2015-02-16

Akademik Engjëll Berisha, pedagogu që i dha shumë muzikologjisë shqiptare

Engjëll Berisha lindi në Prizren më 24 gusht të vitit 1934, është akademik shqiptar i Kosovës.
Engjellberisha.jpg

Në vitet 1954-1955 mbaroi Shkollën e Lartë në Degën e Teorisë dhe të Pedagogjisë Muzikore, në Akademinë e Muzikës të Beogradit. Pas diplomimit, në vitin 1958 kthehet në Prizren, ku deri në vitin 1968 në Shkollën e Mesme të Muzikës punon pedagog i lëndëve teorike dhe praktike – harmoni, histori e muzikës, lexim i partiturave vokale dhe njohja e instrumenteve. Për mungesë të kuadrit të lartë profesional muzikor, angazhohet të mbajë mësim nga lënda e edukatës dhe e kulturës muzikore edhe në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit.Në vitin 1968 zgjidhet profesor i lëndës Histori e muzikës (Dega e muzikës) në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Aty punoi deri në vitin 1975. Kur në vitin 1975 u hap Akademia e Arteve (sot Fakulteti i Arteve), Dega e muzikës , u zgjodh ligjërues i lëndës Histori e muzikës botërore dhe kombëtare. Pastaj mori titullin profesor ç'ordinar dhe më vonë profesor ordinar i Universitetit.Gjatë viteve 1974-1978 studion në Fakultetin Filozofik – Dega për muzikologji në Lubjanë Slloveni.Studimet pasuniversitare (të shkallës së tretë) i ndoqi në Akademinë e Muzikës – Dega për Histori të Muzikës dhe Muzikologji në Sarajevë. Aty magjistron në fund të vitit 1980, duke u lauruar në këtë mënyrë magjistër i parë shqiptar në muzikologji. Në Fakultetin e Arteve, në cilësinë e profesorit ordinar do të ligjërojë lëndën e Historisë botërore dhe shqiptare (për një kohë edhe të lëndës Njohja e literaturës korale) derisa u pensionua, në vitin 2000. Për mungesë të kuadrit adekuat të lëndës së përmendur, edhe sot është i angazhuar për 4 orë në javë të ligjërojë lëndën Histori e muzikës.Krahas mbajtjes së mësimit në shkolla të mesme dhe ligjëratat e rregullta në shkollimin e lartë (SHLP dhe në fakultet), ka ushtruar edhe detyra udhëheqëse – drejtuese. Gjatë viteve 1962-1968 ishte drejtor i Shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren dhe drejtor i Gjimnazit, po ashtu në Prizren gjatë viteve 1969-1970; prodekan në vitet 1975-1977, dekan më 1981-1983. Në Prizren gjatë disa viteve ishte dirigjent i korit të SHKA “Agimi”. Me ansamblin e kësaj shoqërie muzikore, si udhëheqës artistik është paraqitur para publikut kosovar shumë herë rregullisht. Me SHKA “Agimi” ka marrë pjesë në shumë manifestime, gara, koncerte, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera, si në Shkup, Tetovë, Nish, Beograd, Sarajevë, si dhe në disa qytete të Shqipërisë në vitin 1972, si në Tiranë, Vlorë, Berat, Fier, Durrës, Krujë, Shkodër etj. Me këtë shoqëri ishte edhe në Turqi e në Algjeri.Ka mbajtur ligjërata e kumtesa në mjaft seminare e tryeza me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë. Në vitin 1977, ka mbajtur ligjërata në Seminarin Ndërkombëtar për Kulturën Shqiptare në Prishtinë, në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale në Prishtinë, në vitet 2000, 2001, 2002, në tryezat muzikologjie, që mbaheshin në Gjakovë në “Ditët e muzikës kosovare-shqiptare”. Ai ligjëroi në Tiranë në vitin 1979, në Shkup më 1993, Sarajevë, Novi-Sad në vitin 1986, etj.

