Duke kërkuar disa foto të vjetra të periudhës së viteve 20 mbi internatin (shkolla) "Kosova" të Krumës njihem me dy letra tepër të veçanta, të cilat i kishte shkruar një ish-nxënës i kësaj shkolle me emrin Myrteza Peka. E veçanta qëndronte në faktin se ato ishin shkruar nga autori në burgun serb të Ferizajt në Kosovë vetëm dy orë para se ta pushkatonin. Dy letra, njëra pas tjetrës, për nënën e tij dhe për vëllezërit, për gruan dhe për vajzën e vetme, e cila, për fat të keq, nuk ka jetuar. Po kush ishte Myrteza Shaqir Peka dhe çfarë thonë letrat e të tjera le të flasim shkurtimisht:
Ai kishte lindur në vitin 1910 nga një familje relativisht e madhe e Pekës. Në Krumë, në vitet ‘20, mbaron shkollën e njohur në atë kohë si internati "Kosova", e njësuar me 8-vjeçaren e sotme, ndërsa më pas mbaron, siç tregohet nga dokumente, me rezultate të shkëlqyera shkollën teknike të Harri Fullcit në Tiranë. Dërgohet me bursë shteti në Universitetin e Barit në Itali, ku mbaron po ashtu shkëlqyeshëm degën e Veterinarisë. Pas kthimit, ai punon një farë kohe në Ministrinë e Punëve Botore, ndërsa më vonë emërohet nënprefekt i Ferizajt në Kosovë. Në kapërcyell të Luftës së Dytë Botërore, Peka radhitet në anën e nacionalistëve të mëdhenj shqiptarë, sipas të cilëve, pas çlirimit, Kosova duhej të shkëputej nga Serbia, siç kishin qenë fillimisht edhe formacionet e ushtrisë partizane të Shqipërisë, me mbledhjen e Bujanit etj., e që më pas u hodhën poshtë nën presionin serb. Ky qëndrim do t‘i kushtonte jetën jo vetëm atij, por mijëra djemve shqiptarë.
Komunistët serbë, "të etur për gjak shqiptari", siç tregon një banor i Hasit, i afërt me Pekën, menjëherë pasi rimarrin pushtetin në Kosovë grumbullojnë me dhunë të gjithë intelektualët nacionalistë, mes tyre edhe Myrteza Pekën dhe një gjyq ushtarak vendos t‘i ekzekutojë. Siç tregon vetë viktima Peka në letrat dërguar nënës, pas 30 ditësh që e mbajnë në qeli e nxjerrin për ta pushkatuar bashkë me dhjetë të tjerë, një plojë e vërtetë. Myrtezait i jepet mundësia për të thënë fjalën e fundit, fjalë të cilën siç duket ai ka dëshiruar t‘ia drejtojë nënës së tij, babait, gruas, vajzës e vëllezërve. Ja teksti i shkurtër i letrave. "Letra shkruhet në xham" - shkruhet anash letrës në cepin e sipërm:
E dashtun nanë, të dashtun vllazën, ndodhem në burgun e Ferizajt në orët e fundit të jetës, mbasi dje u dënova me vdekje nga gjyqi ushtarak. (Mos u mërzitni, të gjithë u takofshim në jetën e amshueme). Ju lutem ma bani hallall ju dhe të gjithë ata që qajnë për vdekjen time. Motrave e grave u thoni të bajnë gajret... Kur të merrni letrën nana le të puthë me gojën e vet Verën e dashtun, Dritën, Shaqirin e të tjerët. Servetit i thoni ta mbajë veten si bijë e një familjeje të madhe. Zoti ju dhashtë shëndet e fat të mirë. Ju puth të gjithëve me radhë me anë të ajrit... Mos vajtoni, por vetëm lutuni për mua.
Ferizaj 27.IV.1945, ora 12.45. Myrtezai".
Dy ditë para ai kishte marrë njoftimin për t‘u pushkatuar dhe kishte shkruar edhe këtë letër, pak më të shkurtër, pasi, siç thotë në letër, "nuk më bëjnë duart...". Ja teksti i asaj:
"E dashtun nanë, të dashtun vllazën, e dashuna Servet. Edhe sot mbas 30 ditëve jam tue e pritë dita-ditës vdekjen. Ma bani hallall e më falni për të gjitha. Selam të gjithëve.
