2015-02-09

Filozofia feministe fiton!


Dr. Mandeta Minxhozi

“Grua nuk lind, bëhesh”; Femrat cilësohen si klasa tjetër, identiteti femëror përcaktohet në relacion me meshkujt pikërisht si ajo që meshkujt nuk janë, dhe jo si ajo që vetë femrat janë; Simone De Beauvoir.

Hierarkia gjinore është forma më e lashtë dhe jetëgjatë e pabarazisë, më e vështira, për shkak se ajo i ka mbijetuar kaq shumë transformimeve shoqërore. Gratë përshkruhen në mënyrë konvencionale nga burrat si emocionale, mendërisht dhe moralisht të dobëta, të nxitura seksualisht dhe deri në kohët e fundit ato kanë qenë të përjashtuara nga pozitat e pushtetit, përveç disa grave aristokratike, pak mbretëreshave, dhe sot ato vështirë se kanë rol të rëndësishëm në vendimmarrje politike apo publike.

Feminizmi “Radikal” mendon se kuptimi i të qenit grua është e modeluar dhe e shtrembëruar nga burrat. “Radikalët” mendojnë se ndryshimi i ligjeve nuk do të ndryshojë mendimet e rrënjosura tek burrat dhe janë në kërkim të një kuptimi krejtësisht të ri, të asaj ç’ka do të thotë të jesh grua.

Feminizmi për të drejta të barabarta kërkon të ndryshojë pozitën e grave në shoqëri nëpërmjet ndryshimit të ligjeve, pasi gratë kanë qenë të shtypura prej ligjeve që i kanë prodhuar kryesisht burrat, dhe duke ndryshuar ligjet, (p.sh duke u dhënë grave të drejtën e votës, pronësisë pas martesës, të divorcit, kandidimit për pushtete qendrore apo lokale), sigurisht që sjell ndryshimin e pozitës së gruas në shoqëri.

Pushtetet gjinore dhe konkurrenca; “Ajo, (femra) është çka mashkulli dekreton… ajo është përcaktuar dhe diferencuar duke iu referuar mashkullit dhe jo mashkulli duke iu referuar femrës; ai është subjekti, ai është absoluti – ajo është tjetri”; Simone De Beauvoir

Pushteti padyshim shfaqet edhe në shkencat liberale politike të cilat ballafaqojnë lehtësisht vetveten me argumentin, veprimet e qëllimta apo pëlqimin. Që nga kohët e hershme, shkrimtarët apo aktivistët liberalë synonin që ta kufizonin fuqinë. Ato filluan me sfidimin e mbretërve. Synimi ishte të vendosnin limite kudo (ndonjëherë veçanërisht) edhe te vendimet kolektive të “popullit”. Ato binin dakord në faktin se mënyra më e mirë për të vendosur limite ishte të ndaje dhe shpërndaje aftësitë për të ushtruar pushtetin. Në fakt, shpërndarja përfundimtare e pushtetit nuk është bërë kurrë. Pabarazia sociale dhe ekonomike përzihet me principet demokratike dhe shpesh është pakica që sundon prapa fasadës së demokracisë. Shkencëtarët politikë liberalë në përgjithësi përgjigjen duke debatuar se megjithëse pushteti shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, ai gjithsesi shpërndahet në mënyrë të gjerë. Pavarësisht faktit që ka hierarki sociale dhe ekonomike, demokracitë liberale janë regjime të përziera. Disa mendime merren nga një person, disa të tjera nga pak persona, por shumica e tyre merren nga shumë persona – ose së paku në një mënyrë të atillë që e merr parasysh edhe pikëpamjen e shumicës. Efektet e kombinuara të përpilimeve kushtetuese dhe të politikave demokratike kanë të bëjnë me vënien në funksion të grupeve të veçanta të interesit për sa i përket ushtrimit të pushtetit.

Po të shikojmë raportet e ndarjes së pushteteve sipas raporteve gjinore, ligji i diskriminon gratë, pasi ka vendosur kufirin 30% për qind për pjesëmarrje në Parlament, kur në fakt duhet të ishte as më shumë e as më pak, por 50 për qind me 50 për qind. Por edhe kur është ligji, përsëri mënyra si implementohet shkon më në favor të meshkujve fakti që në funksione të larta shtetërore publike ka më tepër meshkuj. Si një sfidë edhe ndaj ligjit që i jep të drejtën grave deri vetëm në 30% për t’u përfaqësuar në Parlamentin shqiptar, edhe ndaj mos përfaqësimit të gjinisë femër në kandidim as në raportet që parashikon ligji në këto zgjedhje, mbetet për t’u vlerësuar kapërcimi ndaj këtyre barrierave gjinore që bënë qytetarët e qyteteve të vogla, Burrel, Konispol, Patos, të cilët votuan kandidate femra, duke treguar kështu emancipim në nivele të larta dhe civilizim. Me këtë votë këta qytetarë i kanë bërë sfidë në të njëjtën kohë kulturës patriarkale, politikës shqiptare, politikave mediatike me gjithë panelet e tyre mashkullore nëpër ekrane etj.

