Çdo ditë njerëzit janë të ekspozuar ndaj rrezikut të agresivitetit si viktima, apo dëshmitarë të një dhune, qoftë dhe si dëshmitarë të asaj që servirin rëndomë gazetat, radiot dhe TV. Sa më e bujshme të jetë ngjarja aq më shumë pyesim veten: pse ndodhi, ç‘i shtyn këta njerëz të fyejnë, të kërcënojnë, të rrahin, torturojnë ose vrasin tjetrin? Nuk është thjeshtë kurioziteti, por ne kërkojmë të zbulojmë shkaqet, ngaqë mendojmë se kështu mund të kontrollojmë ose parandalojmë sjelljet agresive. Dhe në fakt, me nuhatje ose me parandjenjë, njerëzit janë në gjendje të dallojnë sjelljen agresive, nga ato që nuk janë të tilla.
Psikologët socialë janë në kërkim të një përkufizimi për agresivitetin, i cili të mundësojë dallimin e qartë të tij nga veprimet që nuk janë agresive. Një përkufizim i tillë që i përafrohet këtij qëllimi do i quante sjelljet agresive si veprime që iniciohen nga qëllime paraprake për të dëmtuar ose fyer një person tjetër.
Komponentët përbërës të këtij përkufizimi, sipas Berkowirz 1981, janë veprimiqëllim-dëmtimi/fyerja. Kështu, veprimi duhet sepse, bie fjala, kur dikush ndjen urrejtje ndërsa mendon për padronin, ose fantazon si të vrasë kundërshtarin e tij, ende nuk është arritur në nivelin e sjelljes agresive. Edhe qëllimi gjithashtu duhet të jetë prezent, sepse ne do quajmë agresivë jo të gjithë ata që na shkaktojnë dëm, por vetëm kur kanë si qëllim një gjë të tillë. P.sh., dentisti, ose kalimtari që na pengon pa dashje, megjithëse na shkaktojnë dhimbje, nuk janë agresivë. Agresiviteti nuk ndodh aksidentalisht, por gjithnjë është i qëllimshëm.
Sa për fyerjen ose dëmtimin, si element i përkufizimit më sipër, mund të themi se, nëse të ndihmuarit e tjetrit është një veprim pro social, agresiviteti merret si veprim antisocial, sepse e dëmton ose e fyen tjetrin. Kjo mund të përfshijë dëmtime fizike, kur dikush sulmohet, dhunohet, ose vritet, si dhe fyerje ose dëmtime psikologjike, kur dikush kërcënohet, izolohet ose dëbohet. Por janë dhe reagimet e viktimave ato që ndikojnë në ndarjen e sjelljes agresive nga ajo që s’është e tillë. Kështu, nëse dikush kënaqet nga dhimbja, atëherë ky mazohist nuk është objekt i agresivitetit. Vetëm kur viktima përfshihet pa dëshirë në një ndërveprim që shkakton dëmtim (dhimbje fizike ose psikike) dhe përpiqet t’u shmanget pasojave, vetëm atëherë kemi veprime agresive ndaj tij. Në këtë kontekst, mund të themi se veprime agresive kryhen jo vetëm ai që sulmon por edhe personi që mbrohet ose mbron të tjerët, sepse veprime të tilla i përmbajnë të tre elementet e sjelljes agresive.
Tipat e agresivitetit janë irritues, instrumentale, legjitime/ilegjitime dhe tipi i dhunës. I shohim me radhë këto katër tipa: I pari, tipi irritues ka të bëjë me rastet kur ai nxitet nga zemërimi dhe stresi, p.sh., një lojtar që po humb lojën s’e kontrollon dot veten dhe e qëllon kundërshtarin. Kjo quhet agresivitet irritues ose zemërim impulsiv. I dyti, instrumental, është atëherë kur lojtari vepron me qëllim paraprak për të dëmtuar kundërshtarin, duke instrumentalizuar agresivitetin. I treti është agresiviteti legjitim, p.sh., kur polici godet kriminelin, ose viktima kundërvepron për t’u mbrojtur, etj., Sipas përkufizimit edhe këto janë sjellje agresive se kanë qëllim dëmtimin E tjetrit, por janë dhe legjitime, pra të pranuara ligjërisht, pasi kushtëzohen nga roli që kanë dhe nevoja për t’u mbrojtur nga situata e rrezikshme. e katërta është dhuna si tip ose formë e agresivitetit që ndryshon në vartësi të situatës. Kështu, p.sh., spektatorët shtyjnë në stadium, nëna tërheq me forcë djalin që “i mbeten sytë” tek vitrina e dyqanit të ëmbëlsirave etj. Këto janë forma të zakonshme dhune të jetës sociale, por që mbeten jashtë “kufijve” të përkufizimit më sipër për agresivitetin.
Megjithatë, ndërveprimi social përfshin një larmi veprimesh më të dhunshme, p.sh., dhunën kriminale, që konsiston në kryerjen e veprimeve të dëmshme e të paligjshme, si rrahje, dhunim, vrasje, vetëvrasje etj. Kohët e fundit opinioni i gjerë shoqëror është bërë tepër i ndjeshëm edhe ndaj dhunës në familje, si abuzimet me fëmijët, dhuna bashkëshortore, etj. Një formë tjetër është dhuna kolektive e kryer nga grupe të caktuara si gangsterët, vjedhësit, etj, dhunë që, në disa raste, merr forma të organizuara, skajore, deri në luftëra të një shteti ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë politike të një shteti tjetër. Vëzhgimet tregojnë se prirja e sotme në botë është rritja e numri të dhunimeve dhe krimeve.
Një pikëpamje të origjinës, historia tregon se njeriu lind dhe vdes së bashku me agresivitetin. Llogariten rreth 5600 luftëra të zhvilluara vitet e fundit, mesatarisht 2,6 luftëra botërore në vit, me një total prej 14.500 luftërash gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Ndërsa nga viti 1820-1945 janë vrarë nga dhuna rreth 56 milion njerëz.
Lind pyetja, pse njerëzit të jenë agresivë? Përgjigjet janë dhënë kryesisht në dy mënyra: e para me përfaqësues T. Hobsin E shek XVII që argumenton se njerëzit janë krijesa natyrore vicioze, që ai i quante “home lupus” = njeriu-ujk. Ai besonte që ne do e vrisnim shumë shpejt njeri tjetrin nëse nuk na frenon civilizimi. e dyta, mbështetet në teorinë e Xh. Lokut të “fabula rasa”, sipas të cilit ne lindim me një mendje të papërpunuar, ku mund të “shkruhet” apo të futet çdo gjë. Pra, që nga lindja, njeriu është si një pllakë dylli ku përvoja le përshtypjet e saj, pra mësohemi të bëhemi dhe agresorë.
‹ Dashuria në distancë të madhe