47 VJET TIRANI…
■Që me datën 9 Nandor 1989, kur ra Muri i Berlinit jeni tue djegë “Dosje”… Janë ba plot 25 vjetë që tymi i djegëjes së “Dosjeve” në Tiranën e tiranëve ka mërrijtë në qiell !
■E endè ka nga ata budallejë që presin “pendimin” e trashigimtarëve të kriminelëve të djeshëm, ose ma keq të vetë atyne që sot vazhdojnë me vra n’ emen të “drejtësisë”!
■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1 miljon e 200 mijë banorë…
■Vrasjet dhe pushkatimet në Shqipni kanë fillue njëheri me Luften Civile Antishqiptare!
■Atdhetari Rexh Meta, “shetiste” i burgosun me brigadat terroriste partizane…
■Me 15 Maji 1945, fillojnë interrnimet në Shkoder me familjet e grumbullueme në një shtëpi të qytetarit Guljelm Luka… Përballë kullës Markagjonëve.
■Dhunohen dhe rrahen vajzat Shkodrane nder rruga, se mbajnë Kryqa në qafë!
■Fillojnë në Malësi vrasjet pa gjyq! Pse nuk botohen Emnat e 118 Malësorëve të vramë në Kelmend në Janar 1945, nga Mehmet Shehu, Koçi Xoxe e Sheuqet Peçi me shokë?
■Në vitin 1946 Shkodra (pa rrethe) kishte 26 hetuesi, burgje dhe shtëpi izolimi…
■70 vjetë që një Shqipni asht përmbytë në gjak si asnjë vend tjeter i Europës nga një grup terroristësh gjaksorë e kriminelë, e pasuesit e tyne sot tallen me Viktimat e veta!
■Fillohet tek modelet “gjermane” e perfundohet tek debatet e pafund, si e si me shtye kohë, tue pritë a po bje shi…për me u përmbytë ndonjë “arkiv” ndër tunelet e majeve të maleve ku, mendonte “Enveri ynë”, me kalue orët e fundit të “fundosjes” së Shqipnisë!
■Hapja e Dosjeve nuk ka perjashtime. Krimet ndaj Njerzimit nuk parashkruehen!
■Të gjitha zvarrisjet per Hapje Dosjesh kanë një emnues të përbashkët “Pjesmarrjen në krime dhe vazhdimsinë e tyne prap sot, nga trashigimtarët e djeshëm vrasës!”
■Të gjitha vrasjet e komunizmit në Shqipni, fillojnë me Luften Civile në Jug, vazhdojnë me vrasjet nder zonat ku shkeleshin nga brigadat partizane, dhe me daten 29 nandor 1944, vrasjet e terrori vazhdojnë në Veri, me një program të parashikuem në bashkpunim të tradhëtarëve tanë me forcat okupuese jugosllave të shovenistit bolshevik Tito.
■Kush i jepte urdhnat dhe direktivat per vrasje, shpronsime dhe plaçkitje, dhe mbasi të zbatohej urdhni, “komandanti” dëshronte me dijtë edhe “vullnetin e tyre të fundit!” ?
■HAPNI DOSJET !
■Hapja e Tyne duhet të fillojë nga Urdhnuesit nr. 1 të PKSh. Enver e Nexhmije Hoxha!
■Nga Antarët e Byrove Politike, Antarët e Komitetit Qendror të PKSh e PPSh, mbas tyne me kandidatët e K.Q dhe Kryeministra, qeveritarë dhe Kuvendin Popullor e Gjykatat, nga ma të naltat e deri tek policët e degave të mbrendshme, ku nuk duhet perjashtue asnjë person nga Komitetet e Partisë së Rretheve, Komitetet Ekzekutive, kryetarë dhe sekretarë partije të institucioneve dhe kooperativave bujqësore. Një kujdes i madh duhet tregue në hapjen e Dosjeve të Fermave ku ishin të interrnuemit, drejtorave e operativave të kampeve të shfarosjes dhe burgjeve, deri tek agjentat e sigurimit që kontrollonin këta qendra persekucioni e masakrash, ku perfshihen edhe informatorët e mbrendshëm.
