2015-02-12

Teoritë mbi agresivitetin njerëzor


Mbi bazën e këtyre dy drejtimeve filozofike janë zhvilluar edhe shumë teori për shpjegimin e agresivitetit. Shohim, në vazhdim ato më kryesoret. Së pari modeli psikoanalitik i Z. Frojdit. Sipas këtij modeli, tek njeriu ekziston ndjenja e armiqësisë që buron nga forcat dinamike psikologjike, të ardhura nga pavetëdija. Ajo është një pjesë e mendje që drejton aktivisht veprime dhe mendime, por që mbetet e fshehur nga ndjesitë e vetëdijes. Frojdi mendonte se ka shumë instinkte të lidhura me pavetëdije, por dy janë më të rëndësishmet: erosi & thanatosi. I pari i shtyn njerëzit drejt kënaqësisë fizike, siç është seksi, ndërsa i dyti, është instinkt i vdekjes që shtyn drejt shkatërrimit e dhunës.

Kështu, del që agresiviteti të jetë pasojë e një lloj armiqësie të thellë që kanë njerëzit, qysh në fillimet e jetës së tyre, ndaj autoritetit. Prandaj, kur të tjerat na thonë të bëjmë diçka, na duket se ata synojnë të na kontrollojnë dhe të na imponohen, çka na shtyn t’u rezistojmë përmes sjelljeve agresive, ndoshta me, por jo rrallë edhe pa vetëdije.
Forjdi e shpjegon këtë lloj armiqësie me përvojën e fëmijërisë që përfshin marrëdhëniet me prindërit tanë (Frojd 1961). Ai i mendon impulset armiqësore me terma hidraulike, pra agresiviteti ngjitet në pavetëdije, sikundër dhe rrymat e ujit (ose avujve të nxehtë) në një kaldajë. Kur kjo “rrymë psikologjike” është me tepricë, atëherë dhe presioni në sistem do rritet, duke shkaktuar çrregullime psikologjike. Prandaj njerëzit e shëndetshëm dhe normalë e shkarkojnë këtë lloj instinkti agresiv nëpërmjet procesit që Frojdi e quan katharsis, një rrugë e së cilës është agresiviteti i hapur.

Shtysat agresive çlirohen sikundër çlirohen edhe energjitë seksuale të grumbulluara, pra tensioni seksual çlirohet përmes agresivitetit në fjalë. Sipas Frojdit, edhe sjellja agresive që rrjedh nga energjitë shkatërruese e pakëson tensionin e krijuar. Kur ai drejtohet jashtë vetes, katharsisi përfshin dëmtime të të tjerëve, kur orientohet ndaj vetes sjell dëmtime të saj, përmes depresionit, vetëvrasjes, mazohizmit etj. Por instinktet agresive mund të zhvendosen ose ridrejtohen edhe në kanale më të pranueshme, p.sh., në nivel të pavetëdijshëm mund të jemi zemëruar me profesorin ose shefin, por nuk e shprehim këtë armiqësi duke i sulmuar ata verbalisht ose fizikisht. Ne e zhvendosim armiqësinë tek një person i afërt, ku nuk humbasim shumë me anë të kësaj sjellje, si p.sh., një i dashur , babai, nëna, shoku etj. Frojdi mendon se pa këtë zhvendosje dhe pa vetëkontroll, ne do ishin qenie shumë më të dhunshme nga sa jemi në fakt.

Së dyti perspektiva etologjike. Frojdi i shpjegon veprimet e dhunshme me impulset agresive të pavetëdijshme, por etologjia, një degë e biologjisë, studion posaçërisht sjelljen e kafshëve në mjedisin e tyre natyror, duke ofruar një tjetër perspektive interesante për shpjegimin e agresivitetit. Kur zogjtë ndërtojnë fole, rosat ndjekin nënë e tyre, macja ha miun etj, të gjitha këto veprojnë sipas një rregulli që kushtëzohet nga sinjalet e mjedisit. Sipas Konrad Lorenc (1966) shumë sjellje, përfshi dhe ato agresive, janë instiktive. Sikundër dhe Frojdi, ai mendon që instinktet e agresivitetit grumbullohen tek njerëzit, sikundër edhe tek kafshët. Ato çlirohen kur presioni rritet shumë, veçse janë ngacmimet e mjedisit ato që ndikojnë në këtë “çlirim energjish”, p.sh., dhunimi i territorit apo i shtëpisë, dëmtimi i makinës apo futja në oborrin e shtëpisë, ndoshta do të mjaftonin për të çliruar agresivitet njerëzor.

