Agjencioni floripress.blogspot.com

2015/02/02

Ashtu siç e çliroi Kosovën, populli do ta mbrojë edhe “Trepçën”



Tutësit, mos i jep as pushtet, as hyqymet...!
E Kosovës ishte, e Kosovës do të mbetet sa të ketë dritë dielli mbi tokë
Pushtetarët s’e duan “Trepçën”, sepse kanë frikë ta duan! Ata e duan Kosovën, popullin, “Trepçën” vetëm për pushtet...

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Asnjë fjalë të keqe për liderë të partive politike. Ata janë fatkeqësi që kurrsesi s’bën të përsëritet më! Vota e lirë udha besim. I përzgjodhi.
I solli në pushtet. Ç’t’i bësh votës së lirë të popullit? Ajo vetë përzgjodhi miq e shokë e dajallarë e teze e kumbarë e ndrikulla e jaranë e dashnore për qejfi të vet, e jo për interesin e Kosovës.
Për interesin demokracisë. Për interesin e “Trepçës”. Apo: ndoshta, kush e di, për hatër të Evropës...Brukselit...të komshikes Serbi!
Për hatër të Politikës, po se po. Për inat të inateve të inatçieve. Vota e lirë ia la Parlamentit sherrin, tutën, paditurinë, të dera. Mbushi institucionet me frikacakë. Me të padijshëm. Me të pangopur. Figura shahu që lozin duke u kënaqur me hijen e madhe të trupit. Gjashtë muaj mbaruam blloqe. Asgjë s’ndërtuam! U bëmë horr. Qeshen me ne edhe zogjtë e pulës...Qeveria, Parlamenti, institucionet, sot, plot me koka. Plot diploma. Plot “armiq” e kurrkund miq. Syresh që, edhe tutën , edhe rrahin gjoks për trimëri. Edhe s’dinë, edhe rrahin gjoks për dije! Syresh që frikohen prej frikës së vet! Atyre s’u intereson demokracia, ligji, Kushtetuta, papunësia, Kosova, “Trepça”, por thonë: “Ne mundemi...!”. Munden, munden , por faqen e zezë... A u zë besë tutësve populli? Evropa? Miqtë? Jo, jo, sepse: Kanë frikë prej frikës së vet! Eu, po sherrin ta pamë, o vota e lirë! Non bis in idem! (Mos u përsërittë më kurrë!)
Hajde, Kosovë, hajde! Po e pasur që je!
Më mirë një ditë sokol se 100 vjet sorrë! Thotë urtësia e popullit. Por disa pushtetarëve s’u pengon as jeta sorrës, as e pulës, as e urithit...
Asnjë fjalë të keqe për disa pushtetarë të Kosovës. Mos i ngucni, allahile. Mos ua prishni terezinë. Mos ua ndërprisni kënaqësitë, dafrungat, gostitë... Mos, bre! Çka po iu bëjnë pushtetarët ? Kanë cucërruar veshët. Po heshtin. Gjashtë muaj morën paga nga taksapaguesit e popullit. Llok-llok. Pa asnjë orë pune. Pa asnjë përmbushje të obligimeve e detyrave e premtimeve që u dhanë qytetarëve para zgjedhjeve nacionale. Gjashtë paga të majme lluk-lluk. Si në bahçe të babës. Hajde, Kosovë, hajde. Po e pasur që na je! Po e dashur që je për të zgjedhurit e votës së lirë të popullit. Tash që na doli “Trepça”...
Pse erdhi “Trepça” bash sot kur kënaqësitë dhe punët e Qeverisë e të Parlamentit po shkonin mbarë? Arrë e fortë kjo “Trepça”? S’ka arrë aq të fortë për pushtetarët e Kosovës. Do ta “thyejmë” arrën me emrin “Trepçë”.Fuqinë e kanë pushtetarët e Kosovës! Dijen e zotësinë e kanë! Obligime ndaj shtetit e Qeverisë e Parlamentit kanë! Pushtetarët “ushtarë” të Kosovës. Doli “Trepça” dhe u pa trimëria, dija, zotësia e Qeverisë. Lum populli që iu ka! A e thyen arrën me emrin “Trepça” pushtetarët e Kosovës? E thyen dhe e rrëzuan për tokë. E dërrmuan dhe e shkërmoqen. Hallall u qoftë! Po qysh ia dolën mbanë këtij halli? A edhe po pyetni, a? U qua Qeveria dhe i dërgoi Kuvendit fletërrufe: “Trepça” jona! E pastaj? Masandej po kjo Qeveri e madhe, trimoshë, e përgjegjshme, doli para Kuvendit dhe popullit, bëri me dije: “S’ka “Trepçë”! Mbylleni “Trepçën”...Ne mundemi...! Ne e duam “Trepçën”.
