2015-09-04

Vrasja e 42 125 shqiptarëve


Shkruan: Lush CULAJ, Prishtinë




Komandant i Shtabit Operativ të UNÇ-së të Kosovës ishte Fadil Hoxha qysh në periudhën e luftës, zëvendës i tij u emërua Petar Brajeviqi, komisar politik ishte Kërsto Filipoviqi, ndërsa shef i Shtabit për Çështje Personale u emërua Pavle Joviqeviqi.

Pas çlirimit nga pushtuesit nazistë dhe përfundimit të Luftës se Dytë Botërore, shqiptarët e Kosovës e viseve të tjera etnike në Jugosllavi, jo vetëm që u penguan të bashkoheshin me Shqipërinë, ashtu siç u deklaruan edhe në Bujan, por u ripushtuan dhe u ndanë si njësi të republikave të federatës jugosllave. Vetëvendosja, për të cilën kishin premtuar, kishte qenë vetëm një karrem që e kishin gëlltitur disa të rinj naivë e disa të tjerë që u kjo erdhi për shtati.


image

Terrori dhe krimet në fund të vitit 1944 dhe fillim të 1945-ës


Pas “çlirimit të Kosovës”, ushtria jugosllave iu qas organizimit të pushtetit të ri, formimit të organizatave dhe organeve politike, si dhe organeve të pushtetit, kurse në krye të tyre erdhën kryesisht kuadrot e nacionalitetit serb e malazias, si dhe një numër i vogël shqiptarësh. U formua Byroja Politike e Komitetit Krahinor për Kosovë dhe Dukagjin, në të cilën hynë: Miladin Popoviqi, sekretar politik, Dushan Mugosha, sekretar organizativ, Pavle Joviqeviqi, anëtar, Fadil Hoxha, anëtar, Boshko Çakiqi, anëtar, Xhavit Nimani, anëtar, Kërsto Filipoviqi, anëtar, Spasoje Gjakoviqi, anëtar, Ismet Shaqiri, anëtar dhe Mito Milkoviqi, anëtar.

Diktatura në Kosovë

Në organet ushtarake dhe të pushtetit pozitat u ndanë në atë mënyrë që gjithkund dominonin serbët dhe malazezët. Komandant i Shtabit Operativ të UNÇ-së të Kosovës ishte Fadil Hoxha qysh në periudhën e luftës, zëvendës i tij u emërua Petar Brajeviqi, komisar politik ishte Kërsto Filipoviqi, ndërsa shef i Shtabit për Çështje Personale u emërua Pavle Joviqeviqi. Shef i OZN-së, më vonë UDB-së, ishte Spasoje Gjakoviqi, veprimtarinë kriminale të të cilit populli shqiptar i Kosovës nuk mund ta harrojë kurrë.

Ndër episodet më tragjike të shqiptarëve, të cilat janë ngulitur në kujtesën historike, pa dyshim janë vitet e dhimbjes së madhe 1944-1945, kur nga njësitë e ushtrisë “nacionalçlirimtare” u dha drita e gjelbër për torturat, vrasjet dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Ky ishte fundi i fillimit të mbrapshtë dhe tragjik, i cili shqiptarët do t’i ndiqte vazhdimisht edhe pas viteve 1944-1945, kur territoret shqiptare këndej kufirit bien nën ripushtimin serb, por kësaj radhe me yllin e Stalinit, për të vazhduar deri në qershor të vitit 1999, kur Serbia, pas luftës të suksesshme të UÇK-së dhe pas ndërhyrjes së forcave të NATO-s, me dhunë u dëbua nga Kosova.

Pushteti komunist jugosllav ushtroi dhunë, terror dhe gjenocid mbi popullin shqiptar. Gjenocidi serb në Kosovë u intensifikua që nga vjeshta e vitit 1944. Shtabi Suprem i UNÇ-së dhe Armata Jugosllave qysh në muajin gusht 1944 i ishin drejtuar popullit shqiptar në Kosovë dhe me gjerë me këtë porosi kërcënuese: “Ju shqiptarët, bashkë me pushtuesit fashistë, çuat dorë kundër popujve fqinjë dhe u turpëruat keq... Nga sjellja e tillë deri më tash ju nuk e keni fituar të drejtën të jetoni vëllazërisht dhe të barabartë me popujt e tjerë të Jugosllavisë”. Me ikjen nga Kosova të luftëtarëve dhe rekrutëve shqiptarë dhe me ardhjen e njësive ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase në Kosovë, praktikisht u ndryshua përbërja e forcave ushtarake në dobi të elementit sllav. Që atëherë filluan aksionet e këtyre njësive ushtarake për “pastrimin” e Kosovës nga “bandat shqiptare”. Në të vërtetë, këtu ishte fjala për hakmarrje kundër popullit shqiptar për shkak se gjatë luftës ai nuk e kishte lejuar depërtimin e forcave çetnike në Kosovë. Para ardhjes së njësive ushtarake nga territoret fqinje, hakmarrjen e kishte filluar OZN-a, si dhe disa njësi kosovare nën komandën e komunistëve serbë dhe malazezë. OZN-a filloi me likuidimin e njerëzve që gëzonin autoritet dhe që nuk ishin nën armë, por që kryesisht ishin njerëz të nderuar. Kjo bëhej me qëllim të lënies se popullit shqiptar pa pari, pa njerëz që mund t’i prinin atij. Njerëzit merreshin nga shtëpia, kryesisht natën, dërgoheshin në burg dhe pas “marrjes në pyetje” vriteshin, të shumtën e herës me armë të ftohta: me çekiç, shufër hekuri ose në ndonjë mënyrë tjetër. Këtë lloj dënimi, siç theksojnë bashkëkohësit, e kryenin kryesisht romët. Familjeve të të vrarëve nuk u kumtohej asnjëherë për fatin e tyre dhe as që u dihen varret sot e kësaj dite.

