2015-02-07

Kur vi unë...


(www.sa-kra.ch)


       Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA






ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE




NIKOLLA SPATHARI




          

             Hyrje
 
            Ka lindur në Malësi të Madhe me  5. 12. 1940, ku  mbaroi edhe mësimet e para. Erdhi fare i vogël në qytetin e Shkodrës dhe bëri shkollën e mesme pedagogjike. Studimet e larta i kreu  për matematikë - fizikë. Ka botuar 15 libra, nga të cilat 7 libra me poezi për të rritur dhe për fëmijë. Merret me  poezi, prozë, publicistikë, studime. Është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” dhe me titullin  “Mirënjohja“ e qytetit të Durrësit. Ka marrë çmimet: “Mark Tuen“, “Migjeni“, “Dritëro Agolli“ dhe “Xha Deralla“.  Është laureat i dy çmimeve të para dhe i një çmimi të dytë në poezi. Ka qenë kryeredaktor i gazetës “Besa" në Shkodër dhe i gazetës "Pena" në Durrës. Gjithashtu ka qenë sekretar i  Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Shkodër dhe sekretar i Shoqatës “Atdhetare –Kulturore Kosova“. Aktualisht është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës dhe drejtor i revistës "Vegime letrare"




MANASTIRI I GRAÇANICËS

Si Atlasi mitik mbaj sonte qiellin
Mbi Manastirin e Graçanicës.
Si s’kam qenë këtu në atë natën e largët
Kur i nxorën sytë Simonidës!

Do të hidhesha mbi mure                       
Si hero
Baladash me zana,
Do të zija vend para Simonidës
Dhe do të priteshim gjithë natën me jatagana.

Simonida mund të çuditej me guximin tim.
Ku ta dinte ajo
Se, shumë vite më vonë
Diku në Kosovë do të njihja ty
Dhe do t’isha prapë gati të zhvishja jataganinre
Për një palë sy.



NË RRUGËN ME PALMA
     
 Në rrugën me palma,
Muzgu i heshtur
Nisi të bjerë...                                                                      
Hijet u zgjatën dhe formuan konturet e  natës,
Veç në fustanin tënd kishte mbetur pak diell .

Një zog u ul 
Në anë të një gjethi palme
Si t’ishte ulur në teh të një shpate.
Qielli le të zbrazej një çast nga perënditë
Sa të bënim ne ca mëkate.



KAPAKU I PIANOS MBETI I HAPUR

- Këngëtarit Esat Bicurri, post mortum -

Mbi partitura
Shkelën udbashët.
Ndoshta ishte një këngë për lirinë
Dhe ju të paudhë,
Me gozhdë,  tejpërtej, po e shponi,
Kapaku i pianos mbeti i hapur
Dhe ashtu  u harrua te salloni.
                                    
E morën këngëtarin,
Muzgu i Gjakovës   
I ra pas sokakëve të çarshisë,
Kënga “Çu dëshrush me t’pa ty “
Vuri kujën te Hani i Haraçisë.
                                    
Xhamia e Hodumit,
Deri në thyerje e përkuli minaren,
Në vend të ezanit
Deshi të shpërndajë nga Pashtriku
Këngën e Esatit.
Hëna nuk e gjeti dot rrugën e qiellit
Që të dilte mbi Sukë të Çabratit.

Por do të vinte liria
Dhe do të kthehej dhe ai
Një ditë dimri me borë,
E para tij
Do të përkulej, me dhimbje e gjithë Gjakova.
Unë, tek varri, nuk i vura kurorë,
I vura këngën: “Një kllef me ar ta çova“.



MAGJIA E  NJË KËNGE                             

Kur këndoje ti
Desha të mos ishim midis njerëzish,
Të ishim diku larg
Në një pyll,
Pranë gjetheve, atje ku është gjelbërimi,
Ku të digjet, mbi kokë, papritmas  një yll.

Dhe të bënim së bashku një koncert,
Zëri ynë
T’i binte natës dhe degëve mes për mes,
Te një trung edhe mund të putheshim,
Se çdo bënim deri në mëngjes...

Por ajo natë se nga më iku,
E mua
S’ më ndahen e s’më ndahen largësitë,
Me to, monopateve, grindet era ,
Por do përleshem dhe unë një ditë.



FSHATI IM

Kur vi unë
Kisha e vogël del e para nga nata,
Del edhe qielli                                                                      
Me kostelacione të njohura që në fëmijëri,
Te  burimi, mbi drurët,,
Banojnë gjithë natën yjet,
Banon dhe një koloni zogjsh gjithashtu,
Perëndia, që të gjitha gjërat i vuri në vendin e vet ,
Qetësinë e natës e vuri këtu.

Në mëngjes dielli hapë korijet
Dhe ti s’di ende
Në ç’ botë do të kthehesh.
Kudo mund të këpusësh një lule,
Kudo mund të ndjekësh një flutur, si përherë,
Dhe s’ke kohë as të çuditesh
Se si mund të ketë kaq shumë pranverë.

Kur vi këtu
E ndiej se s’do të kem vdekje,
Sepse për të vdekurit
Flitet njësoj si për të gjallët.
Ata , njëqind vjet dhe dyqind vjet,
Po aq madhështorë zbresin nga lufta ,
Se për të vdekur nuk vdiqën asnjëherë
Vetëm harruan si kapet pushka.
                                   
Ja edhe kullat
Me diellin e madh mbi çati ,
Ato që aq herë, e provuan zjarrin e Trojës
Dhe aq herë u kënduan në rapsodi.
                                    
Në fshatin tim
Kudo mund të zësh një hije
Edhe pse ka kaq shumë diell,
Këtu era është erë,
Askurrë s’e pashë
Të bëhet furtunë,
Kam shëtitur shumë , nëpër qytete dhe shtete,
Por ky është vendi ku më presin më shumë .

Nuk ndodh askund tjetër
Që ardhja ime
Gjithë zemrat t’i ngrohë.
Nga kopshtet me qershi njerëzit më thërresin :
“ Ej Niko, ç’u bëre kaq kohë ? “
                                                                                     

   

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...