2015-02-11

Dëshmi të genocididit serb në Kosovë


Nga Hyqmet Zane



Bedrie Zhuja (Rudi), mbesa (goca e motrës Zekije Agani-Zhuja) e Dr. Fehmi Aganit. Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.



“Dajën e arrestuan, kur po kthehej nga varrimi i dr. Bajram Kelmendit. Dhe dy djemëve të tij që u varrosën në Prishtinë, të vrarë e të masakruar nga policia serbe në fund të marsit 1999. E morën në pyetje e më pas e lëshuan në mëngjesin e së nesërmes. Më pas, daja doli në ilegalitet së bashku me të shoqen Sadijen dhe djalin e madh Mentorin, 32 vjeç. Kanë qëndruar në shtëpitë e nipave dhe të mbesave në Prishtinë. Duke parë rrezikun që u kanosej nipave e mbesave nga qëndrimi i tij, se policia serbe kontrollonte çdo orë, vendosi të largohej më datë 7 maj (1999). Bashkë me të shoqen e të tjerë kanë shkuar me tren për të hyrë në Maqedoni. Por duke qenë i mbyllur kufiri dhe nuk i lejuan të kalonin, i kanë zbritur prej trenit dhe i kanë hypur në autobuza, larg Prishtinës. Aty e kanë zbuluar dhe e kanë arrestuar. Të shoqen dhe djalin i kanë lënë për t’u kthyer në Prishtinë.

Mua më lajmëroi motra ime, Shahindere, nga Tetova, që komunikonte shumë shpesh për fatin e dajës. Kjo ishte vendosur në Tetovë, pasi ikën nga Prishtina së bashku me djalin e vogël të dr. Fehmit, Shpendin 30 vjeç, bashkë me familjen. Të nesërmen e kanë gjetur jashtë qytezës së Lipjanës, 30 km larg Prishtinës. Ka qenë policia serbe që ka dhënë lajmin, përmes mjeteve të informacionit, duke thënë se ishte vrarë nga ushtarët e UÇK-së. Kështu e kanë marrë vesh edhe e shoqja, edhe djali i tij. Atë e kanë marrë vetëm 4 gra : e shoqja, e motra e tij, Hydajete Agani, (Goçi), mbesa e tij Lule Zajmi (Berisha) dhe nusja e nipit Violeta Goçi. Vetëm këto katër gra u lejuan ta varrosnin më 10 maj, në varrezat e Prishtinës. Nuk mendoj kurrë se kjo ishte vepër e UÇK. Ai ka punuar për të, ka bashkëpunuar me ta dhe kurrë nuk mund të them se këtë e ka bërë një shqiptar. Kjo është vepër e dorës vrastare serbe, të shkjaut, armikut tonë.

Unë nuk mund të rrëfej se çfarë kam ndje, kur motra ime e madhe, që është në Tepelenë, më tha se dajën e kanë vra dhe masakruar policia serbe. Nuk e imagjinoj dajën të vramë, ate njeri që më rriti mua me mësimet e tij dhe që ka ndikuar shumë te mbesat dhe nipat, se ai ishte një atdhetar i vërtetë dhe demokrat i pastër. Kështu kanë qenë të gjithë dajat e mij, vëllezërit e mëdhenj të dajës, Sytki Agani (i madhi) dhe prof.dr. Hilmi Agani, profesori i albanologjisë në Universitetin e Prishtinës. Kështu u mbyll jeta e një atdhetari, mikut më të afërt të dr. Ibrahim Rrugovës”, - e mbyll rrëfimin e saj me lot në sy mbesa, Bedrije Zhuja, që është vendosur në Elbasan bashkë me burrin e saj, Bashkimin dhe me 4 fëmijët. Familja elbasanase ku kanë qëndruar familja e mbesës së dr. Fehmi Aganit, shpreh respekt dhe ngushullim të thellë si vëllezër për humbjen e njeriut që dha një kontribut të shquar për Kosovën dhe ëështjen e saj të drejtë.