Me ligjin për amnisti, të datës 20 tetor 1944, pjesëmarrësit e njësive çetnike të Drazha Mihajlloviqit, kriminelët e të gjitha ngjyrave, jo vetëm që u amnistuan, por atyre u jepej edhe mundësia për t’u futur në aradhe partizane dhe, ashtu si më parë, me kokardën çetnike, tani me yllin pesëcepësh, t’i vrisnin “kundërrevolucionarët shqiptarë”. Ligji për amnisti, që ishte i vlefshëm për të gjithë popujt, nuk vlente për shqiptarët. Përkundrazi, shqiptarët u shpallën “armiq” dhe mbi ta u bënë masakrimet me të tmerrshme pa dallim feje e krahine, pa dallim moshe e gjinie, pa dallim se cilit krah politik i përkisnin – mjaftonte të ishin shqiptarë. Terrori antishqiptar filloi nga fundi i shtatorit 1944 dhe mori përmasa të gjera sidomos gjatë muajve nëntor-dhjetor të atij viti. Në zbatimin e projekteve antishqiptare udhëheqja jugosllave i largoi me nguti nga këto treva meshkujt e aftë për luftë – forcat më vitale të kombit.

Terrori serbosllav

Pozita dhe statusi i Kosovës nuk ishin zgjidhur ende. Kosova ishte e askujt formalisht, por faktikisht ajo ishte në përbërje të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Jugosllavisë se re i nevojitej ta përgatiste terrenin për integrim, përkatësisht për bashkimin e saj edhe formal me Serbinë federale. Për t’u arritur ky qëllim me sa me pak kokëçarje, nevojitej që me masa represive dhe me terror të provokoheshin e të nxiteshin masat shqiptare në mënyrë qe të krijoheshin kushtet për një intervenim ushtarak për ta shuar “kundërrevolucionin”.

Në Prizren kisha dhe priftërinjtë ortodoksë sllavë frymëzonin dhe nxisnin urrejtjen kundër shqiptarëve, duke i quajtur shqiptarët “gjarpërinj helmues” dhe duke ua dhënë bekimin kishtar për detyrën terrorizuese me fjalët “shtypuani kokën”. Gjatë gjysmës së dytë të nëntorit të vitit 1944 në rrugët e Gostivarit u vranë shumë shqiptarë, në mesin e të cilëve shumë nga ata që e kishin ndihmuar lëvizjen. Edhe Kërçova e pësoi këtë katrahurë të tmerrshme, sidomos fshati Zajaz. Në këtë fshat gjatë atij viti OZN-a vrau 320 shqiptarë. Gjatë dhjetorit të vitit 1944 në Gostivar në Kodrën e Gradishkës u masakruan 75 veta.

Më 17 nëntor 1944 në stacionin e monopolit të duhanit në Tetovë ose, siç mund ta quajmë ndryshe, në kampin e përqendrimit, qarqet e OZN-ës kishin mbyllur brenda disa mijëra shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra e fëmijë, një pjesë e të cilëve u likuiduan mizorisht. Natën e asaj date u pushkatuan më shumë se 1.200 veta, kurse netëve të tjera pushkatoheshin nga 10-15 persona të pafajshëm. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj mase njerëzish vdiqën edhe nga mungesa e ajrit, nga uria etj.

Brigada XVI Maqedonase hyri në Shkup më 14 nëntor, kurse me 16 nëntor vazhdoi marshin drejt Kaçanikut dhe, në udhëtim e sipër, u kthye në fshatin Bllacë, i tuboi 111 veta, i futi në xhami dhe në shkollë, pastaj një grup prej 60 vetash i pushkatoi. Të njëjtën ditë e ekzekutuan edhe grupin e dytë dhe të tretë dhe numri i të ekzekutuarve arriti në 111 veta. Me veprimtarinë shoviniste antishqiptare dhe me krimet e tyre u dalluan të gjitha njësitë ushtarake që erdhën në Kosovë nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi. Krimet filluan njëkohësisht në të gjitha territoret etnike shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Njësitë ushtarake maqedonase bënë krime sidomos në Karadakun e Shkupit, në Kaçanik, Gjilan, Preshevë, Bujanoc etj. Gjilani me rrethinë ka përjetuar katastrofën më të madhe në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945.

