Një lajm se Liri Berisha po bënte një sondazh në Facebook nëse Sali Berisha mund të rikthehej në pushtet, u publikua menjëherë në faqet e disa gazetave online e madje edhe në versionet print. Duhet thënë që në fillim që bëhet fjalë për një lajm të rremë, por që në gazetat Dita e Shqiptarja.com, u dha për publikun si i vërtetë. Sondazhi që i referohet zonjës Berisha gjendet në faqen e Net Tv, në Facebook, një faqe që siç duket është e krijuar vetëm për komercializëm.
Mjafton ta klikoni atë, si në Facebook ashtu edhe në adresën webhttp://sondazhetv.blogspot.com dhe do të gjeni pyetje në formë sondazhesh, kryesisht mbi Sali Berishën apo Fatos Nanon, të organizuara, sipas kësaj faqje nga njerëz të afërm të tyre apo në rastin e Nanos, nga vetë ai. Për ta kuptuar se është diçka e sajuar nuk duhen më shumë se 2 apo 3 klikime. Kjo faqe, psh, i atribuon Liri Berishës edhe një ftesë për ta aplikuar për dhurata iPhone 6. Fituesit mjafton të jenë pjesëmarrës të sondazheve të Net tv dhe t’i shpërndajnë ato.
Për ata që e njohin sadopak politikën shqiptare nuk do shumë mend të kuptosh se sondazhe e thirrje të tilla duken ashiqare që janë sajesa. Megjithatë, për gazetat Dita apo Shqiptarja.com është e sigurtë se për Liri Berishën, Sali Berisha mund të rikthehet sërish në pushtet.
A i besojnë këto gazeta trillime të tilla? Nëse do të ishte kështu, problemi i medias shqiptare nuk do të ishte më fakti që ajo është pjesërisht e lirë, siç thuhet në raportin e fundit të Freedom House, por profesionalizmi. Apo të tilla lajme ato i publikojnë si mënyrë për të rritur klikimet, ashtu si faqja deri tani anonime, Net tv? Nuk përjashtohen qëllimet e tjera.
Shqiptarja.com publikonte pak ditë më parë një lajm se Lulzim Basha ngjante me Ermal Hoxhën, nipin e ish –diktatorit Enver Hoxha. Jo rastësisht ky lajm botohej menjëherë pas arrestimit të Ermal Hoxhës për trafik droge dhe ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Një tjetër gazetë e njohur në treg, Mapo, jo pak kritike ndaj publikimit të lajmeve të paverifikuara nga portalet në internet, në versionin e saj online tenton të tregohet më e kujdesshme. Ajo e boton sondazhin e Liri Berishës duke e pranuar që është fals, madje duke e konsideruar si provokim për Lulzim Bashën.
Mirëpo, në të njëjtën ditë Mapo ka një tjetër lajm nga profili fals i Fatos Nanos në Facebook, i njëjti profil që përdoret për sondazhet nga Net tv.
Në të dyja rastet, sondazhi fals i Liri Berishës dhe postimi fals i Fatos Nanos përdoren politikisht nga Mapo. Në rastin e parë duke i treguar publikut se e ka kuptuar “lojën” që po luhet. Në të dytin duke pranuar padashje se nuk bën dallim nga mediat pranë qeverisë, ku flitet për t’i përdorur sajesat politikisht.
No comments:
Post a Comment