2015-02-11

Ti je frikacak miku im

Ti je frikacak miku im

Blerta Blakaj


Frikacak!!! A jeni ju frikacakë, që po ikni nga vendi juaj? Po besoj se jeni, edhe e marr guximin t’iu quaj të tillë.

Po ikë nga vendi për të cilin luftuan babë, gjysh e stërgjysh! Po ikë nga toka për të cilin me shekuj, thuhet të jetë derdhur gjak! Po ikë nga vendi të cilin nuk e zhbënë dot, armiqë e sundues të tij…
E tash po thua se ti paske arsye më të fortë ta “tradhtosh” këtë vend ?!

Dëgjova të thuash se qeveria i paska fajet dhe se qeveria të paska ndjekur nga këtu! Ta zëmë se ti paske të drejtë dhe qenka tamam siç po thua! Por unë prap të quaj frikacak, sepse edhe ti lejove që një qeveri që ka 10, 50, ose 100 veta, të të dëbojë nga shtëpia jote!
Si paska qenë e mundur që më herët e për këtë Kosovë, të kenë luftuar, babë, gjysh e stërgjysh, e ti sot të thuash se “s’ke çfarë bën” dhe duhet të ikësh!

Prandaj unë të quaj frikacak dhe s’pajtohem me ty.

Po nëse këta që janë në qeveri sot, nuk qenkan të zotët e punës, atëherë vëre dike kujt i beson ti. Ose po deshe ulu vetë atje, në mos përpiqu që ti ta bësh shtetin për vetë.
E di, ti tash do të pyesësh se si mund të bëhët kjo? Unë di të të them se nuk është e pamundur! Bile nuk është aq pamundur sa ta braktishësh atdheun dhe të provosh të shkosh atje ku nuk të duan!
Po ty të dëgjova të thuash se “gjendja e mjerueshme ekonomike s’qenka arsye e largimit tënd”! Ndoshta edhe mund të mos jetë, sepse ti ndoshta pate kulm mbi kokë, e tash qëndron nën tendat e lagështa të vendit të huaj! Cila është më mjerim? Unë them se ai i tendave të lagështa, i vendit ku nuk të duan, dhe ku, vetë po thua të përbuzin. Prandaj unë të quaj frikacak.

Nuk them se je “habdall e budalla” edhe pse mund të të kenë mashtruar ata që ka kohë që janë “rahatuar” në vendet e premtuara e që ne i kemi quajtur gjithmonë bashkatdhetarë.

Je nisur miku im në një rrugë pa krye, duke e braktisur edhe këtë fakultetin tonë e quajte të mjerë, por harrove që atje do bësh veç një krah pune më shumë, veç një të përulur më shumë, prandaj unë të quaj frikacak.

Kosova mund të jetë një si lloj “getoje” e një jete që nuk e gëzojmë sa e siç duam, por bile këtu nuk mund të jemi aq të përbuzur. Prandaj unë të quaj frikacak!
Unë do të vazhdoj të rri këtu, sepse nuk jam bindur se ka njërëz që mund të ma marrin hisen e diellit e as frymën, qofshin ata 10-50 ose edhe njëmijë njerëz të qeverisë së “urryer”. Ata rrinë aty ku janë, vetëm sepse mund të ketë frikacak si ti miku im, që ikin për të mos u përballur!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...