Pëllumb Kulla ka lindur në Zëmblak të Korçës në vitin 1940.
Përfundoi arsimin e mesëm në degën mekanike të Politeknikumit "7 Nëntori"(1957) dhe studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë Teatrale "Aleksandër Mojsiu" më 1964.
Aktiviteti profesional
U emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.
Më 1967 bie viktimë e luftës së klasave dhe biografia me njollë e çon per riedukim në gurore, minierë e më pas në ofiçinë. Riedukimi zgjat po aq sa iu desh per te kryer studimet e larta; plot katër vjet.
Më 1972 emërohet aktor në Teatrin e Fierit, me pas regjisor; dhe punoi aty 18 vjet, si regjisor i Estradës dhe Teatrit.
Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arrin "kullën" e suksesit. Ështe me e mira ne vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët "Çobo Rrapushi me shokë" (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë.
Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" nën titujt "Lipe Shtogu në listë" (1979), "Shoku Niqifor" (1981), "Portrete pa makiazh" (1983), "Po martojmë Malon" (1984), "Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç" (1988), si edhe në buletinin "Teatër".
Më të plotë letërsinë e tij për skenën e gjejmë në pesë vëllime, në një botim të bukur financuar nga Bashkia e qytetit të Fierit, me titullin e përbashkët "Teatri kjo lojë magjepsëse"
Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri.
Më 1987 i jepet Çmimi "Naim Frashëri" i Klasit të Dytë. Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen "Shoku Niqifor", "Dy krismat në Paris", "E bukur shtëpi e vjetër".
Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia "Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë", vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin "Skampa" të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989.
Vitet '80
Në vitet '80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë "Telat për violinë" dhe "Stolat në park" pa llogaritur pastaj angazhimin si autor dhe regjisor i skenarëve me metrazh të mesëm televiziv, në televizionin e vetëm shtetëror.
Aktiviteti pas viteve '90
Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Pas përfundimit të shërbimit diplomatik shtetëror doli në pension dhe u vendos me familjen më parë në Waterbury, Connecticut. Shumë shpejt u rikthye në New York dhe u angazhua për afro dy vjet si gazetar dhe editing manager i gazetës shqiptaro-amerikane "Illyria". Gjatë qëndrimit në SHBA prodhimtaria e tij u pa e begatë. Botoi njw seri librash qw u pritwn me interes.
E nisi fillin me essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, "Si qeshnim nën diktaturë" dhe vijoi me romanet "Rrëfenja nga Amerika", "Lejlekët nuk vijnë më" dhe "Vdekja e Enver Hoxhës".
Ndërkohë Shtwpia Botuese TOENA e përfshiu autorin në kolanën e Tregimeve të Zgjedhura të Autorëve Shqiptarë me vëllimin me tregime "Pushtimi i Amerikës" (2005) teksa Shtëpia tjetër Botuese GEER ia përmblodhi edhe një herë më gjerë novelat dhe tregimet e tij nën titullin atraktiv "Rrëmbimi i nuses në Nju Jork" (2012).
Pa u shkëputur nga librat e tij shënojmë një botim të bukur të Universitetit Europian të Tiranës me afro 700 faqe nën titullin emblematik "Luftë pa Fund" ku gjenden tërë shprehuritë politike të autorit në periudhën e tranzicionit të zgjatur të vendit të tij. Aty janë që nga bashkëpunimet e para me gazetën "Rilindja Demokratike" e pastaj me tërë gazetat e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe ShBA.
Vlen të theksohet që edhe në tokën amerikane nuk pushoi bashkëpunimi i tij në fushën e skenës teatrore për të sjellë pranë shqiptarëve të emigruar humorin e vatrave të mëmëdheut dhe për këtë u angazhua shumë me koncerte duke shfrytëzuar bashkëpunimin me aktorët e njohur shqiptarë të vendosur me banim të përhershëm apo të përkohshëm në qytetet amerikane.
I takon skenës përkushtimi në shkrimin e një sërë komedive të plota që pastaj u realizuan në atdhe. Këto janë "Kërcuri" (2003), "Milioneri" që u cilësua vepra më e mirë në Festivalin e Dramës Shqipe në Gjilan të Kosovës (2011), "Dikush duhet të vdesë" (2011) dhe "Shshsht! Ule zërin" (2013).
