesit dilnin prej aty të pajisur me një shuk shumë të vogël letre me disa fjalë të shkarravitura përsipër:
-Bëj çfarë kërkon filani, është miku im…
Por është fakt që atë e urrenin, të rinjtë sidomos, në veçanti ata që ishin edukuar në Evropë dhe që ëndërronin si patriotë të mirë për një Shqipëri të organizuar pak më mirë, më të ndryshme. Të ndërgjegjshëm për këtë trafik influencash politike dhe ekonomike, ata e konsideronin Krosin, gjithë përmasat ruajtur, si një lloj Rasputini të Shqipërisë”. (Kuaroni: f. 117-118.)
Sigurisht që Lalë Krosi qe dora e Zogut dhe zejen e korrupsionit e ushtronte për llogari të këtij të fundit. Lalë Krosi qe “kamikaze”, siç u shpreh për njeriun që merrte paret për llogari të tij, ai kryetari i komunës të Hudënishtit i kapur nga kamera e “Fiks Fare” duke shitur një tender.
Mbreti Leka si Don Kishoti me legenin që e dinte helmetë
“Murat Basha” pretendon sikur një nga qëllimet e shkrimit tim ka qenë që ta bëjë Leka Zogun që të abdikojë dhe thotë se: “duhet ritheksuar se Mbreti Leka as që ka ndërmend të shpallë abdikimin, aq të shumëpritur nga kuqot republikanë që gëlojnë në politikë”. (“TemA”, 16 tetor 2004, f. 9.)
“Murat Basha” si jurist që është duhet ta dijë se që një mbret të abdikojë ai duhet të jetë i fronëzuar, pra në pushtet, ndryshe gjërat bëhen qesharake dhe ajo vila ku rri Zogu bëhet si ai hani që Don Kishoti e kujtonte kështjellë ku rrinte një aristokrat i madh. Me sa duket Leka Zogu ka pikërisht fantazitë e Don Kishotit në atë vilën ku rri dhe po kështu edhe ndjekësit e tij. Leka Zogut dhe legalistëve u duket vila ku rri Zogu si oborr mbretëror dhe Leka Zogut i duket vetja si mbret e po ashtu e shohin dhe ata.
Në romanin e Servantesit “Don Kishoti i Mançës” tregohet sesi Don Kishoti, i cili qe në kërkim të helmetës së famshme të Mambrinit, kur gjeti një legen berberi, mendoi se gjeti helmetën dhe e mori, e vuri në kokë dhe e mbante gjithë krenari. Sanço Pança për t’ i bërë qejfin i thoshte se legeni ishte vërtet helmetë, ndërsa të tjerët talleshin. Edhe Leka sot po sillet si Don Kishoti, duke e quajtur veten mbret dhe ndjekësit e vet ashtu si Sanço Pança e quajnë mbret dhe shqetësohen për abdikimin e tij, më falni e Tij. Ironia në këtë rast është e dyfishtë, sepse pjesa më e madhe e këtyre lakejve nuk e marrin seriozisht këtë lojë por e bëjnë se ashtu i ka instruktuar Fatos Nano dhe SHISH. Madje, edhe Leka Zogu ka filluar mos ta marrë seriozisht këtë lojë, por tash kërkon ta shesë “kurorën” sa më thjeshtë tek “antikuari” Fatos Nano, në këmbim të disa pronave dhe pareve cash për t’ i lënë djalit të vetëm ndonjë trashëgimi.
Këta individë të donkishotizuar duhet ta dinë se Mbreti Zog i parë e humbi fronin në 7 prill 1939 dhe që prej kësaj dite Zogollët u kthyen të jenë, ashtu çfarë ishin para uzurpimit të fronit mbretëror shqiptar në 1928, pra një familje me origjinë nga mehmurët osmanë.
LZHK, karta politike e Fatos Nanos
“Murat Basha” e kundërshton tezën time se LZHK është një kartë që e ka hedhur Fatos Nano në lojën politike shqiptare, për të përçarë të djathtën dhe margjinalizuar PD, si forca kryesore e opozitës, ashtu siç tentoi të bënte DBSH në 1996-2000. “Murat Basha” nuk sjell asnjë argument për ta kundërshtuar këtë tezë timen, ai mjaftohet duke thënë “LZHK nuk është e nuk mund të jetë DBSH”.
