Shkruan: MARGARITA KADRIU
Drafti qeveritar paraqet cenim flagrant të privatësisë dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës
Prej nesh, si deputetë të Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht si përfaqësues e zëra të qytetarëve të këtij vendi, pritet të shqyrtojmë Projektligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike. Qeveria, në këtë rast Ministria e Integrimeve Evropiane, po kërkon që sa më shpejt t’u mundësojë autoriteteve përgjegjëse që të kenë të drejtë të përgjojnë çdo komunikim të qytetarëve, përfshirë thirrjet, mesazhet, komunikimet, si me ‘Skype’, ‘Viber’, ‘WhatsApp’ dhe të gjitha format e tjera të komunikimit mes qytetarëve. Ky projektligj, me përmbajtjen aktuale të propozuar, është kthyer prapa edhe nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, komision ky që e thekson shumë qartë se ky projektligj cenon TË DREJTËN E PRIVATËSISË së qytetarëve - të drejtat themelore të përcaktuara dhe të garantuara me nenin 36, paragrafët 1 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Andaj, Projektligji për përgjimin e komunikimeve elektronike duhet të ndryshojë, sepse, si i tillë, ai kërcënon dhe cenon të drejtën në privatësi, si dhe krijon paqartësi mes institucioneve që kanë të drejtë të autorizojnë përgjimet e caktuara dhe në cilat raste, si dhe në çfarë rrethanash mund të lejohet përgjimi.
Ky projektligj duhet të jetë shumë i qartë dhe tepër konciz lidhur me kompetencat e Gjyqësorit, Prokurorisë, Policisë, AKI-së, për të kërkuar, për të urdhëruar dhe për të lejuar përgjimet.
Në nenit 4 të këtij projektligji thuhet se “punonjësi i “Qendrës Administrative Elektronike” mundëson përgjimin pas marrjes së “urdhrit të ligjshëm nga institucionet e autorizuara me ligj”.
Këtu mungon specifikimi i qartë se cilët zyrtarë, të cilave institucione, janë të autorizuar për të dhënë urdhër të bëhen përgjimet. Pra, nuk duhet të ketë përgjime pa urdhër dhe pa një vendim nga Gjykata
Privatësia, e garantuar me Kushtetutë
Privatësia është e garantuar me Kushtetutë dhe mund të kufizohet vetëm përkohësisht, në bazë të dyshimeve shumë të bazuara e të faktuara dhe pas një vendimi gjyqësor, ku përcaktohet saktë kush dhe kur mund ta bëjë përgjimin.
Po jetojmë në një sistem perfid, kërcënues, zhvatës, korruptues, shantazhues, duke komprometuar çdo pore të jetës në shtetin tonë. Një ligj i tillë nuk mund të quhet ndryshe, pos tentativë që të instalohet totalitarizmi i një shteti policor, kërcënues, e shumë larg të qenit shtet demokratik, të cilin e synojmë, prandaj ne, si të përzgjedhurit e qytetarëve, nuk bën ta lejojmë si të tillë.
Sikur nuk u monopolizuan mjaft politika, ekonomia, biznesi e shumëçka tjetër në Kosovë, por tani të cenohet edhe privatësia elementare e qytetarëve të këtij vendi ende të pafat?!!!
Privatësia është një gjë e garantuar me Kushtetutë të vendit e me ligj dhe askush nuk mund ta cenojë atë, me përjashtim të rasteve kur cenohen rendi e sistemi shtetëror publik, siguria kombëtare, dhe kur ka rreziqe nga terrorizmi, krimi i organizuar etj. E, në këto raste, autoritetet tona, të kapura nga grupet abuzive të pushtetit, jo vetëm që nuk veprojnë, por shërbejnë si ombrellë mbrojtëse për njerëzit e botës e të nëntokës kriminale.
Tani të tentohet që gjoja në mënyrë të ligjshme të hyjnë në shtëpitë e qytetarëve, në mjediset private, në dialogët njerëzorë që i bëjnë çdo ditë, kjo është e tepërt dhe antikushtetuese!
Andaj, unë, si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk do ta votoj këtë projektligj, derisa ai nuk pastrohet nga të gjitha përmbajtjet kundërkushtetuese dhe antihumane.
Autorja është Deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës
No comments:
Post a Comment