(Floripress)





 Doajen i pakompromis i muzikologjisë - njëri prej kontribuuesve më të mëdhenj në fushën e muzikës në vend dhe njeri i pazëvendësueshëm për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
I tillë është përshkruar akademiku Engjëll Berisha, ditën e diel, kur u bë publik lajmi për vdekjen e tij.
Ai ishte 80 vjeç. Akademiku Berisha ka lënë pas vetes - krahas punës parësore të pedagogut të lëndës histori e muzikës botërore dhe kombëtare shqiptare - edhe shkrime e publikime nga fusha e historisë së kulturës muzikore.
Ai do të varroset të hënën (sot) në vendlindjen e tij, Prizren. Lajmin për vdekjen e akademikut Berisha – i cili vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër – e ka konfirmuar Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës.
Engjëll Berisha lindi më 1934 në Prizren, ku kreu mësimin fillor dhe Shkollën e Mesme të Muzikës. Studimet e larta për teori të muzikës i kreu në Akademinë e Muzikës në Beograd. Më pas u kthye në vendlindje, dhe për disa vjet punoi si pedagog i lëndëve teorike e praktike në Shkollën e Mesme të Muzikës, në Shkollën Normale dhe në Gjimnazin e Prizrenit.
Para ceremonisë së varrimit, Berisha do të përkujtohet nga kolegët e tij në mbledhjen komemorative të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, pjesë e së cilës ishte që nga viti 2000. Ai ka qenë sekretar i seksionit të arteve për tre vjet. Vitin e kaluar, Berisha u nderua me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e muzikës “Niketë Dardani”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës.
Gati gjysmë shekulli të jetës së tij Berisha ia ka kushtuar mësimdhënies dhe shkollimit të brezave të rinj, duke botuar edhe libra shkollorë.
Ata që patën rastin të punonin me të dhe ta njohin për së afërmi e cilësuan si njeri të urtë, të shoqërueshëm dhe kontribuues të pashoq në fushën e muzikës në vend.
Në një punim të botuar në shtojcën e kulturës në “Koha Ditore”, në shtator të 2014-s, kompozitori Zeqirja Ballata, ndër të tjera kishte shkuar edhe për kontributin e Berishës në literaturën e mangët të lëndës së muzikës dhe shkollimit të brezave të rinj. Ai kishte analizuar literaturën shkollore që ka lënë pas Berisha.
“Dispensa në fjalë ishte një ndihmesë, një kontribut i mirëpritur për literaturën tonë të mangët muzikore universitare. Kjo e shkrimet tjera bënin me dije se, për profesorin tonë të muzikës, krahas punës së tij prej pedagogu, po i fillonte preokupimet e tij me seriozitet e ambicie edhe mbi çështjet studimore që kishin të bëjnë me historinë e muzikës botërore përgjithësisht, ashtu sikundër dhe me rrjedhat e saj kombëtare, përfshirë rrjedhimisht e lidhshmërisht edhe me këto tonat kosovare”, kishte shkruar ndër të tjera Ballata, i cili deri në fund të vitit të kaluar ishte sekretar i seksionit të arteve në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Më 24 dhjetor, sekretar i këtij seksioni u përzgjedh piktori Luan Mulliqi.
Mulliqi vdekjen e Berishës e konsideron humbje të madhe për kulturën kosovare. Ai ka thënë se vdekja e akademikut Berisha do të lërë një zbrazëtirë edhe në Akademinë e Shkencave.
“Është një humbje e madhe për ne dhe për gjithë kulturën kosovare, natyrisht edhe për Akademinë e Shkencave si institucion, posaçërisht për sektorin e arteve. Kur një krijues i tillë ndërron jetë, duket se është një humbje e pakompensueshme”, ka thënë Mulliqi, tek ka treguar se me Berishën do të takohej shumë vjet më parë në Fakultetin e Arteve. Berisha, në vitin 1968 do të zgjidhej profesor i lëndës histori e muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Aty punoi deri në vitin 1975. Kur në vitin 1975 u hap Fakulteti i Arteve, Dega e muzikës, u zgjodh ligjërues i lëndës histori e muzikës botërore dhe kombëtare.