Mos u besoni, foli populli. Pushtetarët s’e duan “Trepçën”, sepse, kanë frikë me dashtë! Ata e duan Kosovën, popullin, “Trepçën” vetëm për pushtet...! Ece besoju...?!
Kryeministrit tutës, as pushtet, as hyqymet
Hej, o populli Kosovës, s’e dini sa e do kryeministri Isa Mustafa Kosovën? Sa e do “Trepçën”, sa krejt ujët e deteve të botës. “Trepça” ishte dhe do të jetë jona! Dhe, kryeministri hoqi nga rendi i ditës së Kuvendit “Trepçën”. Po pse po e heq, o kryeministër? O burrë i dheut! O patriot! O shqiptar! Si guxon me ia heq Kuvendit të popullit “Trepçën” nga rendi i ditës? Populli po pret. Kosova po pret. Shqiptaria po pret. Varret e dëshmorëve po presin! Fëmijët tanë po presin dhe po brohorisin: “Trepça” jona, nga Lugina të Valbona! “Trepça” sot le të bëhet me Ligjin, jona. Le ta merr vesh Evropa dhe bota. Jona “Trepça”, sot e për mot. Pa “Trepçën” s’jemi të lirë. S’jemi as shtet. As shqiptar! Iku nga foltorja e Kuvendit Kryeministri, iku si hije. Iki frikacaku. Dezertoi? Marrja e motit dhe e robit! Një kryeministër, herë e hedh “Trepçën” në rend dite të Kuvendit, herë e heq. Or ti, foli populli, kryeministri s’e do “Trepçën”, sepse, ka frikë me dashtë! Kryeministri e do Kosovën, popullin, e do edhe “Trepçën”, por vetëm për pushtet...! Ece besoj këtij kryeministri?!
Këtij Kryeministri tutës: As pushtet, as hyqymet...!
Fare pak minuta pasi kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, në foltoren e Kuvendit dha urdhër që të hiqet nga rendi ditës së Parlamentit “Trepça”, si vullkan i fashitur shpërthyen minatorët e “Trepçës”. I dërguan porosi kryeministrit tutës, të papërgjegjshëm...
I dërguan porosi Beogradit pushtues dhe gllabërues shekullor i “Trepçës”...I dërguan porosi të qarta e të forta Brukselit, Evropës, Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, Presidencës, shkurt e shqip: “Trepça” – kafshorja e thatë e bukës së minatorëve! Krenaria, pasuria, sofra dhe buka e popullit të Kosovës! “Trepça” – shqiptare ishte, shqiptare është! E Kosovës ishte, e Kosovës do të mbetët sa të ketë dritë dielli mbi tokë! Afro një mijë shpirtra minatorësh! Afro një mijë Betime! Afro një mijë ushtarë të ruajtjes dhe mbrojtjes së pasurisë, dinjitetit, nderit, djepit, të dheut të pasur prej floriri të atdheut të Kosovës. U zdorgjën në thellësi të zgafelles. Një gojë. Një shpirt.
Një zemër. Një qëllim: “Kurrë “Trepça” pendël e korbit në lëkurë të shqiponjës! “Trepça”,shqiptare ishte, shqiptare do të mbetët! Duam besë! Duam garanci! Duam Qeverinë e Kosovës. Kryeministrin: Duam popullin! Duam shqiptarinë: O “Trepça” jona (e Kosovës) ,o kjo zgafelle do të bëhet varri ynë! Duam dorëzanë: Popullin” Zotin! Lirinë e Kosovës: “Trepça”, o pasuri e pronë e shtetit të Kosovës, o hapim muhabete të tjera, diku tjetër, me mjete të tjera.... Minatorët në grevë! Motoja e pasdites së sotme (e mërkurë), 21 janar 2015, nga zgafellja e Stantërgut: ASHTU SIÇ E ÇLIROI KOSOVËN, POPULLI DO TA MBROJË EDHE “TREPÇËN”!
Vargjet e minatorit për gazetën “Kosova Sot”
Me vdekur shpirti para trupit! Me vdekur fjala para gjuhës...
Me vdekur besa para pabesisë! Me vdekur trimi para tutësit!
Me vdekur pushka para robërisë!Me vdekur kënga para vajtimit!
Në jetë ka keq e më keq. Por ma keq s’ka ku shkon se: Me vdekur atdhetari para spiunit!Me vdekur goja para urisë! Me vdekur mendja para palaços! Me vdekur i mençuri para budallallëkut!
Me vdekur besimi para dyshimit!Me vdekur burrëria para t’ligut! Në jetë ka keq e më keq. Por ma keq s’ka ku shkon se: Me të thënë hajni je hajn! Me i dhënë tutësit pushtet! Me i dhënë ligshtanit hyqymet, është qesharake dhe për gazep!

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...