2016-08-07

Ekspozitat në vitet e ’80-ta në Kosovë



Shkruan: Avni Rudaku

Me shkas librin “Anatomia psikologjike e gjuhës figurative” të S. Boshnjakut

Kjo periudhë shënon vitet e konsolidimit të arteve pamore në Kosovë

Në këtë libër mund të kuptohet fryma e viteve të ’80-ta, e cila po shkonte gjithnjë e më tej të bëhej me fyt të ngushtë dhe pa frymëmarrje të lirë për shqiptarët e Kosovës, pasi fundi i viteve të ’80-ta paraqet edhe suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës dhe fillimin e një egërsie të rrallë

Zakonisht jemi ndalur në vitet e ’90-ta, qoftë për kujtimet e tmerrshme të luftës së fundit, qoftë për periudhën njëdekadshe në jetë paralele nga shtypja sistematike, qoftë nga mbamendja më e lehtë e viteve jo aq të largëta. Për vitet e ’80-ta, brezi im që ishte lindur në gjysmën e kësaj dekade të fundshekullit XX, e ka të vështirë nuhatjen e asaj kohe, se si ishte zhvilluar arti figurativ dhe gjithçka tjetër. Leximi, kërkimi në librat e mëhershëm, na sjell deri te përafrimi nuhatës me atë periudhë, pasi mungon përvoja direkte e atyre viteve. Kjo periudhë shënon edhe vitet e konsolidimit të arteve pamore në Kosovë dhe ndonjëherë brezi i artistëve të rinj të pas vitit 1999, kujton se gjithçka filloi me ta, e jo me Nysret Salihamixhiqin, Muslim Mulliqin, Engjëll Berishën, Agim Çavdërbashën, Tahir Emrën, Nexhat Krasniqin, Agim Qenën, e tjerë e tjerë. Kjo vjen edhe si pasojë e humbjes së vazhdimësisë (shkëputja dhjetëvjeçare), informimit të dobët, çarjes së historisë në “para dhe pas luftës së vitit 1999”, etj. Sidoqoftë, kjo kolumne merr shkas një libër që përshkruan të gjitha ekspozitat e viteve 1980-1985, ku dallohen disa karakteristika të këtyre ekspozitave për dallim nga ekspozitat e sotme bashkëkohore: janë të mbingarkuara edhe me mbi 120 punime, me mbi 80 artistë pjesëmarrës, me përzierje zhanresh në të njëjtën kohë (pikturë, grafikë, skulpturë, dizajn marketingu e libri), me dominim të pikturës, por edhe të grafikës mjaft në mode; me tejshquarjen totale të artistëve meshkuj dhe rrallësisë me artiste vizuale femra; me bashkëjetesë dhe ekspozita të përbashkëta të artistëve shqiptarë me ata serbë, boshnjakë, kroatë, sllovenë, etj. Nuk është po ashtu e vërtetë se nuk ka pasur njohuri dhe ekspozita për artin që zhvillohej jashtë Jugosllavisë. Madje në Prishtinë gjatë pjesës së parë të viteve ’80-ta, kishin ardhur artistë nga Suedia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ekspozita me grafika), të cilët kishin ekspozuar te ne. Karakteristikë tjetër e këtyre ekspozitave ishte tematika e Luftës së Ftohtë, garat në armët bërthamore, Lufta Nacionalçlirimtare Antifashiste, etj., meqë ishim para shembjes së Murit të Berlinit. Në skulptura kishte dominuar materiali prej plastike, druri, apo edhe hekuri, e shumë veçori të tjera dalluese të kësaj periudhe me ato të viteve ’90-ta dhe pas luftës.

