(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
ALI SH BERISHA
Hyrje
Ali Sh. Berisha u lind më 20.05.1949 në fshatin Llukar, komuna e Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Gjimnazin, SHLP - dega e Albanistikës, Fakultetin filologjik - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1971 e deri në vitin 1976 punoi në Normale të Prishtinës, nga 2 shkurti i vitit 1976 e deri më 5 korrik 1990 punoi në Televizionin e Prishtinës, në vitin 1992 dhe 1993 punoi në Qendrën për Informim të Kosovës, nga viti 1993 punoi arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën fillore "Zenel Hajdini" të Prishtinës, nga fillimi i vitit 2003 e deri në gusht të vitit 2005 punoi në Radiotelevizionin e Kosovës kur edhe migroi në Gjermani për shkak të martesës.
Për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1968 dhe për udhëheqjen e referendumit për pavarësi në Kodrën e Trimave më 1991 u dënua me burg.
Me kultivimin e poezisë u mor qysh si gjimnazist dhe vazhdon edhe sot. Kultivoi prozën e shkurtër për fëmijë si dhe shkroi tregime për të rritur, të cilat i botoi nëpër gazetat dhe revistat e kohës. Nga viti 1990 u mor me hulumtime trashëgimore e historike.
Botoi këto vepra:
1. Dua ta pres lirinë (rrëfejza për fëmijë), 1996
2. Krizantemë për Nëntorin e Tretë (poezi), 1997
3. Bashkia e Llukarit (monografi), 1998
4. Bashkia e Llukarit II - Masakrat serbe në Bashkinë e Llukarit (monografi), 2000
5. Dhembje e krenari (poezi), 2001
6. Flijimet për tokën e lirë në Gallapin e Prishtinës (monografi), 2002 (Kjo monografi është pjesa e VI e projektit "Gallapi i Prishtinës")
7. Ujë dhe prush (poezi), 2003
8. Gurë me rrënjë (roman historik), 2004
9. Alfabeti i shpirtit (poezi), 2004
10. Globi (roman për fëmijë), 2004
12. Kuvendi i mbretërisë së lodrave (poezi për fëmijë), 2008
13. Gallapi i Prishtinës I, 2008
14. Gallapi i Prishtinës II, 2009
15. Gallapi i Prishtinës III, 2009
16. Muza e dhembjes (poezi), 2010
17. Gallapi i Prishtinës IV, 2010
18. Gjyshi ka siklet (poezi për fëmijë), 2011
19. Gallapi i Prishtinës VII, 2012
20. Çlirimi i shpirtit (poezi), 2012
21. I kujt është dielli (tregime), 2013
22. Gallapi i Prishtinës V, 2014
23. Gallapi i Prishtinës VIII, 2014
INDÇELIK
(Akrostik për dëshmorin Bajram Bahtiri)
Bazamentit të kullës së lirisë iu fute edhe ti,
Ante, pasi vrave tradhtinë
Jelekun zbërtheve e pusi zure n'Kodër
Radhët e hienave qëllove thekshëm
Atëherë me motin e shkurtit në perëndim
More plagën që vetëm çlirimin do kishte shërim
Babë Hajrushi t'përcolli me dhembje
Atë dimër t'përvëluar në përjetësi
Hijet makabre i shikoi në sy dhe mbylli derën
Tek n'zemrën e ndrydhur fuste gulçimën
Idilën e kuqe me rreze dielli
Rënkimin e hequr pranë altarit të lirisë
Indçelikun Besnik të atdhedashurisë
LIRINË E DUA SI SYTË E MI
(Pranë lapidarit të heroit Zahir Pajaziti)
Ju që jeni rreshtuar
në shkallët e amfiteatrit
nëse nuk e dëgjoni zërin e heroit
pikasne zemrën tuaj
në sytë e të afërmit
dhe do të ndjeni tek vjen
herë si murrlan e herë si fllad vere
fjala e njeriut në bronz
dhe shpërthen murmurimshëm heshtjen
- Lulen e lirisë e mbolla
Ju ushqejeni të jetë liri –
MAJI I BLERTË
Thuhet nga balta ka lindur njeriu
nga gjelbërimi engjëlli
por unë jam nga ashti e mishi
që të digjem e piqem
për blerimin që zë fill
Maji përsëritet e përsëritet
e unë lutem e lutem
shëndetshëm si hithi
e fort si hekuri
ndërsa engjëlli im çelë pesëshe
me mjaltin në gjuhë
me agimin në sy
UNË E KAM GJET HËNËN TIME
Nuk kishim zili askënd
në rrugën e qumështit
në bashkimin e orbitave
brenda galaktikës sonë
E gjeta a më gjeti zoti e di
dhe që të dy kënaqemi
kur galaktika pjellë yj e hëna
brenda orbitës së dashurisë
Përpiquni të keni orbitë të njëjtë
por kurrsesi kopje jona
se mund të keni vetëm përplasje
dhe djegie e fikje me dhemb
VRIMË NË ZEMËR
(Zonjës Silka Liria Blumbach)
Ndjeshmëria s'pikë prej qielli
as merret hua nga askush
është dhunti e zemrës së vrimuar
Padashtas në atë zemër hyjnë
edhe zemra prej guri
me fshikullima vrastare
Ndjeshmëria rritet e përfundon
në lotin e padukshëm
që rrëshqet në lumin e amshimit
Le të shërbejë ajo vrimë si zurna
dhe melodi dashurie
të mos e njohë vdekjen asnjëherë