Pyetja e natyrshme që lind në kontekstin e këtij shpjegimi është se pse disa kafshë janë programuar gjenetikisht të jenë agresive? Etologët mendojë se ky është një reagim i lartë adaptues në shumë specie. Pra, kafshët më të forta dhe më agresive, zënë pozitën më të lartë në hierarkinë e grupit. Aftësitë e tyre për të kontrolluar ushqimin, ujin, strehimin, territorin dhe partnerët, u shton shanset për të mbijetuar. Gjithashtu agresiviteti parandalon dhe mbipopullimin, duke ruajtur nivelin e rezervave natyrore të ushqimit dhe duke siguruar mbrojtjen e të vegjëlve. Lorenc mendon se seleksionimi natyral do sillte shuarjen e të gjitha specieve agresive, nëse ai do të ishte i dëmshëm. Por, prania tepër e shpeshtë e agresivitetit në botën e kafshëve, dëshmon për vlerën përshtatëse të tij. Por, duke qenë shumë i zhvilluar, agresiviteti i kafshëve nuk shkon në ekstrem, sepse kështu edhe vetë speciet me mbijetesë më të madhe do kërcënoheshin nëse do vriteshin shumë anëtarë të specieve të tjera më pak ose aspak agresive, të cilat janë preja e tyre.

Prandaj Lorenc propozon idenë e ekzistencës së një lloj frenimi instiktiv ndaj vrasjes. Ai vëzhgoi që betejat më agresive në botën e kafshëve marrin fund kur njëri prej “luftëtarëve e le atë”, apo kur jep shenja të një nënshtrimi ndaj fituesit. Ndërsa njerëzit, përkundrazi, tentojnë ta humbasin këtë frenim instiktiv ndaj vrasjes. Të parët tanë, ndoshta kanë qenë krijesa relativisht dëmprurëse, por ato e humbën forcën e tyre brutale, dhëmbët e mëdhenj dhe kthetrat e forta, që u duheshin për të vrarë. Kështu që betejat mes njerëzve primitivë rrallë përfundonin me vdekje, prandaj frenimi instinkti i vrasjes ishte i domosdoshme për vazhdimësinë e llojit. Mirëpo, kur njeriu zbuloi armën, aftësia për të vrarë në distancë e zëvendësoi aftësinë për të reaguar instinktivisht ndaj ngacmuesve që shkaktojnë agresivitet. Si pasojë, ne u bëmë kafsha e vetme që vret sistematikisht anëtarët e tjerë të species së vet.

Së treti perspektiva socio biologjike. Kuptimi i saj mbi agresivitetin jepet përmes një vëzhgimi klasik nga Barash 1976: “Kur mashkulli i një shpendi grabitqar kthehet në fole dhe gjen një mashkull tjetër, pranë partneres së vet që po ngroh vezët, si bashkëshorti xheloz, sulmon shpendin kërcënues, por sulmon edhe femrën e vet”. Etologët kanë vështirësi për shpjegimin e këtij lloj reagimi tek shpendimashkull, pasi nuk mund të specifikohet faktori mjedisor që të frenojë agresivitetin në këtë rast.

Socio biologët ofrojnë një shpjegim tjetër, që ndërtohet sa mbi bazën e teorisë së evolucionit të qenieve të gjalla, aq edhe mbi konceptin e mbijetesës, bazuar në përshtatjen e individit më të fortë dhe më agresiv, ashtu sikundër e kuptonin këtë çështje dhe etologët. Por ato ndryshojnë në konceptin e përshtatshmërisë. Etologët supozojnë se kafsha e përshtatur është edhe ajo që mbijeton, ndërsa socio biologët mendojnë se kafsha që përshtatet është ajo që trashëgon dhe gjenet e veta tek brezat pasardhëse. Pra qëllimi final i kafshës nuk është dhe aq mbijetesa personale, por mbijetesa e gjeneve të tyre. Suksesi shtazor në arritjen e këtij qëllimi njihet si përshtatshmëri inkuizitive.