Ekspozitat në vitet e ’80-ta në Prishtinë dhe në Gjakovë

Sapo lexon librin e Skënder Boshnjakut rreth trajtimeve dhe kritikave që u bënë ekspozitave të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë gjatë pjesës së parë të viteve të ’80-ta, lexuesi e merr frymën e kohës që në parahyrje, kur autori mëton për “një trajtim marksist të arteve figurative”, ndonëse shtjellimet që i bënë në krejt vështrimet e tij kritike mbi veprat dhe artistët, nuk i interpreton realisht në atë gjuhë. Pavarësisht profesionit prej neuropsikiatri, Boshnjaku prej asaj kohe ishte i pasionuar mbi artin dhe të gjithë që e njohin atë e bëjnë sinonim me artdashësin. Por brezi im nuk e njeh edhe si kritik arti. Kritikat e tij mbi ekspozitat nganjëherë trajtojnë kodin tematik, nganjëherë ndikuar nga profesioni i tij, rrahin botën psikologjike të krijimtarisë artistike, nganjëherë tamam si kritik arti, kapet për teknikën, mjeshtërinë, ligjësitë estetike të kohës, harmoninë, kompozicionin, lojën me ngjyra, me vija, etj. Nganjëherë edhe për kohën e sotme, del qesharak, në kuptimin që e kritikon Shoqatën e Artistëve Figurativë që nuk ka aq shumë artistë pjesëmarrës, pavarësisht se ishin mbi 40 pjesëmarrës! Ndonjëherë jep kritika edhe për gjëra elementare, ndonjëherë mu në esencë, por për kohën, ishin disa çalime të zakonshme teknike të organizimit dhe procesit kuratorial. Në një nga ekspozitat e SHAF-it në Galerinë e Arteve në Prishtinë, Boshnjaku thekson: “Edhe në këtë ekspozitë dominojnë tablotë në pikturë, pastaj kemi edhe punimet grafike dhe në fund skulpturat. Teknikat e tjera janë më pak të prezantuara. Për këtë Shoqata duhet të ketë kujdes më të madh që të stimulohen edhe format e tjera figurative. Është dobësi e madhe e organizuesve që punimet janë pa legjenda. Kjo do ta ngriste nivelin e ekspozitës, e cila është tradicionale.”(Skënder Boshnjaku: “Anatomia psikologjike e gjuhës figurative”, Rilindja, Prishtinë, 1986, f. 23). Në këtë ekspozitë, autori Boshnjaku veçon Muslim Mulliqin: “Së pari të shënojmë se punimet e Muslim Mulliqit lënë mbresa më të fuqishme te artdashësit… Autorët e tjerë që prezantohen këtu janë në nivelin e krijimeve të deritashme, si Nysret Salihamixhiqi, Rexhep Ferri, Kadrush Rama, Engjëll Berisha. Disa kanë punime në stilin e teknikës asemblazh, që nuk është preokupim themelor, siç është rasti i Xhevdet Xhafës… Nga të rinjtë dallojmë punimet e Avni Toplicës, Sami Bicajt dhe Bislim Aliut.” Autori përmend edhe emrat, si: Jonuz Hajradinaj, Zoran Jovanoviqi, Ymer Shaqirin, Agim Salihun, Shaip Çitakun (grafika), Ismajl Qosaj (skulpturë), Veli Blakçori (vizatim) e tjerë e tjerë.” (po aty, f. 23-24). Në vitin 1983, autori Boshnjaku e vlerëson Ekspozitën Vjeshtore të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës në Galerinë e Arteve të Prishtinës, si “njërën ndër më të dobëtat deri më tash. Kjo ekspozitë nuk arriti t’i tubonte të gjithë krijuesit e arteve figurative e kjo dëshmon se në relacionin Shoqata-krijuesi si individ ekziston mosinteresimi, mospërfillja e obligimeve që ka krijuesi ndaj shoqërisë dhe ndaj artit në përgjithësi… Pse një organizim kaq i dobët? Ku vete fjala e rastit, ku u tret entuziazmi?...” (po aty, f. 26) Dhe kur më herët përmendëm kritikën qesharake kur flasim me botëkuptimin e sotëm, edhe pse në këtë ekspozitë ishin paraqitur 41 autorë me afro 65 punime, ku prej tyre, 42 ishin piktura, 13 grafika dhe 10 skulptura, Boshnjaku thotë: “Kur të kihet parasysh sa anëtarë ka Shoqata, atëherë vetvetiu del përfundimi sa e mangët ishte ekspozita.”(po aty, f. 27) Edhe në këtë ekspozitë kishin marrë pjesë me punimet e tyre: Rexhep Ferri, Nysret Salihamixhiqi, Kadrush Rama, Engjël Berisha, Hilmi Qatoviqi, Zoran Jovanoviqi, Hamdi Bardhi, Sulejman Kadria, Nijazi Llonçari, Bislim Aliu, Haxhi Kastrati, Jetullah Haliti, Veli Blakçori, Petar Gjuza, Jakup Hajradinaj, Agim Salihu, etj.

