2015-02-12

Të mësuarit e modeleve jo agresive



Nga teoria e të mësuarit dhe ajo e modeleve normative, rezultonte që sjelljet agresive mund të mësohen, pra edhe mund të çmësohen. Vëzhgimet psikologjike kanë treguar se, duke prezantuar fëmijëve modele jo agresive të sjelljes, ata mësojnë jo vetëm si të sillen, por edhe si të mos sillen. Në këtë mënyrë, normat shoqërore zvogëlojnë sjelljet e dhunshme. Problemi është se në shoqëri vlerësohet pozitivisht suksesi dhe fitorja mbi të tjerët, ndërsa agresiviteti ndodh të pranohet si një mjet për t’ia arritur këtij suksesi të dëshiruar. Nga ana tjetër, vrasja dhe dhuna janë mjete që na prezantohen shpesh në “lojën e jetës”. Kështu, modeli normative ekzistues i agresivitetit, nënkupton që duhen ndryshuar rregullat e kësaj loje të jetës. Janë norma të tjera shoqërore, të një bote paqësore dhe që nuk i kundërvihen ligjit, ato që nuk e shohin agresivitetin si një rrugë për arritjen e qëllimit. Si të tilla ndihmojnë modimin e sjelljes së duhur njerëzore në shoqëri dhe, prandaj duhet të zënë vend dominues në ekranet e TV, rubrikat ë radiove, faqet e gazetave dhe të gjithë masmedias.

Kështu, në një nga studimet psikologjike rekomandohet se, po të duam reduktimin e agresiviteti në shoqëri duhen dekurajuar djemtë nga agresiviteti qysh në moshë të vogël, si dhe të shpërblehen ata për sjellje të tjera, pra të shoqërizohen ata më tepër se vajzat. (Eron 1980). Pra ideja është që, nëse duam të eliminojmë agresivitetin duhet të ndryshojmë, në radhë të parë qëndrimet e shoqërisë ndaj dhunës, duke mos e quajtur atë si një mjet për arritjen e qëllimeve personale. Një tjetër studiues, Moyer, ka identifikuar tetë lloj agresivitetesh të shfaqura në shumë forma tek speciet e gjalla, pra edhe tek sjelljet njerëzore.I pari është agresiviteti grabitqar, pra ai që shikohet nga vetë sjellja si motiv i sulmit. Është, pikërisht, ai lloj agresiviteti që drejtohet ndaj viktimave tona natyrore dhe që rrjedh nga thellësia e së kaluarës sonë, pra nga përvoja e të parëve tanë për të gjuajtur. Tani, në sjelljen normale ky agresivitet shihet thjeshtë si gjueti.

Megjithatë për Moyer-in edhe ky tip agresiviteti, ka implikimet e veta ligjore. Kështu, edhe sot ndodh që një numër individësh deviantë dhe anormalë, mundet që i shohin të tjerët si qenie në nivel më të ulët, prandaj dhe justifikojnë “gjuetinë” e tyre. Ata që mund të jenë narcis, që i shohin të tjerët jo si të barabartë dhe në mungesë të parametrave morale i grabisin ose dëmtojnë ata. Po kështu dhe psikopatët nuk mund t’i shohë dot me sytë e të tjerëve, pra nuk i sheh ata si të barabartë me veten. Si njerëz pa norma dhe kufizime morale, ata mund t’i plagosin e vrasin lehtësish të tjerët.

Së dyti është agresiviteti nga ndërmashkulloriteti, si dhunë fizike ose sjellje nënshtruese e shfaqur tek meshkujt, në marrëdhënie me njeri tjetrin. Si implikime ligjore të këtij instinkti mund të jenë nivelet e larta të dhunës të konstatuara në këtë kategori njerëzish. Shkak mund të jetë perceptimi i tjetrit si rival në burimet ekzistuese të kufizuara dhe si kërcënim i egos nga një ego më e fortë. Së treti janë agresivitetet e krijuara nga izolimi. Kështu, ka reagime të programuara biologjikisht tek ne për të vepruar në mënyrë agresive ndaj çdo forme izolimi apo bllokimi të dhunshëm që na bëhet. Implikimi ligjor i këtij pohimi është se ky agresivitet mund të jetë problem i madhe në mjediset e burgjeve. Nëse individët agresivë vendosen në mjedise që nxitin agresivitetin nëpërmjet dhunës izoluese, atëherë rreziku mund të rritet më shumë.

Së katërti agresiviteti territorial është ajo lloj sjellje kërcënuese ose sulmuese që shfaqet ndaj pushtimit që i bëhet një territori ose dhe sjellja nënshtruese që shfaqet kur ndeshim me pushtuesin përkatës. Ka implikime ligjor, pasi pushtimi i territorit përfshin më tepër se sa pronën. Kështu, edhe besimi se dikush po na cënon statusin mund ta konsiderojmë si pushtim. Ndërsa, humbja e pushtetit në një marrëdhënie, që mund të çojë në abuzim, bie fjala, bashkëshortor, gjithashtu mund të shpjegohet me këtë model agresiviteti.

Së pesti agresiviteti amësor (prej nënës) është sjellja agresive e aplikuar kryesisht nga femrat (por edhe nga meshkujt) kur “okupatori”, apo kërcënuesi është i pranishëm në një mjedis me fëmijët e saj. Ndërlikimi ligjor: kjo sjellje mund të shfaqet tek krimet e kryera në rastet e shpjeguara nga përkufizimi më sipër, (pra kur nëna ndihet e kërcënuar për fëmijët e saj).

Së gjashti është agresiviteti irritues, pra ai që drejtohet ndaj objekteve të cilat e kanë frustruar agresorin, e kanë cënuar, deprivuar apo stresuar atë. Kështu, ai bëhet agresiv ndaj objektit në fjalë, pikërisht për të “zbrazur” apo shkarkuar në mënyrë të pranueshme këtë agresivitetit. Implikimet ligjore të këtij pohimi shfaqen tek ata individë që kanë grumbulluar por nuk i përdorin këto “shkarkime të mundshme”, duke shpërthyer në agresivitet ndaj tjetrit.

Së shtati agresivitet që lidhet me seksin, pra që nxitet nga të njëjtët stimuj që nxitet edhe sjellja seksuale. Kështu, çdo person që mund të evokojë ose ndjellë dëshirën seksuale, njëlloj mund të evokojë edhe agresivitet nëpërmjet xhelozisë. Implikimi ligjor: përveç reagimeve të hapura të xhelozisë së dhunshme, disa individë mund të shfaqin edhe dëshira seksuale të shoqëruara me dhunë, siç janë format e ndryshme të sundimit dhe poshtërimit mbizotërues të partnerit. Duket se ky lloj agresiviteti shpjegon ekzistencën e një numri të konsiderueshëm sjelljesh seksuale të dhunshme, që shfaqen edhe sot, me gjithë përparimin E madh të shoqërisë.

Së teti agresiviteti instrumental shfaqet kur sjellja përkatëse është shpërblyer më parë. e renditëm të fundit këtë tip, por në shumicën e rasteve agresiviteti njerëzor lidhet pikërisht me këtë. Ndërlikimi ligjor ka të bëjë me faktin se një seri krimesh shpjegohen përmes këtij instrumentalizimi të agresivitetit. Pra nëse dikush merr shpërblim në para, ofertë seksuale, etj., për shkak të një veprimi agresiv deviant të shfaqur, ai do vazhdojë të sillet me agresivitet, sa kohë që është i motivuar të përfitojë si shpërblimet e mëparshme.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...