Pra, agresiviteti mendohet si një veprim situativisht specifik që maksimalizon përshtatshmërinë inkuizitive të kafshës, prandaj socio biologët thonë që shpendimashkull në vëzhgimin e Barash, sulmoi rivalin e vet ngaqë e shihte si kërcënim për përshtatshmërinë e vet gjenetike. Por ai do sulmonte, siç e sulmoi, edhe femrën vetëm nëse tradhtia e saj do kërcënonte potencialet e tij riprodhuese. Pra, nëse incidenti do të ndodhte para se ajo të bënte vezët, sulmi do ishin intensive ngaqë synonte të ruante femrën mos ia merrnin nga foleja, dhe nëse nuk ekzistonte ndonjë rrezik ngaqë ajo tashmë i kish bërë vezët, atëherë mashkulli nuk do të sulmonte.

Kështu, socio biologët refuzojnë nocionin e instinktit unik të grindjes së shfaqur automatikisht nga sinjalet e mjedisit. Ata ngrenë hipotezën që njerëzit sillen në mënyrë agresive në disa situata, sepse dhuna dhe armiqësia janë ato që shtyjnë përshtatshmërinë tonë instiktive, çka duket sidomos gjatë konkurrencës, e cila stimulon ndjeshëm agresivitetin tek njerëzit. Sipas Smith 1976, për mijëra vjet ne kemi jetuar në grupe të vogla që gjuanim dhe mblidhnim, së bashku, ushqim. Duke sulmuar rastësisht grupet fqinje, njerëzit fitonin territore, ushqim dhe partnerë të tjerë. Ngaqë qeniet më agresive, zakonisht, triumfonin mbi të tjerët, agresiviteti trajtohej si strategji e qëndrueshme evolucionare. Si pasojë, edhe njerëzit e ditëve tona shfaqin instinktivisht veprime agresive, kur vihen në garë për rezervat me vlerë.

Së katërti trajtimi motivacional. Supozojmë se po kalojmë një ditë me probleme, p.sh., nuk kemi fjetur mire një natë më parë, jemi me vonesë në punë, na tërheq vëmendjen shefi dhe gati në shtyp makina në rrugë, ndërkohë që dëgjojmë një “lumë” të sharash nga shoferi. Në nervozizëm e sipër edhe ne shajmë dhe sillemi në mënyrë agresive. Psiko analistë, etologët dhe socio biologët e shpjegojnë këtë me instinktet tona agresive, ndërsa teoricienët e motivacionit besojnë se veprimet tona, në përgjithësi dhe ato agresivët në veçanti, nxiten nga faktorët e jashtëm-mjedisorë. Janë problemet e ditës ato që zgjojnë motivimin ose nxitjen, që na shtyn drejt veprimeve agresive, duke reaguar në mënyrë armiqësore. Analizat e parë në këtë drejtim u bënë nga Dollard & Miller, që mendonin se motivet agresive janë të ngjashme me instinktet tona biologjike, si p.sh., uria, etja, etj. Kjo ngaqë ne ndërmarrim veprime armiqësore për të zvogëluar motivin tona agresiv. Por ndërsa uria dhe etja drejtohen nga faktorë biologjikë, motivet agresive nxiten nga faktorë socialë të jashtëm. Pra, nëse një ditë jo e vështirë nuk do na motivonte të ishim agresivë, atëherë nuk do i shanim dhe nuk do i sulmonim të tjerët. (Dollard etj 1939 dhe Miller 1941) Ndërsa faktori qendror situativ që motivon agresivitetin është frustracioni. Kur kushtet e mjedisit të jashtëm pengojnë synimet për të arritur qëllimet tona-thonë këta autorë-atëherë do të frustrohemi. Kjo zgjon instinktin agresiv, që shprehet në dy mënyra sjellje, ose në formën e një sulmi mbi burimin e frustrimit ose në formë të agresivitetit të zhvendosur tek persona apo objekte të tjerë. Duke përmbledhur këtë teoritë frustracion-agresivitetit, Dollard thotë se “…sjellja agresive gjithnjë parakupton ekzistencën e frustracionit dhe e kundërta, ekzistenca e frustracionit gjithnjë çon në disa forma të agresivitetit.” (1939) Në modifikimit të kësaj hipoteze që iu bë me kohë theksohet se, jo gjithnjë dhe domosdoshmërisht frustrimi shtyn drejt agresivitetit. Pra, ndodh që mos veprojmë në mënyrë agresive, ngaqë mund të reagojmë edhe në mënyra të tjera, si p.sh., të biem në depresion, të frikësohemi, ose të shmangemi. Madje, ndodh që lidhja mes ngjarjeve të papëlqyera (frustruese) dhe agresivitetit të kushtëzohet edhe nga një numër faktorësh të tjerë. Pra, veç pranisë së shtysave situative që përcjellin agresivitetin, ndikon dhe niveli i përgjithshëm i ngacmushmërisë nervore, apo dhe faktorë të tillë si dhimbjet, temperatura ekstreme, zhurmat, izolimi, mbipopullimi, ndotja e mjedisit etj. Pra ka edhe faktorët të jashtëm pengues, me natyrë sociale, që gjithashtu motivojnë agresivitetin.

