Një ndër krijimtaritë më të lëvruara të letërsisë shqiptare, është edhe POEZIA. Gjini e letërsisë ku bota e brendshme, ndjenjat më sublime, frymëzimi hyjnor... shprehen përmes shkronjave të cilat krijojnë vargje... vargjet, pastaj, shpalosin mendime, mendimet krijojnë energji, energjia ndez dritat e dijës, rrezet e artë të së cilës i japin ngrohtësi zemrës, mendjes dhe shpirtit, e me këtë, edhe kuptim dhuratës më të shtrenjtë, vetë jetës.
Që nga Lekë Matrënga e Pjetër Budi, kjo energji nuk u ndalë asnjëherë së hedhuri farën e dijës, duke e kultivuar atë me dashurinë më të çiltër në shpirtin e pastër e fisnik të popullit shqiptarë. Duke i mposhtur të gjitha sfidat e kohës, kjo frymë e shpirtit të popullit, xixat e saja të arta, si një pishtar i shpresës, u bartën gojë më gojë, mendje më mendje, zemër më zemër... brez pas brezi... nga kokat më të ndritura të kombit si: Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Shiroka... për të vazhduar tek Fishta, Konica, Noli, Migjeni... e deri në kohën tonë, duke u kthyer ai pishtarë në flakadan të përhershëm që tashmë nuk ka forcë në botë që mund ta shuaj fuqinë e zjarrit të tij...
Dua ta falënderoj nga zemra mikun tim dhe poetin e mirënjohur, ADEM ZAPLLUZHA, që me përkushtim të jashtëzakonshëm, vizitorëve të kësaj faqeje, por edhe më gjerë, do t’ua prezantoj disa nga poetët më të njohur të kohës sonë, e me këtë, do e plotësoj e pasuroj edhe mozaikun e mrekullueshëm të letërsisë shqiptare.
(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
ISUF GRAJÇEVCI
Hyrje
Isuf Grajçevci u lind më 12 korrik të vitit 1948 në fshatin Hade, ku kreu shkollën fillore. Shkollën e mesme dhe shkollimin e mëtejmë e vazhdoi në Prishtinë. Rrjedh nga një familje patriotike. Me shkrime filloi te merret qysh si nxënës i shkollës fillore, kurse punimet e tij herë pas here janë botuar në shtypin e përditshëm dhe periodik. Në ndërkohë bëri ndërprerje për shkaqe te ndryshme. Punoi si korrektor në Gazetën Zyrtare të ish Jugosllavisë, në Redaksinë e gjuhës shqipe dhe në Enciklopedinë e ish Jugosllavisë - në Redaksinë e gjuhës shqipe në Prishtinë. Një kohë punoi në ish Bankën e Lubjanës deri sa u largua me dhunë nga puna dhe, u detyrua të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje punoi dhe kontribuoi për çështjen kombëtare shqiptare. Me fillimin e luftës në Kosovë, ai me shumë bashkatdhetarë ndihmoi luftën për çlirimin e Kosovës. Një kohë punoi përkthyes i gjuhës angleze në UN. Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave në New York. Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në New York dhe është anëtar nderi i Shoqatës “Atlantiku”, po në New York. Që nga viti i kaluar është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”, në Kastriot.
Tani jeton e vepron në Prishtinë dhe SHBA.
Në vitin 2008, botoi përmbledhjen e parë me poezi “Hapat e tu në mote’’ dhe “Gjurmë mergimtari” në vitin 2010.
TEATRI I JETËS
Në teatrin e jetës
herë pikojnë riga loti
herë shi i lumturisë
në pentagramin e saj
kumbojnë tinguj hareje
e tinguj plot dhimbje
diku në atë anë Lumi
pret e heshtur dashuria ime
nga stinët e shirave
fytyra i dridhet
e gishtërinjtë përpiqen
të krijojnë harmoni tingujsh
që dashuria të tingëllojë
simfoni e përkryer
DITA NË KALENDARIN TIM
(17 shkurt 2008)
Vështroja horizontin
e nuk besoja
për atë që po shihja
loti i dhembjes
puthte lotin e krenarisë
Flamurin mbaja në duar
që ende pikonte gjak lirie
gjak i marseve dhe i nëntorëve
të përflakur të lirisë
e putha
kurrë s’kam pas një ndjenjë të tillë
malli
dashurie
dhembje e krenarie
e mbështolla për trupi
dhe thashë:
Kësaj radhe s’do të ma gjakos njeri
në këtë karvan me plot dasmorë
dhe unë po e hedh vallen e pritjes
dhe për një çast
ju luta Zotit:
më dhuro një copë jetë
ta ndjej
ta jetoj këtë ditë
të shënuar në kalendarin tim.
IMJA PERËNDESHË
Dhe valë e oqeanit
përballet me shkëmbin
siç përballet dashuria ime
me stuhitë për ty
Ti
më vret në shpirt
e bukura e këtij globi
historia jote
më përplasi
në këtë Metropol
bonjak- pa nënë
ku gjurmë vuajtjesh
më janë harkuar në fytyrë
e dhembje shpirti
kurrë nuk e thanë
lotin në sy
dhe vargu im mori udhë
në shkreptima rrufeshë
luftëtarë lirie
të dërgova për qëndresë
Ty, e Bukura e Globit
Imja Perëndeshë!
SHTEGTOVA
Edhe pse shtegtova
me pahir
çdo pëllëmbë toke
e putha me lot
shtëpi të djegura
e pëllumba të vrarë
më rënduan
si gur sizifi në shpirt
e Këngën për Ty
s’e shova dot
jam larg
dhe s’kam fuqi
të ta përkëdhelë ballin
as të ta lidhë plagën
Kosova ime
por
një pushkë më shumë
ta dhurova
të ta mbrojë kufirin
dhe motrës lotin
t’ia fshij nga syri!
METROPOLEVE TUA
Mote e mote
më rrahën furtunë e stuhi
më lagën shira të ashpër
kur më ndanë nga Ti
gjarpinjtë e shekujve të zi
mbeta, vetë…
Ah
mërgim i mallkuar
po përpëlitem
Metropoleve tua
me zemër të thyer
e shikim të vrarë
Karvani ynë
pa fund…
MALL
Edhe përtej oqeanit
zemra flet për Ty
dashuria ime
këtu
nuk është dallëndyshja
e mëngjesit pranveror
as mbrëmja
me aromën e Manushaqes
diellit i mungon
Rrezja e parë
e qiellit
Ylli polar
Sa mall kam për Ty
për gurrat tua etje
hapi krahët
dhe më merr në gji
imja dashuri…
No comments:
Post a Comment