2015-02-07

Në teatrin e verbër të përditshmërisë...


(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Sabir KRASNIQI






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE



ADEM ZAPLLUZHA




         


             Hyrje
           
            Adem Zaplluzha u lind më 1943 në Prizren. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë.


         Veprat e botuara

        1“Puthje”,  2.“Ecjet e viteve të mëdha”, 3.“Çamarrokët e Thepores”, 4.“Muret, 5“Morfologjia e dhembjes”, poezi, 6.“Ai vjen nesër” 7.“Letër nga mërgimi”  8.“Letër nga mërgimi 2 “  9.“Udhëndarja”,  10.“Thirrje e gjakut”,  11.“Asgjë sikur molla  12.“Vesa në lotin tim, 13.“Puthja e gozhduar”, 14. “Pema e bekuar”, e përkthyer në Ruumuni 15.“Kashelasha në vargje”,  16. “Bajraktarët e vatanit”,  17.“Hijet e ndryshkura”  18”Stuhi në Kutulishte” 19.“Posa ikte nata”,  20. Loja e myshqeve”,  21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, 22.“Metafora e heshtjes”,  23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,” 24. ”Sinorët e hinores”, poezi,  25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”,  26. ”Zjarri i dashurisë”, 27. ”Kur likenet vallëzojnë”,  28. “Ditari në vargje”,  20. “Tingujt që nuk përfundojnë”,  3o. “Shtegu i mallit”, 31. ”Korniza e thyer” 32. “Zgjimi i gjëmës”, 33. “Vallja mistike”,  34. ”Merre kodin”, 35. “Letër atdheut” 36 . “Tejdukshmëria e shiut”, 37. “Përtej teje”, 38. “Sa afër e sa larg”,  39. “Vallja e zanoreve”,  40. “Ikja e eshtrave”,  41. ”Kalorësit e mjegullave”,  42. “Hingëllimat e shiut”, 43 .“Kur pemët i ndërrojnë këmishët”, 44. “Mirëmëngjes Imzot”,  45. “Kafshimi i mikut”, 46. “Atje tej maleve”,  47. “Heshtja që del në shesh,”  48. “Portat e shpresës”,  49.“Në dhomën time gjysmë të errët”, 50. “Kinse Lojë Shahu”,  51. “Për çdo dekadë nga një baladë” 52.  “Fusha e mëllenjave”,  53. “E kujt është kjo vetmi”,  54. “Mos pyet për adresën e lumit” 55. “Stoli në parkun vjetër”  56. “Urori i stralltë”  57. “Po të mos ishte fjala” 58.“Thyerja e urave”,  59. “Trokëllimat në gjumin e dallgëve”,  6o. “Në flokët e dëborës”, 61. “Një grusht nostalgji”,  62. “Kur filluan të flasin njerëzit”,  63.“Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”,  64.“ Lisi në rrënjët e veta”,  65. “Eca ecëm dhe do ecim”,  66.“Fëmijët e erës”, Poezi,  67.“Çast në fund të stinës”,  68. “Si të flas me drurët”,  69 . “Më pëlqejnë mendimet e tua”,  70 . ”Andej dhe këndej kohës”,  71.“Zëri i heshtjes”,  72.“Kush i lexoi letrat prej erës”,  73. “Fluturimi i korbave në netët pa hënë”,    74 .“Koha e ime dhe koha e jote”,  75 .”Diku te një baladë”, 76. “Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”, 77. “Ky def prej hëne”,  78. “Pyesni zogjtë në ikje ” 79. 109 “Fërfërimë gjethesh”, 80. “Refrene yjesh”   81. “Te delta e mjellmave”,  82.“Rinjohja”,  83. “Diku në fund të një fillimi” 84. “Makthi i hijes”,  85.“Një zog prej uji”,  86."Druri i pikëlluar",  87. "Asnjë fjalë nuk frymon",  88. "Lëreni zërin tim",  89. "Mbi flokët e ullukëve", 90. "Sytë e gurtë të erës", 91. "Zjarri i mallit tim", 92"Dëneste bashkë me erën", 93. "Atdheu i paçmuar", 94. "Nëpër gjymtyrët e mjegullave",   95. "Kur era teshtin", 96. "Ndjekësit e enigmave",  97. "Një grusht dashuri",  98. "Kur dehen perënditë",  99."Daullet e një nate", 100. "Stina asnjanëse",  101. "Shi në qytetin tim",  102. "Psalm i harruar", 103. "Krakëllimat e natës", 104. "Menatë vijnë lejlekët",  105 ."Fjetëm njëqind shekuj",  106."Loti i gotës së dehur",  107. "Për kë po bie moj kambanë",  108. "Si trenat e verbër", 1o9."Mbi shpirtin e erës pagane",


            Referencat






ME KUFOMA TË NGRIRA

Zogjtë e ngrirë
Nëpër degët e thyera vrasin heshtjen
Dimri i sivjetmë
Paska veshur një këmishë të bardhë
Dhe duket se në ecje e sipër
Thua se i përngjan ndonjë spitali psikiatrik

Nëpër dhomat e mbushura
Me kufoma të ngrira
Kundërmon dita e plagosur
Një erë e rënd ngjyrë plumbi
Ankorohet në shqisat e të nuhaturit

Kolliten muret
Si të sëmurët nga tuberkulozi
Kolliten shtretërit e metaltë
Këto dritare të mëdha hapen
Vetëm njëherë në vjet
Kur dalin arkivolet e ngrira

Nëpër korridore të përgjumura
Vetëm bubuzhelët shohin ëndrrën
E lagështisë së mureve të çara
Me qindra vite
Dielli nuk paska hyrë nëpër këto dhoma


