(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
QAZIM D. SHEHU
Hyrje
Qazim D. Shehu u lind në Kostenjë të Librazhdit më 01.12.1962.
Pas mbarimit të Universitetit të Tiranës më 1985 ka punuar mësues në gjimnazin e Librazhdit, ndërsa tani kryen detyrën e mësuesit në vijimësi në gjimnazin “Ibrahim Rugova”, Kamëz, Tiranë. Merret me krijimtari letrare që herët, poezi, kritikë letrare, publicistikë, tregime, etj.
Ka botuar këto libra me poezi:
Fjalët e mëngjesit,1987,
Fund shpirti,1994,
Kush e shpiku dashurinë,1998,
Përmendore në shpirt,1999,
Në ndodhtë të duhemi,200,
Zogu i lumit,2001,
A isha unë Adami yt,2003,
Ti më thërret dashuri,2005,
Pikëllimi i yjeve,2006,
Fluturputhje,2007,
Mund të jeshë ti,2011,
Sytë e ditës,2012.
Si dhe vëllimet me tregime:
Sa kushton një legjendë2004
Një monument në ecje,2005
Të jetë Ana,2008
Rusianka,2009
KRESHTA
Bien kambanat e kreshtave mbi male,
Me tinguj drurësh të ngrirë,
Fyejt e barit në livadhe,
I shprushit një mall i lirë.
Si sfungjer mbajnë një re,
Thith tingujt e barit,
Në majë vështrimesh lodrojnë,
Kambanat e mallit…
TRILL
Çukërmimin e kalit tek dheu i shprishur
Ëndërrova.
Ç`kërkonte ky kalë prej tokës,
Mos dashurinë që zbriste jehonës?...
NISJE
Rrëzohet heshtja në supe tingujthyer,
Angullima e qenit shqyen fytin e agimit,
Diku po buron një ngjizje e papëlqyer,
Ditën do ta kemi të përkryer…
SHTEGTIM
Lodhur nga shtegtimi i gjatë midis rrugëve pa mbarim,
Eci.
Asnjë rrugë s`e kam përkryer.
Gishtat e diellit me mjaltë dëshirash,
Ngjyej.
Nuk e di në cilën skutë do i plagosë ato gishta,
Mbase aty ku kutërbojnë pamjet e trishta...
PËR NE
Mbi kokën tonë hapet qielli,
Zog i ngrirë në fluturim, dielli
Për dashurinë tonë ndrin,
Udhët e kryqta verbon.
Për ne ,tokën me rreze shpon,
Ta gjejë ku guduliset më shumë,
Hapin tonë mos verë në gjumë…
KORDË
Pa pushuar bie hija e trazuar,
Lëkund thumbin e një kambane,
Dhe i vë një kordë të shtuar
Me një britmë zane.
DY-ZI..M
Marramendje ndjej, vrik çohet,
Një zë i brendshëm.
Hija e trishtimit vërtitet,
Skajit të rrejshëm.
Të hedh një hap në hije,
Josh ajo me tepri,
Në anë të kundërt të shtrihem,
Drita më aty s`rri.
LUG
Lugut të mundimit pikoi djersë e kotë.
Ec tani dhe përfytyro turbinat.
Kanalet gjigande që mbushen të plota,
Mundimit të tokës i mblodhën shirat.
E VERDHË
E verdhë hëna, e verdhë xhelozia.
Pyjet në vjeshtë të verdhë mbeten.
Hëna, vjeshta, xhelozia, të tria,
Pështyjnë të verdhën dhe vetveten…