■Një rol të randsishëm në rekrutimin e agjentave të sigurimit kanë luejtë komisarët e reparteve ushtarake dhe shefat e kuadrit nder të gjitha institucionet, prandej Dosjet e tyne nuk duhen lane mbas dore! Kujdes duhet edhe me oficerët e kufinit, e deri tek rojet e piramidave, ose vrasësit e Rinisë me urdhnin e R. Alisë mbas 1990. Kryetarët e lagjeve dhe operativët, që plotsonin fletët e fillimit punës ose dokumentat per ndjekje shkollash.
■Dhe, mbasi të hapen Dosjet e tyne të punës, shkollës, ushtrisë dhe të qendrimit atij personi, duhet shikue si u veprue per angazhimin e tyne me sigurimin.
■PKSh (PPSh) ma vonë, asht tregue shumë “bujare” me disa fshatarë që kanë sherbye me kohë në sigurimin e shtetit, kryesisht, në zbulimin e personave në “arratisje”, dhe për këte, i shpërblente me bursa ose shkolla partije dhe i sillte “kuadro drejtues” në qytet. Vinin nder qytete dhe vazhdonin agjenturen në sigurim, me kujdesin ma të madh.
■Nga komunistët e vjeter disa u dënuen per “gabime ose vjedhje”, po PKSh, i mbajti prap afer dhe ata vazhdonin lidhjen me sigurimin. Fëmijët e tyne vazhduen shkollat e nalta dhe kryesisht ata që ishin “privilegj”, ndersa lidhjen me sigurim nuk e nderprenë.
■Në vitin 1944 – 45 ka pasë disa komisjone hetuesish, që ma vonë një pjesë për nevoja të PKSh dhe të sigurimit të shtetit, kanë krye disa kurse specializimi edhe jashta shtetit, dhe kanë kalue në “detyra” tjera, prej të cilëve kam njohë dy persona korçarë: Drejtorin e Gjimnazit Shkodres, Skender Villa, dhe ingj. Robert Ballauri tek ekspozita “Shqipëria Sot”, të cilët e vazhdonin profesionin e parë të vitit 1945 me shumë përkushtim.
■Në vitet 1950 – 60 në dukje pat zbutje, mbas vdekjes së Stalinit. Mundësia me shkue jashta shteti per studime ju dha edhe disa elementave jo agjentë. Të gjthë kur u këthyen në Shqipni, mbas viteve 1967 ose u larguen nga Tirana, ose u quejtën “revizionistë” dhe u arrestuen dhe u dënuen me burg e interrnime, ose kaluen në punë të rendomta.
■Një pjesë e tyne që u martuen jashtë, i detyruen me u nda ose i burgosën shumë vite.
■Ata që nuk ishin antarë të PPSh, dhe nuk i sherbyen sigurimit të shtetit, edhe pse kishin mbarue universitetet ndër shtetet komuniste, u konsideruen “jo besnikë të PPSh”.
■Hapja e Dosjeve për ata që “nuk kanë pranue me u angazhue me PPSh, ose as me i sherbye sigurimit të shtetit” dhe, nuk kanë sjellë dame në shoqni, pavarsisht nga detyra ase profesioni që kanë pasë, duhen publikue dhe nderue per qendrimin e tyne.
■Po e njajta gja duhet ba me ish të burgosunit dhe të perndjekunit politik ase të afermit e tyne, që jo vetem nuk kanë pasë lidhje me sigurimin, po edhe janë persekutue per këte qendresë të nderueme nga ana e Tyne, përballë shtetit diktatorial e terrorist.
■Per njerëzit e arrestuem, duhet fillue hapja nga personi që vendosi arrestimin e tij, dhe mbasi të hapen Dosjet e arrestimit, pra konsultimi i ministrisë së mbrendshme me kryetarin e degës së mbrendshme të rrethit, hapet Dosja hetuesisë, dhe mandej, hapen ato të spijunëve të birucave… Vazhdohet me të burgosunit e torturuem per vdekje per me nënshkrue “bashkpunimin” e tij me sigurimin e shtetit, dhe pasojat e atij arrestimi, tek familja dhe far’e fisi. Dosjet e këtyne personave vazhdojnë nder burgje e kampe… Nuk duhet harrue kurrë vezhgimi i familjes së të arrestuemit nga agjentat e lagjeve, operativët e sigurimit dhe masat e marruna ndaj të afërmëve, kur i “dënuemi” ishte i pafaj.