Ekspozita e studentëve të Akademisë së Arteve

Në vitet ’80-ta ishte tradita e ekspozitave nga studentët e Akademisë së Arteve. “Në kuadër të jubileut të 10-vjetorit të Akademisë së Arteve, në Pallatin e Rinisë “Boro e Ramizi” u hap ekspozita e punimeve figurative të studentëve të kësaj Akademie, ku me punimet e tyre në pikturë, grafikë, skulpturë, vizatime, punime aplikative-tapicerike, pastaj me ilustrime të librave, të ftesave e përurimeve, morën pjesë mbi 85 autorë.”(po aty, f. 29). Prej 85 autorëve, 26 ishin me pikturë, 34 me grafikë e vizatim, 2 me skulpturë dhe të tjerët me dizajn. Autori Boshnjaku me të drejtë vë në pah ndikimet e profesorëve te studentët, i cili vazhdon të jetë gjithmonë çështje problematike e dëmtimit të individualiteteve të artistëve, nëse nuk ka vetëdijesim për imitim e tjetërsim. “Disa të rinj në njëfarë mase janë ende nën ndikimin e plotë, e disa nën ndikim të pjesshëm të profesorëve të Akademisë, që do të thotë se para vetes kanë rrugën e mundimshme të kërkimeve individuale dhe të lirimit nga përsëritjet, nga ndikimet dhe nga mimikëria figurative.” (f. 39)

Salloni i dhjetë në Galerinë e Arteve

Në këtë sallon kishin marrë pjesë artistë të etnive të ndryshme: Tahir Emra, Rexhep Ferri, Vlado Radoviqi, Engjëll Berisha, Hilmi Qatoviqi, Hamdi Bardhi, Muhamet Shala, Petar Gjuza, Ibrahim Ponosheci, Esat Vala, Masar Cakaj, Zoran Jovanoviqi, Fatmir Krypa, Hysni Krasniqi, Agim Salihu, Ymer Shaqiri, Shaip Çitaku, Rrustem Bujupi, Zyhdi Çakolli, Sanie Jahaj, Svetomir Arsiqi, Zoran Karalejiqi, Luan Mulliqi, Ismail Qosaj, Aziz Islami, Idriz Gashi, Slobodan Peroviqi etj. Ekspozita e tillë nga autori Boshnjaku përshkruhet si monotone, e përsëritshme, pa risi, etj. Ndërsa ekspozita e Shoqatës së Artistëve Figurativë e vitit ’83, ishte me artistë figurativë nga shumë vende të Jugosllavisë. “…risi e kësaj ekspozitë qe se për të ekspozuar u ftuan edhe artistë figurativë nga Beogradi, Novi-Sadi, Lubjana, Prilepi, Cetina dhe Zagrebi. Kjo shtron kërkesën që ekspozita, ku do të merrnin pjesë edhe mysafirë, të bëhet tradicionale, të thyhet monotonia që ka mbretëruar deri tash. Për vlerat e tilla s’do hamendur shumë, sepse këto shquhen, ngaqë disa nga mysafirët - pjesëmarrës të ekspozitës, janë emra të njohur të artit figurative jugosllav si Mirosllav Shutej, Dragan Mojoviqi, Eugen Kokoti, Halil Tikveshi, Dimitar Kondovski, Ivan Kuduzi, Drago Hërvacki, Mirjana Muleviqi, Tomazh Gorjupi, etj. Ndër ta ka edhe individë që u përkasin rrymave aktuale bashkëkohore dhe veprat e ekspozuara ngërthejnë dialogun e pandërprerë me vetveten, me kohën dhe me hapësirën.”(po aty, f. 37) Në vitin 1983, ishte edhe Bienali i Pestë i Vizatimit, ku kishte 50 autorë nga Kosova dhe mysafirë. “Organizatori ka të rezervuar një shpërblim për mysafirët, që më duket se nuk është me vend për shumë arsye, në radhë të parë, ngaqë numri i tyre (mysafirëve) është simbolik (gjithsej pesë autorë), ndërsa nga 45 të tjerë nga Kosova – vetëm dy shpërblime.” (po aty, f. 41) Prej autorëve në këtë Bienal, veçon Hamdi Bardhin e Muhamet Shalën. Me kod tematik LNÇ-në, ishte edhe ekspozita, “…në shenjë të 40-vjetorit të revolucionit dhe për nderë të festave të Nëntorit. Ekspozita, pra, ka karakter historik, ngaqë është e para që i kushtohet tërësisht LNÇ-së e revolucionit të kombeve e kombësive të Krahinës sonë.”(po aty, f. 44)