25 maj 1945, ora 09.10, Myrta.
Bedri Zaimi më ka dalë si vëlla, ka ardhë e më ka dhanë cigare edhe kos. U përqafova me Zaimin për herën e fundit.
Nuk po më ban dora me shkrue ma gjatë. Myrtezai".
Këto letra i ranë në dorë nënës së tij në Krumë vetëm pak ditë pasi ai ishte pushkatuar. Do të kalonte më shumë se gjysmë shekulli, kur çështja e tij do të dilte në skenë.
Në vitin 1992, vëllai i Myrtezait, Zeqiri, ka udhëtuar në Ferizaj për të mësuar gjithçka për vëllain e pushkatuar, por nuk ka mundur të gjejë shumë gjëra. Ka gjetur vendimin e përkthyer të serbëve për pushkatimin, por nuk ka gjetur varrin e tij. Edhe sot e kësaj dite eshtrat e tij nuk janë gjetur. Prej dy vjetësh ka vdekur edhe Zeqiri, 98 vjeç, vëllai i fundit i Myrtezait dhe tashmë janë nipërit që ngrenë pluhur derisa të gjenden eshtrat e xhaxhait të tyre dhe jo vetëm, por ata i kanë shkruar edhe qeverisë për ta shpallur dëshmor.
Si për ironi të fatit të shqiptarëve, afërsisht në të njëjtën periudhë që Myrtezai të pushkatohej në Ferizaj, shtëpia e Pekës në Krumë digjet nga komunistët, pikërisht për veprimtari atdhetare (antijugosllave), që shkonte kundër bashkëpunimit me pushtuesit e vendit, siç qenë serbët.
Pekët sot kanë çelur edhe një çështje gjyqësore për të njohur dëmin që u ka shkaktuar pushteti i vitit 1945, kur iu dogjën katër shtëpi, iu konfiskuan 10 pendë qe, si dhe qindra krerë bagëti. Pekët tregojnë se nga Ferizaj Myrtezai bënte thirrje për vetëpërmbajtje, sepse shtëpia mund të ngrihej përsëri. Sidoqoftë, Pekët e kanë përcjellë si një amanet në dy-tri brezat e fundit që Myrtezain do kurdo ta gjejnë, t‘ia bëjnë varrimin në Krumë, ku prehen të parët e tij. Mirëpo e gjitha duhet të kalojë përmes kanaleve shtetërore dhe shteti i sotëm demokratik i detyrohet kaq gjë familjes Peka.
Sulejman Dida
Letra e parë
E dashtun nanë, të dashtun vllazën.
Ndodhem në burgun e Ferizajt në orët e fundit të jetës, mbasi dje u dënova me vdekje nga gjyqi ushtarak. (Mos u mërzitni, të gjithë u takofshim në jetën e amshueme). Ju lutem ma bani hallall ju dhe të gjithë ata që qajnë për vdekjen time. Motrave e grave u thoni të bajnë gajret... Kur të merrni letrën nana le të puthë me gojën e vet Verën e dashtun, Dritën, Shaqirin e të tjerët. Servetit i thoni ta mbajë veten si bijë e një familjeje të madhe. Zoti ju dhashtë shëndet e fat të mirë. Ju puth të gjithëve me radhë me anë të ajrit... Mos vajtoni, por vetëm lutuni për mua.
Ferizaj 27.IV.1945, ora 12.45. Myrtezai.
Letra e dytë
E dashtun nanë, të dashtun vllazën, e dashuna Servet. Edhe sot mbas 30 ditëve jam tue e pritë dita-ditës vdekjen. Ma bani hallall e më falni për të gjitha. Selam të gjithëve.
25 maj 1945, ora 09.10, Myrta.
Bedri Zaimi më ka dalë si vëlla, ka ardhë e më ka dhanë cigare edhe kos. U përqafova me Zaimin për herën e fundit.
Nuk po më ban dora me shkrue ma gjatë. Myrtezai.