■Për mënyren e hapjes së këtyne Dosjeve SOT, komisjoni i hapjes së Dosjeve, duhet të marrin si model disa Dosje të njerëzve të PAFAJSHËM, të cilët PAFAJSINË e Tyne, e kanë pague me JETEN E VET, tue u pushkatue ose tue vdekë në hetuesi, në tortura.
■Nga të PAFAJSHMIT e tillë, ju sugjeroj dy persona, të cilët, me proceset e tyne do të Ju flasin ma shumë se të gjitha modelet e hueja. Dosja e shkodranit Injac Baqli, nëpunës i bankës së shtetit, në Shkoder…Dhe, Dosja e Don Ejëll Kovaçit, Klerik i pushkatuem.
■Ndersa, Dosjet ndër grupe kanë tjeter procedurë, mbasi edhe arrestimi i tyne asht ba ndoshta mbi një “fakt” të njenit prej personave të grupit, mandej me tortura dhe mjete antinjerzore, janë detyrue të arrestuemit tjerë me pranue “bashkpunimin” në grup.
■Vite ma perpara u arrestuen dy vllazen në krahinen e Shllakut, në Shkoder, per vrasje të kryetarit të keshillit popullor të fshatit atje. Në fund u pushkatue vllau i “pafajshëm”, dhe shpetoi “Vrasësi”… A nuk ka vend këtu per një studim sesi u veprue nga hetuesi?
■Shembujt janë të shumllojshëm dhe vërtetë të pabesueshëm nga të Rijtë, dhe sidomos, nga ata që kanë studjue jashta Shqipnisë tashti mbas vitit 1991…
■Hapni Dosjet, se vetem atëherë, do të mësoni të Vërtetën e fjalës GJENOCID!
■Në vitin 1944 Shqipnia kishte 1.200.000 banorë! Vrasjet e krimet e Enver Hoxhës me bashkpunëtorët e tij terroristë ndaj të gjithë Atdhetarëve Shqiptarë në 47 vjetë robni të panjohun në Shek. XX, nuk mund të krahasohen me ASNJË tjetër, as me Stalinin!
■Specialistët jugosllavë dhe sovjetikë kishin mërrijtë që në ditët para të robnisë...
■Urdhni per pushkatime dhe arrestime përgatitej nga qendra, pra, direkt nga E. Hoxha.
Veprimet kriminale në Jug ishin realizue me sukses. Po e njajta rrugë shfarosje për të gjithë antikomunistët asht ndjekë edhe në Veriun e vendit, ku siguria nder veprime ka kenë edhe ma e madhe, mbasi rretherrotull Shqipnisë ishin forcat jugosllave të gatëshme per me nderhy po kje se, “njerëzit e malit” sillnin probleme per forcat e ndjekjes.
■PKSh që fshihej nën rrobat e ushtrisë, dhe sigurimi nen forcat e ndjekjes, të jepnin idenë se komunistët janë “dorëjashtë” në terrorin që filloi njëheri me robninë e forcave të bolshevikëve të Titos, me pseudonimin “specialistët” jugosllavë. Metodë që ma vonë u zbatue nga “këshilltarët” sovjetikë, dhe u vazhdue nga terroristët shqiptarë me sukses.
■Tirani Enver Hoxha, fitoi shumë shpejtë besimin e të gjithë antishqiptarëve, me dorën e tij gjakatare dhe vrasëse, tue iu krijue të gjitha privilegjet e një udhëheqësi të PPSh, dhe tue u ndihmue nga sovjetikët, jugosllavët, anglezët, amerikanët, francezët, italianët, kinezët... dhe cilido terrorist që do ta ndihmonte ate me mbajtë pushtetin me të gjitha mjetet materiale dhe ushtarake, për shfarosjen e Atdhetarëve të shquem Shqiptar.
■Per të gjitha arrestimet, pushkatimet e burgosjet, dhe mbas 15 Majit 1945 interrnimet, të gjitha krimet e kryeme në territotin e Shqipnisë, duheshin ba të dijtuna Enver Hoxhës, madje, edhe “vullneti i fundit i të pushkatuemëve” para gropës së varrosjes pa emen...