Vlerësime: Është vlerësuar me titullin "Nderi i Qarkut" Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Mojsiu i është akorduar titulli "Mjeshtër i Madh" (3 Dhjetor 2003)
Agjencioni Floripress
“Jam përndjekur nga Sigurimi që kur isha 17 vjeç”. Pohimi befasues i regjisorit të famshëm në reagimin e tij për shkrimin “Pse duhen ndaluar dramat e Pëllumb Kullës”, botuar te “Panorama”, zbulon një histori interesante që hedh dritë mbi disa aspekte të panjohura për mënyrën e sjelljes së regjimit me njerëzit e artit, veçmas me ata me biografi të papërshtatshme politikisht. Në shpluhurosjen e dokumenteve të hershme, Kulla përpiqet të ndriçojë misteret e labirintheve, siç pohon ai, ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj. Përtej vështrimit bardhë e zi, në rrëfimin e tij vijnë ngjarje e ndodhi ku përshkruhet me një qasje interesante natyra represive e regjimit dhe diferencat e karaktereve të zyrtarëve të nomenklaturës, si një bashkësi besnikësh të verbër që kapërcejnë madje edhe limitet e kohës në përballjen me viktimat e tyre dhe një pjese tjetër, që rriskon nga vetja për të lehtësuar sa të mundet grupin e të pambrojturve. Më poshtë botojmë pjesën e parë të kujtimeve të Kullës, që zbulojnë rrethanat e panjohura të largimit të dhunshëm nga skena e teatrit në guroren e Kaninës…
***
Nga Pëllumb Kulla
Para ca ditësh, z. Afrim Imaj, që kujdeset për rubrikën “Dossier” të “Panoramës”, pati nxjerrë në dritë dy dokumente të vitit 1966, që mbanin nënshkrimin e sekretarit të Komitetit të Partisë së Vlorës. Falënderoj zotin Imaj për fjalët tepër vlerësuese që pat derdhur në komentarin e tij, por sidomos për publikimin e këtyre dokumenteve, të cilat hedhin dritë mbi labirinthet ku gatuheshin fatkeqësitë e artistëve të rinj që llogarisnin të kishin si mbështetje vetëm punën dhe aftësitë e veta. Që të dyja dokumentet kanë nevojë të shpjegohen dhe nga ana e njeriut që fokusohej aty, e që jam unë, tashmë në një moshë të shtyrë. Janë të vërteta aty nënvizimet e nxira të prejardhjes, të persekutimeve, listimet e të arratisurve që me sytë e kohës duhej ta degdisnin varkën time në fund të detit të Vlorës.
Por kaq! Të tjerat pastaj janë shpifje dhe ngarkesa keqdashëse. Interesant ishte dyshimi i burokratëve vlonjatë të kohës mbi përkrahjen që mund të kisha unë nga elementë dashamirës në Ministrinë që mbulonte teatrot. Dhe pastaj paradoksi më i madh dhe më uluritës ishte ai që Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH i shfaqej nga Vlora pikëpyetja torturuese se kush më pat futur mua, një individ me përbërje aq të rënduar në Shkollën e Lartë! Dhe këta mehmurë nuk dinin një fakt, që vetëm në ndonjë zyrë lokaliteti nuk dihej: që këtë lëshim të pazakontë e mëshirëmadh e pat bërë vetë Enver Hoxha! (Kam folur disa herë në shtyp për këtë takim fatlum me të parin e vendit, kërkesën që i bëra unë atij dhe pëlqimin që dha ai). “Ky njeri”, ankohet sekretari Gani Keçi në shkresë, “është në përpunim aktiv nga organet e Punëve të Brendshme si element armik me pikëpamje të theksuara borgjezorevizioniste dhe zhvillon agjitacion e propagandë armiqësore”. A mund të përfytyrohet një autoritet i frikshëm i diktaturës që të denoncojë në Sekretariat të Enverit një çunak 26-vjeçar, pinjoll reaksionarësh me të pushkatuar e të arratisur në familje, që ka sypatrembësinë dhe marrëzinë të bëjë në mes të Vlorës agjitacion dhe propagandë armiqësore?! T’i dërgosh aparatit të lartë të Partisë një shkresë të titulluar “Mbi çështjen e aktorit Pëllumb Kulla”, do të thotë që është hapur tashmë një çështje! Do të thotë që aparati u ka kërkuar llogari partiakëve të Vlorës për degdisjen e një djali të ri në guroren e Kaninës, pasi ka shkruar dramën e parë të fillimeve letrare, një dramë entuziaste rinore, që po vlerësohej në konkursin e 25vjetorit të Partisë. E ka paraqitur atë dhe në teatrin ku bënë pjesë shokët e trupës e kanë pritur veprën.