Në fakt, vetë Murat Basha që e ka nënshkruar replikën është simbol i bashkëpunimit të LZHK me PS dhe Fatos Nanon. Murat Basha është njeriu i PS në PLL. Në vitin 2001, kur pas manipulimit të zgjedhjeve parlamentare, koalicioni opozitar “Bashkimi për Fitore” ku bënte pjesë edhe PLL, nuk pranonte të hynte në parlament, Murat Basha shkrojti një artikull tek gazeta “Shekulli” ku kërkonte që PLL të hynte në parlament, edhe sikur PD mos të hynte. Unë do të doja që dy funksionarë të lartë të PLL të kujtojnë një episod që ka ndodhur në shtator 2001, në praninë time në selinë e PLL, kur, gjatë një bisede për vështirësitë financiare të PLL, Murat Basha u është drejtuar atyre duke thënë se në rast se PLL hyn në parlament si grup parlamentar, atëhere merr menjëherë 60 milion lekë të vjetra, veç përfitimeve të tjera. Pra, nënkryetari i PLL po bënte lobing në interes të PS në zyrat e partisë së vet!
Murat Basha u bë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga PLL vetëm për të marrë nga Edi Rama një leje për të ndërtuar një pallat në një pronë të vetën pranë Urës së Tabakëve. Ky është njeriu që replikon me mua.
LZHK është një lojë politike e Fatos Nanos dhe e SHISH, një lojë që e majta në pushtet po e luan duke përdorur bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe bijtë e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Murat Basha e din më mirë se cilido se Sigurimi i Shtetit është i aftë për shumë gjëra. Po të shprehem në mënyrë figurative, Sigurimi i Shtetit është i aftë ta gjejë “thembrën” e Akilit dhe ta bëjë këtë të dëshmojë kundër kolegëve të vet në gjyqe politike.
“Murat Basha” shkruan: “Vetë përbërja e oborrit është në frymën e gjithëpërfshirjes dhe angazhimit të të gjithë shqiptarëve”. (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.)
“Fryma e gjithëpërfshirjes”! Ja ku u zbulua frymëzimi i “Murat Bashës”. Çdokush e din se kjo është retorika e Fatos Nanos. “Murat Basha” shkruan:
“Po për çfarë “kolone të pestë” shkruajnë këta hajvanë, kur kanë bindjen se ajo do të dështojë. E kujt i lipset një kolonë e dështuar që pa filluar zgjedhjet?!! Aq budalla ta pandehin këta kaqolë Nanon!!!” (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.)
Këtu më zbavite usta Murat! Kaq “kaqol” i dini shqiptarët ju sa mund t’ i rreni me këto përralla? Funksioni i LZHK si kolonë e pestë nanoiste nuk është që të fitojë zgjedhjet, ndryshe atëhere Nano do të qe kaqol, pasi ai fitoren e don për PS. Funksioni i LZHK është që t’ i prishë punë PD, gjë që favorizohet edhe nga fakti se zgjedhjet këtë herë do të jenë me një tur. Kështu, në rast se në një zonë elektorale PS fiton 48%, PD 46% dhe LZHK fiton 3%, atëhere zgjedhjet i fiton PS. Ja se cili është funksioni i LZHK si kolonë e pestë nanoiste.
Pse “Zëri i Popullit” nuk e sulmon Leka Zogun dhe LZHK?
“Murat Basha” i shmanget pyetjes sime të drejtpërdrejtë se përse “ZP” nuk e sulmon Leka zogun dhe LZHK, por çdo ditë ve në shenjestër vetëm Berishën, PD dhe tash edhe Metën. Qendrimi i “ZP” është prova e lakmusit. Kjo është e qartë për çdo shqiptar. Në rast se “Murat Basha” di të na thotë ndonjë rast se kur “ZP” e ka sulmuar Leka Zogun që prej krijimit të LZHK, vetë LZHK, ose ndonjë prej njerëzve të angazhuar në LZHK, le ta citojë. “ZP” jo vetëm që nuk e sulmon Leka Zogun dhe LZHK por jep dhe njoftime neutrale në krye të faqes së parë, ku opozita përmendet vetëm për t’ u sharë. Kështu, pas konferencës për shtyp të Leka Zogut në gusht, në krye të faqes së parë të “ZP” u duk titulli “LZHK” do të kandidojë në 100 zona”. Një gjuhë të tillë “ZP” e përdor vetëm për partitë aleate.
Sa për atë që thotë “Murat Basha” se: “LZHK ka programin dhe vokacionin e vet politik”. (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.), deri më sot nuk është publikuar programi i LZHK, që të mund të zbulojnë shqiptarët edhe vokacionin e saj. Kur të ndodhë kjo gjë le të flaës “Murat Basha”. Momentalisht le të heshtë.
Cilat janë shifrat elektorale të “Murat Bashës”
“Murat Basha” thotë: “Edhe shifrat elektorale, të servirura nga këta shtabistë, janë cituar e përdorur me gabime të qëllimshme”. (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.)