■Kur PKSh doli haptas me emnin PPSh, dhe drejtohej zyrtarisht nga E. Hoxha, ajo ka fillue planifikimin e terrorit në Shqipninë e robnueme haptas dhe me dokumenta, që e faktojnë këte që me 17 Nandor 1944, kur forcat partizane hyne zyrtarisht në Tiranë.
■Byroja politike e Komitetit Qendror të PPSh, merrte vendimet e saja per arrestimet që do të baheshin nder rrethe, sa vetë do të pushkatohen (ku vendin e parë e zinte Shkodra), sa do të dergohen nder kampe pune e shfarosje, sa do të interrnohen, sa shtëpi, dyqane e tokë do të konfiskohen...dhe kjo shifer e detajueme i kalonte per zbatim direkt ministrit të mbrendshem, mbasi aprovimi i kryeministrit ishte marrë në Byronë politike të K.Q.
■Ministri i Mbrendshëm shperndante planifikimin nder rrethe tue ngarkue kryetarët e degave të mbrendshme me dergue listat emnore në ministri, per personat që mendohej me u burgosë dhe masat e dënimit që do të jepeshin në perputhje me shifren e qendres.
■Mbas aprovimit nga ministri i mbrendshëm, ngarkohej dega e mbrendshme me ba arrestimin, fillonte hetimet, mbyllej dosja hetimore, dhe personi i kalonte gjykatës per dënim. Jepej dënimi dhe çeshtja shkonte në Gjykatën e Naltë, shoqnue me mendimin e kryetarit të degës së mbrendshme, i cili theksonte masen tue zbatue vendimin e parë që kishte dergue me dosjen konsultative ministri i mbrendshem (nenkuptohej planifikimi).
■Vendimet me pushkatim i kalonin Presidiumit Kuvendit Popullor. Mbas ekzekutimit të viktimës njoftohej tirani Enver Hoxha per suksesin, dhe “vullnetin e tij të fundit”...
■Personat që dënoheshin me “heqje lirije”, shperndaheshin nder kampe ose burgje.
■Kur perfundonte dënimin dhe lirohej, viktima porsa fillonte punen do të plotsonte një dosje “pune”, e cila mbyllej vetem kur vdiste personi... Motivacioni i lirimit nga burgu i ndiqte të gjithë familjarët e viktimës dhe trashigimtarët e tij, tue i etiketue “të deklasuar” per gjithë jeten e tyne dhe fëmijët e tyne që do të lindshin edhe 20 apo 30 vjetë mbas...
■Per trashigimtarët e të pandehurit dhe familjarët e tij, porsa jepej dënimi nga gjykata, kryetari i lagjes bante rregjistrimet në degen ushtarake per mashkujt, ndersa nder vendet e punës së familjarëve të tjerë bahej menjëherë rregjistrimi nga shefat e kuadrit.
■Pra, si konkluzion arrijmë me vertetue se një i “persekutuem ase i pushkatuem” ka këto Dosje, të cilat fillojnë me persekucionin e tij dhe vazhdojnë me trashigimtarët:
■Dosja konsultative: Ministri jep motivacinin e arrestimit, Dega e mbrendshme e rrethit percakton personin kriminel per zbatim, hetuesin dhe akuzen...si dhe afatin e veprimit.
■Dosja operative: Kryetari i degës ose shefi i hetuesisë, ngarkonin hetuesin X me ba arrëstimin, me fillue hetimet me té në pistën e planifikueme, tue parashikue torturat, dishmitarët, dhe dënimin. Per të gjitha veprimet ose ndryshimet njoftohej ministri.
■Hapet Dosja e hetimeve me të arrestuemin: Mbyllej kur i arrestuemi dënohej.
■Hapet Dosja e Gjykatës në rrethin ku dënohet i arrestuemi. Per ushtar ku asht arrestue.
■Hapet Dosja e Gjykatës së Naltë, që vendosë vendimin e parashikuem nga ministri.
■Hapet Dosja e Kuvendit Popullor, me vendimin perfundimtarë per të dënuemit me vdekje, dhe vendimi i percillet gjykatave të rrethit, ministrisë së mbrendshme per zbatim.
■Zbatimi i vendimit perfundimtar me vdekje, zbatohet nga degat e mbrendshme nder rrethe, tue kenë i pranishem prokurori i rrethit ase kryetari i gjyqit të çeshtjes.