Teoria e agresivitetin nga irritimi ose zemërimit pretendon që shumë kushte të papëlqyeshme, përfshi dhe rrethanat kërcënuese, përbëjnë një shkak për agresivitet. Pra, ngjarje të rrezikshme çojnë në një lloj zgjimi të lartë emocional, që shpesh quhet zemërim. Ky shërben si motiv që shtyn për veprime të mëtejshme agresive thotë Berkowitz 1983. Sipas tij, ngjarjet e pakëndshme, si p.sh., moszgjidhja e një ushtrimi, pengesat e krijuara nga subjektet e tjerë etj., zgjojnë një gatishmëri për të reaguar agresivisht. Por, mund të jenë edhe ngacmimet situative të pranishme para këtij zgjimi, të cilat kombinohet mes tyre dhe shndërrohen në veprime agresive. Masa e agresivitetit varet nga niveli i pakëndshëm i ngjarjes, si dhe nga prania e ngacmuesve situativë. Sipas Berkowiç & Geen, subjektet e frustruar dhe të penguar janë veçanërisht agresivë kur ngacmimet agresive janë të pranishme në një mjedis të caktuar. Në eksperimentet e veta Berkoëiç konfirmoi efektin e armës, si ngacmues situativ, duke argumentuar se “prania e armëve i bën njerëzit më agresive nga sa janë normalisht, pasi u kujton atyre se mund të vrasin”. Por edhe kur zgjimi ose ndjeshmëria jonë rrjedh vetëm nga faktorë që nuk kanë të bëjnë me zemërimin dhe armiqësinë, kjo mund të “ndezë përsëri zjarrin e agresivitetit”. Vëzhgimet kanë treguar se zhurmat e mëdha, temperaturat e larta, drogat, apo ilaçet, ushtrimet fizike dhe pjesë të caktuara muzikore mund të shtojnë agresivitetin. Por dhe zgjimi seksual, nganjëherë, shton agresivitetin.

Megjithatë janë dy kushte të domosdoshme që ky eksitim të shndërrohet në ndodhi agresive: e para individi duhet të jetë i predispozuar për të kryer agresion dhe e dyta duhet që shkaku i vërtetë i zgjimit të jetë relativisht i paqartë, i dykuptimtë, pra mos kuptohet qartë burimi i nxitjes dhe stimulimit. Nga Zilleneman ky proces është quajtur transferim i eksitimit. Së pesti përmendim teorinë sociale të të mësuarit. Sipas saj, agresiviteti mësohet nga përvoja, mbasi gjatë jetës ne shpërblehemi nëse sillemi në këtë mënyrë. Fëmija më agresiv se të tjerët fiton lojën në garë me shokët, futbollisti i tillë, po ashtu vlerësohet më shumë nga trajneri, kolegët dhe spektatorët. Kjo bën që agresiviteti të shoqërohet nga një refleks i kushtëzuar, i cili ndodh më shpesh në të ardhmen.