“Murat Basha” do të bënte mirë që të jepte versionit e vet për shifrat elektorale. Derisa ai nuk e ka bërë këtë gjë, atëhere nuk mund të hedhë poshtë shifrat që kam paraqitur unë dhe që janë zyrtare.
Leka Zogu imiton si “majmun” Simeonin II
Në artikullin tim, me të cilin ka replikuar “Murat Basha”, unë e kam treguar me fakte se Leka Zogu në lëvizjen e vet ka imituar, si “majmum”, pot ë përdor një shprehje të cilën “Murat Basha” ma adreson mua, Simeonin II të Bullgarisë. Që “Murat Basha” ta kundërshtojë këtë tezë, duhet që t’ i kundërshtojë këto fakte. Si fakt nuk mund të shërbejë në këtë rast shprehja e “Murat Bashës”: “Kjo është si të rekesh të bësh regjistrin kombëtar zgjedhor në Shqipëri duke numëruar kinezët”. (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.)
Le t’ i lemë kinezët në punët e tyre e të shohim punët tona. Sa për regjistrat, qoftë ato zgjedhore, qoftë ato të sigurimit të Shtetit, me emrat e dëshmitarëve të gjyqeve politike të 1945-1946, ndonjë prej të cilëve mbante emrin e një heroi mitologjik grek, rezervoj të drejtën të shkruaj një herë tjetër.
Leka Zogu të publikojë kartelën shëndetësore
Zogistët janë nervozuar shumë nga ajo që kam thënë unë se Leka Zogu është duke luajtur me shqiptarët një farsë si Enver Hoxha në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80, kur diktatori qe në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe inskenonte dalje teatrale në publik. Që Leka Zogu është në gjendje të keqe shëndetësore kjo është një gjë e dukshme. Unë kur e them këtë nuk kam asnjë dozë cinizmi dhe si humanist që jam më vjen keq që një qenie tjetër njerëzore vuan nga sëmundje të pashërrueshme.
Por, derisa Leka Zogu ka dalë si një lider politik, atëhere, sipas praktikës perëndimore ai do t’ i subjektohet analizës dhe kqyrjes të opinionit dhe medias në çdo aspect të figurës së tij. Gjendja shëndetësore e kryetarit të LZHK nuk është më një çështje personale në momentin që ai u kërkon votat shqiptarëve. Ai ka detyrimin që, ashtu si politikanët perëndimorë, kur ka dyshime për shëndetin e vet, të publikojë dosjen e vet klinike, në mënyrë që shqiptarët të shohin se ka kushtet minimale, pra gjendjen shëndetësore normale, për të punuar për realizimin e premtimeve që bën, në rast se i japin votën për të qeverisur.
Ajo që thotë “Murat Basha” se: “Jua garantoj se është më mirë se unë me shëndet” (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.), nuk ka vlerë për shqiptarët se “Murat Basha” nuk ka kompetenca për të folur për çështje mjekësore, ai është një ish-punëtor që këtë vit u diplommua në fakultetin juridik me korrespondencë pasi e ndoqi atë për 13 vjet.
“Murat Basha” nuk është zëdhënës i LZHK
Sa për atë çështjen se cili “Sulejman” është në postin e kordinatorit diplomatik të LZHK, pra në rolin e “eminence grise” të Leka Zogut, “Murat Basha” nuk ka kompetencë dhe as besueshmëri për të përgënjeshtruar dhe as për të bërë saktësime. Në rast se duhet të bëhet një përgënjeshtrim dhe saktësim, këtë gjë duhet ta bëjë kryetari i LZHK, ose zëdhënësi i LZHK. “Murat Basha” nuk ka asnjë tagër për ta bërë këtë gjë, pasi Murat Basha, pa thonjëza, nuk ka asnjë funksion në hierarkinë e LZHK. Derisa nuk ka reaguar një instancë zyrtare dhe e besueshme e LZHK, unë nuk kam pse u kushtoj vëmendje atyre që thotë “Murat Basha”. Fakti që LZHK nuk ka bërë një përgënjeshtrim zyrtar nuk është në favor të tezës së “Murat Bashës” por të tezës sime.
Fakti që LZHK heziton të prononcohet për këtë çështje kaq delikate, tregon se tash po kërkohet që të mbulohen gjurmët e së vërtetës që denoncova unë.