■Hapet dosja e burgut: Per të dënuemit me burg, punë të detyrueshme etj...
■Dega e mbrendshme e rrethit njofton degen ushtarake, komitetet ekzekutive dhe të gjitha këshillat e lagjeve per vendimin e marrun nga gjykata e naltë, dhe menjëherë do të bahen rregjistrimet nder vendpunimet e familjarëve të tjerë, kurse komiteti ekzekutiv në zyren e kuadrit të veten, merr vendimet per punësime, largime, bursa studimi etj...
■Komiteti i PPSh hapë Dosjen per kadrot e nalta të të dënuemit, dhe percakton “luften e klasave”, masat ndaj personave të asaj familje që u asht dënue pjestari i saj.
■Komiteti i PPSh Hapë Dosjet e perjashtimit nga Partia të familjarëve të dënuemit, dhe jep udhzimet në Degen e Mbrendshme per ata dhe rrethin shoqnor të tyne.
■Per të gjithë personat që kanë perfundue shkollat e nalta ka Dosje Personale, ku asht e shenueme sjellja, qendrimi politik, aktivizimi me aksionet e rinisë (ku nenkuptohet me sigurimin e shtetit) dhe sa asht i vlefshem per të ardhmën...në sherbim të PPSh.
■Për disa persona të “veçantë” Komiteti Qendror i PPSh, ban trasferime nga burgjet, dhe me urdhën sekret të komiteteve të PPSh rretheve, terroristët bajnë zhdukjen e tyne kryesisht, kur mungojnë faktet publike per pushkatim, si rasti i Ndrekë Kodhelit, Don Zef Maksen etj., që gjoja dergohen nga Tirana per burg të Burrelit e vriten gjatë rrugës.
■Per të gjithë agjentët e sigurimit të shtetit kishte privilegje, shperblime, dekorata dhe gradime të dhanuna per vrasje, burgime, hetime në tortura dhe rekrutime agjentash.
■Të gjitha veprimet terroriste të këtyne agjentave udhzoheshin dhe kontrolloheshin nga metastazat e komitetit qendror të PKSh (PPSh) nder rrethe, me qender Komiteti i PPSh.
■Besueshmenia e një komunisti matej me sherbimin e tij si agjent i sigurimit të shtetit.
■Pra, asht e kjartë se nga të gjitha këta dokumentacione dhe Dosje, sot ne vertetojmë të
gjitha krimet e Gjenocidit komunist, kriminelët dhe vrasësit me veprat terroriste të tyne,
per të cilat Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu, dhe të gjithë pasuesit tjerë, vazhdojnë me kenë “Heronjë të Popullit” JO Shqiptar!..
■Shqipnia asht kenë dhe vazhdon me kenë një shtet i errësuem me dashje dhe pa asnjë prospektivë “drite” nga e mira, përderisa nuk nxjerrë në pah faktët historike, Krimet e pashembullta në një Shqipni, e cila nuk mund të krahasohet me ASNJË shtet tjetër, per krimet e kryeme ndaj një Populli Shqiptar, me atë sasi popullsije që kishte Shqipnia!
■Në këte 70 vjetor të përmbytjes së Shqipnisë së Gjergj Kastriotit, nga terrori e krimet barbare të tiranisë komuniste të viteve 1944 – 1991, Përulem me dhimbje dhe respekt para të gjithë Atyne Viktimave të Pafaj, që jo vetem, u torturuen, u vranë, vuejtën, u zhdukën dhe shpesh me Heroizëm të pashoq, arrijtën me u vetvra nder torturat ma mizore vetëm, mos me nënshkrue me firmat e veta proceset fallco apo shpifjet vrastare të shokut…
E këta Burra Shqiptarë, pjesa ma e madhe e Tyne nuk kanë as “Dosje”, e edhe nëse i kanë, nuk asht asgja e vërtetë e shkrueme mbrenda tyne…Vetëm shpifje vrastarësh!
■Ata e dinin mirë se çka asht e shkrueme në “Derën e Ferrit Komunist”!