***



Maksut Kuçi, 67 vjeç, ish mësues,

Me banim në Suharekë – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.



Mësuesi veteran Maksut Kuçi shprehet se Suhareka u bë një varr i hapur i Kosovës, Në rrefimin e tij, i ndodhur në Elbasan në shtëpinë e vëllait të tij Ramadan Kuçi në lagjen “Skënderbej” (lagja e kosovarëve që njihet me emrin “Fushë-Mbret” në Elbasan) dhe që ka ikur nga Kosova 34 vjet më parë për shkak të tallavisë së kohës së Rankoviçit, ai pohon se “ Më 25 mars ndodhi katrahura. Sapo isha kthyer në Suharekë, se kisha ikur në mal një vit më parë se nipi im Blerim Kuçi, djali i vëllait, ishte veprimtar i UÇK-së.

Me daljen e UÇK-s në skenë, kuptuam se mbi ne do të kishte tmerre. Rreth 20 vetë, ku bënte pjesë edhe djali im Naim Kuçi, 32 vjeç dhe vëllai i Blerimit, Besim Kuçi, 35 vjeç, formuan qelizën e parë të UÇK-s për Suharekën. Djemtë dolën në emër të lirisë dhe të frymëzuar nga LDK-ja. Në emër të LDK-së kanë ekzistuar të gjitha institucionet në Kosovë. Përplasjet e UÇK-s me ushtrinë serbe, bënë që më vonë organizimi të ishte ma i fortë e më i rregullt. Blerim Kuçi u zgjodh zv/komandant i zonës. Ishim të ndjekur nga policia dhe ushtria serbe, se kishim djemtë me UÇK-në, prandaj dhe ma dogjën shtëpinë. Në orën 5 e 30 kam qenë në një shtëpi të vjetër të një fqinji pranë djalit të dytë, Skënder Kuçit, që ishte me nusen e një fëmijë. Dëgjova krisma dhe pashë shtëpitë e para, duke u djegë në lagjen “Skanderbeu” në rrugë Suharekë-Rahoves. Sa u bëra të lajmëroj fqinjin, rreth 25-30 shtëpi u dogjën me flakëhedhësa. Njerëzit dolën në rrugica prej shtëpive në krah të kundërt nga ishte pak më lirë, dolëm në lumin Toprruha për të ikur në mal.

Ishim bërë rreth 15 mijë vetë. Vetëm me duar në xhepa pa marrë asgjë. Policia ka vrarë sa ka mundur. Vetëm atë ditë mund të jenë vrarë rreth 200 vetë dhe kufomat kanë ngelë atje për 7 ditë pa u varros.Më pas kam parë se kufomat i kanë mbledhë me kamiona e i kanë nisë në plehurishten e Prizrenit.

Na dhanë urdhër të ikim për në Shqipëri. Kështu filloi shpërngulja masive. Por dua të them se ai më agresori nga serbët ishte njeri që njihet me emrin Mishkoviç, rreth 40 vjeç nga Suhareka, si dhe Zoran Petroviç, djali i Verës dhe kjo një nanë kriminele.

Në Suahrekë ka familje të shfarosuna krejt, si dhe familje që u janë vrarë nga 5-8 vetë. Edhe ditën e dytë u bë masakër. Ne ikëm për të kërkuar mbështetje nga UÇK-ja në male. Me shtrirjen e fushatës serbe edhe në fshatra të tjerë, me djegien krejt të Suahrekës, u nisëm për në Shqipëri, nuk mund të ktheheshim. Kujtoj se duke dalë prej shtëpisë, u vra kushërira ime, Lindita Kuçi, 22 vjeç, pasi kaloi rrugën, kur doli nga shtëpia. Plumbi e kishte marrë në ballë. Gjuanin me snajper. Babai i saj, Bajrami, si dhe nana e saj, Fetije Kuçi, donin me ndejtë atje mbi kufomën, por njerëzit i ndihmuan se edhe ata do t’i vritnin si atë”.

