Stigmatizimi është një nga problemet më të vështira me të cilat ndeshin njerëzit me probleme të rënda mendore. “Ajo ul vetë respektin e tyre, kontribuon në dobësimin e marrëdhënieve familjare dhe zhvillimin e ndjenjave armiqësore, që pengon aftësitë për t’u shoqërizuar, duke i kthyer në të papunë”-thotë Wahl 1999. Frika dhe stigma shkojnë paralel, duke rezultuar në humbje të shpresës për individët që duhen trajtuar ose përmirësuar, megjithëse vitet e fundit janë bërë përpjekje për t’u kapërcyer ky problem. Pra, lidhja që u bën publiku sëmundjeve mendore dhe dhunës, është shkaku kryesor, në mos i vetmi, i stigmës ndaj të sëmurëve mendore.
Kështu, Link pas rishikimit të disa studimeve të kryera në këtë fushë, arriti në përfundimin që “kur kemi një masë pacientësh të rrezikshëm për shkak të sëmundjeve mendore, atëherë shfaqet etiketimi dhe ndikimi i stigmës”. Ndërveprimi mes etiketimit dhe rrezikut të perceptuar është shumë domethënës. Është ky perceptim që i bën njerëzit të mbajnë distancë ndaj individëve që po marrin trajtim psikiatrik, çka në fakt vështirëson përmirësimin e tyre. Prandaj, studimet sugjerojnë se një rrugë për zgjidhjen e problemit është zvogëlimi i distancës sociale mes të sëmurëve mendorë dhe publikut. Por, ndonëse ka përpjekje gjatë viteve të fundit, mbetet ende shumë për të bërë Me këtë lidhet fakti se marrëdhëniet e dhunës me stigmën janë çështje eksperiencash jetësore, të cilat besohen më shumë dhe jo argumentesh teorike.
Kështu është vështirë që kjo distancë të shkurtohej kur publiku mëson, bie fjala, atë që ndodhi në vitin 1999 në një qytet të SHBA-së, ku një skizofren vrau dy persona në një librari. Brenda disa orëve spitali i shëndetit mendor të asaj zone, filloi të merrte telefonata nga klientët e frikësuar që qanin me dënesë dhe kërkonin takim me përgjegjësen e marrëdhënieve me publikun të spitalit. Ata kishin frikën e hakmarrjes së publikut ndaj tyre. Pra, çfarëdo progresi të ishte arritur për destigmatizimin e të sëmurëve mendorë, çdo gjë ishte kthyer mbrapsht në vite, pikërisht prej kësaj vrasje-argumentojnë studiuesit.
Ka studime që tregojnë se lidhja që i bën publiku dhunës dhe sëmundjes mendore, është e fortë dhe madje është forcuar kohët e fundit. Kështu, në Kaliforni shumica e të rriturve besonin që skizofrenët mund të bëjnë krime të dhunshme më shumë se njerëzit normalë. Një studim raportoi që 47 % e policëve dhe 43% e studentëve e lidhnin skizofreninë me agresivitetin, armiqësinë dhe dhunën. Një studim tjetër i vitit 1993, po në Amerikë, tregon se mbi gjysma e njerëzve pranonin që “ata me çrregullime mendore kanë më shumë mundësi të kryejnë krime të dhunshme.” Një studim i shtetit Utah –SHBA raporton se 38% e të pyeturve ishin dakord se “njerëzit e sëmurë mendërisht janë shumë më të rrezikshëm se pjesa tjetër e popullatës”, ndërsa një studim tjetër nxori që ndonëse ata ishin afërsisht në masën 3% , përfaqësonin rreth 48% të atyre që bënin diçka më të dhunshme se të tjerët.
Një raport i Surgeon General’s nxori se “perceptimi i njerëzve me psikoza janë të rrezikshëm, është më i fuqishëm sot se në të kaluarën!” Pra, njerëzit e sëmurë mendërisht, veçanërisht ata me psikoza, perceptohen sot si më të dhunshëm nga sa bëhej kjo në të kaluarën. Madje ky numër ishte rritur me 2,5 herë nga viti 1950 deri në 1996, pra nga 13% në 1950 në 31% në 1996. Dhe kjo ka ndodhur, megjithëse gjatë këtyre dekadave ka pasur një rritje të dukshme të vetëdijes së publikut për sëmundjet mendore, një rritje numerike edhe të pacientëve që marrin trajtim profesional, kështu që pritej pakësim i stigmës. Por, ndodhi e kundërta!
Arsyeja më e mundshme është rritja e numrit të krimeve të dhunshme të kryer nga individë të tillë. Studimet kanë treguar se shumë prej tyre janë trajtuar jo si duhur ose nuk janë trajtuar fare. Dhe këta, vërtet ka më shumë mundësi të jenë më të dhunshëm se të tjerët. Mbasi, statistikat tregojnë që individët me çrregullime të trajtuar deri diku, nuk janë më shumë të dhunshëm se pjesa tjetër e popullatës. Po kështu, statistikat thonë se mbi 40% e të sëmurëve rëndë nuk trajtohen fare për vite me radhë. Një studim 18-mujor, në vitin 1991-1992, tek një spital i Nju-Jorkut, tregoi se, krahasuar me dhjetë vjet më pare, numri i pacientëve që kishin sulmuar fizikisht një person, deri në një muaj para pranimit në spital, rezultoi të ishte 14 % më i lartë, ndërsa tek femrat kjo përqindje shkonte nga 6-15%. Gjithë të vëzhguarit në këtë rast ishin shtruar vullnetarisht në spital. Studiuesit mendojnë se kjo rritje e dhunës së parashtrimit në spital, lidhej me përdorimin e kokainës dhe drogave të tjera, me kalimin e viteve.
Gazeta ”New-York Times”publikoi rezultate e 100 “vrasjeve të çmendura, pra atyre vrasjeve dyfishe që nuk lidheshin direkt me vjedhje ose grabitje” gjatë pesë dekadave të fundit. Rezultoi se 25 vitet e fundit shpeshtësia e tyre ishte rritur, më shumë se gjysma kishin pasur një histori ose kishin të bënin me një sëmundje të rënda mendore dhe 48% ishin diagnostikuar dhe formalisht si skizofrenë. Po kështu, 90 nga 100 vrasjet në fjalë ishin kryer gjatë viteve 80-90’. Pra nga të dhënat e mësipërme mund të nxjerrim se ulja reale e stigmës do arrihet vetëm pas reduktimit të krimeve të dhunshme të kryera prej tyre. Ajo që është provuar deri tashmë ka të bëjë me faktin se, kur ata trajtohen profesionalisht, do ulet edhe numri i episodeve të dhunës. Një formë asistimi është “lirimi me kusht”, pra largimi i të sëmurit nga spitali, duke marrë trajtim të caktuar, përfshi dhe medikamente në mjedise jashtë-spitalore. Vëzhgimet tregojnë se kjo formë ul ndjeshëm dhunën nga ana e tyre. Një formë tjetër është angazhimi “part-time” i pacientëve jashtë spitali, ku ata dërgohen të kryejnë dhe përfshihen në plane trajtimi. Edhe kjo formë tregon ulje të nivelit të dhunës në komunitet. Kështu, aplikimi me 262 pacientë të caktuar në qendra komunitare, ose si pacientë të jashtëm, rezultoi me ulje të rasteve të dhunës së tyre, nga 47 në 24%.