Referimi tek Faik Konica si litari në shtëpinë e të varurit
“Murat Basha” në fund të replikës së vet bën edhe një referim tek Faik Konica, duke u shprehur: “Në përfundim të këtij shkrimi, më bie ndërmend dëshpërimi i Faik bej Konicës për “kovat e m…” që iu desh të mbante duke denjuar t’ i kthente përgjigje një shkarrashkrimi grupautorësh”. (“TemA”, 19 tetor 2004, f. 9.)
“Murat Basha” do të kishte bërë mirë që mos ta përmendte fare Faik Konicën sepse siç i thonë fjalës “Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari” dhe tash unë jam i detyruar që t’ i citoj “Murat Bashës” ato “kovat e m…” që Faik Konica ka hedhur mbi Ahmet Zogun. Faik Konica e ka portretizuar kështu Ahmet Zogun:
“E përçmoj mbretin për këto tre arsye: e kam vëzhguar që kur ka qenë tetëmbëdhjetë vjeç dhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur port ë ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske cikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si një komb me njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (“Faik Konica, “Vepra”, “Naim Frashëri”, Tiranë 1993, f. 506.)
Një tjetër përcaktim që Faik Konica i ka bërë Ahmet Zogut është ky:
“Fakti është që Ahmed Zogolli, malok analfabet pa nonjë frymë idealisme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes e të foljes. E imitonte veçan në punën e rryshfeteve”. (“Faik Konica: “Vepra”, Vol 3, “Dudaj”, Tiranë 2001, Vol. V, f. 312.)
Duke u shprehur për rolin e Ahmet Zogut në vrasjen e dy amerikanëve në Mamurras, në 1924, Faik Konica e ka përcaktuar Ahmet Zogun si: “njeriu i cili është pa fjalë kryeorganjëzonjësi i dramës”. (po atje: f. 342.)
Në artikullin e vet “Të kthyerit e Ahmed Zogut” botuar tek “Dielli” e Bostonit në 30 dhjetor 1924, Faik Konica shkruan:
“Reziku vlen të merrej në sy, pot ë ish se lufta civile bëhej për një princip,- si Lufta Civile e Amerikës më 1861-1865, nga e cila varej në do të kish skllavëri në Shtetet e Bashkuara apo jo. Ç’ princip është në lodrë në Shqipëri sot? Asnjë. Lufta, në u bëftë, do të bëhet për të vendosur kush do t’ a ketë Arkën në dorë, -Ahmed Zogolli me shokët, apo Kasëm Qafëzezi dhe Gurakuqi me shokët. Të derdhurit e gjakut të popullit për një qëllim t’ atillë është një gjë e çmendur, dhe urojmë që të dy palët të arrijnë sa më shpejt në një marrëveshje: Le të plaçkitin së bashku, me që s’ dinë tjatër marifet, po le të pushojnë së derdhuri gjak më kot. Le të mos harrojnë se që të dy palët kanë një qëllim, plaçkën, dhe duhet të bashkohen si vëllezër që janë”. (po atje: f. 347.)
Fjalët e Faik Konicës rezultuan të qenë profetike. Ahmet Zogu, që e quajti rikthimin e tij në pushtet në 1924, si “Triumfi i Legalitetit”, duke dashur të thotë se ai po rivendoste pushtetin e ligjshëm të dalë nga zgjedhjet e vitit 1923, shpejt u delegjitimua dhe e humbi çdo grimë legaliteti për shkak se ndoqi të njëjtat praktika si Noli, duke vendosur një diktaturë personale, që ndryshonte nga ajo e Nolit se, derisa kjo e fundit qe komuniste, diktatura e Zogut qe fashiste. Zogu u delegjitimua edhe duke mos bërë zgjedhje pluraliste si ato të vitit 1923, mbi të cilat Zogu e mbështeste pretendimin e “legalitetit”, kur u rikthye në pushtet. Zgjedhjet e 1925 dhe ato të 1928, që nxorrën Asamblenë Kushtetuese që e shpalli zogun mbret, qenë një farsë e vërtetë, një imitim i zgjedhjeve të manipuluara që bënte Musolini në atë kohë në Itali.
Zogollët dhe entouragë e tyre, llum i lënë nga dyndja turko-islamike
Ahmet Zogu, Leka Zogu dhe entourage e tyre, Abdi Baleta, Murat Basha etj., nuk mund të na mësojnë ne shqiptarëve idenë nacionale dhe as sesi bëhet shteti. Ata janë llumi i mbetur nga dyndja (përmbytja) turko-islamike që iu bë trevave shqiptare dikur. Ky llum la pas në tokat arbërore gjithfarë turkomanësh, tartarësh, afganësh, iranianësh, arabësh, çerkezësh, gjithçka që turqit morën me vete në dyndjen e tyre shumëshekullore nga Liqeni Bajkal në Ballkan. Pasardhësit e tyre, u “shqiptarizuan” dhe sot duan të paraqiten si elita nacionale shqiptare, si bartësit e shpirtit nacional.