***



Muhamet Berisha, 60 vjeç,

Me banim në fshatin Leze – Prizren – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.



“Ajo që dua të them, ështe se jam babai i një ushtari të UÇK-së të vrarë dhe nje djali tjetër të plagosur. Nga fshati u largova më 1 shtator 1998, se fshati ynë ishte në zonën ku vepronte UÇK-ja dhe unë kisha djalin, Afrimin, 26 vjeç. Ushtria e policia serbe, që kishte qenë në gjurmë, erdhën dhe, në mëngjes, në orën 7 e 15, pasi kishin rrethuar fshatin, filluan granatimet mbi pozicionet e ushtarëve të UÇK-së dhe mbi shtëpitë e fshatit Leze, që bëhej gjithësej nga 30 shtëpi dhe të gjitha shtëpitë u rrafshuan. Rreth 60 veta burra, gra e fëmijë ishim futur në bodrumet e shtëpisë së vllait tim. Bashkë ishim familja ime me 19 anëtarë, e vëllaut tim Hasanit me 8 anëtarë, e xhaxhait me 10 anëtarë, e kushëririt tim, Hajdarit, me 17 anëtarë dhe 4-5 vetë të tjerë që serbët na zunë rob. Në orën 6 të darkës, këmbësoria hodhi një bombë para shtëpisë dhe, nga të bërtiturat e fëmijëve, na kapën dhe na ndanë burrat veç nga gratë e fëmijët. Pasi na vunë për muri me duart lart, na kontrolluan, duke na marrë të gjitha paratë, duke na thanë se “do t’ju masakrojmë e do t’ju vrasim të gjithëve”, pse kishim strehuar dhe pse kishim djemtë tanë me UÇK-në. Para syve tanë rrahën djalin tim, Burimin, si dhe vllaun tim, Hasanin, bashkë me djalin Selimin. Në mëngjes rreth orës 9, burrat i hypën në pizgaver (autoblind) e i çuan në burg, ndërsa mua më lanë. Në mëngjesin tjetër, lëshuan 4 vetë, mbajtën Burimin dhe Selimin si të mitur 16 vjeçar që i lëshuan pas dy muajsh me kërkesën e OSBE-së. Ndërsa vazhdojnë akoma të jenë në burg vëllai im Hasani dhe dy kushërinjtë e mij, Nexhmedini dhe Hajdar Berisha.

Por ajo që dua t’ju them është se atë ditë më 1 shtator 1998 u bënë luftime mes UÇK-së dhe serbëve dhe atë ditë më është vrarë djali im, Alejdin Berisha, 34 vjeç, si dhe 12 të tjerë, po nga fshati Leze, veç njerit që kishte ardhur nga lagja Tususit i Prizrenit, Ibrahim i Murselit, 17 vjeç. Nga fshati ynë që kishte nxjerrë rreth 35 luftëtarë, janë vrarë Xhevdeti, 37 vjeç, Bekimi, 26 vjeç, Seladini, 44 vjeç, Shefqeti, 45 vjeç, Nehati, 46 vjeç, Asimi, 40 vjeç, Naipi, 23 vjeç, Shehadini, 18 vjeç, Asllani, 62 vjeç dhe Izaili, 61 vjeç, që të gjithë me mbiemrin Berisha. Pati edhe të plagosur dhe luftimet u zhvilluan afër fshatit në Fushëz, mbi varrezat e fshatit. Pas tre ditësh shkuam me LDK-në në Prizren për të marrë vesh dhe, 8 nga të vrarët ishin në morg të Prizrenit dhe u varrosën atje, por 4 vëtë nga ata nuk njiheshin, se ishin shumë të dëmtuar dhe ata i çuan në një varrë të përbashkët, se familjet nuk i njihnin se të kujt ishin. Ndërsa 4 të tjerë i kemi gjetur pas 9 ditësh dhe i kanë varrosur fshatarët. Që nga ajo kohë, serbët mbajnë në burg djalin tim, Afrim Berishën dhe 6 vetë të tjerë, 4 prej të cilëve janë nga fshati Zhur, duke i akuzuar për armëmbajtje pa leje, irredentizëm dhe kalim kufiri. Ata vazhdojnë edhe sot ta kryejnë burgun në Beograd, pa asnjë sinjal se janë gjallë e se cili ështëq dënimi i tyre”, - përfundon rrëfimin e tij kosovari i thinjur nga hallet, Muhamet Berisha, që pohon edhe faktin e hidhur se “djemtë e vrarë më 1 shtator 1998, ishin qëlluar nga afër me plumb pas koke ose në ball, pasi ishin edhe të plagosur më parë e nuk mund të lëviznin”.