■Ata porsa u ndodhën ndër prangat e robnisë sllavokomuniste, vetëm mendonin se si duhet me vdekë me faqe të bardhë, mos me turpnue Veten, Familjen dhe Atdheun, për të cilët “vdiqën si me lé!”… E nuk janë aq pak sa kujtojnë ata, që kërkojnë me i “harrue”!
■Shkodra duhet të shkruejnë me shkronja të arta Emnat e Martirëve të Pavdekshëm: Kolec Deda, Av. Muzafer Pipa, Simon Darragjati, Prof. Simon Deda (Durrës), Prof. Kolë Prela, Av. Paulin Pali, Prof. Prenkë Kaçinari (Tiranë), Palë Thani, Pjetër e Marije Deda, etj., tue mos harrue kurrë 118 Burrat e Kelmendit, vra në Kryengritjen e Prekë Calit, që as Emnat e Tyne nuk tregohen nga vrasësit terroristë të Janarit 1945.
■HAPNI DOSJET! Hiqni dorë nga mashtrimet dhe rrenat! Nuk ju beson ma askush!
■Ndër 26 hetuesitë e burgjet e Shkodres, vetëm në hetuesinë e Burgut mënershëm të Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit, kishte 700 viktima që torturoheshin ditë e natë…
■E pse?! – Me akuzue të pafajshmit, me shpifë per shokun e me pranue “bashkpunim” me sigurimin komunist, per me çue në plumb inteligjencën Atdhetare Shkodrane!
■Si thoni ju, a duhet të dijnë shkodranët se si e mbytën av. Muzafer Pipën në hetuesi kur po e torturonin Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, kur Ai nuk po pranonte me shpifë dhe këta, i futen nder muskujt e krahëve hekurin e skuqun, që takoi per shtyllen kurrizore dhe i shkreti Muzafer, mbeti i vdekun në çast… Madje, blene dhe pula e i ngranën të pjekuna, se gjoja Muzaferi deshti me ikë, u vra në dalje të hetuesisë e këte e vertetonte “heroi” Zoi Thëmeli, me gjakun e pulave që kishte hapë në çimenton rreth ndertesës!
■Më tregonte i tmerruem gati mbas 50 vjetësh i Nderuemi Loro Vata, sesi e kishin lidhë per karrigë, dhe hetuesi kriminel Fadil Kapisyzi po torturonte Simon Darragjatin… Po i kerkonte me nënshkrue procesin ku akuzoheshin edhe dy shokë të Simonit, i cili po kundershtonte se janë shpifje ato që janë të shkrueme aty. Hetuesi Fadil Kapisyzi, ishte një kokërr sarahoshi e fanatiku i pashoq. Mbrendë në zyrë të tij ishte edhe Dul Rrjolli, ndërsa, Simon Darragjati ishte i shtrimë për tokë e i lamë me gjak. Duli i hodhi Simonit një kovë me ujë për me e prue në vete. Porsa u duk se po e merrte veten, Duli i ra shpinës me një hu të trashë dhe i tha se, asgja nuk të ka ba Fadili ty, se shka kam ndër mend me të ba unë, a po flet, a po jo? – Simoni u përgjegj: Jo e jo, po të tham!! Fadili e humbi durimin mbasi kushedi sa kohë kishin që po e torturonin. E çoi nga toka, e afroi tek një dritare, të cilën e hapi dhe i tha: Sot ose do të firmosësh proçesin ose po deshte, hidhu nga dritaria e ta mbyllim historinë tande! Pa e mbarue fjalën mirë, Simoni zgjodhi rrugën e vdekjës nga dritaria…As unë nuk e kuptoj ku e mori forcën, veç, kur nuk e pashë ma në dhomë…Torturat e banë me vra veten. Mbas tij Fadili u sjell nga unë, po ti shka po ban? – Unë iu përgjegja se, nuk kam asnjë arsye me vra veten, ju, po deshët më hidhni vetë nga dritaria, por unë nuk bij! Duli më ra dy a tri herë me hunin që kishte në dorë, po, me thanë të drejtën pata frikë se po vdes pa muejtë me i lypë Zotit të falun për aktin e vetvrasjës, mbasi Simoni kur po dilte nga dritaria u ndigjue se tha vetëm fjalen “O Zot…”, ndërsa, unë, pata frikë se nuk po mundëm me e thanë as atë. Mandej, edhe po mendojshe me vedi ndër ata pak sekonda kohë, këta qej, kështu mendojnë me na vra të gjithëve… po, të provoj me durue torturat edhe pak si herët tjera…
Nxori një letër dhe ma vuni përpara, shkruej, më tha: “Unë, i pandehuri Loro Vata, nuk pranoj me nënshkrue proçes-verbal në hetuesinë që më ban kapiten Fadil Kapisyzi, në pezencën e Dul Rrjollit. Tuj mos pasë se çka me thanë as, me shkrue ma tepër se këto sa thashë, i vërtetoj me nënshkrimin tem pa as ma të voglin shtërngim… dhe, vuna firmë.