NGJANË ECJES SË KËTYRE MALEVE

Drurët e njomë të shpirtit
Me nga një copë alegorie në dorë
Ecin si të dehur nëpër histori
Parakalojnë nëpër varret e ushtarëve
Të njohur dhe të pa njohur
Më duket se po u përngjajnë gjyshërve

Ecja e tyre kishte një madhështi krenare
Ngjante ecjes së  këtyre maleve
Kur kollitej
Nga shpirtrat e gjetheve i pështynte
Të gjitha të ligat e kohës

Këta drurë sa shumë ngjajnë me parathëniet
E baladave të moçme
Edhe kur çmendet murrlani
Këndej pari
Nga secila degë pikon portreti i erës
Kurse nën shpirtin e gjetheve flenë alegoritë

Njerëzit dhe drurët e atdheut tim
Janë të ngjizur për këto male
Në shpirtin e secilit zgjohet
Një dashuri e paparë
Kur i dëgjojnë daullet e kushtrimit


MARSHOJNË MIQTË E MI USHTARË

Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Ecin nëpër natë të shurdhtë
Diku pas shpine
Kanë lënë peng nga një copë ëndrre
Turtujt e natës i ngjajnë lakuriqëve
Vetëm xixëllonjat  e kuqe
Ua hapin
Dhe ua tregojnë rrugën

Ecin nëpër natë
Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Depërtojnë nëpër shpirtin e sterrës
Për ta arritur qëllimin
I pret një rrugë e gjatë deri në atdhe
Një udhë e gjatë deri në liri

Ecin pa u ndalur askund
Marshojnë miqtë e mi ushtarë
Secili kalon nëpër dhembjen e vet
Por gjithsesi ata s’ndalen
Ecin deri në fund
Nata është e gjatë sonte
Diku në mbarim të rrugës i pret liria


QË KURRË NUK E MËSOVA PANTOMIMËN

Mbrëmjeve të vona vjeshtake
Duart e mia të plagosura sërish
Sërish tjetërsohen
Në një gjendjen asnjanëse

Fryma e lehtë e pranverës
Përkulet mbi mua
Të cilën mund ta krahasoj me gruan
E një ëndrre të moçme

Më pastaj ulem mbi kujtimet e kaluara
I pyes kalimtarët
Për hidhërimet
Dhe zhgënjimet e mia  të vogla

Por prej asnjërit
Asnjë fjalë s’u del nga goja
Ngjajnë muranave të shembura
Dhe heshtin si përmendoret e akullta

Kalojnë edhe kuajt e paçjerrë
Mua domosdo më duhet të bëzaj
Nuk e njoh atë gjuhë të bukur
Të mëgojëzave
As të dizgjinëve prej lëkurës së buajve
Dhe pendohem tej mase
Që kurrë nuk e mësova si duhet
Pantomimën
Atë gjuhë të bukur të lëvizjeve të erës


PYES NJERIUN PËRBALLË MEJE

Për çdo ditë e më shumë
Në një pasqyre konvekse
I shikoj sytë e mi
Hundën dhe duart kah zvogëlohen

Pyes njeriun përballë meje
Kush është
Dhe nga cila dritare
Hyri në dhomën time të gjumit

Kjo heshtje e gurtë mortore
S’bisedon me mua
Asnjë fjalë nuk flet as me pasqyrën
Me një ironi të paparë më shikon

Shikoj edhe unë
Duke ironizuar siluetën e akullt
Nuk di dhe s’mund të kuptoj asnjëherë
Se cili jemi më kokëfortë

Unë dhe miku im përballë meje
Ose pasqyra konvekse
Por gjithsesi mbase që të dy ne
I kemi humbur sumbullat e kaltra të mendjes


PRANVERA KURRË MË E BUKUR SE SIVJET

Janë të madhërishme këto pamje
Nga thellësitë e padukshme
Si nga ëndrrat
Dalin në shesh zërat e atdheut

Zgjohen shpirtrat e fjetur
Të nëntokës
Dhe zbresin me legjendat e bardha
Teposhtë lumenjve

Vijnë edhe kalorësit e së kaluarës
Me dizgjinë prej ari
Dhe mëgojëza të çelikta
Kalërojnë nëpër kujtesën e fjetur të shekujve

Një pemë e vjetër
Që askush nuk ja di moshën
Këto ditë çeli ashtu siç çelin
Vetëm jargavanët e atdheut tim

Pranvera kurrë më e bukur se sivjet
Një stinë që vetëm njëherë
Zbret kaq hije rëndë nga malet
E buzëqeshur rri ulur nën pemët e harlisura

Shikon e shikon të kaluarën
Po ashtu edhe të ardhmen
Korbat me një xhelozi të paparë
Krakëllin në qiellin e lindur
Për herë të dytë në këto anë
Po zgjohen njerëzit
Nga një gjumë i përdalë


PAMË SKENA APOKALIPTIKE

Po guxove preke të pamundurën
Preke hirin e shiut
Që po i ngacmon plagët e çative
Kjo natë e gjatë
Nuk po i përngjan asnjë nate

Rrinë kacule mbi gurin e kujtesës
I prek të gjitha ato ëndrra
Që deshëm e nuk mund t’i pamë
Ishin të zhveshura
Të tejdukshme si frymëmarrja

Kjo rrugë e gjatë asgjë nuk tregon
Përpos lodhjes
Dikush nga sytë e verbër të malit
I shkuli me dhunë
Rrënjët e mbjella të pemëve

Çfarë nuk pamë në jetën tonë
Kryqe të ngulura nëpër shpirtrat e drurëve
Dhe nga gjethet e zverdhura
Se si pikonte dita
Pamë skena apokaliptike
Në teatrin e verbër të përditshmërisë


Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...