Por, ata ruajtën shpirtin e tyre turko-islamik, që përbën shpirtin e tyre të vërtetë. Ahmet Zogu e tregoi këtë kur bëri krushqi me familjen perandorake të rrëzuar osmane, duke martuar motrën e vet me Mehmed Abidin, të birin e Abdyl Hamidit. Kjo zbulonte se tek Zogu (Zoglu) gjallonte shpirti i feudalit provincial osman që ëndërronte të bënte krushqi me oxhakun e Sulltanit-khalif. Shpirti islamik është i fortë edhe tek “Princi” Leka, që është diçka më tepër se 20 vjeç. Në një intervistë për gazetën “Paloma” që botohet në Tiranë, “Princi” Leka i është përgjigjur kështu pyetjes “Ju besoni në Zot?”:
“Po. Unë jam një mysliman… Kam qenë edhe në Mekë. Dhe ka qenë një nga ditët më të bukura të jetës sime. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm që sa herë e kujtoj më krijon një gjendje të vecantë”. (“Paloma”, 24 gusht 2004, f. 4.)
Ne, shqiptarët e vërtetë duhet ta pastrojmë politikën dhe tokën shqiptare nga ky llum. Ne duhet të pastrojmë dhe historinë nga mitet e rreme, për të pastruar dhe politikën e sotme që infektohet prej tyre. Historia se Ahmet Zogu, një djalë i pashkolluar nga Burgajeti nga Burgajeti i Matit, mori në dorë fatet e vendit si një strateg ushtarak dhe shtetar i madh, pra si një Napoleon shqiptar, siç thoshin lakejtë e tij, është një përrallë e bukur, por që nuk ka asgjë të vërtetë, siç kam treguar më lart.
Leka Zogu shkel mbi gjakun e besnikëve si i ati
Leka Zogu ka një problem të madh besimi me ndjekësit e vet, sepse që prej 28 qershorit 2002, kur ai u rikthye në Shqipëri është ndodhur në atdhe gjatë tre përvjetorëve të ditës së 3 korrikut. Në 3 korrik 1997 gjatë protestës të Leka Zogut para KQZ u vra nga një snajper i komanduar nga njerëzit e PS në Ministrinë e Rendit Publik, tropojani Agim Gjonbalaj, i cili derdhi gjakun se besoi tek kauza e Leka Zogut. Tash 3 vite që ndodhet në Tiranë, z. Leka Zogu nuk ka organizuar asnjë përkujtimore për martirin e 3 korrikut. Kjo tregon se sa i respekton Leka Zogu ndjekësit që sakrifikojnë edhe jetën për atë. Mund të merret me mend lehtë sesa do t’ i respektojë ai ata që nuk i japin gjakun, por thjesht votën.
Këtë shpërfillje për besnikët që derdhin gjak për të Leka Zogu e ka trashëguar nga Ahmet Zogu, që kur bënte pazare me Enver Hoxhën në 1942-1943, e dinte mirë se po rrezikonte që t’ a linte Shqipërinë në duart e komunizmit, çka do të thoshte që mijëra besnikë të Zogut ta paguanin shtrenjtë, me jetën e pasurinë e tyre gjatë sundimit komunist. Por, Ahmet Zogu vinte egon e vet prej sundimtari mbi jetën e besnikëve të vet.
E djathta nuk mund ta pranojë Ahmet Zogun si ikonë politike
Unë, ashtu si të gjithë ata që kanë bindje të djathta, e kam ndjerë obligim për ta mbrojtur Ahmet Zogun, i cili historikisht është goditur nga e majta komuniste dhe postkomuniste. Në këtë mënyrë unë dhe besoj edhe të djathtë të tjerë, kemi evituar një analizë gjakftohtë të Ahmet Zogut, të cilën sot po na e imponojnë ndjekësit e tij, të cilët duan ta kthejnë Ahmet Zogun në një ikonë politike për të kërkuar me të në dorë votat e shqiptarëve, me arsyetimin se LZHK me Leka Zogun në krye do të sjellin “kohën e artë” të qeverisjes së Ahmet Zogut. Zogollët i kanë bërë një dëm të madh të djathtës shqiptare, duke e përçarë në 1920, duke e delegjitimuar në 1924, duke e përçarë e paralizuar në 1942-1943 dhe të njëjtën lojë po e bëjnë edhe në 2004. Tash e djathta duhet t’ ua thotë hapur disa të vërteta Zogollëve dhe ndjekësve të tyre.