(www.sa-kra.ch)
Përgatiti: Adem ZAPLLUZHA
ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE
DILAVER GOXHAJ (ALISA SHPËTIM GOLEMI)
Hyrje
Dilaver Goxhaj ka lindur në Gjirokastër, 2 Janar 1948,ku kreu edhe shkollën fillore dhe më pas ndjek studimet në Shkollën e mesme të përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në Tiranë, dhe në vitin 1969 titullohet oficer për artilerinë kundërajrore, kryen specializim për raketat e drejtuara kundërajrore dhe deri ne vitin 1982 ka kryer një sërë detyrash komanduese derisa dërgohet për studime në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm (1982-1984) ku mbahet pedagog taktike për Mbrojtjen Kundërajrore (MKA). Pasi kryen edhe kualifikimet pasuniversitare emërohet shef departamenit i MKA dhe i Aviacionit si dhe anëtar i Këshillit Shkencor të Ushtrisë për strategjinë dhe taktikën si dhe Komandant i Frontit Perëndimor të vendit për rast lufte. Gjate asaj periudhe ka hartuar një seri leksionesh, metodikash dhe tekste mësimorë për procesin mësimor në akademik si dhe një sërë studimesh për MKA të vendit dhe luftërat lokale. Në vitin 1994 lirohet nga ushtria dhe punësohet mësues i gjuhës angleze në shkollat e qytetit Tiranë derisa u angazhua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u ngarkua me detyrën e zëvendës Shefit të Shtabit të UÇK dhe njëkohësisht ai edhe oficeri i mbajtjes së bashkëveprimit midis UÇK-së dhe aviacionit të NATO-s. Gjatë kohës së luftës ka qenë i njohur me emrin Shpëtim Golemi, si dhe ka hartuar edhe strategjinë e afërt e të largët të UÇK-së në rast të angazhimit të NATO-s me forca tokësore. Pas lufte emërohet shef i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës deri në shkrirjen e saj dhe kthehet në Tiranë. Në vitin 2009 riemërohet përsëri pedagog pranë Komandës së Doktrinave Ushtarake dhe Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë, ku ka dhënë lëndën e Trafikut Ajror, për të cilën ka hartuar edhe një sërë leksionesh, pasi ishte lëndë e re.
Dilaveri është autor i disa librave me studime për UÇK-në dhe luftën në Kosovë: “Rruga që më çoi në UÇK”, “UÇK-ja dhe Kadareja”, “Romantika e luftës së UÇK-së”, “Drama e UÇK-së dhe e Adem Demaçit” si dhe e një sërë analizash për luftërat lokale botërore të dekadave të fundit, të cilat janë botuar në Revistën Ushtarak, (botim i Komandës së Doktrinave Ushtarake) si dhe romanin dokumentar biografik “Komandanti i pararojës”. Aktualisht është në pension, me banim në Tiranë.
Dilaveri lidhjet me Kosovën vijon t’i mbajë përmes Redaksisë “Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, pasi është anëtar i saj.
FITIMTARË TË MUNDUR !
Ja,
Më në fund erdhi dhe çasti i provës.
Si një trup i vetëm u ngritëm në këmbë,
të gjithë ne,
që pa hile e deshëm Kosovën,
duke krijuar UÇK-në,
dalëzotësen e saj.
Dhe më në fund
e thyem një armik të egër,
ndaj me të drejtë jemi krenarë
ndaj me të drejtë jemi krenarë
që luftuam dhe fituam.
Për vete e bëmë tërë botën mbarë.
Prapa lavdinë e lamë,
pavarësisht
se u dorëzuam si të mundur
nga një luftë ku dolëm fitimtarë.
ZJARRET PARTIZANË
Në netët pas luftimeve,
kur bora dhe thëllimi kurrë s’na u ndanë,
pranë zjarreve
uleshim
të thanim këmbët që kurrë s’na u thanë.
Shpinë më shpinë me shokët shpinët thamë
Pushkët pastronim dhe i mbanim pranë
Të ishim të gatshëm për çdo tramundanë.
Ndaj dhe i ndiznim zjarret partizanë,
Ata ishin për ne shtëpi dhe jorgan.
Kështu ne luftuam nat’e ditë.
Vrapuam ndër luftime me bujë,
duke luftuar me këngë në gojë,
ndaj dhe vdekja s’na sosi dot kurrë.
Sa mot i keq që ishte, sa mot i lig!
Me sa duket
mëria e madhe shumë vjeçare
e motit në Kosovë
kish shpërthyer me vrik
ngaqë robërinë e kishim duruar gjatë
e na kish bërë të liq.
DHE MË NË FUND…
Dhe më në fund lufta mbaroi.
Lajmi mori dhenë:
Serbia u dorëzua.
Shqiptarët ta gëzojnë atdhenë.
Të larguarit u kthyen
tërë salltanete e mburrje!
Ndërkaq
Heronjtë e thjeshtë të UÇK-së
shtrinin nëpër varre
kufomat e përgjakura të shokëve të tyre.
Pastaj dorëzuan armët,
sipas marrëveshjes,
dhe ktheheshin pranë familjeve
me çantat e luftës në krah,
të vetmen pasuri të tyre.
Kurse
Politikanët filluan zanatin e tyre të hershëm
duke bërë mohimin e luftës,
përçarje,
intriga
dhe grindje.
NËNAT ATYRE QË LUFTUAN!
Të gjithë ata
që në luftë shkuan vullnetarë e luftuan,
pas lufte,
çfarë nuk u punuan !
I denigruan.
Të gjithë ata
që në luftë nuk shkuan,
por u larguan
dhe matanë kufirit qëndruan e panë,
pas lufte
u shpallën luftëtarë
dhe u bënë ministra, administratorë, politikanë
dhe i urdhëruan:
Nënat atyre që luftuan!
DO TË VIJË AJO DITË
Do të vijë ajo ditë,UÇK,
do të vijë
Kur shqiptarët e mirë
do të nderojnë
Jo vetëm emrin tënd,
por edhe lavdinë,
Edhe shpresat e tua,
Edhe betimin tënd,
do të vijë.
Do të vijë, UÇK,
do të vijë.
No comments:
Post a Comment