***

Mylazim Bejgu, 29 vjeç, & Behexhet Bejgu, 23 vjeç,

Me banim në lagjen Tavnik – Mitrovicë – Kosovë.

Rrëfimi i bërë në Elbasan, më prill 1999.



Me pikëllim, vëllezërti Bejgu tregojnë tmerret në burgun e Smrekonicës. “Forcat serbe na ndanë nga prindërit dhe na kthyen në fshatin Gremnik, afër Klinës, ku kemi qëndruar deri më datë 24 prill 1999. Të nesërmen, pasi kishim udhëtuar një ditë e një natë, na erdhën forcat ushtarake serbe e na thanë se duhej të bëheshim gati brenda orës, se do të ktheheshim në shtëpitë tona në Mitrovicë, prej edhe nga jemi, duke ardhur në këtë qytet nga fshati Kaçanall.

Kur arritëm tek postblloku i policisë në Skënderaj, në hyrje të qytetit, kolona u nda nga oficerët e policisë, ashtu siç u ndanë edhe meshkujt nga gratë e fëmijët. Meshkujt nga 16 vjeç e lart u mbajtën. Ishim 247 vetë dhe na futën në një shkollë që ishte e shkatërruar. Më pas kanë ardhur disa paramilitarë serbë që nxorrën thikat nga mylli e na thanë “të gjithë do të kaloni përmes këtyre (thikave)”, që i tregonin me dorë. Kështu filluan keqtrajtimet mbi ne, duke na goditur, ku të mundnin, si dhe duke na fyer rëndë.

Të nesërmen më 25 prill, 3 kamionë serbë marrin rreth 60 vetë dhe i nxjerrin si truprojë që t’i qëllonin ata të UÇK, por ata i dalluan dhe nuk qëlluan, duke i kthyer, ku ishim ne. Kemi njohur mes të tjerëve nga Mitrovica prof. Xhaferr Hamiti, me të dy djemtë, Skënderin dhe Mensurin, kemi njohur Nexhmi Zeqirin etj.Asnjë natë nuk ngeli njeri pa u keqtrajtuar. Pas ditës së tretë të qëndrimit më 28 prill, kanë ardhur nga Mitrovica inspektorët e sigurimit shtetëror që merrnin në pyetje si “sa njeh ti nga ata të UÇK-s, çfarë armësh kanë, ku janë pozicionuar” dhe çdo njeri që kalonte në duart e tyre, rrihej brutalisht. Më shumë pyesnin për zonën e Shalës, prej edhe nga ishim ne. Edhe neve na morën në pyetje dy herë. Qëndruam 15 ditë në Skënderaj, duke ndejtur tërë kohës në çimento. Në 72 orë na jepnin një çerek buke e pastaj na transferuan në burgun e Smrekonicës, midis Mitrovicës dhe Vushtrisë. Kur zbritën na kontrolluan e na morën gjithçka kishim.

