2015-02-17

IKONA E NJË GRUAJE QË VJEN NGA BURGJET DHE INTERNIMET



Nga ETLEVA BREGU




Romani “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” i Visar Zhitit, botim i “OMSCA-1”, sjell një realitet të rëndë, atë të vuajtjeve të vajzave dhe grave nëpër burgje dhe internime gjatë diktaturës, gjyqet e ashpra dhe mizorinë, mundimin, punën me kazmë dhe forcën shpirtërore për t’i bërë ballë së keqes. Mënyra origjinale e trajtimit, emocionet e fuqishme që përçon, e bëjnë një roman të pa përsëritshëm dhe me rëndësi në letërsinë posdiktatoriale.
Protagonistja e romanit, Ema Marku, aq sa e krijuar dhe po aq e vërtetë, gjimnaziste nga Shkodra, burgoset se mbante nje kryq në qafë si varse, apo lexonte fshehurazi edhe biblen, i pëlqente e bukura, jeta, etj. Në burgun e grave në Kosovën e Vogël në Lushnje, ajo njihet me gra të tjera, mes tyre dhe të huaja, nga vendet e perandorisë komuniste, të martuara në Shqipëri dhe së bashku, teksa kalojnë vite të rinisë së tyre nën kërcënimet e shkopit të gomës së gardianes, metaforë e sistemit, duket sikur ato gra krijojnë një kor të atillë, i ngjashëm dhe i pangjashëm në tragjeditë e antikitetit, me një si lloj elegjie të fshehtë, që këndohet në heshtje, për të shpëtuar ç’të mundnin nga vetvetja, ëndrrën mbi të gjitha dhe dinjitetin prej gruaje.

Ema lirohet nga burgu dhe kalon në internim, prapë në punëra të rënda ndanë kënetave të Myzeqesë. Por aty njihet dhe dashurohet me Feliks Kondin, edhe ai punëtor krahu.

Me përmbysjen e diktaturës, romani futet në të papritura të tjera, ku përzihen drita me mugëtirën, shpresat me depresionet që krijojnë aluçinacione nga më befasueset, një lloj përçudnimi të ëndrrave, përzjehet dashuria e madhe me krimin e tmerrshëm politik..

Emën, kur po shpaloste veten si personalitet, në fakt po e ribente në kushtet e lirisë së saj, e vrasin forcat e errësirës, Sigurimi i vjetër i shtetit. Feliksin e saj e kapin kriza të rënda shpirtërore dhe mentale, që duket sikur janë të vetë shoqërisë në atë tranzicion hutues. Dhe ai ikën, merr rrugët nëpër botë, me tre misione: e para, të shohë vendet që kanë lakmuar t’i shëtisnin me Emën, pra mbart brenda vetes ëndrrën e saj, dy, ka shpresa se mos gjen shpirtin e saj binjak dhe e treta, rreket si i fantaksur të vejë, me një dosje në dorë, në Hagë. Ka hedhur në gjyq gjithë atdheun. Një akt i pangjashëm, absurd në dukje, por më shumë është një apel ndërgjegjes për moralin qytetar, për përgjegjshmërinë kolektive. Gjithë ky tmerr nga dashuria e vrarë.

Romani mbaron në prag të një viti të ri, kur po mbaronte dhe shekulli dhe mijëvjeçari, te një urë në një kryeqytet të Europës, që duket sikur lidh kohët, vendet, njerëzit, kujtesën, vdekjen me jetën, ëndrrën me të vërtetën. Leximi i këtij romani është një përjetim i ankthshëm, plot me vezullime bore dhe gjaku, një bukuri e përzishme si një shandan mbi jetën e një Zhuljete dhe Romeoje shqiptar, që dalin nga vuajtja dhe shndërrohen në ikona, kurse jashtë kornizës janë djajtë.

Dhe shkrimtari Visar Zhiti e sjell këtë dhimbje dhe akuzë njëherësh si askush tjetër në letrat tona sot.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...