Mirë, tha Fadili, këtë deklaratë e kemi këtu, tashti, shko e mendoju në birucë, që kur të thërrasim, po nuk t’u mbush mendja me firmue do të gjejë ndera e Simonit e mos mendo, se del gjallë prej duerve të mija!
Persëriste Loro : Në torturë, një fije floku të ndanë nga vdekja ose vetvrasja!”
E, sa e sa Burra si këta, kanë zgjedhë “vetvrasjen”…si rrugë shpetimi? (1946 – 47).
***
■DOSJET E BASHKPUNTORËVE TË MASKUEM DUHEN HAPË TË GJITHA!
Agjentët e njohun per bashkpunim me vullnetin e vet, duhen dallue nga të dhunuemit!
■Ky bashkpunim me sigurimin e shtetit me vullnet, që duket sikur asht i njohun po, në fakt, ai ka kenë i mësheftë dhe vazhdon me kenë edhe sot. Në vitin 1945 Mark Çuni formoi në Shkoder Organizatën “Bashkimi Shqiptar”. Mbas pak muejsh, nga Nandori, pra në pragun e zgjedhjeve të 2 dhjetorit, grupi u zbulue… As sot nuk zihen me gojë agjentët që shkuen tek Tuk Jakova dhe i dhane një poezi… Që zbuloi krejtë Organizatën dhe çoi në plumb shtatë vetë, nder të cilët edhe tre klerikë katolik të pafajshëm…
■Po në vitin 1945 lexojmë në dy Dosje, n’atë të Don Lazer Shantojës dhe Ndue Palit, se kur po pritshin nga Riza Dani, kryetar i komitetit Shkodres njoftimin kur me u “dorzue”, forcat e ndjekjes, i zbulojnë ku janë dhe mbasi i kapin të tradhëtuem i pushkatojnë…
■Po kështu, kur forcat partizane kerkojnë me sulmue nga Selca Atdhetarin Prekë Cali, ata u thyen dhe i ranë mbas shpine, bashkë me forcat komuniste jugosllave… Pra, jo vetëm ua treguene rrugën e pabesisë, po edhe u lidhën me pushtuesit jugosllavë…
■Vjen në Shkoder Sejfullah Maleshova, me takue At Gjon Shllakun dhe gjoja, me i thanë se “duhet formue Partia Demokristjane Shqiptare, në Shkoder”, ashtu si kishte mashtrue në Tiranë disa vetë per “Partinë Social Demokrate” etj… Ai nuk mërrijti me u takue me At Gjonin, se ajo ide u kundershtue nga At Mati Prennushi dhe Imz. Gasper Thaçi, dhe megjithate, nuk munguen agjentët e sigurimit, me çue në plumb At Gjonin me shokë, simbas porosisë jugosllave, po gjithmonë me agjentat e sigurimit tonë të PKSh…
■Këta pak fakte mbrenda vitit 1945, i zuna në gojë jo vetëm me tregue se “shqiptarët” u treguen të zellshem me u vue në sherbim të sigurimit të shtetit, që instruktohej dhe në të gjitha veprimet antishqiptare bashkpunonte me okupatorët jugosllavë, po edhe mbasi këta tradhëtarë zbatonin “detyren”, punonin me shtue forcat e bashkpuntorëve të tyne, me agjenta sigurimi që dhunonin nder burgje dhe hetuesi me “plumbin ballit”.
■Nëse, Malet ishin të mbushuna me antikomunistë, lozhet e kinema Republikës në Shkoder ishin plotë me gra që thërrisnin “plumbin ballit” ose “në litar!”…
■Këta ishin “nënat e atyne djelmëve” që vdiqën tue thirrë: “Bijtë e Stalinit jemi né!”