“Engjëllin kam pasur rastin ta njoh për një kohë të gjatë. Së pari nga Fakulteti i Arteve. Kishte virtyte të qeta, njerëzore. Kishte një guxim të jashtëzakonshëm kur ishte fjala për çështje profesionale, posaçërisht hulumtimet në fushën e muzikës, të cilat i kemi jashtëzakonisht të rralla”, ka thënë Mulliqi, tek ka treguar për personalitetin e tij.
“Prezantonte një qetësi dhe optimizëm tek të tjerët, por mbi të gjitha, së paku nga mendimet që kanë studentët e tij ku ai ka ligjëruar. Ka mendime se ka qenë një ndër pedagogët më të mirë sa i përket fushës së muzikës. Një personalitet i cili është me të vërtetë i pakompensueshëm për institucionin tonë”, ka shtuar ai.
Koleg e mik i Berishës ishte edhe kompozitori Fahri Beqiri. Ata kishin punuar bashkë në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Më pas edhe në Fakultetin e Arteve derisa të dy u pensionuan.
“Jemi njohur edhe me stazhin e punës që kemi pasur bashkë, por edhe profesioni na ka lidhur. Nën një kulm e kemi ndarë të mirën dhe të keqen. Humbjen e Engjëll Berishës vështirë se do të mund ta kompensojmë”, ka thënë Beqiri.
Ai ka shtuar se Berisha ishte pjesë e gjeneratës së parë që e mori guximin t’i zëvendësonte mësimdhënësit serbo-kroatë, me arsimtarë vendas. Përveç mësimdhënies, Beqiri akademikun e ndjerë e kujton edhe si kontribuues të madh për Shoqërinë Kulturore Artistike “Agimi” në Prizren, ku Berisha ishte dirigjent.
“Ai ka dirigjuar këngë të kësaj shoqërie dhe fati ka dashur që neve të na lidhte edhe profesioni. Unë si kompozitor, ai si dirigjent”, ka thënë Beqiri, tek ka kujtuar një prej bashkëpunimeve që ka pasur me Berishën në këtë drejtim.
“Madje për 90-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit e pata kompozuar një vepër dhe ai atëherë ka pasur fuqi me atë kor shumë profesional ta luajë veprën me kërkesa më të larta kompozicionale. Ka pasur edhe këtu kontribut të pamohueshëm”, ka thënë Beqiri.
Engjëll Berisha ka qenë anëtar jurie i shumë manifestimeve në vend, në shtetet e ish-Jugosllavisë, madje edhe në Evropë.
Sipas Beqirit ai ka lënë gjurmë edhe me shkrime, tekstet që i përdorin shkollat e mesme profesionale muzikore dhe Fakulteti i Arteve, Dega e muzikës të cilat ende shërbehen me tekste të tij. Në vitin 1980 ai do të magjistronte në Akademinë e Muzikës – Dega për Histori të Muzikës dhe Muzikologji në Sarajevë, kështu duke u bërë magjistër i parë shqiptar në muzikologji.
“E kemi humbur një emër që e ka pasur edhe një karakteristikë, se ka qenë një ndër shqipfolësit më të dalluar që unë i kam njohur në këtë gjysmëshekulli. Na humbi, por megjithatë lum ne që e ka dhënë një kontribut dhe ka lënë pasardhës në fushën e muzikës”, ka thënë Beqiri.
Në kujtesën e atyre që e njohën Berisha mbetet doajen i muzikologjisë në Kosovë.
Vdekjen e tij e ka cilësuar si humbje të madhe edhe kolegu i tij dhe kompozitori, Rauf Dhomi. Krahas arritjeve të tij akademike, Dhomi ka kujtuar një anë tjetër të Berishës.
“Engjëlli ka qenë patriot. Në kohët më të vështira kur mësuesit, profesorët dhe arsimi i shqiptarëve u burgosën, Engjëlli ka qëndruar duke ligjëruar shqip dhe gjithnjë duke i përkrahur studentët shqiptarë. Edhe në aspektin kombëtar ka qenë me shumë dinjitet. Si njeri ka qenë shumë social”, ka thënë Dhomi, tek ka treguar se Berishën e kishte pasur edhe profesor.
“Për gjashtë muaj diku kam pasur fatin të jem nxënës i tij në Shkollën e Mesme të Muzikës”, ka thënë Dhomi.
Humbje të madhe për muzikologjinë shqiptare, vdekjen e Berishës e ka cilësuar edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala, i cili nëpërmjet një telegrami ngushëllues, të dielën ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e akademikut të ndjerë.


“Ka qenë dhe mbetet shembulli i mësuesit dhe frymëzuesit për breza të tërë të muzikantëve. Engjëll Berisha do të kujtohet për punën e jashtëzakonshme në historinë e muzikës shqiptare”, është shkruar në telegramin e ministrit Shala.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...