Salloni i parë i Karikaturës

Në vitin 1982, Revista humoristike “Thumbi”, Shoqata e Artistëve Aplikativë të Kosovës dhe Galeria e Arteve kishin organizuar ekspozitën, përkatësisht sallonin e parë të karikaturës “Prishtina ‘82”. Nga karikaturistët kosovarë ekspozuan: Nexhat Krasniqi, Fahri Axhanela, Aqif Kajmakçiu, Nevruz Musa, Agim Qena, Veli Blakçori, Nusret Mala, Mustafa Ferizi, Hidajete Krasniqi, Ramadan Zaplluzha, Vullnet Begolli, Adem Beqa, Shengyl Kurteshi etj. Po ashtu morën pjesë edhe karikaturistë nga pjesë të tjera të vendit si: Jugosllav Vllahoviqi, Dushan Ludvigu, Stane Jagodiqi, Jordan Pop-Ilievi, Mlladen Gjuroviqi, Vojin Stankoviqi, etj. (po aty) Edhe në vitin 1983, hapet salloni i dytë i karikaturës, ku morën pjesë 70 autorë me 132 punime. “Tematika e temave të ekspozuara është e gjerë: ajo shtrihet që nga ngjarjet e rëndomta të së përditshmes sonë e deri te ato me rëndësi të gjerë shoqërore (gjendja e tendosur e kohës sonë, ngjarjet dramatike në politikën ndërkombëtare, pakuptimësia e luftës, garat e blloqeve, vuajtjet e mjerimi i botës së pafajshme, garat në armatim, lufta e ftohtë ndërbllokiste etj.).” (po aty). Gjatë viteve 1980, ishin hapur edhe ekspozita të artit boshnjak, me artistët kroatë, por edhe përmendet një ekspozitë interesante “Prej Pikasos deri te Kalderi”, “që përbëhej prej veprave të dhuruara Muzeut Bashkëkohor të Arteve të Shkupit pas tërmetit katastrofal në vitin 1963, ku autorë të shumë vendeve të Evropës dhe Amerikës kanë dhuruar punime të bëra…” (po aty). Në këtë libër mund të kuptohet fryma e viteve të ’80-ta, e cila po shkonte gjithnjë e më tej të bëhej me fyt të ngushtë dhe pa frymëmarrje të lirë për shqiptarët e Kosovës, pasi fundi i viteve të ’80-ta paraqet edhe suprimimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës dhe fillimin e një egërsie të rrallë! Prandaj, kthimi në të lexuarit e librave të tillë si ky i Boshnjakut, na kthejnë prapa ecejakeve të ndryshme nëpër të cilat kalon arti pamor në Kosovë dhe ndan fatin me mjedisin ku veprojnë vetë artistët!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...