Ndër pskologët më të njohur të kësaj teorie përmendet Albert Bandura 1973, që përmes konceptit të refleksit të kushtëzuar parashikonte se njeriu bëhet agresiv kur sjellja e tij armiqësore kushtëzohet pozitivisht. Ai besonte se njeriu mund të mësojë duke vëzhguar, prandaj dhe dy fëmijë që zihen janë një model për fëmijën e tretë që i sheh ata. Po kështu edhe adoleshenti, para se të bëjë krim ka parë gangsterët ose rrugaçët e tjerë të qytetit, ka parë filma, televizion etj,. Kjo e shtyn të ndërmarrë veprime agresive, duke imituar veprimet e një personi tjetër, pra duke modeluar veprimet armiqësore. Bandura gjeti se ne preferojmë të imitojmë më tepër modelin që shpërblehet për agresivitetin e tij, se sa atë që dënohet për të.

Kjo teori evidentoi rolin negativ të dhunës televizive në shoqëri, sidomos për moshat e reja. Megjithëse ka studiues që mendojnë se nuk është bindëse teoria e të mësuarit të agresivitetit në këtë mënyrë, por eksperimentet dhe përvoja jetësore e afirmojnë këtë gjë. Është vënë re që, në shumë raste veprimet agresive kopjohen gati në mënyrë të përpiktë nga modeli. Kështu, statistikat tregojnë që demonstrimi i krimeve të bujshme në TV dhe gazeta është shoqëruar me rritje të numrit të tyre në shoqëri. Kjo tregon se media mund të stimulojë ose stimulon agresivitetin. Argumenti bazë është se, pas dëgjuar vazhdimisht për vrasjet, aksidentet, dhunën, rrahjen etj., të ndodhura këto në rrugë, në punë, në shtëpi, në shkollë, aq më shumë edhe në TV, ku nuk mungojnë dhe efektet artistike, atëherë ndodh që ne të desensibilizohemi, të humbasim ndjeshmërinë humane ndaj dhunës në jetën reale.

Kështu jo vetëm bëhemi më pak të predisponushëm për të ndihmuar viktimat reale, por dhe fiziologjikisht do të nxitemi më pak. Nëse një jashtë planetar do përpiqej të kuptonte qytetërimin tonë duke parë programet televizive dhe filmat, pa dyshim do mendonte se ne jemi agresivë, të dhunshëm, të sëmurë, egoistë, instiktivë dhe seksualë.

Nga studimet e kryera del se sa më shumë të shihet televizori aq më i deformuar dhe i turbullt është perceptimi ynë për realitetin. Statistikat theksojnë, gjithashtu, edhe për lidhje të forta mes dhunës televizive dhe agresivitetit. Banduar zbuloi se fëmijët sillen në mënyrë më agresivë pasi kanë parë një dhunë televizive ose janë njohur me një përshkrim gazetaresk të saj. Dhuna ne TV duket të zvogëlojë dhe prekshmërinë (si ndjenjë) dhe ndjeshmërinë tonë ndaj dhunës reale në jetë, duke prishur dhe corrjentuar edhe perceptimet tona për botën.

Së gjashti kemi modelet normative. Është vënë re se shpesh,e sporti dhe agresiviteti janë pranë njëra tjetrës, ndoshta ngaqë agresiviteti në sport ose në garat e tjerë, është një lloj norme, pra është e vijueshme dhe e lidhur logjikisht me standardet që rregullojnë sjelljet e pjesëmarrësve në to. Norma të tilla funksionojnë në shumë drejtime të aktivitetit jetësor, ndërsa llojet e tyre janë të larmishme në vartësi të situatave.