Tradhtia e Enver Hoxhës

Në fund të nëntorit 1944 forcat komuniste të Shqipërisë kalojnë brenda territorit shqiptar të ish-Jugosllavisë, e cila juridikisht ishte pjesë territoriale e shtetit shqiptar dhe bëjnë çarmatosjen e formacioneve nacionaliste shqiptare, duke i mashtruar kështu përmes besës. Mijëra patriotë, duke besuar në besën komuniste, që u ishte dhënë, i dorëzojnë armët dhe shkojnë në shtëpitë e tyre. Duke përfituar nga kjo, serbo-komunistët japin urdhra për ekzekutime masive. Gjithë populli shqiptar i Kosovës ishte lënë në mëshirën e fatit dhe, me pretekstin e bashkëpunëtorëve të fashizmit, serbët për çdo ditë bënin masakra masive. Me dhjetëra varre të përbashkëta u hapën në ato vite. Me dhjetëra kufoma të pushkatuara mund t’i shikoje rrugëve të pavarrosura. Një tragjedi shekspiriane. Një popull i masakruar. Dhe, e gjithë kjo në emër të komunizmit.

Në rrethana të tilla shfarosëse shqiptarët organizuan rezistencën e armatosur për t’u mbrojtur nga terrori dhe për të kundërshtuar riokupimin e viseve të tyre nga komunistët serbo-sllavë. Për ta thyer rezistencën e fuqishme demokratike e liridashëse, si dhe për ta justifikuar zbatimin e mëtejshëm te gjenocidit, me urdhër të komandantit të forcave të armatosura të Jugosllavisë, Titos, më 8 shkurt 1945, në Kosovë u vendos administrimi ushtarak me arsyetimin e normalizimit të gjendjes.

Administrimi ushtarak në Kosovën e okupuar nga forcat serbe, malazeze dhe maqedonase udhëhiqej nga një grup i caktuar njerëzish, të cilët ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe gjyqësor me anë të veprimtarisë urdhërdhënëse në emër të shtetit serb. Sipas logjikës së rrjedhave të ngjarjeve, kjo veprimtari e centralizimit diktatorialo-ushtarak në Kosovë zgjati deri në majin e vitit 1953. Tanimë vazhdimi i terrorit dhe krimit mbi popullatën shqiptare u legjitimua edhe zyrtarisht. Rezistenca gjithëpopullore në Drenicë u organizua nën drejtimin e Shaban Polluzhës, forcat e të cilit përbëheshin nga rreth 4.000 luftëtarë. Mirëpo, Shaban Polluzha në marrëveshje me Shtabin Operativ të UNÇ-së së Kosovës ishte nisur më parë me brigadën e tij për në frontin e Sremit, njëkohësisht kur ishte nisur edhe Brigada VII Kosovare, më 18-19 janar 1945. Por me të marrë vesh se në Drenicë po ushtrohej terror dhe vrasje nga njësitë e UNÇ-së që gjendeshin atje, Shabani me njerëzit e tij kthehet nga Podujeva në Drenicë për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së atjeshme.

Përveç njësive të UNÇ-së jashtë Kosovës, ardhja e të cilave mbahet mend për të keq edhe sot ndaj popullsisë shqiptare, në luftën e Drenicës morën pjesë edhe njësitë kosovare të UNÇ-së, posaçërisht brigadat Kosovare IV dhe V. Në periudhën sa zgjati lufta e Drenicës, në të shumtën e pësoi popullata e paarmatosur, njerëzit që nuk kishin marrë pjesë në luftë, pësuan edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë. Veprimet gjenocidale të UNÇJ-së në Kosovë në fund të vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 u shpeshtuan aq shumë, sa ato u bënë objekt studimi në çdo tubim të kohës e të niveleve të ndryshme. Në mobilizim u përfshi me dhunë popullsia shqiptare, sidomos meshkujt, dhe pastaj u masakruan në mënyrën më barbare. Në bazë të dokumenteve që ruhen në Beograd (A. Sh. sekret, raport i përgjithshëm 1 (1-6 1945) dhe në bazë të të dhënave të tjera të shumta thuhet se në Gjilan me rrethinë janë likuiduar 7.845 veta, në Drenicë 4.820, në Tetovë 4.100, në Bihor 3.820, në Prishtinë 3.675, në Pejë 3.540, në Tivar 2.629, në Mitrovicë 1.450, në Podujevë 1.670, në Novi-Pazar 1.410, në Shkup 1.450, në Ferizaj mbi 1.260, në Prizren 1.250, në Tutin 900, në Gjakovë 730, në Gostivar 700, në Plavë dhe Guci 710, në Rahovec 750, në Rozhajë 735, në Kumanovë 780, në Preshevë 690, në Dragash 500, në Kërçovë 490, në Ulqin 515, në Suharekë 420, në rrugën Kukës-Shkodër 110, në Deçan 30 etj. Pra, sipas këtyre dokumenteve, më 1945 u vranë jo më pak se 42.165 shqiptarë. Kjo është vërtet diçka e tmerrshme.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...