2015-02-16

Antologji e poezisë moderne shqipe - Flora Brovina


FLORA BROVINA



          Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor...  shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë  jetës.
            Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...
            Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.

(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA





ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




FLORA BROVINA





          
            Hyrje
  
            Flora Brovina u lind më 30 shtator 1949 në Skenderaj.
            Studimet në Fakultetin e Mjekësisë i mbaroi po në Prishtinë.
            Ka botuar disa vëllime me poezi:
            - "Vërma emrin tim" (1973)
            - "Bimë e zë" (1979),
            - "Luleborë" (1988)
            - "Mat e çmat" (1995)
            - "Thirrje e Kosovë" (1999, në kohën kur ajo ishte në burgun e Pozharevacit në Serbi).     
            Në vitin 1999, në një kohë kur fati i Flora Brovinës pas arrestimit ishte i panjohur, ajo mori Çmimin Tucholsky për vitin 1999 "in absentia" nga PEN Klubi Suedez.





LIRIA

Liria
Fluturim zogu
Në dritare

Zgjim mëngjesi
Duar hapur

Është
Hënë
Prapa grilave
Liria
Erëgruri
I porsakorrur

Lojë e fëmijëve
Gaz e vaj

Është
Grua
E çliruar nga barra

Liria
Foshnjë kuqërreme
Në parzëm nëne

Si duket oh si duket
Liria


GRUAS

ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
në aneminë e fjalës
ç’fsheh

barrën e dhjetë
apo vitet e tua

ç’ruan
në zbehtësinë e fytyrës
zërin e t’yt shoq
apo në përkëdhelje të humbur

ç’ruan në aneminë e fjalës
këngën e heshtur
apo një pranverë të sosur

ç’ruan
kur përkund kohën në djep
ç’ruan
ç’fsheh


THIRRJE KOSOVËS

Ç'do të bëj une pa ty
Pa ardhjet e shkuarjet e tua
Do të harroj të flas
Me vetveten

Ç'do të bëj une pa ty
Pa shikimin në bar
Si t'i ngroh gjymtyrët
Të ngrira akull

Do të më lësh të bëhem plakë
Me dhembje duarsh
Me dhembje eshtrash

Kam frikë kur shkon
Ç'do të bëj une pa ty
Po nuk erdhe
Do të bëhem gurpragu
Kallkan do të bëhem
Ç'do të bëj unë pa ty


SKËNDERAJ

Kujtim as ëndrra
Për erën e ftoit
Më tha nëna

Sa herë të zu në gojë
Dhëmbët mu mpinë

Hape dritaren
Merr frymë thellë
Sa herë he shtatzënë
E ndien më mirë
Erën e ftoit
Të vendlindjes
Më tha nëna


ORA E PARË

Jusufi
Jusuf Kanjushë e verdhë
Jusuf Gërvalla... mungon
Teuta Iliri Agroni Ylli
Fadi Fadil Talla... mungon
Ylfetja Ylfete Humolli... mungon
Shukrija Shukrije Obëtinca... mungon
Kimetja Arsimi Kujtimi
Halimi... Halimi... mungon
Shpresa Besa Kastrioti
Fatmiri Fatmir Kërleshi... mungon
Afrimi Afrim Zhita... mungon
Vazhdojmë
Valbona Shkurta Gjoni
Xhevati... Xhevati... mungon
Mungon Nesimi Bekimi
Afrimi... Afrim Prebreza... mungon
Mos më sillni
Certifika mjekësore
Prindore policore shtetërore
Thoni vetëm mungon
Me lule do t'ua mjekojmë plagët
Do t'i presim
Do t'i presim
Thoni vetë mungon
Do të çelin lule gjaku
ora vazhdon...


MERRE VESEN TIME

Kur jashtë bije shi
Me lejo si fëmijë
Të dëgjoj,
përrallen tende për shiun
(pikat, rrëkenë dhe lumin)
Kur jashtë bije shi
Me dorë ngadalë
Ma merr vesen prej syrit
Para se te marr rrugën e shiut

 
VERMA EMRIN TIM

Nëse më njeh – e di emrin tim
ka emrin e fluturimit
nëse e di emrin tim mos më thirr fluturim
Nëse më ke parë – e di kush jam
i kam krihet e thëllëzës
nëse e di kush jam mos më thërrit thëllëzë

Nëse ke dëgjuar këngën time – e di si këndoj
vëlla e kam bilbilin
nëse e di si këndoj këngën mos ma ndal

Nëse lotët i urren – e di se unë nuk qaj
qyqen nuk e kam fis
nëse e di se nuk qaj mos më thuaj se nuk ndjej
 

GJARPRI

Në themel të shtëpisë
I ftohtë
Në këmbë e dorë
Gjarpër
Rrotull meje
Gjarpër
Ndërron lëkurë
Ti ndërron lëkurë
E gjarpër je
Rrotull meje

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...