Përmendim tre lloje normash kryesore, që lidhen me këtë çështje. Së pari norma e reciprocitetit. Gjatë procesit të shoqërizimit ne përpiqemi të kontrollojmë agresivitetin, por disa norma sociale e inkurajojnë atë, në situata të caktuara. Një standard i tillë është norma e reciprocitetit, që parakupton grindjen “flak-për-flakë”, ose aty për aty. Kështu, në një konflikt të zakonshëm rruga më e mirë për t’iu kundërvënë agresivitetit, shpesh do ishte sjellja po aq agresive. Eksperimentalisht, White & Gruber 1982 kanë zbuluar se Rruga më e lehtë për t’i bërë njerëzit agresorë është t’u japësh një shenjë agresiviteti. Së dyti janë norma e nevojshmërisë. Kështu, shpesh në grupe të caktuara shoqërore agresiviteti shërben si normë grupi. P.sh., adoleshentët sillen agresivisht për të fituar reputacion tek moshatarët, sepse kjo është normë grupi. Veprimet e tyre u kundërvihen normave të shoqërisë, por janë në vijueshmëri dhe logjike me normat unike të nevojshme për nëngrupet ku ata bëjnë pjesë Së treti norma e deindividualizimit. Shpesh njerëzit sillen ndryshe nga normat sociale. F. Zimbardo në vitin 1969 mendonte se njerëzit herë pas here humbasin sensin e identitetit personal kur bëhen pjesë e grupit. Ai e quan këtë deindividualizim ose zhveshje nga identiteti. Si të tillë, ata nuk veprojnë më sipas normave sociale, por humbasin vetëkontrollin dhe vetë rregullimin. Kjo i bën të veprojnë tepër emocionalisht, impulsivisht dhe në mënyrë jo tipike për ta. Ndodh që deindividualizimi të rrisë edhe sjelljet pozitive, por zakonisht ai çon në agresivitet, vandalizëm dhe shkatërrim. Raste të tilla janë njohur edhe në historinë e afërt të vendit tonë.

Anonimati është një nga përcaktuesit më të rëndësishëm të deindividualizimit. Sipas Zimbardos, ne parapëlqejmë të sillemi si agresivë kur nuk mund të identifikohemi nga të tjerët, pra dhe nuk vlerësohemi, kritikohemi, gjykohemi ose dënohemi për sjelljet tona. Kur iu kërkua dy grupeve me studente femra, t’u jepnin goditje ekletrike disa femrave të tjera, grupi me femra të paidentifikuara, pra të panjohura më parë, jepte rrymë elektrike me intensitet më të lartë, konstaton ksperimentalisht Zimbardo 1969. Modelet e shpjegimit që ofruam nga teoritë biologjike apo ato shoqërore nuk është se japin zgjidhje përfundimtare. Në situata të caktuara, mund të kenë interes njëra ose tjetra, por në përgjithësi, agresiviteti do interpretohej saktë nëse do merreshin parasysh dy faktorët, si ato biologjike dhe ato sociale. Prandaj shpjegimet e teorive të mësipërme mund të jenë më bindëse nëse do puqen ose konvergojnë me njëra tjetrën.

Së shtati veçoritë agresive të personalitetit. Shpesh ndodh që në situata dhe kushte të njëjta njerëz të ndryshëm reagojnë në mënyra të ndryshme, disa sillen si agresorë, disa të qetë dhe të pa ngacmuar. Siç duket, disa individë kanë veçori të tilla personale që rrallë e humbin toruan apo të nxehen, duke prishur ekuilibrin emocional me vështirësi dhe vetëm në raste të caktuara. Të tjerët nuk presin gjatë, por janë impulsivë e gjaknxehtë, nuk kontrollojnë dot reagimet e tyre. Në dallime të tilla luajnë rol shumë faktorë personalë, prandaj ka dhe disa modele të sjellje. Në psikologji flitet shpesh për dy tipa, Tipin A dhe B të modelit të sjelljes. Njerëzit tepër konkurrues, që vazhdimisht nxitojnë dhe shfaqen veçanërisht irritues e agresivë, shpesh përfshihen nga psikologët në Tipin A të sjelljeve. Tiparet e mësipërme të quajtura modeli i sjelljeve të tipit A i veçojnë individët përkatës nga personat e Tipit B. Secili prej nesh bën pjesë të paktën në njërin prej këtyre kategorive, shprehet Strube në vitin 1989.