Teatri i Vlorës e ka miratuar dhe regjisori përgatiti vënien në skenë. Asnjë gabim ideor nuk kishte drama, asnjë ndikim borgjezorevizionist, apo “dominim të formës mbi përmbajtjen”, siç thuhet në denoncimet e Keçit. Pra, ra si rrufe nga qielli i kthjellët mosmiratimi në Komitetin e Partisë nga Sykot dhe Keçët e asaj kohe. Nga ana tjetër, konflikti i ndërsjelltë i Ministrisë së Kulturës dhe tre teatrove, që ndërkohë po e vinin atë në skenë, me mediokritetin e aparatçikëve të Vlorës, përziente shumë probleme, ngaqë prekeshin shumë interesa. Teatri “AZ Çajupi” për pesë ditë do t’u jepte shfaqjen e dramës sime spektatorëve korçarë dhe atë po e vinte në skenë jo dokushdo, por mjeshtri Luarasi. Në Durrës kish përfunduar procesin në tryezë dhe aktorët flisnin mirë për rolet që i tërhiqnin. Në Institutin e Arteve, pedagogu Spahivogli kish filluar një punë diplome me studentët që më së miri i përshtateshin pjesës sime. Rolin kryesor të inxhinierit ia kish ngarkuar studentit brilant Sheri Mita, ndërsa atë të vajzës së rritur me pekule, ia kish besuar shoqes sime (që më pas u bë gruaja ime), Xhuljetës. Nuk mund të përfytyrohej një qiell aq i kthjelltë për një autor të ri. Dhe nuk po ndodhte kjo për inat të Gani Keçit dhe Janaq Sykos, shefit që drejtonte kulturën në Vlorë! Ndalimi i veprës shkaktoi keqardhje në trupën tonë. Punët vështirësoheshin se unë nuk mund ta tërhiqja dramën nga konkursi, dhe nuk kisha arsye kur ajo po çante me sukses drejt çmimeve të larta. Kjo vinte në pozitë të vështirë Komitetin e Partisë, aq më tepër kur te ne, në teatër, po shfaqej hapur pakënaqësia e artistëve, që “kulaçin e bërë në magjen e tyre do ta hanin të tjerët”. Dhe ata punuan fort dhe e gjetën zgjidhjen: me një urdhër nga lart, në të njëjtën ditë, puna u ndërpre në të gjitha këto skena. kishin emra dhe histori më të pasura se Vlora. Nuk ishin “miqtë” e mi që po ua bënin hilen. Isha unë që i nxirrja në dritë të shtrembër me trillin tim marrok për t’u endur në fushën e letërsisë skenike. Unë në jetën time kam hasur vështirësi, por kam gjetur edhe njerëz dashamirës, me botë të gjerë shpirtërore. Por kundërshtarët e mi të fuqishëm duhej logjikisht të kishin 10-fishin e “miqve”, nga ai lloji që i mendonin ata, dhe e patën më të lehtë t’i mobilizonin në betejën e tyre me një qenie të brishtë. Kur kjo ngjarje u bë e njohur, keqardhja preku shumë njerëz të mirë të botës së artit dhe politikës, atëherë po, u shfaqën miqtë.
Pëllumb Kulla dhe Perlat Çaushi
Një ndër ta, poeti i madh Dritëro Agolli, aso kohe një gazetar i thjeshtë i seksionit të kulturës në gazetën “Zëri i Popullit”, nisi të trokiste fort nëpër dyer zyrash të rënda, por pa çarë dot. Atëkohë as Dritëroi nuk e kishte staturën që i njohim tani dhe as që kishte me mua miqësinë që kemi sot. Emri im Agollit nuk i thoshte asgjë dhe do të mjaftonte përmendja e vetëm njërës prej të zezave në jetëshkrimin tim, që të largonte cilindo pa i vënë aspak faj, jo vetëm atëherë, por as edhe sot. Por falë i qofshim Zotit për ekzistencën e pabujshme të njerëzve të tillë që u skandalizuan nga vepra kriminale e atyre aparatçikëve vlonjatë me mashën e Luftës Klasore. Për t’u ritakuar me skenën m’u deshën të kalonin pesë vjet të gjatë. Miq të tjerë të mrekullueshëm vlonjatë, si Ismet Cibaj, sekretar i Komitetit të Partisë në Fier, Axhem Gjonaj, nënkryetar i Komitetit të Vlorës, dhe të tjerë bënë të mundur që unë të atashohesha me emërim në Estradën dhe Teatrin e Fierit, ku erdha më i burrëruar, me një bagazh më të plotë jetësor dhe artistik.