Na nisën nëpër qelitë e burgut, ndërsa rreth 30 milicë ishin vënë në rresht, që qëllonin mbi çdo të arrestuar, kur kalonte pranë tyre. Kështu për të 247 vetët. Aty gjetëm rreth 800 të burgosur të tjerë. Pas dy ditësh, numri i tyre ka arritur në rreth 3 mijë vetë. Me sytë tanë kemi parë njerëz me koka të çara, që u rridhte rrëke gjaku nga goditjet e kondakëve të pushkëve të milicëve. Njoha mes tyre Sadik Myftari, 35 vjeç, nga Mitrovica që ishte i gjakosur. Për çdo ditë që ndejtëm atje, policia merrte nga 100 vetë për biseda informative dhe ata nuk ktheheshin më dhe fati i tyre nuk dihet e më pas sillnin të tjerë. Në 48 orë merrnim ushqim vetëm për 2 minuta dhe, kur shkonim e vinim në kuzhinë, na rrihnin gardianët. Flinim në çimento në një dhomë 4 x 4 - 72 vetë. Në një dhomë tjetër kemi parë tmerre që u bëheshin shqiptarëve nga policia serbe. Serbët rreshtonin që në orën 6 të mëngjesit 100 vetë dhe i rrihnin masivisht dhe më pas i nxirrnin 2 e nga 2 në oborr të burgut e i rrihnin me shkopinj druri e gome, me kondak pushke e me shkelma. Një i burgosur, rreth 20 vjeç, vdiq. Pas rrahjes, kur ishin babë e bir ose dy vëllezër, i detyronin të rriheshin mes vetes. Po qe se nuk donin, i rrihte vetë policia. Këto i pamë për 15 ditë rresht që ndejtëm atje. Gjatë tërë kohës nuk kemi patur mundësi të pastrohemi, ndërsa zgjebja e morrat na hëngrën të gjallë. Shumë nga të burgosurit ishin bërë me të meta fizike e mendore që prej moshës 14 vjeç e deri pleq. Me sytë tanë kemi parë se si rrihej një plak rreth 70 vjeç nga Mitrovica.

Dy ditë para se të na lëshonin nga burgu, na morën e na çuan në Mitrovicë, në shkollën teknike në një bodrum, ku na thoshin vazhdimisht që do t’ju pushkatojmë. Ishim 65 vetë dhe, pas gjysmë ore, filluan rrahjet masive. Pas rrahjes na morën përsëri në biseda informative e më pas na detyronim të rrinim në gjunjë me duar të lidhura prapa e me kokë të ulur në çimento. Rreth 6 orë qëndrimi në atë mënyrë, gjatë tërë kohës na rrihnin. Shumë vetave u binte të fikët, me dhëmbë të thyera e të përgjakur. Policët merrnin fëmijët e tyre serbë dhe i pyesnin se “kë do ti që të rrah”. Dhe fëmija përcaktonte se kë donte dhe personin e rrihnin dy vetë. Fëmijët qeshnin dhe thoshin se “këtu është Serbi”, siç i kishin mësuar prindërit.

Të nesërmen e mbrritjes sonë, dërguan grupin e dytë prej burgut të Smrekonicës që erdhën në Mitrovicë dhe i futën në shkollën medicinale, ku bëheshin tortura më keq se tek ne dhe në mënyrë kriminale. Nuk mund t’i shikonim me sy, me buzë të shqyera, me fytyra të gjakosura. Mes tyre ishte edhe mjeku nga Mitrovica Avni Xhafa, 28 vjeç. Për 4 ditë ai nuk ka pasur mundësi të lëvizte gishtat e duarve nga rrahjet. Trupi i ishte nxirë i gjithi.

Më 22 maj, në orën 8 të mëngjesit filluan të na thërritnin emër për emër, na hypën nëpër makina dhe na çuan në fshatin Zhur, ku na thanë se “kufiri gjendet 5 km, ikni në Shqipëri”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...