“Bravo Burreli, Konispoli, Patosi! Duke votuar Adelina Farricin në Burrel, Mimoza Arapin në Konispol, Rajmonda Balilaj në Patos, secili votues;

• Besoi dhe votoi vlerat individuale të kandidates duke injoruar stereotipizimet gjinore të krijuara në shoqërinë shqiptare. Më e rëndësishme është fakti se një grua kandidate nuk fitoi si privilegj apo duke ia dhuruar pushtetin meqë është femër, pasi nuk duhet të kalohet në raporte diskriminuese me gjininë mashkullore, por fitoi në kushte konkurrence për shkak të mirëbërjes së politikave të saj. E rëndësishme është që qyteti i Burrelit, Konispolit, Poliçanit duket se i kanë kapërcyer me kohë barrierat gjinore, duke mos e lënë më femrën në statusin si grup i stigmatizuar, por duke i dhënë mundësi dhe shanse të barabarta me meshkujt për t’ia njohur aftësitë administrative përmes konkurrencës me burrat. Fitorja e kandidateve femra nuk erdhi me një ditë investim por me kohë investim, dhe është meritë e qytetarëve të Burrelit, Konispolit, Patosit si dhe e strukturave të PS që me kohë i kanë dhënë shansin këtyre grave për të treguar aftësitë e tyre përmes angazhimeve në qytet dhe në struktura. Dhënia e shansit grave për të shfaqur dhe për t’ju njohur vlerat e tyre individuale, publike, është shumë e rëndësishme pasi aty dhe fillon zanafilla e të promovuarit pozitivisht, dhe për rrjedhojë edhe korrja e fitores. Problemi pikërisht fillon tek zanafilla, dhënia apo mosdhënia e shansit femrave për të shprehur potencialet e tyre, pasi femrës zor se ia japin këtë shans apo mundësi shfaqjeje potencialesh intelektuale, menaxheriale administrative etj., sepse shoqëria mashkullore vë alarmin kur një femër kërkon të promovohet dhe për rrjedhojë bota mashkullore fillon luftën e pushteteve gjinore. Kryetarët e partive duhet ta kuptojnë tashmë që dhënia e shanseve duhet të jetë në raporte të barabarta mes gjinive femërore dhe mashkullore 50% me 50%, dhe as më pak e as më shumë. Po ashtu kryetarët e partive duhet të binden se siç ka rënë miti i bastioneve, ashtu edhe miti i maskulizmit është në rënie dhe se populli shqiptar tashmë po voton gjithmonë e më tepër bazuar mbi vlerat e individit qoftë femër apo mashkull. Këtë e tregoi edhe fakti që në disa zona kishte marrë vota kandidati, por jo aq partia që përfaqësonte, ose anasjelltas.

• I tregoi politikës që ndoshta shoqëria shqiptare është lodhur nga britma mashkullore me zëra të trashë, nga burrat që ulen me orë të tëra e bëjnë “pazare” nëpër kafenera me gotën e rakisë apo të pijes përpara. I tregoi politikës se një femër mund ta fitojë garën edhe pa qenë nevoja të ulet me orë të tëra nëpër kafenera, të pijë me burrat dhe të intrigojë pasi angazhimet në karrierë dhe familje ia kufizojnë këtë mundësi, (pozitive apo negative).

• I tregoi politikës që fuqia mendore te femra nuk është në nivele më të ulëta se sa te meshkujt, por është shoqëria që e ka etiketuar gruan si më të dobët, si më emocionale që nuk përballon dot sfida, si më irracionale. Kur ne lindim, në fakt lindim si mashkull dhe femër dhe jo si burrë dhe grua. Kulturat kanë edukuar sjellje, atashuar atribute dhe role ndarëse si grua apo si burrë.

Dhe në fakt shoqëria gabon kur shprehet se një femër duhet të fitojë si femër, ose se duhet të votohet si femër, se gjynah se është femër, se nuk duhet kundërshtuar apo kritikuar se është femër nëse nuk e bën detyrën e saj në një funksion apo post publik, sepse nuk është kjo që kërkojnë lëvizjet feministe. Ato nuk kërkojnë që të qenit femër të të japë privilegje për shkak të gjinisë. Jo, aspak. Ajo që duhet theksuar është se kërkohet që mundësitë, shanset për garime apo për një post publik duhet të jenë të barabarta. Aspak nuk duhet menduar që një femër duhet të gëzojë privilegje për shkak të gjinisë, pasi edhe femra si para edhe pas marrjes së një pushteti, duhet t’i përballojë absolutisht njëlloj ashtu si edhe mashkulli përgjegjësitë, presionet, konkurrencat dhe t’u përgjigjet përgjegjësive po njëlloj si një mashkull, dhe nuk mund të justifikohet se duhet të falet apo tolerohet se është femër. Nëse do të ndiqnim logjikën e lëshimit të gjërave dhe dhënien e favoreve vetëm se është femër, atëherë do të binim në një gabim tjetër në atë të diskriminimit të gjinisë mashkullore, do të thellonim stereotipizimet gjinore duke diskriminuar gjininë mashkullore dhe duke favorizuar atë femërore, duke krijuar kështu përsëri probleme shoqërore. Anëtarët kategorizohen dhe stigmatizohen (njollosen) në mënyrë kolektive dhe jo individuale dhe diskriminohen në mënyrë sistematike si nga ana sociale ashtu edhe ekonomike. Në bazë të të kuptuarit klasik liberal të tregut, njerëzit ndihen dhe bien, kanë sukses dhe dështojnë një nga një; nga ana tjetër stigma (njollosja) është një fat i përbashkët. Kjo ndodh me gratë. Është koha që të vlerësojmë cilësitë individuale të njeriut përtej barrierave gjinore dhe përtej gjykimeve si grupim.

Autorja; Pedagoge e Filozofisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...