Pëllumb Kulla dhe Piro Mani
Kalvari im ishte i gjatë, por mua asnjëherë në qytetin bregdetar nuk m’u vunë në dukje as vërejtjet për veprën që shkrova dhe as për sjelljen time të padenjë të padisiplinuar dhe të dënueshme politikisht. Pra, unë u dëbova nga studiot dhe skena e teatrit, por asnjëherë nuk m’u tha motivacioni i këtij ndëshkimi. Nuk m’u tha që vepra kish të meta ideore, e nuk kish sesi, ngaqë konkursi dhe opinioni artistik kombëtar ua pat kyçur me autoritet gojën. Nuk më thoshin dot as që po më syrgjynosnin dhe po më shpinin te gurët. E nuk kish sesi, se ndërkohë, me vonesë – me vonesë, por edhe ata kishin marrë vesh që kjo qe kapërcyer tashmë nga vetë i madhi i vendit dhe përderisa pas takimit me të, pushkatimet dhe arratisjet në fisin tim qenë prerë, nuk dilte dot Keçi para Hoxhës! Edhe në Fier, për një kohë hija e ngjarjes së Vlorës shfaqej, por jo me ato përmasa. Puna ime në këtë qytet të ri kishte vlerësime të larta dhe unë kurrë nuk u nëpërkëmba. Përkundrazi! Jeta mes artistëve të shkëlqyer e mes publikut frymëzues fierak ishte e bukur. Ndodhte ama nganjëherë që në mbledhjet, që provokoheshin kur dënoheshin grupet e shumta armiqë sore në nivele të larta të ushtrisë, ekonomisë dhe ideologjisë, na ngrinin të premtonim se ne si kundërpërgjigje do ta rrisnim cilësinë e artit skenik dhe na bënin të ndërgjegjshëm se sa i detyroheshim popullit, sidomos ca nga ne, që në jetët e tyre…
Pellumb Kulla dhe Mihalaq Luarasi
Dhe qëlloi që njëherë, ndërsa më kishin ngritur mua, më pyetën: “A mund të na e thuash ti, shok, se nuk na e ke thënë kurrë: përse të dënuan në Vlorë në vitin 1966?!”. Kishin kaluar dhjetë vjet që isha pjesëtar i kolektivit atje! Iu përgjigja: “Nuk jua kam thënë kurrë, more shokë, sepse nuk ma kanë thënë kurrë! E kam kërkuar të ma thoshin motivacionin në Vlorë, nuk ma thanë. E kam kërkuar edhe në Tiranë. Heshtje e plotë! Pa ta provoj ta kërkoj edhe këtu te ju, në Fier, mbase ma thoni: Përse në fund të atij vitit 1966, më dërguan të nxjerr gurë në majë të Shashicës?!”. Kjo faksimile e kartelës së Sigurimit “Model 1” i përket të riut 17 vjeçar Pëllumb Kulla. Një nga rastet e rralla ky, kur policia e fshehtë merrte në përpunim institucionalisht një adoleshent. Përpunimet (përndjekjet) në komunizëm regjistroheshin në këto lloj dosjesh: PP (Përpunim paraprak), kur vinte ndonjë e dhënë e paverifikuar. Nëse ajo vërtetohej, ngrihej në nivel 2B ose 2A. Dosja “2B” hapej për të gjithë të parashikuarit kundërshtarë të regjimit të llojit “bir prefekti”, “bir kulaku” etj. Ata mbaheshin nën gjurmim dhe një herë në muaj dokumentohej një raport rreth tyre. Dosja “2A”, ndryshe dosja e përpunimit aktiv, që nënkuptonte vëzhgimin 24 orë për objektin me prirje armiqësore. Ekzistonte sakaq edhe përpunimi aktiv, si problem i centralizuar përmbi një person. Ky problem ndiqej me pseudonim, p.sh. problemi i centralizuar “Bataku”, “Bloza”, “Plehu”… Këto janë fjalët që pëlqente më shumë Sigurimi.
No comments:
Post a Comment