■Ata që nuk u vranë në luftë njenimetjetrin, u angazhuen me PKSh, dhe sigurimin e shtetit që formoi kjo parti tradhëtare, per me nenshtrue Popullin Shqiptar me dhunë ndaj të gjithë pushtuesëve jugosllavë, sovjetikë, kinezë, e madje edhe të pa atdhe …
■Dosjet e agjentave që u vune në sherbim të PKSh, e i sherbyen sigurimit me vullnetin e tyne ma të madh, tue arrijtë deri aty sa “me kerkue pushkatimin e Atdhetarëve tanë”, se nuk donin robninë sllavokomuniste… Duhen njohë nga Populli Shqiptar!
■Duhen njoh edhe ata që u bane agjentë dhe vrastarë të shokëve të vet…
■Duhen njoh edhe ata që me tradhëti, jo vetem vranë Rininë Shqiptare, po edhe u bane “dr. prof. e akademikë”… e deputet të Kuvendit Popullor, ase “Heronjë të Popullit” tue nenshkrue akte e dokumenta pushkatimi, me procese fallco e shpifje…
■Dosjet ma të rendësishme per agjentët e sigurimit që ishin të burgosun janë ata që duhen ba të njohuna, për agjentët informatorë ma keqdashës që kanë sherbye padhunë, me vullnet të plotë, per vrasjen e tjetrit që i rrezikohej jeta si Bardhosh Danit me shokë.
■Nuk duhen perjashtue nga Hapja e Dosjeve, agjentët që ishin të burgosun dhe kanë krye detyren e “zberthyesit” nder birucat e sigurimit, vetem per dy lugë çorbë…
■Të gjithë agjentët dhe antarët e sekretarët e PKSh ose PPSh, hetuesit dhe kriminelët që kanë ndikue në “pushkatimin” e një personi të vetem, edhe në kjoftë se Enver Hoxha i ka burgosë ata, per vepren kriminale të vrasjes ai duhet njoh nga Populli Shqiptar.
■Nder burgjet dhe kampet e punës, vuejtja shpesh ishte e pafund. Shumë të burgosun mbasi plotsonin vitet e dënimit, dhunoheshin me u lirue me kusht: “Me nënshkrue para lirimit, deklaratë bashkpunimi me sigurimin!” Kush nuk pranonte dënohej përsëri. Ka nga Ata Martirë që pranuen me ba mbi 30 vjetë burg, e nuk janë pak Ata Burra si Dedë Markagjoni, Osman Kazazi, Don Nikoll Mazrreku, Don Mikel Koliqi…E, qinda të tjerë!
■Do të mbylli këte pjesë me Martirin e Shkodres Dulo Kali: “Kishte disa muej që nuk e pranonte akuzen (Shtator 1946)… Besoj, i kujtohet terroristit Aranit Çela. Nga korrenti elektrik Duli kishte humbë gati krejtësisht ndigjimin. Afer zyres ku torturohej kishin sjellë disa vajza që po qesheshin, dhe hetuesi i thotë Dulit: I ndigjon zanet e vajzave tua? Duli shokohet! Kujton se vertetë janë vajzat e Tij. Atëherë, hetuesi kur sheh Dulin e tronditun i thotë: Ndigjo Dulo Kali, po nuk firmove procesin, sot ke me pa me sytë tuej vajzat tua këtu mbi këte tavolinë, tue ti përdhunue me rradhë të gjithë hetuesit e policët e degës së mbrendshme! Duli pranon…akuzat dhe nenshkruen procesin!
■Me një proces të tillë Dulo Kali u pushkatue me 11 Mars 1948…mbas dy vjetesh hetuesi!
■Krenaria kombëtare e Popullit Shqiptar, ndera, burrnia, gjaku i kulluem dhe guximi i pathyeshëm historik i këtyne Burrave të pastër e Atdhetarë, lyp drejtësi dhe paqë!
Sot metastazat e tyne po vazhdojnë me qëndrue në parimin komunist të baballarëve:
“Çkado që kemi bërë ose mund të bëjmë, né kemi të drejtë ta bëjmë prap!”.
Melbourne, Shkurt 2015.