Tipi A ka prirje të jetë edhe më agresiv se Tipi B, sjelljet e të cilit që janë më miqësorë e nuk sulmojnë të tjerët kur duan të arrijnë qëllimet e tyre në gara ose gjatë ecurisë në karrierë. Ndërsa Tipi A parapëlqen agresivitetin armiqësor, si prirje për t’u shkaktuar dhimbje, shqetësim apo vuajtje viktimave. Të dhënat e grumbulluara nga Strube etj., 1984, konfirmojnë sjelljen agresive të këtij tipi në abuzimet me fëmijët ose me bashkëshortet. Ka edhe studime të tjera që konfirmojnë se Tipi A ka më tepër predispozicion të hyjë në konflikt me të tjerët në vendin e punës. Studimet flasin edhe për një tendencë atributive armiqësore që shfaqet tek njerëzit. Madje dhe atributeve për qëllime të tjera shpesh luajnë një rol të rëndësishëm në shfaqen e agresivitetit njerëzor. Kështu, kur perceptojmë veprimet e dyshimta të tjetrit si produkte të qëllimeve keqdashëse të tij ndaj nesh, jemi më të predispozuar t’ia kthejmë “me të njëjtën monedhë”. Kjo predispozitë konfirmon edhe një tipar tjetër njerëzor, pikërisht, prirjen për të perceptuar qëllimin armiqësor tek tjetri, madje edhe kur ai mungon tërësisht. Kështu, psikologët në fjalë mendojnë se qenia njerëzore, duke pasur tendencën për të bërë gabime të tilla atributive, prandaj ka më tepër mundësi të jenë agresive.

Kanë qenë sidomos studiuesit Dodge & Coie (1987) që argumentojnë ekzistencën e tendencës atributive të armiqësisë tek njerëzit. Sipas tyre, ka njerëz që përpiqen të përfitojnë pozitivisht nga dyshimi, duke u atribuar veprimeve të dyshimta motive pozitive, ose së paku neutrale. Por, ka edhe njerëz të tjerë që kudo dhe tek të gjithë shohin qëllime keqdashëse dhe agresive, madje dhe kur ato nuk ekzistojnë fare në realitet. Këta hyjnë në konflikt në shumë situata, duke i perceptuar këto si veprime të domosdoshme për të mbrojtur veten në këtë botë armiqësore dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Diskutohet edhe rreth dallimeve gjinore në lidhje me agresivitetin. Të dhënat tregojnë se meshkujt arrestohen më shpesh e më shumë në numër, për krime të dhunshme, madje edhe në opinion ata janë më agresivë. A është ky një paragjykim apo i vërtetë ? Eagly & Steffen 1986 arrijnë në përfundimin se meshkujt, realisht, janë disi më të përfshirë në agresivitet, por ky dallim është i vogël, ndonëse në disa situata është më i madh. P.sh., ata dallojnë më shumë në agresivitetin fizik se në format e tjera, si në fyerje verbale apo qëndrime negative.
Dallime të mëdha mes dy gjinive janë gjetur edhe kur agresiviteti ka qenë i detyruar ose i kërkuar (në disa role sociale), krahasuar me rastet kur ai është i zgjedhur vetë dhe lirshëm. Po kështu, meshkujt dhe femrat dallojnë në qëndrimet e tyre ndaj agresivitetit. Meshkujt ndihen më pak fajtorë dhe në ankth, krahasuar me femrat, që ndihen më të shqetësuara për mundësinë që sjellja agresive ndaj të tjerëve, të rrezikojë edhe ato vetë. Po kështu, vëzhgimet evidentojnë që sjelljet agresive drejtohen më shumë ndaj meshkujve se sa ndaj femrave. Shkaqet e diferencave të tilla janë nga më të ndryshmet. Pjesërisht mund të jetë shkak prania e kromozomit Y tek gjenet mashkullore, apo shoqërizimi i roleve, por pjesërisht, mund të pranohen edhe dallimet fizike apo fuqi mashkullore më e madhe, ajo që lehtëson veprimet agresive (madje shoqëria shpesh i shpërblen këto sjellje). Janë dhe steriotipet tradicionale të shoqërisë për maskilitetin dhe feminizmin, që modelojnë sjelljen e tyre në shoqëri.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...